Lajme

Defekt teknik pengon blerjen e biletave të trenit dhe autobusit në Zvicër

Që prej mëngjesit të së hënës, një problem teknik po shkakton vështirësi në blerjen e biletave në transportin publik zviceran. Qasja në faqen swisspass.ch, dyqanin online të Hekurudhave Federale Zvicerane (SBB) si dhe në aplikacionin mobil të SBB-së është vetëm pjesërisht funksionale.

Zëdhënësja e SBB-së, Mara Zenhäusern, deklaroi se specialistët po punojnë “pa ndërprerje” për të zgjidhur problemin teknik, ndërsa shkaku i defektit ende nuk është i njohur.

Deri në rregullimin e plotë të sistemit, udhëtarët mund të blejnë bileta në platformat e përmendura si mysafirë, pra pa u kyçur në llogari. Biletat mund të blihen gjithashtu në sportelet e udhëtimit të SBB-së ose në automatet e biletave. Personeli i trenave është njoftuar për situatën.

Nga ky defekt janë prekur edhe poseduesit e abonimeve Half-Fare Plus, të cilët aktualisht nuk mund të paguajnë biletat duke përdorur kreditin e tyre. Sipas SBB-së, nuk parashikohet kompensim për këta abonentë.

Autoritetet hekurudhore u bëjnë thirrje udhëtarëve për mirëkuptim deri në zgjidhjen e plotë të problemit.