Lajme

“Dua t’i ndërtoj 860 biblioteka në Kosovë”

Projekti i Bunatekës kthen në Kosovë Bujar Nrecën pas 17 vjetësh të kaluar në Zvicër

Bujar Nrecaj ka jetuar 17 vjet në Zvicër. Ai vendosi të kthehej në Kosovë. Arsyeja e tij ishte ta ndihmojë vendin e vet.  Bujari është nga fshati  Lutogllavë i Prizrenit.

“Unë në moshën 12-vjeçare kam shkuar në Zvicër, atje kam jetuar për 17 vjet, kam shkuar në Zvicër në kohën kur njeriu fillon ta kërkojë vetën, kam shkuar atje në moshën e adoleshencës dhe ka qenë problem ta ndërrosh vendin, të përshtatesh mes dy kulturave. Në atë kohë unë e kam pasur shumë problem të lidhem për Zvicrën. Për ato 17 vjet sa kam jetuar e kam pasur gjithmonë idenë se dikur duhet të kthehem në Kosovë, se unë duhet ta ndihmoj vendin. Çdo referat që kam bërë në shkollë, gjithçka që kam bërë ka pasur një lidhje me Kosovën. Te unë ka ekzistuar një marrëdhënie e pashkëputur mes meje dhe Kosovës”, thotë Nrecaj. 

Si lindi ideja e bibliotekave?

Ai shton se aq shumë ka folur për Kosovën sa që ka nisur t’i mërzisë shokët, sa që ata shpesh i kanë thënë:  “Shko në Kosovë se na lodhe tu na fol për të”. Bujari deri tash ka ndërtuar 7 biblioteka në 7 vende të ndryshme në Kosovë.  E para është ndërtuar në Lutogllavë të Prizrenit, një është ndërtuar në fshatin Sferk të Klinës, në Bajgorë të Mitrovicës, në Mulan të Suharekës, në Drenoc të Deçanit, në Celinë të Rahovecit dhe një në fshatin Boston të Novobërdës. Po si nisi kjo ide?

“Kemi qenë me një mbrëmje me shoqërinë tu diskutue se si mund të organizohemi për ta ndihmuar Kosovën dhe ka pasur ide të ndryshme. Mu nuk më kanë pëlqyer ato ide, të cilat ishin të përkohshme. Unë kam pasur ide që t’u ndihmoj njerëzve në mënyrë afatgjatë. Unë kam menduar që fshatit tim t’i ndihmoj, e po ashtu shkollës dhe erdhi ideja për të ndërtuar një bibliotekë dhe atë ide ua propozova shokëve dhe ata e pritën mirë. Naser Morina me tha se edhe ai në fshatin tim e kisha bërë një bibliotekë të ngjashme dhe aty nisi ideja e Bunatekës që ajo të shkojë në të gjitha shkollat në vendet rurale. 

Ideja e bibliotekës ka qenë që ajo të jetë jashtë shkollës dhe të bëhet njëfarë lloj simboli i shkollës. Unë  jam nis prej asaj që kur kam qenë në shkollën fillore në fshatin tim, ne nuk kemi pasur libra dhe derisa është ndërtuar biblioteka, ata nuk kanë pasur libra në bibliotekë. Kam menduar se si ata fëmijë shkojnë në shkollë të mesme pa kulturën e leximit dhe kjo më ka shtyrë ta çoj përpara këtë projekt”, shprehet Nrecaj. 

Sipas tij, problemi kryesor për shumicën e të rinjve në Kosovë që jetojnë në zonat rurale është se mundësitë e leximit për ta janë shumë të pakta dhe projekti është bërë që atyre t’u ofrohet mundësia për të krijuar një vizion për të ardhmen. 

Kthimi në Kosovë dhe ndërtimi i bibliotekave

Ai thotë se pas vizitës që i bëri Kosovës me rastin e shpalljes së pavarësisë më 2008, ai ka vendosur që definitivisht të kthehet në Kosovë. Bujari tregon se për ndërtimin e këtyre Bunatekave, atë fillimisht e kanë ndihmuar Ambasada e Norvegjisë në Kosovë, e më pas ka gjetur edhe donacione të tjera. Ndërsa, në ndërtimin e tri Bunatekave të fundit thotë se atë e kanë ndihmuar edhe Ambasada e Zvicrës në Kosovë.

Projekti i Bunatekës është që në Kosovë të ndërtohen 860 biblioteka në shkollat e Kosovës, shumica prej të cilave nuk kanë fare biblioteka ose ato biblioteka që i kanë janë pa literaturë të nevojshme për nxënësit. Projektuesi thotë se ata fillimisht po mundohen ta ndërtojnë në çdo fshat të secilës komunë nga një bibliotekë.

Nrecaj shprehet së për të bërë këtë ai po shikon mundësinë e gjetjes së donatorëve, por është optimist se do t’ia dalë me projektin e nisur. Ai thotë se ideja e tij është pritur shumë mirë nga nxënësit dhe mësuesit ku ato janë ndërtuar, madje thotë se tashmë në adresë të tij po mbërrijnë shumë kërkesa nga shkolla të ndryshme për ta bërë një gjë të tillë në shkollat e tyre. 

“Kosova të ofron vend ku mund të zhvilloni idetë e juaja”

“Mësuesit në Bajgorë më kanë treguar se nxënësit në këtë vend mezi presin që t’i kryejnë orët e mësimit për të shkuar në Bunatekë, dhe kjo më ka nxitur edhe më shumë që të vazhdoj projektin. Ne po mendojmë që shumë shpejt të krijojmë një rrjet të Bunatekave që ato të kenë qasje njëra me tjetrën, të kontaktojnë njëra me tjetrën, të bëjnë gara nxënësit dhe ky do të ishte një stimulim i mirë  për t’ i shtyrë nxënësit të krijojnë shprehi leximi”, deklaron Nrecaj. 

Bujat Nrecaj tash e tre vjet jeton në Prishtinë dhe udhëheq një zyrë të arkitekturës. Thekson se i ka dalë më vështirë se sa e kishte paramenduar, por thotë se ka mësuar shumë gjatë kësaj kohe sa ka jetuar në Kosovë.

“Kosova të ofron vend ku mund të zhvilloni idetë e juaja. Kosova është një vend shumë atraktiv për njerëzit krijues”, përfundon ai.

Bunateka

Akronimi Bunateka është emri i projektit, p.sh bibliotekat zakonisht janë brenda shkollës e këto ndërtesat e vogla janë jashtë edhe për këtë ai i ka quajtur Bunateka.

Të gjitha Bunatekat janë te bashkë-financuara.