Lajme

Delegacioni i kantonit të Juras viziton Kosovën

Një delegacion i Kantonit zviceran të Juras, me ftesë të Ministrisë së Diasporës, po viziton Kosovën. Ata folën për investime dhe përmirësimin e imazhit të shtetit të ri.

Kohëve të fundit, lidhjet kosovaro-zvicerane janë duke u shtuar. Vizitat e ndërsjella ndërmjet zyrtarëve kosovarë dhe atyre zviceranë, duket se kanë nisur të thyejnë edhe shumë paragjykime.

Një prej tyre është imazhi jo i mirë i kosovarëve i krijuar në vendet perëndimore, ndërkohë që pika tjetër është intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik.

Për këtë arsye, me ftesë të Ministrisë së Diasporës, në Kosovë do të qëndrojnë për disa ditë zyrtarë të lartë të Kantonit zviceran të Juras.

Xhevdet Sfarca, këshilltar politik i ministrit të Diasporës, Ibrahim Makolli, konfirmoi për Albinfo.ch se ardhja e zyrtarëve të lartë zviceranë është bërë me ftesë të dikasterit të tij.

Duke i shoqëruar gjatë tërë kohës, Sfarca të enjten në mesditë, së bashku me mysafirët nga Zvicra, ishin në takim me Safet Gërxhaliun, drejtorin e Odes Ekonomike të Kosovës.

Delegacionin zviceran e kryesonte kryetari i Komunës së Delemont, Pierre Kohler, shefi i Qeverisë Kantonale dhe Ministri i Ambientit dhe Planifikimit hapësinor, Philippe Receveur, pastaj Jaeggi Raoul, deputet pranë kantonit për marrëdhënie me BE-në dhe përfaqësues të diasporës kosovare ne Zvicër si Xhevxhedin Ahmeti, Luan Hajradinaj dhe Afrim Ramabaja.

Në këtë takim, Kohler tha se është i befasuar me këtë realitet të ri të krijuar në Kosovë dhe se është e nevojshme që të avancohen format e bashkëpunimit dhe të shfrytëzohen përparësitë pozitive që ka vendi për investitorë të huaj, e në veçanti ata zviceran.

Ndërkohë, duke folur për imazhin e vendit, Gërxhaliu u tha mysafirëve nga Zvicra se Kosova është shumë më e bukur nga brenda, sesa që duket nga jashtë.

“Dua të besoj se diaspora kosovare duhet te jetë ambasadori i vërtetë i Kosovës në Zvicër nëpërmjet promovimit të vlerave dhe përmirësimit të imazhit të dobët të kosovarëve në këto vende”,tha Gërxhaliu në këtë takim mjaft të përzemërt.

Me këtë vlerësim u pajtua edhe Pierre Kohler, sipas të cilit, imazhi i Kosovës nuk është në nivel të lakmueshëm në Zvicër, por sipas tij, duhet të bëhet çmos që të ketë vizita sa më shumë që është e mundur nga biznesmenë zviceran.

“Në fakt ata ta ndryshojnë opinionin e tyre, jo në bazë të asaj që u prezantohet jashtë, por në bazë të asaj që e shohin vetë”, tha Kohler ndër të tjera në këtë takim.

“Është koha kur duhet vërtetë Kosova të përkrahet më shumë në aspektin ekonomik, përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe investimeve në prodhim dhe kjo do të jetë garanci e ardhmërisë stabile të këtij shteti të ri”, theksoi mysafiri zviceran.

Në këtë takim, drejtori i OEK’ut, Safet Gërxhaliu, u tha gjithashtu mysafirëve se shteti helvetik ka qenë është dhe do të jetë një ndër vendet që ka kontribuar më së shumti për Kosovën, qoftë në aspektin ekonomik, por edhe politik, social e kulturor.

“Për këtë, Zvicra meriton një falënderim të veçantë dhe besoj se e tërë Kosova është mirënjohëse për këtë mbështetje” theksoi Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu.

Gërxhaliu potencoi se është koha kur Kosova duhet të jetë e orientuar drejtë avancimit të bashkëpunimit ekonomik dhe ne veçanti inkurajimin e afaristëve zviceran dhe atyre nga diaspora kosovare për të investuar në shtetin e ri, e në veçanti në sektorin prodhues.

“Sistemi i edukimit zviceran, disiplina në punë dhe shumë çështje pozitive që posedon karakteri i popullit zviceran janë më se të nevojshme për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës”, tha Gërxhaliu në këtë takim.

Sipas tij, nuk duhet që diaspora kosovare dhe potenciali i saj, të matet vetëm nga këndvështrimi i potencialit financiar, por në të njëjtën kohë duhet gjetur vlerat pozitive që posedon ajo atje.

Gjatë ditës së enjte, bazuar në agjendën e tyre, mysafirët nga Zvicra kanë pasur edhe një takim në Ambasadën e këtij shteti në Prishtinë, ndërkohë që gjatë ditës pasuese ata pritet të kenë edhe takime të tjera.

Safet Gërxhaliu kërkoi nga delegacioni zviceran që të identifikohen institucionet zvicerane për bashkëpunim me qëllim të forcimit të partneritetit më Odën Ekonomike të Kosovës. Sipas tij, kjo nënkupton këmbimin e informacioneve ekonomike, organizimin e vizitave studimore, aplikimin në projektet e përbashkëta nga fondet e BE-së, organizimin e ngjarjeve të përbashkëta me qëllim të promovimit të partneritetit dhe tërheqjes së investimeve dhe investitorëve nga Zvicra në Kosovë.