Lajme

DEZA ofron mjetet dhe ekspertizën e saj për zhvillimin e Ballkanit

Të premten është mbajtur në Cyrih Konferenca Vjetore e DEZA-DDC (Drejtoria për bashkëpunim dhe Zhvillim)

“Vetëm ata që janë të hapur dhe fleksibël për ndryshime, janë të gatshëm për zhvillim. Por, kush kërkon ndryshime, e di se ato janë të lidhura me sfida”. Kjo moto e nxjerrë nga fjala e ministrit zviceran të ekonomisë, Johann Schneider Ammann në konferencën vjetore të DEZA-s (Drejtoria për Zhvillim dhe Bashkëpunim) të mbajtur në Cyrih, e shënon thelbin e përpjekjeve që DEZA po bën për të ndihmuar në vendet e Ballkanit perëndimor.

Pikërisht faza e transicionit nëpër të cilën po kalojnë këto vende, e bën më të rëndësishme këtë ndihmë që vjen nga një vend me ekonomi funksionale siç është Zvicra. Sepse, siç doli edhe nga rrëfimet e punëdhënësve dhe ekspertëve të pranishëm në konferencë, në ekonominë e atjeshme po ndodh një proces paradoksal: përkundër numrit enorm të të papunëve, ekonomia ka problem të gjejë profilet e punëtorëve që i nevojiten! Veç tjerash në këtë pikë është fokusuar prej njëzet vitesh edhe ndihma e DEZA-s në vendet si Shqipëria, Bosnja, Serbia dhe Maqedonia, përvojat e të cilave u prezantuan në konferencën e mbajtur të premten në Cyrih.

© albinfo.ch: Johann Schneider Ammann në konferencën vjetore të DEZA-s

Ministri Ammann, për të ilustruar këto ndihma mori shembullin e programit që DEZA ka udhëhequr në Shqipëri për ndërtimin e një sistemi të shkollimit profesional. “Vetëm në vitin shkollor 2009-2010 në 10 institucione për formim profesional janë paraqitur 300 nxënës për drejtimet si teknikë të ngrohjes, të ventilimit dhe teknikë sanitarë. Në përmbyllje të projektit, përmes këtij programi rreth 12% të nxënësve të arsimit profesional do të kryejnë këtë shkallë të shkollimit që zgjat katër vjet”, ka vënë në pah Ammann thelbin e ndihmës zvicerane.

Për të pasqyruar sa më besnikërisht atë që po bën Zvicra në vendet e Ballkanit, në konferencën vjetore kishin ardhur punëdhënës dhe punëmarrës, përfaqësues OJQ-shë, nxënës, përfitues të trajnimeve të bëra nga DEZA etj. Të gjithë ata, përmes bisedave në podium apo edhe përmes stendave kanë sjellë përvojat nga vendi i tyre.

Në njërën nga stendat është prezantuar edhe puna e platformës informative digjitale albinfo.ch, që është ngritur falë mbështetjes nga DEZA dhe SECO.

Se rruga e kalimit nga ekonomia socialiste e planifikuar në ekominë e tregut është veçanërisht e vështirë, u pa edhe në filmimet e bëra në vendet ku SECO përmes programeve si “Start Up Fond” ka mbështetur krijimin e kapaciteteve të reja industriale. Siç u shpreh njëri nga ndërmarrësit, atij i është dashur të shkollonte përmes ekspertëve zviceranë “prej zeros” punëtorët për fabrikën e tij. Megjithatë, rezultatet e këtij fondi janë mëse evidente, u tha në konferencë. Ai ka krijuar tashmë 11 mijë vende të reja pune në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Shoqëritë e dala nga socializmi dhe me një traditë të mangët të zhvillimit nga periudha e mëhershme, kanë problem edhe me kulturën e punës, pranuan pjesëmarrësit në këtë konferencë, si vendës ashtu edhe të ardhurit nga Ballkani. Shpesh të rinjve të atjeshëm u mungon motivimi për të zgjedhur një profesion në sferën e prodhimit. Sepse, siç e tha një pjesëmarrës nga Bosnja me ton ironik, “të gjithë duan të bëhen këngëtarë dhe aktorë”.

