Kosova

Dy presidente, dy shtete të zemrës

Kjo vizitë, përveç peshës politike, e bëri diasporën të ndihej e përfshirë  si qytetarë të respektuar, që kontribuojnë si për Zvicrën, ashtu edhe për Kosovën

Nën shkëlqimin e fustaneve dhe elegancën e kostumeve, tavolina të shtruara me shumë shije, mbrëmja kishte hijen e një balloje aristokrate. Ngjante pak a shumë me takimet e heshtura të zotërinjeve evropianë në shtëpitë e mëdha angleze, para Luftës së Dytë Botërore, ku merreshin vendime që ndryshonin fatet, si ato që përshkruan Kazuo Ishiguro në The Remains of the Day.

Por kjo darkë tashti nuk ishte për nder të zotërinjve, as për të diskutuar për luftë fatbardhësisht. Kjo bëhej në nder të dy zonjave krytetare shtetesh, që flisnin për bashkëpunim dhe ngrinin dolli për marrëdhënie miqësore ndërshtetërore dhe për arritjet e shqiptarëve në Zvicër. Dyshja me gjithë bukurinë dhe elegancën dëshmoi faktin se fuqia e vërtetë rrallë qëndron vetëm  ajo pasqyrohet, rezonon dhe evoluon. Siç ishte rasti këtë natë me dy Presidentet e zemrës, atë të Kosovës dhe Zvicrës.

Zvicra, një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës më 2008, i kishte dërguar Presidentes së Kosovës ftesën e parë për një vizitë shtetërore një vizitë e organizuar nga Presidentja Karin Keller-Sutter dhe Këshilli Federal Zviceran. Kjo darkë presidenciale, e mbajtur më 21 maj 2025, u kthye në një moment që dukej sikur një kapitull i ri.

Presidentja Vjosa Osmani mbajti një fjalim emocional, me theks në përpjekjet dhe sakrificat e qytetarëve të Kosovës. Të ulur përreth saj, me sy të mbushur me shpresë dhe pothuajse të përlotur, dëgjonim pëshpërima miratimi nga ata që kishin kaluar vite të tëra në Zvicër: “Ashtu është… E dini more si e kemi nisur jetën këtu?”

Po aq prekës ishte dhe fjalimi i ngrohtë i Presidentes së Konfederatës, Karin Keller-Sutter, e cila vlerësoi kontributin e diasporës shqiptare të Kosovës në shoqërinë zvicerane. Ajo vazhdoi me një sens humori që na bëri të qeshnim më shumë se një herë — posaçërisht kur përmendi obsesionin tone me çokollatat zvicerane, që konsumohen më shumë nga shqiptarët e Kosovës sesa nga vetë zviceranët. Të gjithë tundëm kokën në shenjë dakordësie, duke e ditur mirë se gjysma e valixhes është gjithmonë e mbushur me prodhime zvicerane sa herë kthehemi në Kosovë.

Rreth tyre, ne të tjerët, të mbushur me admirim, vazhduam bisedat tona në gjermanisht, anglisht, frëngjisht dhe, sigurisht, shqip — aty, në Bundeshaus (Ndërtesa e Parlamentit), në zemër tëqytetit të Bernit. Një ngjarje që vetëm disa vite më parë do të ishte e paimagjinueshme, kur shëtisnim përreth asaj ndërtese e atij sheshi si refugjatë, të shpërngulur e persekutuar gjetëm strehë në Zvicër. Sot, përfaqësoheshim si njerëz të suksesshëm në fusha të ndryshme, duke nisur nga politika, shëndetësia, biznesi, sporti, arsimi etj.

Kjo vizitë, përveç peshës politike, e bëri diasporën të ndihej e përfshirë  si qytetarë të respektuar, që kontribuojnë si për Zvicrën, ashtu edhe për Kosovën. Qytetarë që kanë pasur mundësi dhe privilegj të formohen me tiparet më të mira të të dy kulturave.

Unë, në ligjëratat e mia, ku shpesh flas për Kosovën, u mësoj studentëve se si të shprehen në mbledhje të rëndësishme: çfarë të pyesin, si ta thonë shkurt e bukur, gjithnjë duke theksuar rëndësinë e kohës. Madje, fjalimet e tyre i mas me kohë, për t’u treguar sa thelbësore që është ajo.

Por këtë herë, kur shtrëngova duart me të dy presidentet, u emocionova aq shumë, sa tejkalova kohën time. Me shumë mirësjellje, dikush i veshur me një kostum më të shtrenjtë se gjithë garderoba ime, më kërkoi të tërhiqem. Koha ime kishte përfunduar. U largova. Por ecja me një buzëqeshje të madhe në fytyrë  sepse vetëm trupi im ishte larguar nga ajo bisedë; mendja ime mbeti aty.