Lajme
Edhe më 2023 prodhuesit e makinave do të përballen me mungesën e çipave

Industria globale e makinave do të përballet me mungesa të gjysmëpërçuese vitin e ardhshëm, ndërkohë që tranzicioni drejt automjeteve elektrike sa vjen e përshpejtohet, sipas paralajmërimeve të grupeve kryesore të automjeteve dhe prodhuesve të çipave.
Hassane El-Khoury, drejtuesi ekzekutiv i kompanisë së prodhimit të çipave me qendër në SHBA, Onsemi, tha se kompania e tij tashmë ka shitur të gjitha çipat e karbitit të silikonit (SiC), gjysmëpërçues të avancuar të energjisë, të cilët përdoren kryesisht te makinat elektrike, të paktën deri për në fund të vitit 2023, për shkak të kërkesës së madhe.
“Nuk mund të bëjmë asgjë tani për të ndryshuar vitin 2023”, tha drejtuesi i një prej kompanive kryesore të prodhimit të çipave të makinave në botë. “Ne do të shtojmë kapacitet çdo tremujor, çdo muaj të vitit 2023, në mënyrë që të mund të përmbushim kërkesat e klientëve tanë.”
Jochen Hanebeck, drejtuesi ekzekutiv i kompanisë së prodhimit të çipave të makinave, Infineon, dha një paralajmërim të ngjashëm lidhur me furnizimet në një event të organizuar në Mynih së fundmi. “Pres që të ketë një mungesë mjaft afatgjatë,” tha ai.
Prodhuesit e makinave po përgatiten gjithashtu lidhur me këto probleme. Carlos Tavares, drejtuesi ekzekutiv i Stellantis, prodhuesi i katërt më i madh i automjeteve në botë për nga shitjet, ka thënë se kufizimet e çipave do të vazhdojnë të ndikojnë në industrinë e automobilave edhe vitin e ardhshëm.
Kërkesa për çipa ka shtuar prodhimin nga kompani të tilla si Onsemi, Infineon, si dhe STMicroelectronics, NXP Semiconductors dhe Nexperia.
Muajin e kaluar, Infineon shtoi parashikimin e tij për rritjen e të ardhurave nga 9 për qind në më shumë se 10 për qind për vitet e ardhshme, pa dhënë një afat specifik kohor.
Prodhuesi gjerman i çipave njoftoi gjithashtu investimin e vet më të madh prej 5 miliardë eurosh për të ndërtuar një fabrikë në Dresden, e cila do të prodhojë gjysmëpërçues analogë, me sinjal të përzier dhe me energji, produkte të cilat përdoren te makinat dhe në shumë industri të tjera.
El-Khoury tha se Onsemi po zgjeron prodhimin në fabrikat në Roznov të Republikës Çeke, në Busan të Koresë së Jugut dhe në New Hampshire të SHBA-së. Kompania vlerëson se këto ndryshime do të rrisin kapacitetin me 30 për qind vitin e ardhshëm.
“Ne kemi shumë klientë në të ashtuquajturat ‘marrëveshje afatgjata të furnizimit’ dhe po ndërtojmë kapacitetet e nevojshme për të mbështetur së pari ata,” shtoi ai.
Kërkesa për çipa është nxitur kryesisht nga funksionet gjithnjë e më të ndërlidhura të automjeteve me karburant dhe nga tranzicioni drejt makinave elektrike, i cili ka të ngjarë të përshpejtohet pasi motorët me djegie kanë filluar të eliminohen gradualisht./ Financial Times
E-Diaspora
-
Halili+Partner Ingenieure nga Zvicra vlerësohet në Oman me vendin e dytë Pas një gare të fortë ndërkombëtare në kuadër të Konkursit të Dizajnit 2025 të Komunës së...
-
Kjo është gjendja në pikëkalimet kufitare me Kosovën
-
Dyseldorf: Ndahen mirënjohjet për nxënësit e mësimit plotësues të gjuhës shqipe
-
Liriona Morina, finaliste në mesin e avokatëve të rinj më të mirë të Evropës
-
Nxënësit shqiptarë nga Zvicra nisin Shkollen Verore “Jam Shqiptar”
Jeta në Austri
-
Austri: 27% e të rinjve me prejardhje migrante braktisin herët shkollimin Në Austri, më shumë se 100,000 të rinj kanë përfunduar shkollimin e detyrueshëm në maksimum dhe...
-
Gjermania do të ndjekë shembullin e Austrisë dhe do të deportojë sirianët e dënuar
-
Banka Qendrore e Austrisë instalon bankomate për të kapërcyer hendekun rural të parave të gatshme
-
Tragjedi në Festival: Vdes një 22-vjeçar pas një incidenti sigurie
-
Universitetet austriake duan rregulla më të rrepta për pranimin e studentëve të huaj