Futboll

Dardanet e diasporës

Kombëtarja e Kosovës është përplot me futbolliste që kanë lindur ose luajnë jashtë vendit, shumica prej tyre në Gjermani e në Zvicër

Diaspora nuk është vetëm infuzion për ekonominë e Kosovës, por edhe për fushat tjera. Një ndër to, është edhe futbolli. Përveç meshkujve, janë disa futbolliste te femrat që kanë lindur ose janë rritur në diasporë dhe luajnë për Kosovën.

Një vendim dhe zgjedhje zemre për të përfaqësuar Kosovën në garat ndërkombëtare.

Albinfo.ch ju njofton me disa futbolliste që janë ftuar në vitet e fundit nga përfaqësuesja e Kosovës.

Besarta Leci (Gjermani) – Ajo ka lindur në Gjermani ndërsa është pjesë e Kosovës nga viti 2018. Portierja e Kosovës mbron ngjyrat e FC Stuttgart, në Gjermani.

“Në shkurt të vitit  2018 Besarta luajti ndeshjen e saj të parë ndërkombëtare  ajo hyri si zëvendësuese në humbjen 6:0 ndaj Francës. Kujtimi i saj më i bukur është fitorja 2:0 ndaj Turqisë në gusht 2019 në Prishtinë, në kualifikueset e Kampionatit Evropian  ishte fitorja e parë konkurruese e përfaqësueses së re. “E gjithë familja ime ishte në stadium për atë ndeshje”, kujton mirë 29-vjeçarja, e cila tani ka 15 ndeshje ndërkombëtare dhe zemra e së cilës rreh për Gjermaninë dhe Kosovën”, shkruanin mediat gjermane për të.

Alma Demiri (Gjermani) –  Është 19 vjeçarja e cila ka pozitën në portë dhe i parashihet e ardhme e ndritur. Ajo ka lindur në Gjermani, ku mbron ngjyrat e FC Fortuna Koln. Alma premton shumë për të ardhmen.

Blerta Smaili (Gjermani/Zvicër) – Ka një histori interesante. Mesfushorja e Kosovës, më parë ka përfaqësuar Gjermaninë U17, ndërsa tani është pjesë e FC Baselit në Zvicër.

Valentina Metaj (Suedi) – Ka lindur dhe jeton në Suedi. Ajo është pjesë e Kalmarit dhe Kosovës. Me Dardanet ka nëntë ndeshje dhe tre gola si mesfushore sulmuese.

Gentiana Fetaj (Gjermani) –  Është një futbolliste që erdhi me shumë bujë te Kosova. U zhvilluan shumë bisedime që ajo të jetë pjesë e Dardaneve. Gentiana kishte përfaqësuar Gjermaninë U15, U17 dhe U17, ndërsa tani është pjesë e Kosovës.

“Ardhja e Gentiana Fetajt do t’i japë impuls Kombëtares A për paraqitje sa më të mira në të ardhmen. Ajo luan në rolin e mesfushores dhe deri më tash ka regjistruar 23 ndeshje për ekipin kombëtar të grupmoshave të Gjermanisë, derisa aktualisht është pjesë e FC Carl Zeiss Jena”, ishte njoftimi i FFK-së më 2021, që prezantoi me krenari ardhjen e Gentiana Fetajt te Kosova.

Erëleta Memeti (Gjermani) – Është njëra nga futbollistet më me përvojë tani te Kombëtarja e Kosovës. Është e lindur në Gjermani dhe luan në TSG Hoffenheim. Për Kosovën paraqitet nga viti 2019 dhe në 31 ndeshje ka shënuar dhjetë gola.

Valentina Limani (Gjermani) – Valentina ka pasur ulje e ngritje në karrierë, por asnjëherë nuk hezitoi të paraqitet për Kosovën. E lindur në Komogllavë të Ferizajt, por e rritur në Gjermani, Limani nga viti 2017 është pjesë e Kosovës. Me disa mungesa, ajo ka 23 paraqitje dhe tre gola.

Yllëza Kabashi (Zvicër) – Është një tjetër futbolliste me të ardhme të ndritur. Sulmuesen 19 vjeçare shumë shpejt mund ta shohim në një skuadër të madhe. Ajo luan për St. Gallen ndërsa ka luajtur për Zvicrën U19.

E bija e Adnan Kabashit, me prejardhje nga Opterusha e Rahovecit, ka vendosur të luajë për Kosovën.

Alketa Rama (Zvicër) 

Është e bija e futbollistit të njohur Milaim Rama. Ai ishte shqiptari i parë që luajti për Zvicrën, ndërsa tani vajza e tij përfaqëson Kosovën, duke plotësuar ëndrrën e të dyve. Alketa është pjesë e FC Zurich-ut në Zvicër. Në shtator të vitit 2022, ajo bëri debutimin e saj në kualifikueset e Kupës së Botës për Kosovën. Babai i saj, Milaimi kishte luajtur për Zvicrën në Evropian, duke sjellë shumë reagime dhe krenari në vendlindjen e tij në Kosovë.

Ajo ka luajtur për Kosovën U17 dhe U19 e më pas erdhi edhe debutimi për senioret.

Futbollistet që luajnë jashtë Kosovës

Besarta Leci-Gjermani

Alma Demiri-Gjermani

Blerta Smaili-Gjermani/Zvicër

Valentina Metaj-Suedi

Gentiana Fetaj-Gjermani

Erëleta Memeti-Gjermani

Valentina Limani-Gjermani

Yllëza Kabashi-Zvicër

Alketa Rama-Zvicër