E-Diaspora
Eno Peçi, “magjistari” shqiptar i Baletit të Vjenës
Eno aktualisht po i jeton dy jetë. Njërën në balet ndërsa tjetrën midis pelenave dhe djepit të djalit
Me Eno Peçin u takuam në njërën nga bufetë e Operës Shtetërore të Vjenës. Një djalë i shoqërueshëm, i sinqertë dhe ambicioz. Dukej i lumtur, i qeshur dhe në fytyrën e tij shihej se kishte një gëzim në brendësi. “Para disa javësh jam bërë sërish baba. Pas vajzës pesëvjeçare Leas, tani familjes sonë i është shtuar edhe djali, Enea”, na thotë ai duke qeshur. Balerini dhe solisti shqiptar me famë ndërkombëtare aktualisht po i përjeton dy jetë. Njërën e zhvillon në mes të baletit dhe skenës së Operës Shtetërore të Vjenës, ndërsa tjetrën midis pelenave dhe djepit të djalit. “Jeta ime ka ndryshuar shumë. Ajo është bërë më intensive dhe më aktive”, shprehet ai “Dashuria për fëmijët dhe bashkëshorten time më bën të ndihem edhe më shumë i motivuar për të ardhmen”.
Kur moshatarët e tij e shikonin futbollin, ai preferonte vallëzimin
Eno Peçi është i lindur në Tiranë. Ndryshe nga fëmijët tjerë të gjeneratës së tij të cilët pëlqenin futbollin, ai e dashuronte vallëzimin. Madje këtë talent nuk e kishte as të trashëguar nga dikush prej familjes. Në moshën 13 vjeçare filloi të merret më vallëzim. Fillimisht u regjistrua në shkollën e Baletit në Tiranë dhe më pas gjatë fund viteve të 90-ta për shkak të trazirave në Shqipëri shpërngulet për në Austri. “Shkollën e Baletit e fillova në Tiranë dhe pastaj e vazhdova në Vjenë ku dhe diplomova. Sigurisht se nuk ka qenë e lehtë, sepse Vjena i ka rregullat e veta dhe është njëra nga qendrat më të mëdha të kulturës evropiane. Pas diplomimit pastajfillova në Teatrin e Operës së Vjenës, më pas si solist i trupës së Baletit të Operës së Vjenës” tregon ai.
Balerini shqiptar prej vitesh është solist dhe koreograf i Operës së Vjenës dhe në këtë cilësi merr pjesë më shfaqje të vendeve të ndryshme të botës. E fundit ishte në festivalin “Origen” në Graubünden të Zvicrës. Në këtë festival i cili u mbajt nga data 6-10 gusht, Peçi u prezantua me shfaqjen “Exil”.
“Ishim katër koreografë: dy vinin nga Amsterdami, një vinte nga Hamburgu dhe unë. Një nga ato netët ishte e tëra e imja dhe zgjati mbi një orë. E zgjodha këtë temë ngase i përshtatej më shumë kohës aktuale. Ishte shumë mirë. Qëllimi im ishte të tregoj anën pozitive, anën prekëse të refugjatëve. Pas shfaqjes, publiku më përgëzoi shumë për këtë “, thekson ai për albinfo.
Në Operën e Vjenës, Eno është një nga balerinët kryesorë. Prej 15 vitesh ai është pjesë e koncertit prestigjioz të Vitit të Ri i cili shfaqet në televizionet e shumta botërore si dhe pjesë e njërës prej ngjarjeve më të njohura në Austri siç është “Opernball”. Gjatë vitit vetëm në Operën e Vjenës ai na thotë se japin deri në 90 shfaqje pa llogaritur edhe shfaqjet tjera që ai i prezanton në vende të ndryshme të botës.
“Kam punuar shumë për të arritur deri këtu, por sigurisht se kam pasur edhe fat, dhe fatin e kam shfrytëzuar”, shprehet ai duke falënderuar ish drejtorin e shkollës së tij, Renato Zanella për mundësinë që ia ka dhënë për të shfaqur talentin e tij.
33 vjeçari shprehet se është shumë i lidhur me vendlindjen dhe e viziton sa herë që të ketë mundësi, por angazhimet e shumta nëpër botë, nuk po i japin mundësi shumë për të qenë më prezent dhe për të dhënë ndonjë shfaqje. “Për të dhënë një shfaqje në Shqipëri duhet të jesh minimumi një jave atje për t`u përgatitur. Por shpresoj se do të gjejmë një mundësi që sa më shpejt të prezantohemi edhe para publikut shqiptar”, thotë ai.
“Mungesa2 e parë pas 15 vjet në koncertin famoz të Vjenës për Vitin e Ri
Megjithatë Eno është i lumtur që nga ky vit trupës së Baletit të Vjenës i është bashkuar edhe një vajzë e re shqiptare. “Është Xhesika Gjonikaj, një vajzë e re, shumë e talentuar dhe me një të ardhme përpara. Ajo ka ardhur nga shkolla e Baletit dhe tash është pjesë e Trupës së Baletit të Operës së Vjenës”, potencon për “albinfo.ch”.
Edhe pse nuk kanë mbetur shumë muaj deri në fund të këtij viti, agjenda e Enos është e mbushur me angazhime që nga Austria e deri në Kinë. “Jemi në përgatitje të shfaqjes “Don Kishoti” e cila do të shfaqet gjatë muajit tetor. Do të marrin pjesë edhe tre koreografë të njohur ndërkombëtarë, pastaj kemi “La Fille Male Gardee” që është pjesë e baletit klasik dhe do të prezantohet në muajin nëntor. Ndërsa në dhjetor do të jem në Kinë ku do të jap një shfaqje “La Chauve Souris” ( “Lakuriqi i natës”) me koreografin shumë të njohur francez, Roland Petit”.
Të mësuar ta shohim çdo herë në koncertin e Vitit të Ri, këtë vit Eno na thotë se nuk do të jetë i pranishëm. “Kam qenë 15 vite radhazi pjesë e këtij koncerti. Ambiciet e mia janë për të bërë gjëra edhe më ndryshe dhe më interesante. Prandaj këtë vit kam zgjedhur të jem i angazhuar me shfaqjen time në Kinë”.
Të ngjashme
Të tjera nga E-Diaspora
E-Diaspora
-
Piloti kosovar në qiellin ndërkombëtar, Lirik Qerimi licensohet për Boeing 737 Sukses në aviacion, Lirik Qerimi, piloti kosovar që ngjitet në qiellin ndërkombëtar...
-
Afro dy ore pritje në dalje të pikës Merdarë dhe Dheu i Bardhë
-
Dënim i përjetshëm kosovarit, për vrasjen e “dyshes” së një gruaje
-
Esat Bytyqi në mesin e arkitektëve më të mirë në Austri
-
Riola e Hira, dy yjet shqiptare të pianos nga Italia
Jeta në Austri
-
Deri në 36°C: Ditë të nxehta përpara në të gjithë Austrinë Vala e ardhshme e të nxehtit në Austri është këtu: deri në 36°C, qiell me diell...
-
Borxhi i Austrisë po rritet, rritja mbetet e ulët
-
Austri: 121.40 euro shtesë për çdo fëmijë në gusht
-
Esat Bytyqi në mesin e arkitektëve më të mirë në Austri
-
Hendeku gjinor i pensioneve në Austri zvogëlohet pak