Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës sot ka bërë përpjekjen e 14-të për t’u konstituar dhe ka dështuar. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, u bëri thirrje partive politike që të propozojnë anëtarë për komisionin për votimin e fshehtë, si një hap procedural kyç, sipas tij, për vazhdimin e procesit.
Në sallë ishin 92 deputetë. Vetëm 54 deputetë kanë votuar për komisionin për votim të fshehtë; nuk ka pasur vota kundër dhe as abstenim. Ndërkohë, seanca do të vazhdojë sërish pas 48 orësh.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill, por prej atëherë janë miratuar vetëm dy pika të rendit të ditës.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar kalimin nga votimi i hapur në atë të fshehtë, por për shkak se komisioni për mbikëqyrjen e këtij procesi nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme, procesi është bllokuar.
Seanca e radhës do të mbahet më 13 maj, në orën 10:00.