Lajme

Elmonda Bajraliu: “Dua t’i jap zë brezit të ri“

Në politikën lokale të Winterthurit po shfaqet një brez i ri zërash, energjish dhe perspektivash. Mes tyre qëndron Elmonda Bajraliu, një emër që po lidhet gjithnjë e më shumë me pjesëmarrjen qytetare dhe përfaqësimin e të rinjve. E lindur dhe rritur në Winterthur, ajo është rritur mes dy kulturave, dy gjuhëve dhe dy botëve,  dhe këtë përvojë e ka kthyer në forcë. Për Elmonda Bajraliu, politika nuk është teori, por diçka që prek jetën e të gjithëve, ndaj vendos t’i afrohet atje ku ajo fillon: në arsim, në mundësitë e barabarta dhe në përfshirjanë vendimmarrje.

Në këtë intervistë për albinfo, ajo rrëfen rrënjët, ambiciet dhe bindjen se politika duhet t’i dëgjojë më shumë të rinjtë, jo për t’ua dhënë një vend simbolik në tabelë, por për t’u krijuar hapësirë reale për ndikim dhe përgjegjësi.

albinfo.ch: Për fillim, a mund të na prezantoni shkurt: kush është Elmonda Bajraliu – si rrëfen veten përtej titujve dhe funksioneve?

Elmonda Bajraliu e sheh veten si dikë që lidh njerëzit dhe ndërton ura mes tyre. Ka ide dhe ëndrra të mëdha për të ardhmen, por njëkohësisht është e gatshme të punojë shumë dhe me disiplinë për t’i bërë realitet. Sfidat nuk i frikësojnë – përkundrazi, ajo i sheh si mundësi për të mësuar dhe për t’u zhvilluar më tej. Duke u rritur me dy gjuhë dhe dy kultura, e di mirë çfarë do të thotë të jetosh mes botëve të ndryshme dhe të kuptosh njerëz me përvoja të ndryshme. Është kurioze, mendon në mënyrë kritike dhe nuk i merr gjërat si të mirëqena. Këto e shoqërojnë në jetën e saj personale, në punë dhe në studime.

albinfo.ch: Keni lindur dhe jeni rritur në Winterthur. Si ka ndikuar ky qytet në formimin tuaj personal dhe politik?

Elmonda Bajraliu :Unë jam lindur dhe rritur në Winterthur. Këtu kam bërë hapat e parë dhe jetoj ende sot. Në Winterthur kam filluar edhe praktikën bankare trevjeçare me maturë profesionale, ndërsa sot studioj drejtësi në ZHAW. Përmes shkollës, punës dhe angazhimit tim shoqëror jam shumë mirë e lidhur në Winterthur. Në vitin 2019, bashkë me të rinj të tjerë, kemi themeluar Parlamentin Rinor të Winterthurit dhe për dy vite kam qenë pjesë e bashkë-udhëheqjes. Kjo eksperiencë ma ka forcuar shumë interesin për politikë dhe dëshirën për t’u angazhuar. Winterthuri më ka dhënë shumë – tani dua t’i kthej diçka qytetit.

albinfo.ch: Çfarë ju ka motivuar konkretisht që të kandidoni për zgjedhjet e ardhshme për parlamentin e qytetit të Winterthurit?

Elmonda Bajraliu :Politika nuk është diçka e largët – ajo ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të secilit. Shumë të rinj nuk ndihen të përfaqësuar, edhe pse vendimet politike ndikojnë shumë në të ardhmen e tyre. Kandidoj sepse mendoj që politika duhet të jetë më afër njerëzve dhe parlamenti duhet ta pasqyrojë më mirë realitetin e popullit.

albinfo.ch:  Cilat janë temat kryesore për të cilat dëshironi të angazhoheni nëse zgjidheni në parlament? Ku e shihni veten më të dobishme?

Elmonda Bajraliu : Fokusi im është te arsimi, barazia e mundësive dhe pjesëmarrja e të rinjve. Për mua është e rëndësishme që të rinjtë të kenë zë dhe të përfshihen në vendime që i prekin drejtpërdrejt. Mendoj se mund të jap më shumë pikërisht aty ku mund të sjell zërin e të rinjve dhe të lidh politikën, institucionet dhe njerëzit. Jam mësuar të punoj me njerëz të moshave dhe kulturave të ndryshme dhe të marrë përgjegjësi. Dua të përfaqësoj brezin e ri dhe të sigurohem që mendimet, shqetësimet dhe idetë e tyre të merren seriozisht.

albinfo.ch:  Si ndikon prejardhja juaj shqiptare në angazhimin tuaj politik? A është identiteti si vajzë shqiptare e lindur në Zvicër pjesë e mesazhit tuaj politik?

