Kosova
Eliza Kadriu: Një rrugëtim i pasionuar në futboll që thyen klishetë
Eliza ka kapërcyer sfidat e një ambienti të dominuar nga meshkujt dhe sot përfaqëson me krenari futbollin zviceran të vajzave

Eliza Kadriu, një futbolliste e re shqiptare me rrënjë nga Presheva që jeton dhe zhvillon karrierën e saj në Zvicër, është shembull frymëzimi për shumë vajza të reja që ëndërrojnë një të ardhme në sport. Me një rrugëtim të nisur që në moshën tetëvjeçare dhe me mbështetjen e fortë të familjes, Eliza ka kapërcyer sfidat e një ambienti të dominuar nga meshkujt dhe sot përfaqëson me krenari futbollin zviceran të vajzave.
Në këtë intervistë për albinfo.ch, ajo ndan rrugëtimin e saj, sfidat dhe këshillat për brezat e rinj të futbollisteve.
albinfo.ch: Kur dhe si e zbuluat dashurinë për futbollin?
Eliza Kadriu : Dashurinë për futbollin e kam zbuluar që herët, rreth moshës tetëvjeçare. Nuk ishte thjesht një hobi, por menjëherë një pasion i vërtetë. Ndikim të madh pati motra ime e madhe, e cila në atë kohë luante vetë futboll. Doja të isha si ajo. Edhe babai im, që e do shumë futbollin, më ka transmetuar këtë pasion. Përmes tij e kam njohur sportin edhe më thellë. Kam pasur fatin të nis rrugën time te Grasshopper Club Zürich aty ku filloi udhëtimi im në futboll, dhe që atëherë nuk kam kthyer kokën pas.
albninfo.ch: Si ka nisur udhëtimi juaj në futbollin e femrave në Zvicër?
Eliza Kadriu: Udhëtimi im nisi direkt te një nga klubet më të mëdha të Zvicrës Grasshopper Club Zürich. Që në fillim isha pjesë e ekipeve të vajzave. Kam pasur mundësinë të stërvitem në një nivel të lartë dhe të zhvillohem si lojtare. GCZ për mua u bë një familje e dytë. Aty nuk mësova vetëm teknikat e futbollit, por edhe rëndësinë e bashkimit, përkushtimit dhe besimit në vetvete. Këto hapa të parë më kanë ndërtuar jo vetëm si sportiste, por edhe si njeri.
albinfo.ch: Kush ju ka mbështetur më së shumti në këtë rrugë?
Eliza Kadriu: Familja ime, sidomos babai dhe motra e madhe. Ata ishin gjithmonë aty në çdo ndeshje, çdo stërvitje, në çdo moment të vështirë. Babai ishte motivuesi im më i madh, pa marrë parasysh motin. Ndërsa motra ime më shërbeu si model frymëzimi, duke më treguar se edhe një vajzë mund të ndjekë me sukses një rrugë në futboll. Pa ta, nuk do të isha ku jam sot.
Sfidat dhe paragjykimet në një sport të dominuar nga meshkujt
albinfo.ch: Si ishte të rritesh si vajzë në një sport që për një kohë të gjatë konsiderohej “sport për djem”?
Eliza Kadriu: Nuk ishte gjithmonë e lehtë. Duhej të punonim dyfish për t’u marrë seriozisht. Shpeshherë përballesha me komente si: “Futbolli nuk është për vajza.” Këto fjalë ishin të dhimbshme, por më motivonin të tregoja se isha po aq e fortë dhe e përkushtuar sa çdo djalë.
albinfo.ch: A ekzistojnë ende paragjykime ndaj vajzave në futboll? Çfarë duhet të ndryshojë?
Eliza Kadriu: Po, për fat të keq, paragjykime ende ekzistojnë. Shpesh mendohet se futbolli i femrave është më pak emocionues, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Duhet më shumë dukshmëri: më shumë ndeshje të transmetuara, më shumë raportime mediatike dhe më shumë modele frymëzimi. Vajzat duhet të shohin se është normale të luajnë futboll dhe të arrijnë suksese.
albinfo.ch: Cilat ishin sfidat më të mëdha që keni hasur si futbolliste?
Eliza Kadriu: Të kombinosh shkollën, stërvitjet, ndeshjet dhe kohën për pushim ishte shumë sfiduese. Duheshin disiplinë, organizim dhe shumë sakrifica. Një tjetër sfidë madhore ishin dëmtimet, që sollën vështirësi fizike dhe emocionale. Të rikuperohesh nga një dëmtim kërkon shumë forcë mendore. Gjithashtu, presioni për të provuar veten në një sport të dominuar nga meshkujt ishte gjithmonë prezent. Por këto sfida më kanë forcuar dhe formuar si sportiste dhe si njeri.
albinfo.ch: Çfarë duhet bërë për të krijuar më shumë mundësi për vajzat, sidomos ato me prejardhje migrante?
Eliza Kadriu: Duhet të ketë më shumë iniciativa që ua bëjnë më të lehtë qasjen vajzave në futboll si stërvitje falas ose me çmime të përballueshme dhe më shumë modele frymëzimi. Shkollat dhe klubet duhet të ofrojnë më shumë mbështetje, si mentorime dhe programe të strukturuara. Vajzat nga çdo sfond duhet të ndihen të inkurajuara të ndjekin ëndrrat e tyre.
Mesazhi për vajzat futbolliste: Ëndërroni dhe punoni fort!
Besoni në vetvete dhe mos hiqni dorë kurrë! Edhe kur të përballeni me vështirësi ose mosbesim nga të tjerët, mbani mend që fuqia e vërtetë vjen nga brenda jush. Çdo pengesë është një mundësi për të dalë më e fortë. Vazhdoni të ëndërroni dhe të punoni fort gjithçka është e mundur!
E-Diaspora
-
Eriona Elezi: Nga superliga zvicerane te kombëtarja e Kosovës “Shumë njerëz ende nuk e marrin seriozisht futbollin e vajzave dhe dyshojnë në aftësitë tona. Kjo...
-
Humbin jetën tre shqiptarë në Spanjë
-
Berlin: Java e Kulturës së Kosovës fillon me shfaqjen e filmit artistik “The Albanian Virgin”
-
Shqiptarja Aida Birinxhiku – Deputetja që po udhëheq socialdemokracinë suedeze
-
Luzern: Akademi dhe ekspozitë dokumentare për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë
Jeta në Austri
-
Austria me qira gjithnjë e më të shtrenjta Qiratë në Austri janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke arritur në një mesatare prej 9.80...
-
Humb jetën kosovari 35-vjeçar pasi ra në kontakt me energjinë elektrike në Austri
-
Restorantet në Austri përballen me kritika për shërbimin dhe tarifat
-
Brukseli nis procedurë ndaj Austrisë për deficit të tepërt
-
Njoftim i rëndësishëm i Ambasadës së Kosovës në Austri