Lajme

Ende rrugët e veriut mbesin të barrikaduara

Pika e parë e pajtueshmërisë së arritur mes KFOR-it, Prishtinës e Beogradit – heqja e barrikadave nga rrugët që çojnë në pikat kufitare 1 dhe 31, nuk u përmbush as të martën.

Përfaqësuesit serbë të veriut të Kosovës nuk janë marrë vesh në një takim të përbashkët, pasi që është ndërprerë meqë sipas tyre nuk ka pasur kushte formale juridike, sepse në mbledhje nuk kanë marrë pjesë përfaqësues nga Zubin-Potoku.

“Është marrë vesh që secila komunë ta mbajë ndaras takimin dhe që koha të caktohet më vonë”, ka thënë për gazetarë i ashtuquajturi kryetari i komunës së Leposaviqit, Slavko Stefanoviq.

Vendimi i serbëve të veriut nuk e kërcënon marrëveshjen me KFOR-in, ka thënë kreu i ekipit negociues serb, Borisllav Stefanoviq.

“Shteti serb e ka pranuar marrëveshjen, komuniteti ndërkombëtar e ka pranuar dhe garanton zbatimin e saj. Askush nuk ka kërkuar nga kryetarët e komunave të marrin vendim”, ka thënë Setfanoviq për mediat serbe.

Sipas tij, vendimi për të hequr barrikadat është “vendim i qytetarëve që janë aty dhe që janë unikë”.Kurse, Moska i ka bërë thirrje OKB-së, NATO-s dhe Bashkimit Evropian të mos lejojnë Prishtinën “që t’i nënshtrojë me dhunë rajonet serbe të Kosovës”.

“U bëjmë thirrje OKB-së, NATO-s dhe BE-së, të cilat janë të pranishme në Kosovë, të tregojnë përgjegjësi maksimale, në mënyrë që të mos lejojnë një skenar të tillë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme ruse, Aleksander Llukasheviq, raportojnë mediat e vendit.

Duke folur për planin e arritur më 5 gusht, Llukasheviq tha se kjo ishte një “marrëveshje e dhunshme”.

Në deklaratën e tij thuhet se “qëllimi i marrëveshjes është për të reduktuar tensionin, porse Moska është e bindur që marrëveshja e tillë së pari duhet t’iu përgjigjet njerëzve të rajonit”.