Kosova
Detyra për fëmijë kundër festimit të Vitit të Ri, “gabim që nuk duhet përsëritur”

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) është distancuar nga një aktivitet që u zhvillua në një xhami në Prishtinë, më 31 dhjetor, kur fëmijëve u ishte dhënë detyrë të mendonin për mënyra se si t’i bindin prindërit të mos e festojnë Vitin e Ri. Për këtë aktivitet, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prishtinës ka thënë se do ta intervistojë imamin e xhamisë “Mati 1”, Fadil Musliu.
Aktivitetin e zhvilluar në këtë xhami, sociologu Artan Muhaxhiri e cilëson si keqpërdorim të fëmijëve dhe thotë se BIK-u duhet të jetë më i informuar për aktivitetet që zhvillohen brenda xhamive, si ajo “Mati 1” në Prishtinë.
Përmes një postimi në faqen e xhamisë në rrjetin social Facebook, u bë e ditur se në prag të festës së Vitit të Ri fëmijëve, kryesisht të mitur, u ishte prezantuar një leksion kundër festimit të Vitit të Ri, raporton Evropa e Lirë, përcjell albinfo.ch.
“Ata sollën punimet e tyre në klasë dhe shpjeguan në mënyrë të hollësishme se si do të tentonin t’i bindnin prindërit e tyre të mos e festojnë një festë pagane”, thuhet në postimin e xhamisë “Mati 1”.
Fotot e fëmijëve, gjatë përfshirjes në aktivitetin e organizuar më 31 dhjetor, janë publikuar në postimin e kësaj xhamie. Postimi tërhoqi reagime të shumta në rrjete sociale – disa prej tyre mbështetnin aktivitetin e zhvilluar, e disa të tjerë e kritikonin atë.
“Si mund t’i bindni prindërit të mos e festojnë Vitin e Ri”, ishte tema, për të cilën “nxënësit kishin për obligim të paraqisnin një ide në letër”, thuhet në postimin e publikuar më 31 dhjetor në faqen zyrtare në Facebook, të xhamisë “Mati 1” në Prishtinë.
Nga Departamenti i Gruas në BIK thonë se ky aktivitet nuk ka qenë i planifikuar në koordinim me BIK-un. Vartëse e këtij departamenti është edhe mësuesja Xheneta Fejzullahu-Fejziu, që zhvillon mësimdhënien bazike për besimin islam me fëmijë në xhaminë “Mati 1”.
Lidhur me aktivitetin e zhvilluar me fëmijë në xhaminë “Mati 1”, më 31 dhjetor, ka reaguar edhe Këshilli i Bashkësisë Islame të Prishtinës.
Kryetari i këtij Këshilli, Hetem Sopjani, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, e vlerëson si veprim të gabuar aktivitetin e 31 dhjetorit në xhaminë “Mati 1”, e cila është nën kontrollin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës. Megjithatë, ai beson se gabimi nuk është bërë qëllimshëm dhe, si i tillë, thotë se nuk e paraqet fare qëndrimin e BIK-ut.
“Nuk jam i mendimit që të mos festohet edhe Viti i Ri, sepse, tek e fundit, fëmijët tanë, njerëzit, familjarët… ne nuk kemi kompetencë t’i ndalim dhe [t’u themi] të mos e festojnë Vitin e Ri. Kjo ka ndodhur dhe shpresoj që në të ardhmen nuk do të ndodhë. Është një gabim i rastit që ka ndodhur, është një lëshim i cili është bërë nga njerëzit kompetent”, thekson Sopjani.
Ai shtoi se imami i xhamisë “Mati 1” do të ftohet në institucionin në Bashkësinë Islame për të dhënë sqarime lidhur me aktivitetin në xhaminë e tij, por edhe për deklaratat e tij publike.
“Do të intervistohet edhe imami. Do të thirret në takim imami, për gjërat të cilat kanë ndodhur dhe shpresojmë që në të ardhmen të mos ndodhin gjëra të tilla”, tha Sopjani.
