Lajme

Eksportet e orëve zvicerane drejt SHBA vazhdojnë të bien

Eksportet e orëve zvicerane u goditën sërish nga tarifat 39% të vendosura nga Shtetet e Bashkuara në tetor, por draft-marrëveshja mes Bernës dhe Uashingtonit për t’i ulur ato në 15% duhet t’u japë orëndreqësve një frymëmarrje lehtësuese.

Në tetor, eksportet e orëve zvicerane drejt SHBA ranë me 46.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, pas një rënieje prej 55.6% në shtator dhe 23.9% në gusht, sipas shifrave të publikuara të enjten nga Federata Zvicerane e Orëve. Megjithatë, krahasimi mes shifrave të shtatorit dhe tetorit të këtij viti tregon një rritje prej 42%, transmeton albinfo.ch.

Në gusht, Uashingtoni vendosi tarifa 39% ndaj Zvicrës, duke ngritur shqetësime serioze për industrinë e orëve, pasi orët duhet të prodhohen në vend për të mundësuar shënimin “Made in Switzerland”, i cili konsiderohet simbol i traditës zvicerane të orëndreqësisë.

Por pas tre vizitave në Uashington, Ministri i Ekonomisë, Guy Parmelin, u kthye në Bernë në fund të javës së kaluar me një draft-marrëveshje për të ulur këto tarifa doganore në 15%, edhe pse disa detaje ende duhet të diskutohen, veçanërisht për sektorin e orëve.