La Shqipërinë për Zvicrën, pritet të debutojë në tetor

Zvicra do të zhvilloj dy ndeshje të rëndësishme në muajin tetor, ndaj Suedisë dhe Sllovenisë.

“Helvetikët” do të luajnë të dyja sfidat në udhëtim, teksa trajneri Murat Yakin ka publikuar edhe listën me futbollistë të ftuar.

Kapiteni Granit Xhaka është si gjithmonë pjesë e listës, por ka edhe befasi nga Yakin.

Mbrojtësi shqiptar, Adrian Bajram që u largua nga Kombëtarja e Shqipërisë ka marrë për herë të parë ftesë nga Kombëtarja A e Zvicrës, transmeton albinfo.ch.

Bajrami ka pasur paraqitje fantastike me Luzernin, derisa së fundmi u largua nga Shqipëria dhe tani do të ketë mundësinë të debutoj me “Helvetikët”.

Kujtojmë se Zvicra takohet me Suedinë në udhëtim më 10 tetor, derisa tre ditë më vonë përballet me Slloveninë.

Polici humb jetën gjatë një operacioni në Dietikon

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Dietikon (ZH), ku një polic ka humbur jetën gjatë një operacioni në lumin Limmat.

Sipas autoriteteve, polici u përfshi në një ndërhyrje shpëtimi kur papritur vetë ra në ujë dhe nuk arriti të shpëtonte.

Ekipet e emergjencës ndërhynë me shpejtësi, por përpjekjet për ta rikthyer në jetë rezultuan të pasuksesshme. Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në polici dhe reagime të shumta nga opinioni publik, i cili ka shprehur solidaritet me familjen dhe kolegët e viktimës, shkruan SRF, përcjell albinfo.ch.

Tregu zviceran i punës ende ka vende të lira në disa rajone dhe sektorë

 

Tregu zviceran i punës – dhe veçanërisht industritë e orientuara drejt eksportit si farmaceutika dhe prodhimi i orëve – është nën presion për shkak të tarifave të larta të SHBA-së, dhe disa kompani mund të mos punësojnë më shumë punonjës, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, ka ende shumë vende të lira pune në disa sektorë.

Në raportin e tij të fundit të punës, instituti i kërkimit të tregut të punës x28 tregon se ku po shpallen aktualisht vendet e lira të punës dhe kompanitë po rekrutojnë në mënyrë aktive personel të ri.

Numri më i lartë i mundësive të punës është në kantonin e Zug, me 44.95 pozicione të shpallura për 1,000 banorë.

Kantonet e Obwalden (33.66), Lucern (32.07) dhe Cyrihut (29.64) janë të radhës.

Në të kundërt, ka pak vende të lira pune në Ticino, me 4.64 pozicione të shpallura për 1,000 banorë, si dhe në Vaud (9.76) dhe Gjenevë (9.27).

Të ndara sipas vendeve të punës, shumica e pozicioneve të lira janë për profesionistë infermierie dhe elektricistë.

Mbi 5,000 pozicione janë aktualisht të shpallura në internet në të dyja zonat.

Trajneri i Zvicrës flet për lojtarin që e la Shqipërinë për “Helvetikët”

Selektori i Kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin e ka mbajtur sot një konferencë për shtyp para ndeshjeve të tetorit, ndërkohë që ka folur edhe për prurjen e re të Helvetikëve, Adrian Bajrami, përcjell albinfo.ch.

Mbrojtësi hoqi dorë nga Kombëtarja shqiptare për t’iu bashkuar Zvicrës dhe kjo e fundit e ftoi menjëherë pas “traumave” që i pësoi së fundmi me largimin e disa lojtarëve, përfshirë këtu Leon Avdullahun e Albian Hajdarin, shkruan “Gazeta Express”.

Trajneri i zviceranëve thotë se mbrojtësi i Luzernit e meriton një shans për t’i shfaqur vlerat e tij në ekipin e ri.

“Ai meriton një shans për ta provuar dhe treguar veten në ekipin kombëtar”, thotë Yakin, i cili u shpreh se mbrojtësi shqiptar ishte i qartë dhe i vendosur për të luajtur për ekipin e tij, duke hequr dorë përfundimisht nga Kuqezinjtë.

“Sjellja e tij ishte e qartë dhe ne u bindëm shpejt prej tij”, tha tutje Yakin në konferencë për shtyp.