Ndërkohë, Departamenti i Gruas në BIK nuk ka specifikuar nëse do të merret ndonjë masë ndaj mësueses Fejzullahu-Fejziu.
Çfarë thonë besimtarët?
Qytetarët që frekuentojnë xhaminë “Mati 1” për t’i kryer ritualet fetare islame, me të cilët Radio Evropa e Lirë ka biseduar, kanë mendime të ndryshme lidhur me aktivitetin e 31 dhjetorit, të mbajtur me fëmijë në këtë xhami.
Halil Binaku konsideron se besimtarët myslimanë nuk duhet t’i japin rëndësi festës së Vitit të Ri dhe se, sipas tij, për ta ekzistojnë vetëm dy festa fetare: Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami. Në këtë kontekst, konsideron ai, mesazhi që u është dhënë fëmijëve është në përputhje me besimin fetar, pavarësisht se ata janë të mitur.
Sociologu Artan Muhaxhiri vlerëson se përfshirja e fëmijëve në këtë ngjarje përbën shkelje të të drejtave të fëmijëve, pasi që thotë se atyre u është dhënë një obligim që nuk u takon: t’i bindin prindërit të mos e festojnë Vitin e Ri.
“Natyrisht që fëmijët janë më lehtë të manipulueshëm dhe pikërisht këtu është problemi kryesor në këtë ide, sepse i vë në shënjestër kategoritë më të cenueshme dhe tenton të përfitojë nga mungesa e një niveli të konsoliduar të vetëdijes kritike në raport me vendimmarrjen personale”, thotë Muhaxhiri, ligjërues në Universitetin e Prishtinës.
Ai, gjithashtu, shprehet i shqetësuar nga publikimi i fotografisë ku shihen fytyrat e fëmijëve dhe bën thirrje që ky rast të hetohet nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), Policia e Kosovës dhe Prokuroria.
“BIK-u është dashur të ketë informacione më të detajuara lidhur me natyrën e ligjëratave që zhvillohen në atë xhami”, shton Muhaxhiri, duke iu referuar xhamisë “Mati 1”.
Megjithatë, ai shpreh mendimin që ngjarja që ndodhi atje më 31 dhjetor, është rast i izoluar dhe se, në përgjithësi, “nuk e përfaqëson qëndrimin e besimtarëve myslimanë në Kosovë”.
Mbi 95 për qind e popullsisë 1.7 milionëshe e Kosovës ishte deklaruar si myslimane, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vend më 2011 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Kosova, në bazë të Kushtetutës, është shtet laik, multifetar.
E-Diaspora
-
Vesa Brahimi, femra e parë ndërkombëtare që ka diplomuar në “Ranger School” në ShBA Nëntoger Vesa Ibrahimi ka përfunduar me sukses trajnimin më sfidues në SHBA dhe është bërë femra...
-
Zhdukja e 13-vjeçares Arta Hajzeraj në Gjermani, Ambasada e Kosovës bën thirrje për ndihmë
-
Zhduket një 13-vjeçare nga Kosova në Gjermani, policia gjermane dhe familja kërkojnë ndihmën e qytetarëve
-
Nga gushti i vitit të ardhshëm, Italia heq kartën e identitetit fizikë, preken edhe shqiptarët
-
4 milionë euro për policen e sigurimeve për mërgimtarët, vlerësohet vendim i padrejt
Jeta në Austri
-
Austria pritet të përballet me një valë të nxehti Pasi pjesa më e madhe e Evropës ka qenë në vapë të madhe, Austria është gati...
-
Austri: Prej 1 korrikut, kosto më të larta për këto shërbime
-
Austria do dyfishojë fondet për shëndetin mendor në shkolla pas tragjedisë në Graz
-
Rritje e interesimit për studimet mjekësore në Austri
-
Zjarr i madh në impiantin e riciklimit në Tirolin Lindor