Bota
Eurodeputetët, pro reformimit të negociatave për anëtarësim
Propozimet e fundit të Komisionit Europian për reformimin e procesit të anëtarësimit janë përshëndetur nga deputetët e Parlamentit Europian. Ato shihen si urë për çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.
Deputetët e Parlamentit Europian i kanë mbështetur të mërkurën propozimet e reja të Komisionit Europian për reformën e procesit të zgjerimit të BE-së me vende të tjera. Kjo reformë u bë e nevojshme pas këmbënguljes së Francës, se para zgjerimit me vende të tjera e çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të kryhet një herë reforma e procesit nga vetë BE-ja. Propozimet e reja duket se mirëpriten tani nga eurodeputetët.
Eurodeputetja hungareze, Kinga Gal, nga grupi i parlamentar i partive popullore (EVP) u shpreh të hënën (10.02) në seancën plenare të Parlamentit Europian në Strasburg se këto propozime janë një urë për të zgjidhur problemin e negociatave të ngecura me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kurse i ngarkuari i BE-së për zgjerimin, Oliver Varhelyi, tha se procesi i negociatave duhet të bëhet më i besueshëm. Eurodeputeti bullgar, Ilhan Kyuchuk, nga grupi parlamentar liberal Renew në plenumin e Strasburgut theksoi se metodologjia e re tani duhet të sjellë dinamikë në procesin e negociatave dhe jo ta bëjë procesin më të komplikuar.
Procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE ishte temë bisedimi edhe në vizitën e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, me kancelaren Merkel të hënën në Berlin. Merkel dhe Orban përforcuan qëndrimin se samiti i BE-së në mars duhet të japë sinjalin e hapjes së bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Orban, nga ana e tij, kërkoi që të përfundojnë bisedimet e anëtarësimit me Serbinë. “Bisedimet me Serbinë duhet të përshpejtohen dhe të përmbyllen”, tha Viktor Orban para takimit me kancelaren Merkel. “Vetëm kështu mund të arrihet stabilizimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor”.
Çelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u bllokua në vjeshtën e vitit të kaluar për shkak të vetos franceze. Presidenti francez, Macron, kërkoi reformimin e procesit. Tani propozimi i ri i Komisionit parashikon që 35 kapitujt e anëtarësimit të ndahen në gjashtë grupime tematike. Negociatat do të duhej të fillonin tek të gjashtë tematikat. Me këtë Komisioni Europian shpreson që të ketë sukses çelja e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut në samitin e BE-së në maj, në Zagreb.
E-Diaspora
-
Kosova dhe Shqipëria në krye të kërkesave për bashkim familjar në Gjermani Pavarësisht shtrëngimit të politikave të imigracionit në Gjermani, qytetarët nga Kosova dhe Shqipëria mbeten ndër aplikuesit... -
Mbi 18 mijë votues nga Zvicra për zgjedhjet në Kosovë -
Leyla Ibrahimi-Salahi uron udhëtarët: “Na pret një 2026 plot risi” -
Traditë shqiptare e Krishtlindjes që ndriçon një lagje zvicerane -
Fehmi Mahalla: Nga Ferizaj në Lozanë, kampion dhe trajner i kampionëve
Jeta në Austri
-
Ekspertët kosovarë që shkëlqejnë në Evropë: Dr. MDSc Genc Zenunaj pjesë e rastit të parë “Guided Quad Zygoma” LUMC, Holandë Në Departamentin e Kirurgjisë Maksillofaciale në LUMC u krye me sukses ndërhyrja e parë “Guided Quad... -
Vjenë: Procesi i votimit në ambasadë po vazhdon në mënyrë të rregullt -
Sulmohet me armë xhamia e shqiptarëve në Austri -
Trump dëshiron ta shkëpusë Austrinë nga BE-ja -
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026