Ndonëse e kishte ftuar Shqipëria për ndeshjet e shtatorit, Bajrami kishte vendosur për të mos e pranuar këtë ftesë pasi në mendjen e tij ishte Zvicra.

Zvicra U21 mbështetet te talentet shqiptarë për kualifikueset e Euro 2027

Kombëtarja e Zvicrës për grupmoshën nën 21 vjeçare (U21) ka ftuar tre futbollistë me origjinë shqiptare për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian 2027, që do të zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi. Në listën e trajnerit zviceran për këto ndeshje janë portieri Gentrit Muslija, mesfushori Dion Kacuri dhe sulmuesi Labinot Bajrami, transmeton albinfo.ch.

Gentrit Muslija luan për skuadrën e Wili në Zvicër dhe është një portier me perspektivë të madhe. Dion Kacuri, një mesfushor 21-vjeçar, është pjesë e FC Basel, ndërsa Labinot Bajrami, 20-vjeçar, luan për skuadrën holandeze Helmond.

Ndeshjet e ardhshme për Zvicrën U21 janë:

10 tetor: Zvicra U21 – Islanda (në shtëpi)

14 tetor: Ishujt Faroe – Zvicra U21 (në transfertë)

Për këto ndeshje, trajneri i Zvicrës U21 ka përzgjedhur këta lojtarë për të forcuar skuadrën dhe për të arritur rezultate pozitive në grupin e kualifikimeve për Euro 2027.

Florian Haçkaj, një zë nga diaspora për drejtimin e Bashkisë së Tiranës

Florian Haçkaj është një nga figurat e spikatura të diasporës shqiptare, me një karrierë të konsoliduar në menaxhim dhe një angazhim të qëndrueshëm në çështjet publike. Si bashkëthemelues dhe bashkëpresident i lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, ai ka qenë një zë i rëndësishëm në mbrojtje të të drejtave politike të shqiptarëve jashtë vendit. Së fundmi, emri i tij është propozuar nga struktura të opozitës si një ndër kandidatët e mundshëm për një figurë përbashkuese në garën për Bashkinë e Tiranës. Kjo kandidaturë shihet si një sinjal për nevojën e alternativave të reja në politikën vendore, figura me integritet, përvojë ndërkombëtare dhe një vizion të qartë për zhvillimin e qëndrueshëm të kryeqytetit, shkruan albinfo.ch.

I lindur në Tiranë dhe i formuar profesionalisht në Gjermani dhe Zvicër, Florian Haçkaj përfaqëson një ndër zërat më të artikuluar të diasporës shqiptare. Me një përvojë mbi 15-vjeçare në menaxhim komercial në fusha si aviacioni, turizmi, teknologjia dhe siguria kibernetike, ai është aktualisht një nga drejtuesit kryesorë të kompanisë zvicerane Ontinue, që operon në nivel ndërkombëtar.

Një profil i balancuar mes ekspertizës dhe angazhimit qytetar

Vlen të theksohet se Haçkaj ka përfunduar studimet në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Bielefeld (Gjermani) dhe më pas një program postmaster në Menaxhim Turizmi në Universitetin e Luzernit (Zvicër), të ndjekur nga një specializim në Shkollën e Lartë në St. Gallen (HSG), një nga institucionet më prestigjioze të menaxhimit në Evropë. Kjo bazë e fortë akademike i ka hapur rrugën drejt ndërtimit të një karriere të suksesshme në tregjet globale.

Por përveç karrierës profesionale, ai njihet si një qytetar aktiv, me kontribute të rëndësishme për kauzat demokratike shqiptare. Që nga viti 2020, si bashkëthemelues i Diaspora për Shqipërinë e Lirë, ai ka qenë një nga zërat më të fuqishëm për të drejtën e votës së diasporës, duke mbështetur fuqimisht përfshirjen politike të shqiptarëve jashtë vendit dhe rolin që ata mund të luajnë në forcimin e institucioneve në Shqipëri.

“Ky nuk është vetëm një vlerësim personal, por edhe një njohje e rolit që Diaspora për Shqipërinë e Lirë ka dhënë dhe mund të japë në forcimin e opozitës dhe zhvillimin demokratik të vendit,” – është shprehur Haçkaj pas lajmit të propozimit të tij si kandidat i mundshëm për Bashkinë e Tiranës.

