Kultura

Diaspora e Zvicrës, me “Ditët e Agimit” nderon heroin e saj

Manifestimi u mbajt në Höri-Bülach dhe të ftuar ishin bashkëluftarë të brigadës 138 Agim Ramadani, mysafirë nga Kosova etj.

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

Ansambli i Valleve „Vatra“ nga Bülach-u i Cyrihut ka qenë edhe këtë vit organizator i manifestimit kulturor „Ditët e Agimit“. Ky ansambël ndjehet i nderuar që bën një organizim të tillë, duke e pasur parasysh bashkëpunimin e tij të ngushtë para lufte me Agim Ramadanin, i cili në atë kohë drejtonte Qendrën Kulturore Shqiptare në Altstette.

Kështu thotë edhe drejtori i ansamblit „Vatra“, Nexhmedin Isufi.

„Ne e ndjejmë veten të nderuar dhe të obliguar që të organizojmë manifestimin kulturor „Ditët e Agimit“ pasi që nuk mund ta harrojmë bashkëpunimin që kemi pasur me Agim Ramadanin, si udhëheqës i Qendrës Kulturore Shqiptare në Altstätte të Cyrihut. Ne kemi vite që organizojmë manifestimin për Agim Ramadanin dhe këtë do ta vazhdojmë edhe më tutje duke e zgjeruar programin dhe duke i thirrur edhe shoqatat tjera që të marrin pjesë“ u prononcua për albinfo.ch, Nexhmedin Isufi.

Ky manifestim u mbajt dje në Höri-Bülach dhe të ftuar ishin bashkëluftarë të brigadës 138 Agim Ramadani, mysafirë nga Kosova, familjarë të heroit Agim Ramadani etj.

Manifestimi filloi me intonimin e himnit kombëtar, dhe pastaj pas një minute heshtjeje, të pranishmëve iu drejtua drejtori i ansamblit „Vatra“ Nexhmedin Isufi, në cilësinë e organizatorit të manifestimit.

„Kam nderin që sot të jem në mesin e atyre që thanë shumë për heroin e kombit, Agim Ramadanin, por që do të jetë e paktë gjithherë për të përmbledhur madhështinë e veprës krijuese të heroit tonë. Paraqitjet e tij skenike në shfaqjet shkollore  dhe autoriteti i tij në aktivitetet rinore të fshatit tonë ishin inspirim për të gjithë bashkëmoshatarët e mi. Si fëmijë e kisha model stili e frymëzimi. U ritakuam këtu në Zvicër dhe episodi i ri i bashkëveprimtarisë me të vazhdoi deri në ditët kur ai nisej për misionin e shenjtë, luftën për çlirimin e atdheut‘. Shumë nga anëtarët e këtij ansambli bashkëvepruan në vazhdimësi me të dhe jemi krenarë për këtë. Agimi na la shembullin më të mirë se cila cila duhet të jetë rruga jonë e vërtetë, andaj e kemi të lehtë, vetëm ta ndjekim atë” tha veç tjerash Nexhmedin Isufi.

Bashkëshortja e Agim Ramadanit, Shukria i tha po ashtu disa fjalë për Agimin.

„Para 16 viteve më kujtohet kur Agimi së bashku me Xhafer Gashin i cili është sot këtu me ne, planifikonin se si ta shpëtonin Ukshin Hotin nga burgu.  Fatkeqësisht nuk ia arritën qëllimit, edhe sot e kësaj dite nuk dihet për fatin e tij, nuk dihet a është i gjallë apo i vdekur. Shpresoj që gjeneratat e reja të zgjedhin një rrugë të drejtë dhe të mirë, të cilët nuk do të jenë pre e politikës e cila është gjithmonë kundër nesh. Shpresoj po ashtu që Agimi i vogël (nipi i heroit, i cili ka trashëguar emrin e tij) vërtet të rritet në liri që meriton, sepse këta fëmijë janë të pafajshëm, këta fëmijë e meritojnë lirinë.“ tha para të pranishmëve gruaja e heroit Agimit, znj. Shukrie Ramadani.

Më tutje mbi veprën e Agimit foli edhe bashkëluftëtari i tij Xhafer Gashi që njëherësh është edhe kryetar i komunës së Kastriotit (Obiliqit).

„Agimi si edhe dëshmorët e tjerë nuk duhet të jenë vetëm si fotografi dhe figura në mur, ata duhet të jenë më tepër se këngë, më tepër se fotografi. Në ditën e rënies Agimi ende nuk i kishte mbushur 35 vite, sot shumica e bashkëluftëtarve të tij e kemi kaluar këtë moshë, por prapë se prapë edhe Agimin por edhe të tjerët i ndjejmë edhe sot si pishtarë me të cilët udhëheqim me ndërgjegjjen tonë. Një nga thëniet të cilat i përsëriste Agimi është kjo: `edhe pas çlirimit lufta nuk do të përfundojë, vetëm do të ndryshojë mënyra e saj`.  Fatkeqësisht pas luftës Agimi nuk ishte në mesin tonë të na e kujtojë këtë fjali“ tha mes tjerash Xhafer Gashi, bashkluftëtar i Agim Ramadanit.

Programi i manifestimit ishte mjaft i pasur. Të pranishmit patën rastin të shohin në skenë artistë, poetë dhe valltarë që shpalosën artin e tyre.

Në skenë u ngjitën edhe nxënës të shkollës shqipe duke recituar poezi. Pastaj me valle u paraqit ansambli „Vatra“ me grupin e të rriturve si dhe grupin e të vegjëlve. Kishte edhe këngë të lehta nga këngëtarët Afrim Aliu, Berat Shala si dhe me një këngë baladë nga Yllka Zuzaku-Mustafa.

Të pranishmit i emocionoi edhe aktori i njohur Adem Kica i cili u paraqit me një monolog „Metafora në hije“ si dhe grupi „Aktrimi“. Gjithashtu në skenë doli edhe këngëtari i njohur Gold AG kurse në fund në skenë Emin Racaj me grupin e tij u prezantua me këngë burimore shqipe.