Lajme

Eshton:Rrugë e gjatë drejt integrimit në BE

Eshton tha se Bashkimi Evropian do ta ketë pjesën më të rëndësishme kur bëhet fjalë për jetësimin e perspektivës evropiane

Në vizitën e saj të dytë në Kosovë, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kethrin Eshton, shfaqi shpresën që brenda BE-së të gjenden mënyra, të cilat do t’i mundësonin Kosovës dhe Serbisë të zhvillojnë marrëdhënie mes vete, me qëllim të integrimit në BE. raporton Radio Evropa e Lirë.

Në agjendën e takimeve të saj në vend ishin ai me kryeministrin Hashim Thaçi, me ministrin e Jashtëm Enver Hoxhaj, me shefen e ekipit kosovar në bisedimet me Beogradin, Edita Tahiri, dhe me kreun e EULEX-it, Ksavier de Marnak.

Edhe pse theksoi se do të varet nga Prishtina e Beogradit që, në kuadër të dialogut, të gjejnë marrëveshje për çështjet praktike, Eshton tha se Bashkimi Evropian do ta ketë pjesën më të rëndësishme kur bëhet fjalë për jetësimin e perspektivës evropiane për të dyja palët.

“Mendoj se duhet të kemi një perspektivë paraprake për Kosovën dhe një në të cilën do ta shohim Bashkimin Evropian të luajë pjesën më të rëndësishme”, tha Eshton pas takimit që zhvilloi në Prizren me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky i fundit tha se gjetja e zgjidhjeve ndërmjet palës kosovare e asaj serbe duhet të bëhet sipas një modeli evropian, ndërsa u zotua për përgjegjshmërinë e palës kosovare.