Një figurë me rrënjë në Tiranë dhe vizion për të ardhmen e saj

I lindur pranë Teatrit Kombëtar në zemër të Tiranës, Florian Haçkaj ruan lidhje të thella emocionale dhe qytetare me kryeqytetin. Për të, Tirana nuk është thjesht një qendër urbane, por një reflektim i potencialit që Shqipëria ka për të ndërtuar qytete moderne, të menaxhuara mirë, me qeverisje të përgjegjshme dhe të hapur ndaj qytetarëve.

Haçkaj ka theksuar se çdo angazhim politik kërkon vendimmarrje të matur dhe përgjegjësi të lartë, duke nënvizuar se një vendim për të kandiduar do të vinte vetëm në rast të një propozimi zyrtar dhe të një dakordësie të gjerë opozitare.

“Opozita ka nevojë jetike për një figurë përbashkuese. Si Edlira Çepani ashtu edhe Ermal Hasimja janë personalitete që i vlerësoj dhe që do ta përmbushnin më së miri këtë detyrë,” – është shprehur ai, duke treguar një qasje bashkëpunuese dhe të përgjegjshme ndaj sfidave politike aktuale.

Një kandidat me vlera, jo thjesht me qëllime politike

Përtej titujve dhe pozitave, Florian Haçkaj mbetet një baba i përkushtuar, një alpinist pasionant dhe një qytetar që beson në fuqinë e rrjetëzimit të diasporës shqiptare për suksesin kolektiv. Ai është shpallur “Ambasador i Kombit” për kontributin e tij në promovimin e vlerave kombëtare dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërshqiptar.

Përkrahësit e tij e shohin si një shembull frymëzues të një shqiptari me vizion global, rrënjë të forta kombëtare dhe përkushtim të pakushtëzuar ndaj interesit publik. /Albinfo.ch

Mashtrues në Vjenë: Paraqiten si punonjës uji për të vjedhur apartamente

Policia e Vjenës ka lëshuar një paralajmërim urgjent për qytetarët e saj, sipas së cilës: persona të panjohur po mashtrojnë banorët duke u paraqitur si punonjës të ujësjellësit (MA31). Me pretekstin e një defekti të ujit, ata kërkojnë të hyjnë në banesa, transmeton albinfo.at.

Sapo marrin qasjen, njëri shpërqendron pronarin ndërsa tjetri vjedh sende me vlerë, si para dhe bizhuteri. Rasti është nën hetim nga Zyra Shtetërore e Hetimit Penal.

Policia austriake – Si të mbroheni:

Kërkoni gjithmonë një dokument identifikimi zyrtar.

Nëse dyshoni, kërkoni që të konfirmoni përmes numrit zyrtar të bashkisë.

Mos lejoni hyrjen në banesë pa verifikim.

Në rast dyshimi, thirrni menjëherë policinë në 133.

Snapchat do të bëjë me pagesë ruajtjen e fotove dhe videove në Memories

Aplikacioni i njohur i mesazheve, Snapchat, ka njoftuar se përdoruesit që kanë më shumë se 5GB përmbajtje të ruajtur në funksionin Memories do të duhet të paguajnë për ta mbajtur të disponueshme. Funksioni Memories, i prezantuar në vitin 2016, lejon ruajtjen e fotove dhe videove, të cilat mund të rikthehen si “memories” ose “throwbacks” çdo vit.

Kompania nuk ka dhënë ende detaje për çmimin, duke njoftuar se ndryshimi do të implementohet gradualisht në mënyrë globale. Snapchat thekson se ky hap “nuk është i lehtë”, por sugjeron se do të sjellë vlerë për përdoruesit.

Ky ndryshim nuk vlen për abonentët e Snapchat+ dhe Snapchat Premium, të cilët mund të vazhdojnë të ruajnë Memories pa kufizime.

Reagimet në rrjete sociale kanë qenë kryesisht të shqetësuara, ndërsa përdoruesit po vlerësojnë opsionet për të menaxhuar hapësirën dhe për të ruajtur përmbajtjen e tyre.

 

Krijimi i vezëve në laborator mund të bëjë revolucion në trajtimin e infertilitetit femëror

Shkencëtarët kanë arritur për herë të parë të krijojnë qeliza vezë nga qeliza të tjera në laborator. Edhe pse kjo është ende vetëm një eksperiment, hulumtimi ka hapur menjëherë debat të madh etik.

