Futboll

Dijon Kameri, talenti i ri që Foda e ka vënë re për Kombëtaren e Kosovës

Nga akademia e njohur e Red Bull Salzburg te një sfidë e re në Poloni, mesfushori me origjinë kosovare, Dijon Kameri, po ndjek me vendosmëri ëndrrën e tij.

Vetëm 20 vjeç, ai ka luajtur tashmë në Ligën e Kampionëve, ka mbajtur shiritin e kapitenit në të gjitha grupmoshat e Austrisë dhe tani po tenton të shkëlqejë me Cracovia-n në Poloni. I lindur në Austri, Kameri flet me emocion për përvojën e tij në Poloni, për sfidat, aspiratat e mëdha dhe lidhjen e veçantë me Kosovën, vendin që, siç thotë ai, “do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time”.

Në një intervistë për Telegrafin, Kameri komentoi adaptimin e tij në skuadrën polake, duke e krahasuar me eksperiencat në Austri dhe Zvicër.

“Adaptimi ka qenë i mirë, megjithatë fillimi nuk ishte i lehtë. Transferimi nga Red Bull Salzburg te Cracovia ndodhi pasi ekipi tashmë kishte zhvilluar disa ndeshje, ndaj më duhej të punoja shumë për të kapur ritmin e skuadrës. Liga polake ka avancuar shumë, sidomos në aspektin fizik dhe të intensitetit të lojës. Ajo që më ka ndihmuar më shumë është mikpritja e stafit, bashkëlojtarëve dhe tifozëve. Po shijoj çdo moment, sepse më ndihmon të rritem si futbollist dhe si individ.”

Për shkak të transferimit të vonshëm, Kameri ende nuk ka arritur vendin e sigurt në formacionin bazë, por mbetet i motivuar dhe beson te kualiteti i tij.

“Konkurrenca në çdo ekip është e madhe, por kjo më sfidon për të përmirësuar veten çdo ditë. Në Cracovia erdha pak vonë, ndaj më duhej kohë për t’u përgatitur fizikisht dhe taktikisht. Jam i kënaqur me minutat që kam luajtur dhe me mundësinë për të kontribuar me asistime dhe energji pozitive. Ndihem se kam fituar besim te trajneri.”

Kameri do të mungojë edhe për dy deri tre javë për shkak të një lëndimi që pësoi në ndeshjen e Austrisë U21 kundër Danimarkës.

Cracovia aktualisht renditet e treta në tabelë, dhe Kameri beson se ekipi ka potencial për të luftuar për vendet që dërgojnë në Ligën e Kampionëve.

“Sezoni ka nisur shumë mirë dhe atmosfera në skuadër është fantastike. Të gjithë besojmë se mund të arrijmë lart sepse kemi një grup me karakter dhe mentalitet fituesi. Synimi ynë është të sigurojmë një vend në garat evropiane, idealisht në kualifikueset e Ligës së Kampionëve. Personalisht, dua të luaj sa më shumë, të kontribuoj me gola dhe asistime, dhe mbi të gjitha të tregoj përkushtim dhe karakter.”

Megjithëse ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Austrisë nga U15 deri në U21, Kameri nuk e përjashton mundësinë e përfaqësimit të Kosovës në të ardhmen.

“Jam krenar për eksperiencën time me Austrinë, por lidhja ime me Kosovën është shumë e fortë. Kur dëgjoj himnin e Kosovës ose shoh flamurin, ndjej një emocion të veçantë. Vendimin përfundimtar do ta marr me qetësi, pjekuri dhe zemër. Kam pasur kontakte direkte edhe me Franco Fodën dhe komunikimi vazhdon.”

Ai gjithashtu ndjek me interes ndeshjet e Kosovës dhe e vlerëson përparimin e bërë nga kombëtarja.

“Kosova po tregon potencial të madh dhe besoj se shumë shpejt do të jetë pjesë e garave ndërkombëtare, sepse e meriton. Shikoj ndeshjet me emocion dhe krenari për prejardhjen time.”

Sipas “Transfermarkt”, vlera e Kamerit këtë sezon është 1 milion euro, ndërsa ai ka zhvilluar tetë paraqitje në ligën polake, me një asistim.