Lajme

Eksporti kosovar ka shënuar rënie

Eksporti kosovar që në muajt e parë, kur u rikthyen preferencat tregtare, shënoi rënie të madhe. Në shkurt, eksporti kosovar ka shënuar rënie për 40.4 për qind krahasuar me një vit më parë, përderisa importi arriti vlerën e 125 milionë eurove.

Përfaqësues të bizneseve të vendit thonë se këto të dhëna janë mjaft shqetësuese dhe, sipas tyre, këto vlera tregojnë se vendi është zhytur në krizë.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se deficiti tregtar gjatë shkurtit të këtij viti ishte i lartë.

“Deficiti tregtar në muajin shkurt ishte prej 109,9 milionë euro krahasuar me deficitin prej 123.2 milionë euro me shkurtin e vitit të kaluar”, thuhet në publikimin e ASK-së.

Gjatë shkurtit u eksportuan mallra në vlerë 15.3 milionë euro ose 40. 4 për qind më pak se para një viti, ndërsa importi ishte 125.2 milionë euro, respektivisht 15.9 për qind më pak. Në strukturën e eksporteve dominojnë metalet bazë dhe artikujt e tyre, të cilat marrin pjesë me 72.7 për qind të eksportit, 7 për qind produktet bimore, 5 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 3.7 për qind lëkurë dhe artikuj të tyre.

Ndërsa në import dominojnë produktet minerale me një përbërje prej 27.2 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani 13.7 për qind, makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike me 10 për qind si dhe 7.9 për qind produkte të industrisë kimike.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka theksuar se rënia e eksportit në vlera kaq të mëdha është edhe një shenjë se vendi është në krizë ekonomie.

Për të si përfaqësues i bizneseve, raporti i fundit i ASK-së për shkëmbimet tregtare të Kosovës është mjaft shqetësues.

Sipas tij, kriza ekonomike i ka dhënë efektet e saj dhe këto fakte të shkëmbimet tregtar, sipas Gërxhaliut, dëshmojnë se Kosova ka hyrë në një krizë.

Kurse në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thonë se kanë punuar në drejtim të stimulimit të eksportit drejt shteteve tjera.

Arta Istrefi, zëdhënëse në MTI, ka deklaruar se për eksportim të mallrave është nevojitur dorëzimi i tetë dokumenteve të veçanta, ndërkaq tash për të eksportuar nevojiten vetëm dy dokumente./albinfo&express/