Zhvillim

Ermina Përlaskaj, zëri i shqiptarëve në Kroaci

Intervistë me deputetën e parë shqiptare në Parlamentin e Kroacisë

Një përvojë shumëvjeçare e angazhimit politik në nivele lokale dhe rajonale i është shpërblyer politikanes shqiptare me pozitën e deputetes në Parlamentin e Kroacisë.

Për herë të parë komuniteti shqiptar në Kroaci do të përfaqësohet me një deputete në Parlamentin e Kroacisë.

Ermina Përlaskaj, me origjinë nga Zymi i Hasit të Kosovës, pritet të bëjë betimin në nisje të legjislaturës së re.

Në një intervistë pë albinfo.ch Përlaskaj tha se kroatët janë befasuar me përzgjedhjen e saj si deputete në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ajo tha se do të angazhohet të jetë zëri i shqiptarëve në institucionet e vendit, ndërsa ka premtuar hapjen e Qendrës Kulturore të shqiptarëve në Zagreb.

Ermina vjen nga Kosova, ndërsa është shkolluar në Rijekë. Është juriste e diplomuar, si dhe ka të dhënë provimin e jurisprudencës. Aktualisht është duke vijuar studimet pasuniversitare në Menaxhim të Marketingut.

Albinfo.ch: Çka do të thotë për ju, shqiptarët për herë të parë kanë zgjedhur përfaqësuesin e tyre politik, e cila do t’i adresojë kërkesat e tyre në institucionet e vendit?

Ermina Përlaskaj: Për ne shqiptarët kjo ka një domethënie shumë të madhe, sepse ne si pjesë e shtetit kroat kemi luftuar për pavarësinë e Kroacisë, kemi punuar në aspektin ekonomik, sepse ne si popull kemi ardhur këtu për çështje ekonomike dhe kemi punuar në drejtim të zhvillimit të ekonomisë, kurse tani është koha që  të integrohemi në shoqërinë kroate edhe në aspektin politik.

Albinfo.ch: Cila do të jetë apo është puna e parë që do ta bëni në detyrën e re si deputete?

Ermina Përlaskaj: Puna e parë është që të bëhemi një institucion më i fortë, të hapim një qendër kulturore në Zagreb, që është ëndërr e shqiptarëve, të hapim Zyrën për këshilla juridike dhe ajo çka është më rëndësi të punojmë në drejtim që të rinjtë tanë të punësohen në institucionet shtetërore.

Albinfo.ch: Me siguri detyra juaj e re do të jetë e rëndësishme jo vetëm për integrimin e bashkatdhetarëve tanë në Kroaci, por edhe në promovimin e imazhit të vendin tuaj prej nga e keni origjinën, Kosovës?

Ermina Përlaskaj: E vërtetë është që ne këtu do ta arrijmë që ta  promovojmë edhe imazhin e shqiptarëve, mirëpo duhet ta them, imazhin e të gjithë shqiptarëve, pa marrë parasysh cilit rajon i takon. Në bisedime për në përbërjen e qeverisë kroate jam duke vërejtur se janë pak a shumë të habitur që një shqiptare del para tyre dhe ashtu po më shtrojnë pyetje se si është e mundur që një femër shqiptare të arrijë një gjë të tillë. Këtë e kam përjetuar gjatë bisedimeve këtë javë.

Albinfo.ch: Meqë jeni zgjedhur nga votat e shqiptarëve, sigurisht e keni parasysh se një numër i madh jeton në Kroaci?

Ermina Përlaskaj: Po, jeton një numër i madh i shqiptarëve në Kroaci, nuk duhet harruar që edhe një numër i madh i shqiptarëve në Kroaci nuk janë deklaruar si shqiptarë dhe synimi im do të jetë që të punohet në këtë drejtim që ata të cilët nuk janë deklaruar, të deklarohen si shqiptarë.

Albinfo.ch: Ju si njohëse e dy mentaliteteve, çfarë mendoni se duhet të bëjnë shqiptarët në Kroaci, ku duhet të përqendrohen më tepër, çfarë pritet nga ta?

Ermina Përlaskaj: Do të përqendrohem më shumë në integrimin e shqiptarëve në shoqërinë kroate, mirëpo duke e ruajtur identitetin, kulturën e traditën. E di që kjo ështe një punë e vështirë, mirëpo shpresoj se do t’ia arrijmë.

Albinfo.ch: Meqë shumica e shqiptarëve ju ka dhëne votën, çfarë do të bëni ju për ta?

Ermina Përlaskaj: Së pari i falënderoj votuesit e mi, si dhe ata të cilët nuk kanë pasur mundësi të votojnë. Gjatë fushatës shqiptarëve iu kam thënë që nuk premtoj gjëra të mëdha dhe që nuk kam shkop magjik, mirëpo do të jem me ta dhe pjesë e tyre, si dhe nuk do ta ndërrojë numrin e telefonit dhe njëherësh do ta hap një zyrë ku shqiptarët do të mund të marrin këshilla juridike.