Kosova

Dita e Fëmijëve në Kosovë, organizatat thonë se të drejtat e fëmijëve janë në gjendje të rënduar

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka ngritur shqetësime serioze për gjendjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, duke theksuar se situata është e rënduar dhe kërkon reforma urgjente në të gjithë sektorët që ndikojnë në jetën e fëmijëve, raporton albinfo.ch.

Sipas komunikatës së lëshuar nga KOMF, fëmijët nën moshën 18 vjeç përbëjnë rreth 28% të popullsisë së Kosovës, mirëpo përballen me një sistem të brishtë mbrojtjeje që rrezikon mirëqenien dhe zhvillimin e tyre.

KOMF vlerëson se sistemi aktual i mbrojtjes sociale është reaktiv dhe jo parandalues, ndërsa investimet për shërbime sociale nuk janë të mjaftueshme për të zbutur varfërinë dhe pabarazitë mes fëmijëve. Ndër të tjera, theksohet se skema e asistencës sociale përmban kritere diskriminuese dhe nuk përfshin fëmijët e moshës 16–18 vjeç në shtesat për fëmijë.

Gjendja është gjithashtu e rënduar edhe në aspektin e dhunës ndaj fëmijëve. KOMF bën të ditur se 72% e fëmijëve në Kosovë përjetojnë forma të dhunshme disiplinimi në shtëpi. Po ashtu, rreth 600 fëmijë janë pa kujdes prindëror, dhe 5% e tyre të përfshirë në punë të rënda, raporton albinfo.ch.

Në fushën e arsimit, Kosova vazhdon të ketë përqindjen më të ulët të përfshirjes në edukimin parashkollor në rajon, me vetëm 15% të fëmijëve të moshës 3 – 4 vjeç të përfshirë. Për më tepër, kalueshmëria në Testin e Arritshmërisë është vetëm 52.1%, ndërsa në testin PISA, Kosova është renditur e 76-ta nga 80 vende pjesëmarrëse.

Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në arsimin e rregullt është e kufizuar, dhe qasja fizike në institucionet arsimore mbetet problem për një pjesë të madhe të shkollave.

Në shëndetësi, mungesa e sigurimeve shëndetësore bën që prindërit të përballen me shpenzime të larta për trajtimin e fëmijëve. Ndërkaq, shërbimet për shëndetin mendor janë thuajse inekzistente, me vetëm 7 psikiatër për fëmijë në të gjithë vendin.

KOMF gjithashtu ka alarmuar për rritjen e delinkuencës së të miturve. Vetëm gjatë vitit 2024, në Prokuroritë Themelore janë pranuar 1,994 kallëzime penale ndaj 3,073 të miturve.

Koalicioni bën thirrje për ndërhyrje të menjëhershme dhe sistematike nga institucionet, për të garantuar mbrojtje, mirëqenie dhe një të ardhme më të sigurt për të gjithë fëmijët e Kosovës, raporton albinfo.ch.

KOMF bën thirrje për ndërmarrjen e veprimeve urgjente:

  •   Hartimi dhe zbatimi i politikave dhe programeve për mbështetjen dhe fuqizimin e familjeve, fuqizimin ekonomik; Miratimi i Ligjit të ri për Asistencë Sociale, largimi i kritereve diskriminuese për fëmijët; Reformimi i shtesave për fëmijë, rritja e shumës mujore dhe përfshirja e moshës 17-18 vjeç në kuadër të tyre;
  • Miratimi i Projektligjit për të Drejtat, Vlerësimin, Trajtimin dhe Njohjen e Statusit, Shërbimet dhe Përfitimet për Personat me Aftësi të Kufizuar;
  •   Themelimi i linjës telefonike falas për mbrojtjen e fëmijës dhe themelimi i shtëpive për mbrojtjen e fëmijëve sipas Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës;
  • Themelimi i shërbimeve dhe programeve për parandalimin e përdorimit të drogave nga fëmijët;  Organizimi i ekipeve mobile në komunitet për identifikim, testim dhe mbështetje të rasteve të fëmijëve viktima të abuzimit me droga; Themelimi i shërbimeve për fuqizimin e prindërve për kujdesin dhe mbështetjen e fëmijëve gjatë rehabilitimit dhe re-integrimit;
  • Rritja e burimeve njerëzore brenda institucioneve publike shëndetësore për shëndetin mendor;
  • Rritja e numrit të institucioneve parashkollore dhe e përfshirjes së fëmijëve në nivelin parashkollor;
  • Rishikimi i planprogramit mësimor, rishikimi i kurrikulave dhe rishikimi i teksteve shkollore; Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve dhe mbështetja dhe zhvillimi i vazhdueshëm profesional i tyre;
  •    Rritja e numrit të mësuesve mbështetës, asistentëve mbështetës për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe sigurimi i qasjes fizike për ta, në shkolla;
  • Themelimi i qendrave apo shtëpive të specializuara për trajtimin dhe rehabilitimin e fëmijëve në konflikt me ligjin, nën moshën e përgjegjësisë penale.