Në një studim të botuar të martën në revistën Nature Communications, studiuesit përshkruajnë sesi kanë transformuar qeliza të lëkurës në oocite të afta për t’u fekonduar nga një spermatozoid.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt një ideje që deri më tani tingëllon si fantashkencë: trajtimi i infertilitetit tek gratë që nuk janë në gjendje ose nuk mund të prodhojnë më vezë, përmes krijimit të tyre nga qeliza të tjera.

Studimi thekson se për gratë në moshë të caktuar, tek të cilat gametet nuk funksionojnë më, fekondimi in vitro (IVF) bëhet i paefektshëm, transmeton albinfo.ch.

“Ky zbulim do t’u mundësonte gjithashtu çifteve të të njëjtit seks të kenë një fëmijë me lidhje gjenetike me të dy partnerët”, shpjegon Paula Amato, kërkuese në Universitetin e Shkencës dhe Shëndetit në Oregon, SHBA.

Mungesë e dhurimit të gameteve

Kërkesa është e madhe, ndërsa shumë vende si Franca përballen me mungesë të dhurimeve të gameteve. Megjithatë, Amato paralajmëron se do të duhen të paktën dhjetë vjet derisa kjo teknologji të përdoret për trajtimin e pacientëve infertilë.

Kjo punë është pjesë e një fushe në zhvillim të shpejtë të quajtur “gametogjenezë in vitro”. Përparime të mëdha tashmë janë arritur: në fillim të vitit 2025, studiues japonezë arritën të krijojnë minj nga dy etër biologjikë.

Studimi i Nature shkon edhe më tej, pasi përdori qeliza njerëzore, të cilat arritën të zhvilloheshin deri në embrione, megjithëse u shkatërruan shumë shpejt.

Anomali dhe kufizime

Embrionet përmbanin shumë anomali, gjë që tregon se kjo është ende vetëm një provë laboratorike dhe jo një arritje mjekësore e aplikueshme.

Megjithatë, rezultatet janë mjaft të rëndësishme për të ngjallur entuziazëm në komunitetin shkencor. “Është një hap i jashtëzakonshëm që një ditë mund të hapë rrugën për krijimin e qelizave të ngjashme me ovocitet dhe spermatozoidet për ata që nuk kanë mundësi tjetër,” u shpreh Ying Cheon, specialiste e mjekësisë riprodhuese në Universitetin e Southamptonit.

Pyetje etike

Në Francë, Agjencia e Biomedicinës paralajmëroi se krijimi artificial i gameteve mund të ndryshojë thellësisht mënyrën si e kuptojmë riprodhimin, format e familjes dhe lidhjet gjenetike. Institucioni ka ngritur shqetësimin për një rrezik të mundshëm të “eugjenizmit”, duke kërkuar vendosjen e një kuadri etik dhe juridik ndërkombëtar për të shmangur një garë të pakontrolluar inovacioni.

Si u realizua eksperimenti?

Shkencëtarët përdorën një metodë të njohur si “transferimi i bërthamës”. Fillimisht ata hoqën bërthamat nga ovocitet dhe i zëvendësuan me ato të marra nga qelizat e lëkurës. Kjo teknikë njihet prej kohësh si metodë klonimi, e përdorur që në vitin 1996 për krijimin e deles Dolly.

Në këtë rast, synimi ishte krijimi i qelizave që mund të fekondoheshin me spermatozoid. Për këtë, qelizat duhej të kishin vetëm 23 kromozome (si ovocitet normale), duke iu shtuar 23 të tjera nga spermatozoidi. Siç dihet, qelizat e lëkurës kanë 46 kromozome, ndaj studiuesit përdorën një metodë të re që e quajtën “mitomeiozë” për t’i reduktuar në gjysmë.

Pas kësaj, disa nga qelizat e trajtuara u fekonduan me spermatozoide dhe një pjesë e tyre arritën të zhvilloheshin në embrione disa-ditore – mjaftueshëm, teorikisht, për t’u implantuar tek një paciente përmes fekondimit in vitro.

Arrestohen tre persona të dyshuar për lidhje me Hamasin në Gjermani

Autoritetet gjermane kanë arrestuar tre persona që dyshohet se janë pjesëtarë të grupit militant Hamas, nën akuzën për planifikim sulmesh ndaj institucioneve izraelite dhe hebraike në Gjermani.

