Lajme

Dialogu për liberalizim të vizave, më 19 Janar

Komisionerja Cecilia Malmström ka dhënë vlerësime pozitive për përpjekjet e Qeverisë kosovare që të plotësojë kushtet

Dialogu për vizat, sipas të gjitha gjasave, pritet të nisë më 19 apo 20 janar, kur pritet që Kosovën ta vizitojë komisionerja për Çështje të Brendshme, Cecilia Malmström.

Në Komisionin Evropian në Bruksel raportohet se Malmström i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepit, ku kërkon të dijë nëse këto data janë të përshtatshme edhe për Qeverinë kosovare. Në letër, përpos datave, përshkruhen edhe një sërë vlerësimesh pozitive për përpjekjet e Qeverisë kosovare që të plotësojë shumicën e kushteve për të nisur dialogun për vizat.

Sqarimet që duhet dhënë kuvendeve komunale rreth angazhimeve të tyre për këtë çështje rregullisht janë konsideruar si temë shumë e rëndësishme për vizat. Komisioni Evropian çmon mjaft edhe punën e Qeverisë së Kosovës rreth riatdhesimit të kosovarëve që kthehen nga vendet e Schengenit dhe vlerëson se ka ardhur koha që tashmë të nisë dialogu për vizat.