Lajme

Dita e fundit e fushatës zgjedhore në Shqipëri

Socialistët kanë zgjedhur dy qytete për të mbyllë fushatën, në Shkodër e Vlorë, ndërsa Demokratët e Sali Berishës do ta mbyllin fushatën në Tiranë

Pas një fushate të ngjeshur dhe me shumë tensione, partitë politike në Shqipëri sot i japin fund garës zgjedhore, për të hyrë në ora 12 e mesnatës në heshtje parazgjedhore. Dy blloqet e mëdha politike, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste fushatën e përmbyllin sot, njëra në Tiranë e tjetra e ndarë në Vlorë e Shkodër.

Socialistët organizuan mbrëmë në Tiranë mitingun e fundit, ndërsa kanë zgjedhur dy qytetet, Shkodrën dhe Vlorën për ta mbyllur fushatën. Kresocialisti Rama ka thënë se dy mitingjet e kanë një simbolikë, bashkimin, ndërsa tha se kandidatët do të ndahen në dy taborre.

Ndërsa Partia Demokratike do t’i përmbahen traditës për zhvillimin e mitingut final në Tiranë. Spoti elektoral njofton se mitingu do të nisë në orën 19:44, simbolikë kjo e numrit që PD ka në fletën e votimit.

Ndryshe, zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, janë të tetat demokratike që mbahen në Shqipëri pas rënies së komunizmit.

Në këtë garë kandidojnë dy koalicionet e mëdha: Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim e cila mbledh rreth PD-së dhe kryeministri Sali Berisha 25 parti të vogla politike dhe Aleanca për Shqipërinë Evropian e drejtuar nga socialisti Edi Rama e cila i mbledh 34 parti të vogla politike.

Ndërsa garës zgjedhore i bashkohen edhe tri subjekte të pavarura: Aleanca Kuq e Zi me në krye Kreshnik Spahiun; Fryma e Re Demokratike me ish-presidentin Bamir Topi dhe: Lidhja Për Drejtësi dhe Progres me kryetar Elmaz Sherifin.

Sondazhet e deritanishme i japin mbështetje Aleancës për Shqipërinë Evropian, e cila ka dy partitë më të mëdha Partinë Socialiste dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës.

Ky i fundit në zgjedhjet e vitit 2009, ishte në koalicion me kryeministrin Sali Berisha dhe me një rezultat shumë të ngushtë, mezi e mundën Partinë Socialiste të Edi Ramës.