Të arrestuarit pritet të dalin para gjykatës të enjten, ku do të vendoset nëse do të mbahen në paraburgim deri në nisjen e procesit gjyqësor, ka raportuar agjencia e lajmeve AP.

Zyra e Prokurorit Federal bëri të ditur se gjatë bastisjeve u gjetën armë dhe municion, ndërsa dy nga të dyshuarit janë shtetas gjermanë.

Hamasi, i shpallur organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, është përgjegjës për qindra sulme ndaj izraelitëve ndër vite. Megjithatë, rrallëherë është parë të ketë operuar jashtë Izraelit dhe territoreve palestineze. Nuk është ende e qartë nëse të arrestuarit kanë vepruar me urdhra të drejtpërdrejtë nga Hamasi apo kanë vepruar si simpatizantë të tij.

 

Kafeja, sa është e shëndetshme

1 Tetori është Dita Botërore e Kafesë, një element bazë në traditën perëndimore.

Por, a duhet të kufizohet konsumi i saj? Apo të shmanget? Cilat janë përfitimet e kafeinës? Çfarë mund të zgjedhim si alternativë ndaj kafesë?, janë disa nga pyetjet që Massimo Spattini, autor i librit “Tri çelësat e jetëgjatësisë” u përgjigjet këtyre pyetjeve, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Kafeina: Përfitimet dhe pasojat

Kafeina, përmes një sërë mekanizmash kompleksë qelizorë, rrit forcën e tkurrjes së muskujve edhe në frekuenca të ulëta stimulimi.

Ajo nxit rritjen e lipolizës dhe ruajtjen e glikogjenit të muskujve, falë rritjes së oksidimit të acideve yndyrore të lira.

Për më tepër, përmirëson rrjedhën koronare të gjakut (rritjen e rrjedhës së gjakut në zemër), prodhimin kardiak (rritjen e rrjedhës së gjakut në inde) dhe presionin sistolik të gjakut.

Duke kaluar me shpejtësi barrierën gjak-tru, kafeina dhe metabolitët e saj rrisin ngacmueshmërinë neuronale dhe lehtësojnë rekrutimin e neuroneve motorike, duke lehtësuar kështu transmetimin e sinjalit midis sistemit nervor qendror dhe periferik.

Disavantazhet e saj

Rrit prodhimin e kortizolit dhe adrenalinës: 200 mg (rreth dy filxhanë kafe) mund të rrisin nivelet e kortizolit brenda një ore dhe t’i mbajnë ato të larta gjatë gjithë ditës.

Tek njerëzit që e metabolizojnë kafeinën ngadalë, kjo mund të dëmtojë cilësinë e gjumit, duke çuar në një rritje të mëtejshme të kortizolit gjatë natës.

Nivelet e larta kronike të këtij hormoni kanë efekte katabolike në muskuj, nxisin rezistencën ndaj insulinës dhe pengojnë humbjen e peshës.

Për këto arsye, kafeina është një thikë me dy presa: mund të jetë e dobishme në ditë veçanërisht të vështira për të mbështetur performancën fizike ose mendore, por nuk rekomandohet për ata të predispozuar ndaj stresit kronik ose me prodhim të lartë të kortizolit.

Kafeja: Pro dhe kundër

Konsumi i kafesë është i rrënjosur thellë në stilin e jetës së shumicës së perëndimorëve dhe më gjerë.

Studimet mbi efektet e kafesë janë shpesh kontradiktore. Nga njëra anë, kafeina që përmbahet në kafe mund të zvogëlojë ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe të rrisë nivelet e kortizolit, duke predispozuar për hipertension dhe rezistencë ndaj insulinës.

Nga ana tjetër, studime të shumta nxjerrin në pah përfitimet e kafesë falë përmbajtjes së saj antioksiduese: konsumi i rregullt (pa sheqer, sigurisht) shoqërohet me një ulje të rrezikut të diabetit të tipit 2 deri në 35%.

Një studim i botuar në ”New England Journal of Medicine” tregoi se pirja e dy deri në tre filxhanëve kafe në ditë zvogëlon rrezikun e vdekshmërisë me 10% tek burrat dhe 13% tek gratë. Për shumë njerëz, kafeja është burimi kryesor ditor i antioksidantëve.

