Lajme

Rama shkund manat në prill siç shkundte dikur Berisha arrat në gusht

Përveç idesë së mirë, mbledhja e dy qeverive nuk u pasua më me asnjë veprim serioz e bindës, se Edi Rama e ka me një mendje çështjen e bashkimit kombëtar

Shakaja e Edi Ramës para zgjedhjeve lokale në prill të këtij viti ma përkujtoi shakanë e Berishës para zgjedhjeve të fundit qendrore, kur njësoj sikur Rama sot, edhe ai atëherë tallej me idenë e bashkimit kombëtar. Se Berisha është një person i rrëmbyer e sipëfaqësor dihet botërisht, por se edhe Edi të jetë po aq i cekët sa konkurrenti i tij nuk e kam ditur.  Bile prononcimi i tij në pirll për këtë ide e bën atë të konsiderohet një shaka tipike prilli. Mungonte vetëm data 1 prill që pronononcimi të dilte  plotësisht serioz. Duket se shakanë e tij të prillit e morën seriozisht vetëm nostalgjikët e bashkimit kombëtar Rexhep Qosja e Jakup Krasniqi!

Se sa serioz është ky prononcim i tij flet vetë mënyra e mbajtjes dhe e organizimit të takimit të parë të dy qeverive – të asaj të Republikës së Shqipërisë dhe të asaj të Kosovës, si njëfarë pikënisje e harmonizimit të veprimeve për integrime kombëtare! Përveç idesë së mirë, e cila për të shmangur përplasjen me faktorët vendimarrës, do të duhej të emërtohej si proces i integrimeve ndërregjionale, dhe vendit simbolik të mbajtjes – Prizrenit, nuk u pasua më me asnjë veprim serioz e bindës, se Edi Rama e ka me një mendje çështjen e bashkimit kombëtar. As ministritë e arsimit, as ministritë e kulturës dhe të sportit, as ato të ekonomisë e bile as ato të punëve të jashtme nuk kanë bërë diç që ia vlen të përmendet dhe të konsiderohet si përparim i proceseve të intgerimeve kombëtare. Një marrëveshje për njohje diplomash mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës do të mund të bëhej po aq mirë edhe me Republikëne Maqedonisë dhe ishte (është) temë diskutimi edhe në dialogun e „normalizimit“ Serbi – Kosovë. Një marrëveshje për ngritjen e qendrave të përbashkëta kulturorore në vendet me numër të madh të mërgimtarëve, që pritet të japë fryte tek më vonë, e që duket të jetë më shumë rezultat i vullnetit dhe i përcaktimit  të Ministrit të Disaporës së Kosovës, Valon Murati, sesa i një kordinimi të dy qeverive nuk janë rezulatet që duhet krenuar e që flasin për një projekt të Edi Ramës për integrime të njëmendëta kombëtare.

Se bashkimi kombëtar nuk mund të bëhet pa një konsensus të palëve vendimmarrëse dhe pa shërbyer si një garant i forcimit të stabilitetit në rajon nuk duhet të jesh as diplomat e as kryqeveritar për ta kuptuar. Se bashkimi pa zhvillim do të sillte më shumë bashkim dhe shumëfishim problemesh sesa bashkim dhe shumëfishim forcash edhe kjo mund të merret pa vështirësi me mend edhe pse për t’u ditur nuk dihet ende, sepse bashkimi i dy Gjermanive solli zhvillim e përparim e jo stagnim e kaos. Por krahasimi këtu është vërtet i pavend.

Që të përparojmë proceset e integrimeve mbarëkombëtare duhet shumë më shumë serioziet sesa shakatë e prillit të krymeinstrit të ri dhe atij të vjetër, duhet ligjshmëri e ndershmëri, duhet luftë krimit të organizuar e korrupsionit e jo kandidim e futje në parlamente të trafikatëve të narkotikëve dhe të drjetuesve të rrjtetit të prostitucionit e të shpërlarjes së parave, duhet zhvillim ekonomik e hapje e vendeve të punës dhe jo migrim i paligjshëm dhe shtim i trafikimit të lëndëve narkotike. Që të bashkohemi duhet të jemi shoqëri stabile dhe me zhvillim ekonomik, sepse si të tillë do të mund të ishim ndihmë edhe për fqinjët e edhe për projektin e quajtur BE, së cilës, për arsye të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies tmerrshëm të munguara, dëshirojmë t’i bashkohemi në mënyrë plebishitare.

Diku në vitin 1995, kur kryetari atëhershëm i Gjermanisë ( të bashkuar më 1990),  Roman Herzog, pati vizituar Republikën e Shqipërisë dhe pati mbajtur një fjalim në parlament, pati thënë se më nuk është e rëndësishme se nën cilin flamur të cilit shtet jeton, por se ku paguan më pak tatim. Kjo deklaratë e tij më pati nxitur t’i shkruaja atij një letër në të cilin e parashtroja pyetjen e arsyes së bashkimit të dy Gjermanive dhe mungesën e përdorimit të kutit të njëjtë për të njëjtën çështje. Edhe pse nuk prisja përgjigje, këshilltari kryesor i kabinetit të kryetarit gjerman, m’u pati përgjigjur dhe pati theksuar se „bashkimi i Gjermanive është bërë në marrëveshje me vendet fqinje dhe ka shërbyer si faktor stabiliteti për Evropën e Mesme“.

Rama dhe Berisha, si politikanë të rryer, do të duhej t’i dinin këto përcaktime të vendeve vendimmarrëse, prandaj deklarimet e Ramës janë shkundje e manave në prill, siç ishin edhe deklarimet e Berishës dikur shkundje e arrave në gusht!

Nexhmedin Gerguri

*Ky është opinion i autorit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht qëndrimin e redaksisë