Futboll

‘Dardanët’, me njoftim të rëndësishëm për tifozët para ndeshjes Zvicër-Kosovë

Ndeshja mes Zvicrës dhe Kosovës ka zgjuar interesim të madh, ndërsa tifogrupi “Dardanët” ka dalë me një njoftim të rëndësishëm për të gjithë mbështetësit e kombëtares kosovare, përcjell albinfo.ch.

Referuar një komunikate, “Dardanët” kanë bërë të ditur se me rekomandim të forcave të rendit zvicerane, pikëtakimi i tifozëve do të jetë në “Christoph Merian Park” nga ora 14:00.

“Ky është lokacioni i ndarë për tifozët tanë. Le të jehojnë këngët dhe atmosfera drithëruese për kombëtaren e atdheut të shenjtë që kemi, për të marshuar të gjithë së bashku më vonë në stadium dhe për të sunduar në tribuna ‘Dardanët’ me përkrahje, kurse futbollistët në fushë me rezultat pozitiv,” thuhet në njoftim.

Tifogrupi ka bërë thirrje për atmosferë të zjarrtë dhe mbështetje të pakushtëzuar për Kosovën, duke e përshkruar këtë ndeshje si një moment historik për të gjithë shqiptarët. “Për Kosovën.

Për ndjenjën më të bukur në botë!”, përfundon komunikata e “Dardanëve”.