Lajme

EULEX-i bën thirrje Qeverisë të mbështesë arrestimet

Secili njeri është i pafajshëm gjersa të mos vërtetohet e kundërta dhe secili është i barabartë para ligjit”, thuhet në komunikatë

 

Misioni evropian i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX-i ka konfirmuar edhe njëherë sot ekzistimin e një fletarrestimi kundër Fatmir Limajt. Në një komunikatë për media EULEX ka njoftuar se prokurorët kanë qenë në kontakt me Limajn për të diskutuar situatën e tij, ngase Limaj është deputet i Kuvendit të Kosovës dhe gëzon imunitet.

 

Po ashtu në komunikatë thuhet se EULEX-i fton Qeverinë për mbështetje dhe bën thirrje të mos ketë ndërhyrje politike në proces. “Secili njeri është i pafajshëm gjersa të mos vërtetohet e kundërta dhe secili është i barabartë para ligjit”, thuhet në komunikatë.

 

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës gëzojnë imunitet nga ndjekja penale vetëm për veprimet e tyre të ndërmarra në kuadër të fushëveprimit dhe përgjegjësive të tyre si deputet dhe nuk gëzojnë imunitet nga ndjekja penale për veprat e kryera para se të zgjedhën deputet apo vepra të kryera jashtë fushëveprimit dhe përgjegjësive të tyre si deputet. Kështu ka vlerësuar të premten Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi pas kërkesës së mediave për interpretimin të rastit të imunitetit të deputetit Fatmir Limaj.

 

Sipas njoftimit të Kryeprokurorit të Shtetit, kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit.

 

“Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk mund të arrestohet dhe as të ndalohet përderisa është duke kryer detyrat e deputetit pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

 

Prandaj Prokuroria e Shtetit vlerëson se nuk ka bazë ligjore për të kërkuar heqjen e imunitetit për ndjekje penale për të cilën vepër deputeti nuk gëzon imunitet.

 

“Çështja e kërkesës për pëlqimin e Kuvendit për arrestimin apo ndalimin e deputetit, nuk është në kuadër të fushëveprimit dhe detyrave te Kryeprokurorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Ismet Kabashi

 

Nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, deputet aktual i kësaj partie në Kuvend, në një konferencë për media, mbrëmë ka thënë të mos ketë në dorë asnjë aktakuzë apo diçka të ngjashme, duke thënë se për fletarrestimin ishte informuar në media.

 

Ish-“Komandant Çeliku” ka shprehur gatishmërinë e tij për të hequr dorë vullnetarisht nga imuniteti i deputetit, sepse arrestimin e mundshëm nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës.

 

Ai dhe bashkëluftëtarët e tij të Brigadës 121 të UCK-së, “Komandant Kumanova”, akuzohen për krime lufte në Kosovë në vitin 1999 në rajonin e Kleçkës.