Jeta në Zvicër

Dënohet me ligj edhe propaganda për terrorizmin

Me normën e re do të sanksionohet në mënyrë eksplicite dhe dënohet me ligj edhe propaganda në favor të organizatave terroriste

Komisioni për politika të sigurisë (SIK) i Dhomës Nacionale të Parlamentit të Zvicrës është shprehur të martën për një normë penale të re të terrorizmit në Ligjin penal.
Me këtë normë do të sanksionohen në mënyrë eksplicite dhe dënohen me ligj edhe veprimet përgatitore për sulm terrorist dhe propaganda e realizuar në favor të organizatave terroriste.
Duke marrë këtë vendim, komisioni ka miratuar iniciativën përkatëse të  bërë nga fraksioni parlamentar i FDP/PLR-së. Për këtë vendim kanë votuar 15 anëtarë të komisionit, kundër kanë qenë 9 dhe një votë ka qenë abstenuese.
Shumica në komision e ka argumentuar vendimin e djeshëm me rritjen e rrezikut nga xhihadistët që nga Zvicra udhëtojnë në zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme. Në këto kushte është shtruar nevoja për një rishikim të bazës ligjore të luftimit të terrorizmit.