Elmonda Bajraliu : Prejardhja ime shqiptare është pjesë e identitetit tim. Si vajzë e lindur në Zvicër me rrënjë shqiptare, jam rritur mes dy kulturave dhe kjo është shumë natyrale për mua. Kjo më ka mësuar të jem e hapur, të kuptoj mendime të ndryshme dhe të mos i shoh gjërat vetëm nga një anë. Kjo përvojë ka ndikuar edhe në mënyrën si e shoh integrimin dhe pjesëmarrjen në shoqëri. Për mua, këto funksionojnë vetëm kur ka respekt të ndërsjellë, barazi mundësish dhe kur njerëzit kanë realisht mundësi të japin kontributin e tyre.

albinfo.ch:    Sa të pranishëm i ndjeni shqiptarët në jetën politike të Winterthurit dhe të Zvicrës në përgjithësi? A mendoni se jemi të përfaqësuar mjaftueshëm?

Elmonda Bajraliu : Në Zvicër ka shqiptarë që janë aktivë në politikë – disa në nivelin e komunës, ku merren vendime që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme, dhe disa edhe në nivel të gjithë vendit, ku vendimet vlejnë për të gjithë Zvicrën. Kjo është shumë pozitive. Megjithatë, shumica e njerëzve tanë janë të angazhuar më shumë në punë dhe në shoqata. Kjo tregon se ekziston një potencial i madh, por që ende nuk shfrytëzohet sa duhet në politikë dhe në vendimmarrje. Që kjo të ndryshojë, duhen më shumë shembuj pozitivë, më shumë dukshmëri dhe informacion i thjeshtë se si mund të angazhohesh dhe të bëhesh pjesë e politikës.

albinfo.ch:    Cilat janë sfidat kryesore që, sipas jush, i prekin të rinjtë me prejardhje migrante në Winterthur (p.sh. në arsim, punësim, pjesëmarrje shoqërore)?

Elmonda Bajraliu : Shumë të rinj sot e kanë të vështirë të gjejnë punë ose të hyjnë në tregun e punës. Edhe pse sistemi arsimor në Zvicër është i fortë, pritshmëritë janë shumë të larta: trajnimet shtesë, studimet dhe përvoja e punës kërkohen shumë herët. Njoh shumë të rinj që dërgojnë shumë aplikime dhe nuk marrin as përgjigje, ndërkohë që f litet për mungesë fuqie punëtore. Kjo krijon frustrim. Për më tepër, disa përballen edhe me paragjykime, për shembull për shkak të mbiemrit të tyre. Edhe në arsim ka sfida. Shumë familje me prejardhje migrante nuk e njohin mirë sistemin arsimor në Zvicër, shpesh sepse prindërit nuk janë shkolluar këtu. Informacioni mungon dhe edhe financat mund të jenë pengesë. Modelet e studimit me kohë të pjesshme janë shumë të rëndësishme, sepse i lejojnë të rinjtë të kombinojnë studimet me punën dhe të fitojnë përvojë.

albinfo.ch:   Si e shihni rolin e mediave shqiptare në Zvicër dhe në Kosovë për të pasqyruar historitë dhe sukseset e gjeneratës së re të diasporës?

Elmonda Bajraliu : Mediat shqiptare janë shumë të rëndësishme, sidomos për ne shqiptarët që jetojmë në Zvicër ose jashtë vendit. Ato na mbajnë të informuar, na japin një ndjenjë lidhjeje dhe shpesh na motivojnë, veçanërisht të rinjtë. Kur shohim histori pozitive dhe shembuj suksesi nga njerëz si ne, kjo të jep besim dhe të shtyn të mendosh se edhe ti mundesh. Këtë e kemi parë prej kohësh në sport dhe gjithnjë e më shumë edhe në politikë. Do të doja që këto histori të tregoheshin më shpesh, sidomos nga të rinjtë dhe nga femrat, që të shihet më mirë sa shumë mundësi ka.

albinfo.ch:  A keni tashmë kontakte ose mbështetje nga organizata shqiptare në Zvicër? Si dëshironi të bashkëpunoni me to gjatë fushatës suaj?

