Futboll
Eurosport: Shqipëria, ambicioze dhe e përgatitur
Një ekip ambicioz, këmbëngulës dhe i përgatitur. Kundërshtari i parë i Italisë në “Euro 2024” është më i vështirë sesa mund të pritet
                                                                        Starti i “Euro 2024” po afron, ndaj mediat ndërkombëtare kanë intensifikuar informacionin për 24 finalistët.
Nuk bën përjashtim as “Eurosport”, që në versionin e vet italisht i kushton një shkrim Shqipërisë, kundërshtares së kampionëve në fuqi të kontinentit në Dortmund, më 15 qershor:
“Një ekip ambicioz, këmbëngulës dhe i përgatitur. Kundërshtari i parë i Italisë në “Euro 2024” është më i vështirë sesa mund të pritet. Kombëtarja e Sylvinho e ka të gjithë potencialin për t’i vënë në vështirësi azzurrët e Spallettit. Blloku ‘italian’ i përbërë nga Gjimsiti, Ismajli, Asllani, Bajrami, Ramadani, Berisha dhe Kumbulla kryeson një grup të larmishëm dhe cilësor.
Shqipëria është një ‘nëntokë’ që nuk i trembet askujt dhe që, pikërisht nga natyra, mund të krijojë probleme të ndryshme për Italinë, Kroacinë dhe Spanjën. Kjo kombëtare ballkanike mund të konsiderohet zbulim, ndaj si pengesa e parë për italianët në Kampionatin Evropian nuk duhet nënvlerësuar. Bajrami dhe Broja i japin mjaft cilësi Shqipërisë.
Në procesin kualifikues për Kampionatin Evropian të Gjermanisë, Shqipëria dominoi Grupin E (ku përfshihej edhe Republika Çeke, Polonia, Moldavia dhe Ishujt Faroe), duke përfunduar në vendin e parë, së bashku me Çekinë (në fakt, çekët u renditën të dytët për shkak të golaverazhit më të keq se kuqezinjtë, por me pikë të barabarta). Kombëtarja e Sylvinho, në 8 ndeshjet e luajtura në fushatën eliminatore, regjistroi 4 fitore, 3 barazime dhe vetëm një humbje (kundër Polonisë më 27 mars 2023). Përveç rezultateve të shkëlqyera bien në sy të dhënat për golat e pësuar: vetëm Portugalia (2) dhe Franca (3), në fakt, bënë më mirë në këtë drejtim se kundërshtarët e afërt të Italisë në Evropian. Kuqezinjtë pësuan vetëm 4 gola, si Anglia, Belgjika dhe Kroacia.
CV e konsiderueshme evropiane falë karrierës së tij të gjatë (dhe të suksesshme) si futbollist. Braziliani Sylvinho, midis viteve 1999 dhe 2010, kaloi nëpër disa klube kryesore në kontinentin tonë si Arsenali, Barcelona (e Guardiolës) dhe Manchester City, duke triumfuar gjithashtu dy herë në Ligën e Kampionëve. Në moshën 50-vjeçare, ai konsiderohet një trajner modern dhe i përgatitur, me disa eksperienca të rëndësishme si te Corinthians apo si bashkëpunëtor teknik në Interin e Mancinit (mes viteve 2014 dhe 2016). Në janar 2023, braziliani u bë trajneri i ri i Shqipërisë (duke zënë vendin e Edy Reja). Me “shqiponjat” u kualifikua në finalet e Kampionatit Evropian falë vendit të parë në grupin eliminator. Sylvinho aplikon futboll të ekuilibruar, në të cilin kujdeset shumë për fazën e mbrojtjes, pa mohuar megjithatë agresionin e menjëhershëm, pasi humbet posedimin e topit.
Shqipëria aplikon formacionin 4-2-3-1, i cili mund të bëhet 4-3-3 në varësi të kundërshtarit dhe pozicioneve të Jasir Asanit e Nedim Bajramit. Këtë të fundit e njohim shumë mirë duke pasur parasysh eksperiencat e tij me Empolin dhe Sassuolo. Referenca qendrore përpara, qoftë Broja apo Manaj, është gjithmonë aty, ashtu si edhe linja mbrojtëse me katër lojtarë, e drejtuar nga mbrojtësi i Atalantës, Berat Gjimshiti.
Kushtojini vëmendje sulmuesit Armando Broja, i cili pas një mungese gati 2-vjeçare për shkak të dëmtimit, po i afrohet Kampionatit Evropian me një formë të shkëlqyer dhe besim të ri. Lojtari i Fulham, i lindur në vitin 2001 (i huazuar nga Chelsea) hapi rezultatin në miqësoren kundër Lihtenshtajnit më 3 qershor, e fituar 3-0 nga “shqiponjat”. Më në fund duket se i ka lënë pas problemet e tij fizike. Ka interes nga disa klube të mëdha evropiane për 22-vjeçarin e lindur në Slough, i cili do t’iu thotë lamtumirë bluve të Londrës. Kompeticioni kontinental mund të bëhet vitrinë klasike për t’u dukur edhe më shumë. Ai gjuan me të majtën dhe të djathtën, di të lëvizë dhe të luajë me topin. Quajeni yllin e ri të kombëtares shqiptare.
Shqipëria nuk duhet nënvlerësuar. Ka individualitet të mirë, mburret me një trajner të përgatitur dhe ambicioz dhe nuk është në Kampionatin e parë Evropian, duke qenë se në vitin 2016, në Francë, pati pjesëmarrjen e parë historike (vendi i tretë në grup pas Francës nikoqire dhe Zvicrës). Me pak fjalë, grupi me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë mund të duket si i “ferrit”, por për asnjërin prej të treve nuk do të jetë e lehtë ta mundë këtë Shqipëri. Kombëtarja e Sylvinho nuk është aspak një “viktimë” sakrifikuese, kalimi i fazës së grupeve nuk përfaqëson një objektiv të pamundur”.
E-Diaspora
- 
                                                
                            
                            Fjolla dhe Ardiana prezantojnë “Vajzë”, një urë mes Kosovës dhe Zvicrës “Vajzë”: Moda si urë mes kulturave... - 
                        USA                        
                            
                            Kur ëndrrat nuk njohin kufij, rrugëtimi akademik i Albulena Ukës - 
                                                
                            
                            Në Stokholm, Lea Ypi sjell rrëfimin e ri mbi lirinë dhe identitetin shqiptar - 
                                                
                            
                            Në Berlin u prezantua romani “ë” i autores Jehona Kicaj - 
                                                
                            
                            Marigona nis postdoktoraturën si Fulbright Visiting Scholar në Los Angeles 
Jeta në Austri
- 
                                                
                            
                            Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë Studimi i EY: 90% e familjeve austriake përpiqen të kursejnë energji, 17% nuk mund t'i paguajnë... - 
                                                
                            
                            Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa - 
                                                
                            
                            Çmimet e shtëpive familjare në Austri rriten me 2.2% në fillim të vitit 2025 - 
                                                
                            
                            Kërkesat për azil në Austri bien me 32% në vitin 2025 - 
                                                
                            
                            Vjenë: 200 ankesa të paraqitura kundër supermarketeve për zbritje mashtruese 


                        







