Lajme

Ekspertët e BE-së paralajmërojnë për mutacione të rrezikshme të virusit të shpendëve

Gripi i shpendëve H5N1 po përhapet gjithnjë e më shumë në Evropë, dhe tani nuk janë vetëm shpendët që preken. Varianti vdekjeprurës i virusit ka infektuar edhe gjitarë – në SHBA janë regjistruar raste te lopët, sidomos tek lopët qumështore, ku virusi është zbuluar edhe në qumështin e tyre. Kjo rrit frikën se mund të shfaqet në produktet ushqimore në supermarkete dhe mund të shkaktojë një pandemi të re.

Sipas Agjencisë Evropiane për Sigurinë Ushqimore (EFSA), derrat janë në rrezik të lartë. “Gripi i shpendëve është një rast i veçantë, sepse gjithnjë e më shumë po përhapet nga shpendët tek gjitarët,” tha eksperti i EFSA-së, Bernhard Url. Nëse infektimi kalon te derrat, ata mund të shërbejnë si ndërmjetës për përhapjen e virusit tek njerëzit. Popullata e madhe e derrave në Evropë mund të shndërrohet në një “laborator të rrezikshëm për mutacione virale”, transmeton albinfo.ch.

Zvicra: ende pa raste te kafshët ose njerëzit
Në Zvicër, sipas Zyrës Federale për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinare (FSVO), që nga mesi i shkurtit nuk është raportuar asnjë rast i gripit të shpendëve te kafshët. Gjithashtu, Zyra Federale për Shëndetin Publik (FOPH) konfirmon se deri më tani nuk ka pasur raste të infektimit me H5N1 tek njerëzit në Zvicër.

Zëdhënësi i FOPH, Simon Ming, thekson se rreziku për popullatën e gjerë është shumë i ulët, por infektimi nuk mund të përjashtohet plotësisht. Simptomat e infeksionit janë të ngjashme me gripin e zakonshëm. Aktualisht, nuk ekziston ndonjë vaksinë për njerëzit kundër këtij virusi.

Paralajmërim për publikun: mos prekni kafshët e sëmura apo të ngordhura


Autoritetet këshillojnë që të shmanget kontakti me kafshë të sëmura ose të ngordhura. Personat që punojnë apo merren rregullisht me shpendë duhet të marrin masa mbrojtëse. Që nga fundi i marsit, urdhri i posaçëm për mbrojtjen ndaj gripit të shpendëve në Zvicër ka skaduar. Tani përgjegjësia për monitorimin bie mbi mbajtësit e kafshëve. Nëse shfaqen simptoma si vështirësi në frymëmarrje, mungesë oreksi apo rënie e prodhimit të vezëve, duhet kontaktuar menjëherë veterineri.