Lajme

Ekstremistët po i sfidojnë myslimanët e Ballkanit

Luftëtarët nga vendet e tyre në luftën e Sirisë i kanë tmerruar shtetet e Ballkanit. Në shumë prej bashkësive fetare po zhvillohet luftë për pushtet

Dy valë arrestimesh në Kosovë dhe Bosnie e kanë sugjestionuar publikun e  gjerë  mbi rrezikun e radikalizimit të myslimanëve të rinj . Policia kosovare arrestoi në mesin e gushtit 40 persona, të cilët akuzohen për rekrutimin dhe financimin e luftëtarëve të Sirisë. Dy javë më vonë, policia e Bosnjës  arrestoi 16 persona nën të njëjtin dyshim. Sipas vlerësimeve, saktësia e të cilave  nuk mund të verifikohet, 100 deri në 300 shqiptarë myslimanë dhe 180 myslimanë boshnjakë  u janë bashkangjitur luftëtarëve në Siri dhe në Irak. Në Bosnjë, Kosovë, Maqedoni dhe Serbi tash po ashpërsohen ligjet. Në Maqedoni do të dënohet me të paktën pesë vjet burg kushdo që i bashkëngjitet ndonjë njësie të huaj luftarake.

Xhami të reja

Në gusht një video shokoi publikun. Në të shihet një xhihadist i përkatësisë shqiptare, i cili ia heq kokën një të burgosuri. Akteri, Lavdim Muhaxheri, kishte punuar deri në vitin 2012 për armatën amerikane   – së pari në kampin Bondsteel dhe pastaj në Afganistan. Më 2012 krijoi në Kaçanik, në kufirin me Maqedoninë, një grup të të rinjve islamistë dhe më pastaj udhëtoi në Siri.

Ashtu si edhe në Evropën Perëndimore, edhe në Kosovë druajnë nga të rinjtë brutalë, të cilët kthehen nga vendet e Lindjes së Afërt. Gazetari, Visar Duriqi, i cili raportoi mbi radikalizimin e skenës islamike në Kosovë dhe mbi Muhaxherin, u kërcënua masivisht në mesin e gushtit. Një forum i të rinjve islamë e akuzoi atë për dalje nga besimi për çka atë do ta  presë dënimi me heqje koke. Edhe rasti i tetëvjeçarit Erion Abazi nga Prishtina vuri në lëvizje publikun e gjerë. Ai do të duhej të jetë  rrëmbyer në fillim të korrikut nga babai i tij dhe të jetë dërguar në një kamp stërvitor të shtetit islamik.

Por, sa janë domethënëse këto raste ekstreme?  Në vendet e Ballkanit qe një kohë të gjatë praktikohet sunitizmi tolerant. Ai rrjedh nga shkolla juridike e hanifizmit, i cili ishte religjion shtetëror gjatë Perandorisë Otomane. Shumica e besimtarëve të tij nuk janë të kufizuar në besimin e tyre, bile edhe kur është fjala për konsumimin e alkoolit. Por si gjatë, ashtu edhe pas luftës në Ballkanin Perëndimor në vitet e nëntëdhjeta u shtua ndikimi i  rrymimeve të huaja radikale, të cilat në formë organizatash humanitare hasën në një numër të madh të nevojtarëve. Shumica e këtyre akterëve, që vinin nga Arabia Saudite dhe nga Emiratet, arritën të ndërtojnë rrjetet e tyre misionare. Ndikimi i tyre shihet më së miri në ndërtimin e xhamive. Ndryshe nga minaretë e thjeshta nga plumbi, xhamitë e ndërtuara nga ta janë me minare të larta dhe pompoze.

Shërbimet sociale

Xhamitë janë edhe vendi ku zhvillohet beteja mes tradicionalistëve dhe pretendueseve të rinj. Bashkësitë zyrtare islame si prerogativ përdorin të shpeshtën e rasteve emërimin e imamëve. Por, faktikisht, ato nuk mund ta shtrijnë kudo ndikimin e tyre. Ato tash po akuzohen edhe për atë se kanë shikuar gjatë pa ndërmarrë asnjë veprim. Kështu për shembull edhe xhamia Tutunsuz në Shkup është marrë nga myslimanët radikalë.

Një rol vendimtar në luftën për pushtet e luajnë administratorët e xhamive, jo shumë të dukshëm, të cilët kontrollojnë arkat. Nga to nuk financohen vetëm aktivitetet bazë religjioze, por edhe shumë shërbime tjera sociale nga të cilat shteti ka hequr dorë që moti. Përmes këtyre kanaleve dhe përmes instruktimit të fëmijëve, besimtarët radikalë përhapin porositë e tyre, të cilat i përqafojnë jo vetëm të varfërit, por edhe të rinjtë, të cilët janë në kërkim të kuptimësimit të jetës së tyre.       

 Andreas Ernst, 12.9.2014

Nga gjermanishtja: Nexhmedin Gërguri