Bartja e përvojave të sistemit dual të arsimimit profesional nga Zvicra në këto vende është një përpjekje për të aftësuar fuqinë e re punëtore atje me metoda moderne pune dhe për të ngritur profile të reja profesionesh. Me rëndësi vitale në këtë përpjekje është përshtatja e arsimimit profesional me nevojat e tregut të punës në këto vende, u theksua nga pjesëmarrësit.

Me interes në këtë konferencë ishte prezantimi i një programi që DEZA kishte udhëhequr në Durrës, ku, nxënës ng Zvicra ua përcillnin njohuritë e tyre profesionale në IT bashkëmoshatarëve të tyre shqiptarë. Në insertin filmik të sjellë nga Shqipëria të dy palët prezantuan përvojat e tyre nga ky aftësim profesional. Po ashtu, një pjesë e nxënësve, pjesëmarrës në këtë projekt, ishin të pranishëm edhe në konferencë, ku shpalosën në podium përfitimin nga projekti. “Ne jemi përpjekur të përcjellim te ta profesionalizmin dhe shprehinë e punës ndërsa prej nxënësve shqiptarë kemi marrë spontanitetin e komunikimit”, ka përshkruar me pak fjalë njëri nga nxënësit zviceranë, përvojën shqiptare.

© albinfo.ch

© albinfo.ch: drejtuesja e zyrës së DEZA-s në Tiranë, Silvana Mjeda

Rreth këtij dhe projekteve tjera që DEZA po i financon në Shqipëri, ka folur edhe drejtuesja e zyrës së DEZA-s në Tiranë, Silvana Mjeda. Ajo ka dhënë po ashtu edhe një pasqyrë të realitetit zhvillimor aktual të Shqipërisë në tërë kompleksitetin e tij.

Pjesëmarrës tjerë në disa panele të mbajtura në kuadër të konferencës, nga Bosnja dhe Hercegovina, Serbia e Maqedonia, ekspertë, punëdhënës dhe përfaqësues OJQ-shë, kanë folur për vështirësitë që po kalon ekonomia në vendet e tyre gjatë fazës së tranzicionit. Ata kanë vlerësuar lartë ndihmën që DEZA po e jep për të zbutur “dhembjet e rritjes” të shoqërive të tyre.

Në panele tjera, kanë debatuar përfaqësues nga Banka Botërore, ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të SECO-s (Sekretariati Federal për Ekonomi). Ata kanë rrahur problemet strukturale me të cilat ballafaqohen ekonomitë e vendeve të dala nga një sistem ekonomik e politik në një sistem tjetër. Ajo që i bashkonte qëndrimet e panelistëve ishte pajtimi për domosdonë që shoqëritë e vendeve përkatëse të aftësohen për të “luajtur” me rregullat që imponon ekonomia e tregut, edhe në fushën e punësimit.

© albinfo.ch: Drejtori i DEZA-s, Martin Dahinden

Drejtori i DEZA-s, Martin Dahinden në përmbyllje të konferencës, ka vlerësuar si të kënaqshme ndihmesën që organizata ka dhënë përgjatë këtyre viteve për zhvillimin në Ballkan. Por, ai ka shtuar se në katër vitet e ardhshme do të ketë një ndryshim në fokusimin e ndihmës zvicerane për vendet e lindjes. Zgjerimi në vendet e Azisë qendrore, ku prej vitit 2006 janë shënuar tensionime politike do të jetë njëri ndër prioritetet.

Po ashtu, ka thënë Dahinden, DEZA në të ardhmen do të ballafaqohet më tepër me sfidat globale si ndryshimi i klimës, mungesa e ujit dhe migracioni.