Kosova

Dështimi i seancës në Kuvend: Palët akuzojnë njëra-tjetrën për bllokadën

Pas dështimit të seancës së së dielës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, drejtues të partive politike kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella për përgjegjësinë e bllokadës institucionale.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, në një deklaratë për media, tha se bllokimi i procesit nuk është vetëm problem i brendshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, por tashmë ka lënë të gjithë shtetin pa institucione legjitime.

“Kjo është mungesë totale e përgjegjësisë. Qytetarët kanë votuar për të pasur diskutime për temat që u interesojnë, jo për këtë bllokadë. Nëse kjo situatë vazhdon, më mirë të shkohet në zgjedhje të reja,” theksoi Krasniqi.

Ai shtoi se bllokada nuk është vetëm për Albulena Haxhiun, por “për Albin Kurtin, i cili po sakrifikon emra të tjerë për të mos e pranuar mungesën e mbështetjes për veten.”

Deputetja Time Kadrijaj vlerësoi se përsëritja e njëjtë e rezultatit në votim tregon se Vetëvendosje nuk ka vullnet për të zhbllokuar Kuvendin. “Nëse do të kishte përpjekje reale, do të sigurohej të paktën një votë më shumë,” tha Kadrijaj.

Në një qëndrim të ngjashëm, deputetja Hykmete Bajrami theksoi se përgjegjësia për zhbllokimin e situatës bie mbi Vetëvendosjen. “Qytetarët nuk kanë votuar për zgjedhje të reja. Nuk është përgjegjësi e jona ta zhbllokojmë situatën, por e tyre,” deklaroi ajo.

Nga ana tjetër, Hekuran Murati, nga Lëvizja Vetëvendosje, mbrojti qëndrimin e partisë së tij, duke thënë se ata e kanë përmbushur obligimin kushtetues me propozimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit: “Ne kemi propozuar emrin dhe kemi votuar. Bllokada nuk ndodh me votë për, por me votë kundër,” tha Murati, duke shtuar se mungesa e votave është përgjegjësi e partive të tjera.