Lajme

Ekspozitë kolektive në Gjenevë: Kujtesa që refuzon të shuhet

Artistët, shqiptarë e të huaj, ekspozojnë krijimet e tyre në nderim të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë

Më 31 gusht 2025, në hapësirat e Maison des Arts du Grütli në Gjenevë, do të hapet një ekspozitë kolektive e arteve pamore me titullin “Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë!”, e organizuar nga Shoqata Kulturore Dora d’Istria dhe Lidhja Shqiptare në Botë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë.

Ekspozita sjell së bashku artistë  nga Kosova, Ukraina, Franca dhe Zvicra, shumica prej tyre shqiptarë të cilët përmes veprave të tyre i japin zë kujtesës së plagosur, por të gjallë. Ajo është një ftesë për të reflektuar mbi boshllëkun që lënë pas të zhdukurit dhe mbi fuqinë e artit për të sfiduar harresën.

“Çdo vepër është një akt kujtese, një thirrje kundër zhdukjes me dhunë dhe një mënyrë për të rikthyer në jetë ndërgjegjëjen e fjetur ndërkombëtare që heshtë para mijëra e mijëra familjeve të cilat kërkojnë drejtësi”, thekson zonja Limani Hiler, organizatore.

Artistët pjesëmarrës

Ekspozita do të prezantojë krijimet e Gani Jakupit, shkrimtar, gazetar dhe artist i njohur me veprimtari ndërkombëtare; Ruslan Pikhotës, artist ukrainas i angazhuar që dokumenton përmes artit tragjedinë e luftës në vendin e tij; Hazir Rekës, fotograf i afirmuar që sjell përvojën njerëzore të Kosovës në artin vizual si dhe të Ramë Dardanisë, artist i gjeneratës së re të diasporës, i cili shpalos identitetin dhe kujtesën historike.

Ekspozitës i bashkohen gjithashtu Vanesa Lika, studente, artiste që trajton marrëdhëniet mes shoqërisë, feminitetit dhe kujtesës kolektive, si dhe Nysret Shabani, piktor i cili ndërthur narrativën e kujtesës me reflektimin mbi vuajtjen njerëzore.

Mesazh përtej kufijve

Në ceremoninë e hapjes pritet të mbajë një fjalë përshëndetëse edhe Mathias Buschbeck, kryetar i Komunës së Vernier-it, duke nënvizuar mbështetjen e institucioneve zvicerane për këtë ngjarje që prek tema universale.

Ekspozita shënon një pikëtakim të veçantë kulturor, ku arti bëhet ura që lidh përvojat e popujve të ndryshëm, duke treguar se dhimbja për të zhdukurit është e përbashkët dhe se kujtimi i tyre është një akt human dhe shoqëror.

Në këtë 31 gusht, Gjeneva do të shndërrohet në një hapësirë kujtese dhe solidariteti, ku arti flet aty ku fjalët nuk mjaftojnë.

Ora: 14:00 

Adresa: Maison des Arts du Grütli Rue du Général-Dufour 16. CH-1204 Genève