Elmonda Bajraliu : Për momentin kam pasur vetëm pak kontakte me organizata shqiptare, kryesisht sepse krahas studimeve punoj edhe në bankë dhe koha është shpesh e kufizuar. Megjithatë, kam shumë interes që në të ardhmen të ketë më shumë bashkëpunim. Së fundmi kam pasur mundësinë të marr pjesë në një diskutim mbi demokracinë që shkon përtej kufijve, i organizuar nga një shoqatë studentësh shqiptarë në Universitetin e Cyrihut. Angazhimi i tyre më ka lënë shumë përshtypje dhe më ka treguar sa aktivë dhe të motivuar janë shumë të rinj. Këto takime më japin shtysë që t’i zgjeroj kontaktet dhe të jem më aktive në këtë drejtim.

albinfo.ch: Si i përgjigjeni atyre që janë skeptikë ndaj përfshirjes së të rinjve, veçanërisht grave të reja, në politikë?

Elmonda Bajraliu : Në një demokraci, është e rëndësishme që edhe gratë të jenë pjesë e vendimmarrjes, sepse kështu politika pasqyron më mirë popullin.

albinfo.ch:  Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve shqiptarë në Zvicër që ndihen të distancuar nga politika dhe nuk besojnë se zëri i tyre bën ndryshim?

Elmonda Bajraliu : Gjithçka fillon me guximin për të bërë hapin e parë. Nëse nuk angazhohesh, nuk mund të presësh që dikush tjetër ta bëjë për ty. Kjo vlen si në politikë, ashtu edhe në jetën e përditshme. Të rinjtë shqiptarë në Zvicër kanë shumë mundësi të mira – në shkollë, në punë dhe në jetën personale. Brezat para nesh nuk i kanë pasur gjithmonë këto mundësi. Prandaj është e rëndësishme të jemi këmbëngulës, të mos dorëzohemi kur hasim vështirësi dhe të besojmë në veten tonë. Me kohë dhe angazhim, çdo hap i vogël sjell ndryshim.

albinfo.ch: Cilin do ta konsideronit sukses tuajin personal pas katër viteve mandat, nëse zgjidheni? Çfarë do të donit të kishit arritur konkretisht për qytetin dhe komunitetin?

Elmonda Bajraliu : Për mua, një sukses i madh do të ishte nëse pas katër vitesh të rinjtë do të thoshin: “Ndihem i dëgjuar dhe i marrë seriozisht.” Për mua, politika nuk janë vetëm vendimet, por edhe besimi që krijohet mes politikës dhe njerëzve. Do të doja veçanërisht të motivoja të rinjtë – edhe ata me prejardhje migrante – që të përfshihen dhe të marrin përgjegjësi. E shoh veten si dikë që ndihmon për të ulur barrierat dhe për të treguar se angazhimi është i mundur.

Është gjithashtu e rëndësishme që Winterthuri të mbetet financiarisht i qëndrueshëm dhe të vazhdojë të jetë një qytet i fortë për punë dhe arsim. Kur financat menaxhohen me përgjegjësi, krijohet më shumë hapësirë për të ardhmen. Nëse arrij të kontribuoj në këtë drejtim dhe njëkohësisht të ndërtoj ura mes njerëzve me realitete të ndryshme, atëherë do ta konsideroja këtë si suksesin tim personal.

albinfo.ch:Dhe në fund, cila është mënyra më e mirë që qytetarët – sidomos shqiptarët në Winterthur – të ju përkrahin dhe të qëndrojnë të informuar për aktivitetin tuaj politik?

Elmonda Bajraliu : Aktualisht jam shumë aktive në rrjetet sociale si Instagram dhe LinkedIn, ku ndaj rregullisht informacione rreth angazhimit dhe aktiviteteve të mia politike. Përveç kësaj, kam edhe faqen time zyrtare www.elmonda-bajraliu.ch, ku të interesuarit mund të informohen më gjerësisht. Kush dëshiron të më përkrahë, mund të më kontaktojë direkt. Gëzohem për çdo ndihmë në shpërndarjen e flyerëve, të cilët do të jenë në shqip dhe në gjermanisht. Po ashtu, jam shumë mirënjohëse kur njerëzit i shpërndajnë flyerët online, i japin më tej fizikisht ose u flasin miqve dhe të njohurve për mua. Në faqen time të internetit është i publikuar edhe fletëpagesa (Einzahlungsschein) për ata që duan të kontribuojnë financiarisht. Duke qenë se një fushatë zgjedhore kërkon edhe shpenzime, çdo mbështetje financiare është shumë e vlefshme për mua. Donacionet mund të zbriten edhe nga taksat, sipas rregullave në fuqi. Gjithashtu, kush ka mundësi të vendosë postera në lagjen e tij ose në pronën e vet, është i mirëpritur të më kontaktojë. Falënderoj nga zemra të gjithë ata që më mbështesin, më besojnë dhe më përkrahin në këtë rrugëtim.