Lajme

Familja shqiptare dhuron shtatoren e Nënës Terezë

Familja shqiptare dhuron shtatoren e murgeshës së famshme shqiptare, për parkun e klinikës. Ky është një falënderim i pritjes së përzemërt gjatë arritjes në Augsburg.

Mirësi, buzëqeshje, dora e gatshme për „mirëseardhje“, kështu duket nga dita e shtunë një shtatore e bronztë e ndihmëtares së të varfërve dhe bartëse së Çmimit Nobël, Nënës Terezë në një lartësi të vogël mbi parkun e klinikës.

Shtatorja u dhurua nga gastronomi i Augsburgut, kosovari Ilir Seferi dhe familja e tij, në shenjë falënderimi për pritjen e përzemërt, pas arratisjes së tij nga Kosova, para 18 viteve.

Kujtimi mbi vajzën e lindur në Shkup nga një çift shqiptar, prej tani nuk do të jetë vetëm në Kalkutë, në fushëveprimin e saj. Madje edhe në Ballkan, e posaçërisht në vendlindjen e paraardhësve të saj, ajo deri më sot nderohet si një shenjtore.

„Nëna Terezë është një simbol i guximit dhe ngushëllimit“, ka deklaruar kryetari i komunës Peter Grab, gjatë inaugurimit të shtatores, ditën e shtunë, „dhe mu për këtë, parku i klinikës është vendi më i përshtatshëm për te“.

Së bashku me dhuruesin, Ilir Seferi, ministrin e Kulturës të Republikës së Kosovës, Memli Krasniqi dhe Dr. Vilson Mirdita, ambasador i Republikës së Kosovës, kryetari Grab e hoqi flamurin e Augsburgut, me të cilin ishte mbështjellë shtatorja.

„Një gjest i falënderimit për Augsburgun është dhurata e imazhit të Nënës Terezë“, ka deklaruar Ilir Seferi, i cili në moshën 20-vjeçare është dashur të arratiset nga fshati i tij i lindjes Prekaz.

„Augsburgu më ka mirëpritur dhe më ka ofruar një rast të ri dhe për këtë, unë i jam shumë mirënjohës“, shpjegon Seferi, i cili gjatë viteve ka arritur të bëhet një gastronom i suksesshëm, duke udhëhequr tre restorane.

„Kjo shtatore do të jetë një lidhje në mes të vendlindjes sime në Kosovë dhe vebdbanimit tim të ri në Augsburg“, vazhdon Iliri. Projekti u financua nga familja e gastronomit dhe kursimet e afaristëve shqiptarë nga Augsburgu dhe Mynihu, shkruan „Augsburger Allgemeine Zeitung“.

E modeluar në gjips, e derdhur me bronzë, kështi ishte ndërtuar shtatorja e shenjtores nga skulptorja gjermane Marlies Hof. Skulptorja nga fshati i vogël Harbach në Westerwald ka shumë përvojë në çështjen „Nëna Terezë“.

Gjatë procesit krijues të saj, ajo gjithnjë ka pasur punë me Nënën Terezë dhe jetën e kontributet e saja, ka studiuar libra dhe fotografi mbi „Engjullin e Kalkutës“, në mënyrë që të pasqyrojë saktë tiparet e saj në shtatore.

Shtatroja e Augsburgut është e dyta me radhë në rajon, pasi skulptorja gjermane, në vitin 2006 e kishte ndërtuar një shtatore të ngjashme për një shtëpi pleqësh në Niederfischbach.