Futboll

Dardanët fillojnë përgatitjet ndaj Zvicrës, stërvitja e parë për Leon Avdullahun me Kosovën

Pjesë e stërvitjes ishin edhe Leon Avdullahu dhe Veldin Hoxha, dy prurjet e reja te Kosova

Kosova ka nisur sot përgatitjet për dy ndeshjet e para të ciklit të ri kualifikues për Kupën e Botës 2026, kundër Zvicrës më 5 shtator në Bazel dhe kundër Suedisë, më 8 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Seanca e parë stërvitore u zhvillua në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda dhe stafit të tij.

Në dispozicion për këtë seancë ishin 15 futbollistë, derisa pjesa tjetër e lojtarëve, të cilët patën ndeshje gjatë ditës së djeshme me klubet e tyre, u kufizuan në rigjenerim në hotel, njofton FFK, transmeton albinfo.ch.

Pjesë e stërvitjes ishin edhe Leon Avdullahu dhe Veldin Hoxha, dy prurjet e reja te Kosova.

Pas stërvitjes përshtypjet e tij për stërvitjen e parë në fanellën e Kosovës i dha Veldin Hoxha.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Do të jap maksimumin tim dhe dua ta ndihmoj ekipin të përmirësohet dhe të fitojë ndeshjet e ardhshme. Përshtypjet e para janë shumë të mira. Hapi i parë që kam bërë ka qenë shumë pozitiv. Jam vërtet i lumtur që jam këtu dhe do të doja të vazhdoja të jem këtu edhe në të ardhmen. Kemi një grup shumë të vështirë. Janë ekipe shumë të forta, por unë besoj se kemi një mundësi dhe do të përgatitemi shumë mirë për këto ndeshje. Do të japim gjithçka dhe do të mundohemi të fitojmë e të jemi në krye të tabelës. Dua që tifozët të na mbështesin. Kam qenë i pranishëm në disa ndeshje më parë dhe e di si na mbështesin, prandaj shpresoj që edhe në të ardhmen të vazhdojnë të jenë pranë nesh”, tha Hoxha.

Ndërkaq, Ermal Krasniqi theksoi se i kanë pritur ngrohtësisht dy ardhjet e reja në ekip, si dhe shprehu optimizmin e tij që në dy ndeshjet e para do të paraqesin ndeshje të mira.

“Është e vërtetë se na presin dy ndeshje mjaft të vështira, por sot e filluam me stërvitjen e parë dhe shkoi shumë mirë. Kemi stërvitur në dy grupe, pasi një pjesë e lojtarëve kanë qenë në rigjenerim për shkak se kanë luajtur mbrëmë. Pjesa tjetër që stërvitëm ishte më shumë taktike dhe besoj që do të japim maksimumin në vazhdim dhe të nxjerrim rezultate pozitive në këto dy ndeshje. Leoni dhe Veldini janë dy lojtarë me shumë kualitet dhe ata e treguan këtë sot. Jemi të lumtur që janë këtu dhe çdo futbollist e mirëpresim mirë dhe e ndihmojmë të ambientohet sa më lehtë me grupin. Ndeshja në Bazel si në shtëpi? Normalisht presim shumë tifozë që do të na përkrahin. Shpresoj ta kemi prapë stadiumin me më shumë tifozë tanë dhe t’i gëzojmë me rezultat pozitiv”, tha Krasniqi.

Dardanët do të vazhdojnë përgatitjet nesër me stërvitjen e radhës, e cila është paraparë të mbahet në orën 11:00, po ashtu në Hajvali.