Kosova
Festivali “Mërgata”, në Fushë Kosovë: Verë, ritëm dhe shije
“Fushë Kosova Fest” sjell festivalin dhe tregun veror “Mërgata” nga 15 korriku deri më 15 gusht: Mbi 100 mijë vizitorë priten në parkun “Pishat”
E mërkurë, 16 Korrik 2025 - 18:25
albinfo.ch
Nga data 15 korrik deri më 15 gusht 2025, në hyrje të parkut rekreativ “Pishat” në Sllatinë, Fushë Kosovë, po mbahet festivali dhe tregu veror “Mërgata”, një ngjarje që synon të bëhet atraksioni kryesor i verës për qytetarët dhe mërgimtarët që kthehen për pushime në Kosovë.
Për 30 net radhazi, festivali do të ofrojë performanca nga artistë të njohur të hip-hopit, RnB, muzikës qytetare, folklorike dhe pop, duke targetuar të gjitha grupmoshat, nga të rinjtë deri te familjet. Çdo natë do të ketë një artist kryesor, dy artistë lokalë dhe një DJ, për të siguruar një atmosferë festive dhe gjithëpërfshirëse.
Tregu veror me mbi 40 shtëpiza druri
Krahas muzikës, pjesë e festivalit është edhe tregu veror me mbi 40 shtëpiza druri, të cilat do të merren në shfrytëzim nga biznese lokale dhe rajonale për të ofruar pije dhe ushqime për vizitorët. Rreth 100 pjesëtarë stafi do të angazhohen nga bizneset pjesëmarrëse dhe mbi 10 nga ekipi organizues, duke u kujdesur për mbarëvajtjen e aktivitetit.
Infrastrukturë moderne dhe dekor veror ‘Eco Friendly’
Skena muzikore do të jetë e pajisur me teknologji profesionale dhe ekran LED për marketing dhe animacione festive. Hapësira e festivalit dhe shtëpizat e drurit do të dekorohen me ndriçim shumëngjyrësh dhe elemente verore ‘Eco Friendly’, për të ruajtur harmoninë me ambientin natyror të parkut “Pishat

Siguri e garantuar dhe marketing modern
Siguria e festivalit do të mbikëqyret nga kompani të specializuara, në bashkëpunim me institucionet lokale, për të garantuar një eksperiencë të sigurt për të gjithë. Ndërkohë, marketingu i festivalit do të realizohet nga kompania “Univers Studio”, e cila do të kujdeset për rrjetet sociale, kampanjat promovuese, xhirimet me dron, foto dhe video profesionale, si dhe shfaqjen e logove të sponsorëve në ekranin LED të skenës.
Pritshmëritë: mbi 100.000 vizitorë gjatë gjithë muajit
Sipas analizave të ekipit të marketingut, falë periudhës kur kthehen shumë mërgimtarë, strategjisë së marketingut dhe hyrjes falas, festivali dhe tregu veror “Mërgata” pritet të mbledhin mbi 3.500 pjesëmarrës çdo natë, duke e çuar numrin total të vizitorëve mbi 100.000 gjatë gjithë periudhës.
Distanca e afërt me qytetet Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Drenas dhe Skenderaj është një tjetër arsye që i bën organizatorët të sigurt për një pjesëmarrje masive.
“Përmes performancave nga artistët më të mirë vendor, si dhe pijeve dhe ushqimeve nga shtëpizat tona të drurit, kemi menduar të ofrojmë një aktivitet të veçantë për mërgimtarët që vijnë nga e gjithë bota,” thotë Endrit Arifaj, menaxher kryesor i projektit.
Me një kombinim të muzikës, gastronomisë dhe atmosferës festive, “Mërgata” premton të kthehet në ngjarjen më të madhe verore të rajonit, duke e bërë verën në Fushë Kosovë edhe më të paharrueshme.