Kosova

Familjarët e të dëbuarve i drejtohen Gjykatës Kushtetuese

Familjarët e shtetasve turq të dëbuar nga Kosova, muajin e kaluar kanë ngritur edhe padi kundër institucioneve përgjegjëse ndaj vendimit për urdhër- largimin e tyre me forcë dhe për revokimin e leje-qëndrimit të gjashtë shtetasve turq

Familjet e gjashtë shtetasve turq, të cilët më 29 mars të këtij viti u dëbuan nga autoritetet e Kosovës për në Turqi, janë duke përgatitur dosje për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar Urim Vokshi, avokati i njërës prej gjashtë familjeve të shtetasve turq, duke shtuar se dosja ka të bëjë më shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave kushtetuese me rastin e largimit me forcë të këtyre personave, përcjell albinfo.ch.

Familjarët e shtetasve turq të dëbuar nga Kosova, muajin e kaluar kanë ngritur edhe padi kundër institucioneve përgjegjëse ndaj vendimit për urdhër- largimin e tyre me forcë dhe për revokimin e leje-qëndrimit të gjashtë shtetasve turq.

Padinë e familjarëve të gjashtë shtetasve turq ndaj Qeverisë së Kosovës ditë më parë e kishte konfirmuar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se Qeveria e Kosovës “ka filluar një hetim të brendshëm”, lidhur me këtë çështje.

Dëbimi i gjashtë shtetasve turq ka nxitur reagime të ndryshme të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, posaçërisht nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat e kanë dënuar veprimin e institucioneve të Kosovës.

Dyshimet e ngritura se janë shkelur standardet ndërkombëtare të lirive dhe të drejtave të njeriut, kanë shtyrë edhe Avokatin e Popullit, Hilmi Jashari që të nisë hetimet lidhur me këtë rast të dëbimit.

Në një raport më rekomandime të publikuar nga institucioni i Avokatit të Popullit drejtuar institucioneve kompetente në vend, janë gjetur shkelje të të drejtave të njeriut, tha për Radion Evropa e Lirë, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

Sipas tij, në bazë të të gjeturave gjatë hetimeve shtetasit turq nuk janë dëbuar, por janë ekstraduar nga Kosova.

Edhe Kuvendi i Kosovës më 17 prill pati miratuar një rezolutë për themelimin e një Komisioni hetimor lidhur me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova. Por, ky komision nuk është formuar.

Pesë prej shtetasve turq të dëbuar nga Kosova ishin punonjës të shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk.

Ankaraja i ngarkon ata me dyshimin se janë anëtarë të organizatës “Hizmet” të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen dhe e fajëson këtë të fundit se qëndron pas një tentim-puçi në korrik të vitit 2016.

Autoritetet e sigurisë në Kosovë, nën arsyetimin se këta persona paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fillimisht ua revokuan të njëjtëve të drejtën e qëndrimit dhe më pas i deportuan nga Kosova për në Turqi, në bashkëpunim me inteligjencën turke.

Në ditën e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, si një aksion i koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova, jo vetëm deputetët, por edhe presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit patën deklaruar se nuk kishin njohuri rreth këtij rasti.