Lajme

Dy ndërmarrje shoqërore në Kosovë në prag të falimentimit

Zyra Kombëtare e Auditimit  e kishte paralajmëruar “Trainkosin” për vështirësitë financiare me të cilat mund të përballet nga shkaku i planifikimeve joadekuate dhe i menaxhimit jo të duhur

Ditë më parë, në mungesë të buxhetit ndërpreu qarkullimin e linjës Prishtinë-Pejë dhe atë Prishtinë-Han i Elezit. Por ndërmarrja publike “Trainkos” është në prag të falimentimit edhe për shkak të keqmenaxhimeve që janë bërë si dhe humbjeve të shumta dhe planifikimeve joadekuate të të hyrave.

Mosqarkullimi i këtyre dy linjave i ka shkaktuar vështirësi financiare edhe ndërmarrjes tjetër “Infrakos”.

Zyra Kombëtare e Auditimit  e kishte paralajmëruar “Trainkosin” për vështirësitë financiare me të cilat mund të përballet nga shkaku i planifikimeve joadekuate dhe i menaxhimit jo të duhur, shkruan Koha Ditore.

“Mjetet e ndara për këtë transport nga QRKS-ja janë shpenzuar në muajin qershor të këtij viti. Deri më tani trenat janë mbajtur në operim me mjete vetjake nga ana e ndërmarrjes, por mbajtja e tyre më gjatë në operim është e pamundur”, ka njoftuar kjo ndërmarrje.