Lajme

Emigrantët po shfrytëzojnë rrugët e Mesdheut për të arritur në Evropë

Agjencia Evropiane e Ruajtjes së Kufijve, Frontex, ka nxjerrë një raport sa u përket rrugëve ilegale që shfrytëzohen nga emigrantët për të arritur në vendet perëndimore.

Sipas raportit, rrugët e Mesdheut Qendror dhe Ballkanit Perëndimor janë më aktivet. Specifikohet se në dy muajt e parë të vitit 2023 numri i atyre që e kaluan kufirin ilegalisht ishte 28,130 persona, përcjell albinfo.ch.

Raporti evidenton se krahasuar në dy muajt e parë të vitit të kaluar, këtë vit rrugët e Mesdheut Qendror përdoren më shumë.

Sipas raportit, 11951 emigrantë të parregullt e përshkuan këtë rrugë për periudhën janar – shkurt 2023, 118% më shumë se vitin e kaluar. Ndërsa, nëpër Ballkanin Perëndimor kanë kaluar 8,394 persona, me 28% rënie të kalimeve ilegale krahasuar me vitin 2022.

Shtetasit e Sirisë, Bregut të Fildishtë, Guinesë, Afganistanit dhe Pakistanit përbëjnë numrin më të madh të emigrantëve./VOA