Shqipëria

FBI në Tiranë për hetimin e sulmit më të madh kibernetik në Shqipëri

Duhet të ketë një investigim të thellë të këtij sulmi kibernetik, tha zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Një sulm kibernetik ndaj sistemit të shërbimeve online në Shqipëri që ndodhi kohë më parë po hetohet nga institucionet përkatëse dhe për këtë në Tiranë ka arritur edhe një grup i FBI-së.

Këtë e ka bërë të ditur zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë vizitës në Qendrën e Kontrollit Teknik të Automjeteve Vlorë, ku ka thënë se FBI do ta ndjekë gjithë procesin. “Duhet të ketë një investigim të thellë të këtij sulmi kibernetik, pasi sot lufta më shumë se kurrë zhvillohet në energji dhe në fushën kibernetike”, tha Balluku, raporton Albinfo.ch.

Sipas saj, këto janë të gjitha fenomenet e zhvillimit teknologjik të botës, por edhe Shqipëria nuk përjashtohet nga këto sulme.

“Ndaj ne po marrim të gjitha masat. Mbështetja që kemi nga partnerët, nga aleatët dhe sidomos, siç thashë, ky investigim i thellë që po bëhet nga FBI dhe agjencitë e tjera të inteligjencës, do të na japin të gjitha të dhënat, si ka ndodhur sulmi, nga ka ardhur, megjithëse një pjesë e tyre sot janë zbardhur”, tha ajo, duke mos dhënë më shumë detaje.

Ndryshe, Shqipëria muajin e kaluar ka qenë cak i një sulmi kibernetik, për të cilin kryeministri Edi Rama tha se është kryer nga një shtet tjetër, duke mos i përmendur emrin.

Sulmi më i madh kibernetik në historinë e Shqipërisë paralizoi të gjitha faqet qeveritare, përfshirë platformën e shërbimeve online e-Albania, përmes së cilës qytetarët pajisen me shumicën e dokumenteve.

Sulmi nisi si një sulm tipik, në të cilin hakerët u përpoqën të godasin sistemet kritike, duke synuar t’i bënin ato jofunksionale, njoftoi Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit./Albinfo.ch