Lajme
Erdhi vera: Nga do t`ia mbajmë?
(Dosje: Pushimet 1/4): As heqja e detyrimit të vizave nuk e ka kthyer trendin në favor të udhëtimit në rrugë tokësore
Të gjithë i kemi pritur me pa durim pushimet verore. Dhe, tash që ato kanë ardhur, preokupimet tona përmblidhen në disa pyetje: Ku po shkojmë, me çka po shkojmë dhe sa do të paguajmë.
Ku do të shkojmë?
Për shumicën, përgjigja është e qartë dhe atë e dinë që nga vera e kaluar: në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni. Por megjithatë, për çdo vit vjen duke u rritur numri i atyre që për pushimet verore gjejnë ndonjë alternativë tjetër: Destinacionet si: Italia, Spanja, Turqia, Tunizia, Tajlanda, nuk janë më aq ekzotike për shqiptarët, siç kanë qenë vite më parë.
Kamer Idrizi, pronar i agjencisë Albatours nga Gjeneva, që merret me aranzhime udhëtimesh turistike në vende të ndryshme të botës, lidhur me këtë thotë: “Viteve të fundit vërejmë një shtim të dukshëm të shqiptarëve që pushimet verore i kalojnë në vendet turistike jashtë atyre shqiptare.
Nga përvoja ime mund të them se ka një shtim prej 10 deri në 15 për qind të shqiptarëve që shkojnë në destinacionet e tilla. Kryesisht bëhet fjalë për Spanjë, Turqi, Egjiprt, Tunizi, Marok etj. Por kjo nuk do të thotë se ata e rrallojnë shkuarjen në vendlindje. Jo. Më shumë do të thosha se, një numër bashkatdhetarësh tanë në Zvicër po e konsolidojnë pozitën e tyre dhe ata pushimin veror e shfrytëzojnë për të shkuar në ndonjë vend të huaj turistik ndërsa në vendlindje shkojnë jashtë sezonit, ne cilëndo kohë tjetër”, thotë Idrizi.
Për pushime në Francë, në Cote d`Azur, këtë verë është përcaktuar M. Maliqi me familje, nga Berna. Ajo preferon që pas disa verash të kaluara në Shqipëri ose në Ulqin, të bëjë një ndryshim. Franca, sipas saj, të ofron më shumë mundësi për pushim të vërtetë dhe për qetësi.
“Në bregdetin shqiptar është shumë bukur por pushim atje vështirë se bëhet”, thotë ajo.
Por ndryshe mendon Mustafë Jashari nga Gjeneva. “Unë, po të mundem, do të iki kah fundi i gushtit, pak në Ulqin dhe pjesën tjetër dikund kah jugu i Shqipërisë. Deri më tani, Shqipëria është edhe më e lira për kushtet e familjeve tona“, thotë Mustafa.
© albinfo.ch: Kamer Idrizi
Mejdi Hyseni nga Winterthuri e ka zgjedhur Itinerarin Zvicër-Itali-Shqipëri-Kosovë. “Disa ditë verime në Shqipëri dhe pastaj në Kosovë, vizita familjes dhe shoqërisë. Kjo është marshuta ime edhe kësaj vere”, thotë ai.
Ndërsa N. M. nga Cyrihu, thotë se pushime të mirëfillta për të nuk do të ketë kësaj vere. “Një kolege martohet në Shqipëri dhe do të shkoj ne dasmën e saj, me ç`rast do t`i kaloj nja 3 ditë diku në bregdetin shqiptar”, thotë ai.
N. Sadikaj nga Winterthuri me gruan, pushimet e ka lënë t`i bëjë pas Ramazanit, diku nga fundi i gushtit. “Ndoshta ndonjë ditë mund ta ndaj edhe për det. Në bregdetin shqiptar, ku tjetër?”, thotë ai.
Me çka do të shkojmë?
Për njohësin e trendeve të udhëtimit të shqiptarëve, Kamer Idrizin, s`ka dilemë: “Me aeroplan! Shumica e madhe vazhdojnë të zgjedhin rrugën ajrore”, sqaron ai. Pyetjes se mos, heqja e detyrimit të vizave për vendet si Shqipëria e Maqedonia e ka ndryshuar trendin në favor të udhëtimit në rrugë tokësore, Idrizi i përgjigjet me një: jo!
Por Mejdi Hyseni bën pjesë në mesin e atyre që nuk e preferojnë aeroppanin: “Një familje si e imja nuk ka llogari të udhëtojë me aeroplan, sidomos në sezonin veror kur çmimet e biletave janë astronomike. Për këtë arsye, unë me familjen do të udhëtoj me veturë, respektivisht me traget, nëpër Itali, Adriatik dhe Shqipëri. Kjo do të ma kursejë një shumë të konsiderueshme parash”, thotë Mejdiu.
© albinfo.ch: Mustafë Jashari
Mustafë Jashari po ashtu udhëton pothuajse gjithmonë vetëm me makinë. “Por, çka të them për taksat. Sigurimi kufitar nuk ka gjasa të hiqet as të zvogëlohet. Për 15 ditë ai është 30 € kurse për një muaj 41 € “, thotë Jashari, i preokupuar me problemin e “zhvatjes së diasporës” nga institucionet e Kosovës.
“Meqë dasma në të cilën do të shkoj unë, bëhet në Shkodër, jam përcaktuar për Podgoricën si aeroportin më të afërt dhe mbase më të lirë”, thotë N. M. I pyetur për mjetin që ka zgjedhur për udhëtim.
N.S. thotë se, në rast se biletat edhe në fund të gushtit do të jenë të shtrenjta sikur në pikun e sezonit, do të detyrohet sërish të udhëtojë me makinë. “Kam mbi 30 vjet që kryesisht e shfrytëzoj makinën për udhëtim në Kosovë”, thotë ai.
Sa do të paguajmë?
Një shfletim i shpejtë i ofertave të agjencive të fluturimeve për në Prishtinë dhe Shkup ju mjafton për të parë se sa të shtrenjta janë biletat për ato destinime. Nëse keni vendosur që të fluturoni diku në mes të 15 korrrikut dhe 10 gushtit, bileta më e lirë do t`u kushtojë 700 franga. Në ditë të zgjedhura brenda kësaj periudhe madje edhe 800 franga!
A do të thotë kjo se nuk ka kurrfarë shprese për zbritje çmimi të biletave?
© albinfo.ch: Mejdi Hyseni
Kamer Idrizi thotë se çmimet as këtë vit nuk kanë lëvizur fare. “Madje mund të them se qysh tash pothuaj i kemi të shitura biletat për muajt e pushimeve dhe ky është treguesi se nuk do të ketë rënie çmimesh”, thotë ai.
“Natyrisht, ata që kanë rezervuar disa muaj më parë me easy-jet do të fluturojnë më lirë. Të tjerët, me të vjetrën”.
Idrizi na siguron se as heqja e vizave, dhe rrjedhimisht lehtësimi i lëvizjes në rrugë tokësore, e as aeroplanët me low cost nuk kanë ndikuar në zbritjen e çmimeve të fluturimit drejt Prishtinës, Shkupit dhe Tiranës.
Lexoni po ashtu dosjen për pushime e albinfo.ch:
3/4
E-Diaspora
-
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se struktura e partisë në diasporë është... -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë”
Jeta në Austri
-
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë Piloti austriak bën ulje emergjente në autostradën A2 në Karinthia pranë kufirit italian; nuk ka të... -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit











