Lajme

Familja Dulaku pret drejtësi nga Zvicra

Familja e Samir Dulakut, të cilin e kishin shkelur për vdekje tri vjet më parë në Zvicër, jeton në gjendje shumë të rëndë. Gruaja e tij, Shahija, po përkujdeset për tre fëmijët në kushte shumë të rënda. Albinfo.ch e ka vizituar familjen

U bënë tri vjet që Samir Dulaku ndërroi jetë. Ai ishte shkelur për vdekje, pasi dy makina po bënin gara të shpejtësisë në Gjenevë, Zvicër, kur vetura BMW goditi me fatalitet, Samir Dulakun nga Opterusha e Rahovecit.

Gruaja e tij, Shahije (35), tashmë ndodhet në gjendje shumë të vështirë, pasi duhet të përkujdeset e vetme për tre fëmijët, Altinin (14), Armendin (10) dhe Arditin (8).

Përveç përkrahjes nga familja e burrit, ajo nuk gëzon përkrahje tjetër financiare. Shahija thotë se pret më shumë nga shteti zviceran, janë lodhur edhe fizikisht dhe psikikisht. Ajo flet edhe për procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjenevë.

Fillimisht Shahija tregon për albinfo.cht se si shkoi burri i saj në Zvicër dhe përse. “Ai ka shkuar për të punuar në Zvicër, pasi në Kosovë nuk i kemi pasur kushtet të mira. Gjithashtu ka shkuar në mënyrë që fëmijët të kenë të ardhme më të mirë. Ai shkoi në shtator të vitit 2011. Ka punuar në ndërtimtari dhe ku ka mundur”, ka thënë Shahije Dulaku në një intervistë ekskluzive për albinfo.ch.

Tani gjendja e kësaj familje është përkeqësuar edhe më shumë. “Është shumë vështirë të jetosh pa burrë dhe me tre fëmijë. Të tre djemtë janë në shkollë dhe kanë shumë shpenzime. Ne nuk gëzojmë përkrahje financiare. Tri vjet u bënë nga vdekja e tij dhe nuk kemi pasur as pension dhe asnjë të ardhur tjetër. Askush nuk  përkujdeset për mua dhe fëmijët”, vazhdon rrëfimin ajo me lot në sy, e dëshpëruar nga gjendja në të cilën ndodhen.

Nuk kanë as kulm mbi kokë

Ajo dhe tre fëmijët nuk kanë as kulm mbi kokë, që është njëri nga problemet e kësaj familje. “Unë së bashku me tre fëmijët jetojmë në një dhomë. Nuk kemi shtëpi tonën. Jetojmë në shtëpinë e babait të Samirit, së bashku edhe me kunetët. Krahas shpenzimeve tjera të shumta, unë kam migrenën dhe duhet të marr gjithmonë ilaçe. Kohët e fundit dy djemtë kanë qenë më grip…”.

“Ne nuk kemi marrë asnjë pension nga Zvicra deri më tani dhe asnjë ndihmë tjetër. Na janë ofruar 80 mijë franga më herët, përmes avokatit por nuk iu kemi kthyer përgjigje deri më tani. Tani jemi të lodhur fizikisht dhe psikikisht. Kemi ardhur në gjendje të rëndë dhe nuk kemi rrugëdalje tjetër veçse të pranojmë këtë shumë.

Kemi pritur më shumë, pasi ai ka qenë duke ecur në vija të bardha, derisa është goditur me shpejtësi të madhe. Ne jemi të vetëdijshëm se edhe tetë milionë nëse na i ofrojnë, Samiri nuk ngjallet, por çfarë të bëjmë me 80 mijë franga, kur nuk kemi as shtëpi. Çfarë të ardhme do të kenë fëmijët. Ata janë të rinj dhe nuk mund të punojnë edhe disa vite”, shton Shahija, që është lodhur nga kjo gjendje.

Të zhgënjyer

Derisa procesi gjyqësor në Gjenevë po vazhdon, familja Dulaku, me ankth po pret se çfarë dënimi do të jepet. “Kemi lexuar (në albinfo.ch) çfarë ka ndodhur në procesin gjyqësor. Dëgjuam se ai që e ka mbytur mund të dënohet me gjashtë vjet. Kjo është shumë pak. Plaga që na ka shkaktuar neve është shumë e madhe. Unë kam humbur burrin, ndërsa tre fëmijë kanë mbetur pa baba. Kjo është shumë e rëndë. Kjo ngjarje ka tronditur familjen tonë.

Unë kërkoj nga gjykatësi që të vë dorën në zemër dhe nëse kjo ngjarje do t’i ndodhte atij, atëherë, sa vjet do ta dënonte. Sa duhet të dënohet dikush që ka lënë jetimë tre fëmijë dhe ka lënë një familje në gjendje të rëndë.

Gjithashtu jemi të befasuar nga deklarata e tij se i akuzuari ka mbajtur armë kinse për vetëmbrojtje. Kjo na ka hapur plagët edhe një herë dhe ka qenë një vrasje e dyfishtë për ne. Si kemi mundur ta kërcënojmë ne nga Kosova, kur nuk e dimë kush është? Do të ishte etike që së paku ose ai ose familja e tij të na kërkojë falje. Kjo nuk ka ndodhur deri më tani.

Ne nuk kemi kërkuar ndihmë sociale në Kosovë, pasi kemi shpresuar se do ta marrim nga Zvicra, por kjo nuk ka ndodhur. Ne kërkojmë një rrogë mujore. Një rrogë për shpenzime dhe për shkollimin e fëmijëve.

Sa i përket procesit gjyqësor jemi informuar vetëm në albinfo.ch. Nuk kemi marrë asnjë ftesë për të marrë pjesë. Edhe pse nuk kemi financa dhe nuk kemi as viza, gjithsesi se do të dëshironim të merrnim pjesë në gjykim. Ne duam vetëm drejtësi. Duam që ai të dënohet ashtu si e meriton dhe të kemi pagë mujore dhe një dëmshpërblim për vdekjen e tij. Po ashtu kemi pritur se shkaktari do të na kërkonte falje…” përfundon ajo.

I ndjeri ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje si 18-vjeçar. Ai shkoi në Zvicër për një jetë më të mirë për familjen, ndërsa u kthye si kufomë.