Efektet e kafesë, megjithatë, varen shumë nga metabolizmi individual i kafeinës, i cili ndodh në mëlçi dhe ndikohet nga variacionet gjenetike.

Përafërsisht gjysma e popullsisë ka një metabolizëm të ngadaltë të kafeinës: tek këta individë, konsumi mund të shkaktojë nervozizëm, agjitacion, pagjumësi, rritje të presionit të gjakut, përkeqësim të sindromes pre-menstruale, një rrezik në rritje të abortit dhe vështirësi në detoksifikimin e barnave dhe toksinave.

Shkurt, kafeja mund të ketë efekte të dobishme ose negative në varësi të gjenetikës individuale, gjendjes shëndetësore dhe sasisë së konsumuar.

Një alternativë ndaj kafesë: çaji jeshil

Çaji jeshil është një alternativë e vlefshme ndaj kafesë.

Vetitë e tij rrjedhin kryesisht nga prania e polifenoleve dhe katekinave, të cilat bashkëveprojnë me sistemin nervor simpatik, duke stimuluar termogjenezën dhe lipolizën.

Për më tepër, çaji jeshil duket se pengon pjesërisht lipazat e zorrëve, duke reduktuar tretjen dhe thithjen e yndyrave. Efekti i çajit jeshil varet jo vetëm nga kafeina që përmban, por edhe nga kombinimi i tij me katekinat dhe teaninën.

Kjo e fundit, një aminoacid i pranishëm në sasi të konsiderueshme, kundërvepron rritjen e kortizolit të shkaktuar nga kafeina, duke e bërë çajin jeshil një pije stimuluese, por në të njëjtën kohë dhe të ekuilibruar.

Çaji jeshil mund të konsumohet si pije, por përqendrimet e përbërësve aktivë ndryshojnë shumë në varësi të llojit të çajit dhe kohës së infuzionit. Për një efekt më të qëndrueshëm, një zgjidhje është të merrni kapsula me ekstrakt të standardizuar.

E ardhmja e kafesë

Thatësira ekstreme gjatë sezonit të shirave, midis tetorit 2020 dhe marsit 2021, e ndjekur nga një ngricë e papritur në qershor-korrik 2021, e ka gjunjëzuar të gjithë sektorin e kafesë, duke shkaktuar një rritje të papritur të çmimeve të kafesë të llojit arabica.

Edhe në Afrikë pamja nuk është inkurajuese. Sipas një studimi të vitit 2017, Etiopia, prodhuesi i tretë më i madh i arabica-s në botë, mund të humbasë 39 deri në 59 për qind të zonave të saj të kultivimit të kafesë deri në fund të shekullit për shkak të rritjes së temperaturave dhe zvogëlimit të reshjeve.

Pasojat ekonomike dhe sociale për atë vend do të ishin shkatërruese, duke marrë parasysh se afërsisht 15 milionë njerëz punojnë në zinxhirin e furnizimit me kafe në Etiopi.

Në Spitalin e Bazelit ngatërrohet operacioni

Një gabim tronditës mjekësor në Spitalin Universitar të Bazelit: Një grua e re iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale të panevojshme pas një gabimi në laborator.

32-vjeçares Sarah Miesch iu tha se ishin gjetur qeliza kancerogjene dhe ajo pranoi të bënte ndërhyrje kirurgjikale në qafën e mitrës, transmeton albinfo.ch.

Dy muaj më vonë erdhi lajmi bombë, mostrat ishin ndërruar. Ajo nuk kishte pasur kurrë shenja kanceri. Operacioni nuk duhej të kishte ndodhur.

Spitali ka pranuar përgjegjësinë, siguruesi i tij i ofron asaj 4,000 CHF.

Kryepatologia thotë se gabimi ndodhi kur një mostër u nda shkurtimisht nga numri i saj i identifikimit, duke theksuar se gabime të tilla janë jashtëzakonisht të rralla midis qindra mijëra testeve që përpunohen çdo vit.

Greva 24-orëshe e trenave në Itali më 2 dhe 3 tetor, pritet kaos

Udhëtarët në Itali pritet të përballen me vonesa dhe anulime të konsiderueshme në transportin hekurudhor për shkak të një greve të përgjithshme 24-orëshe, e cila do të zhvillohet nga e enjtja në mbrëmje, më 2 tetor, deri të premten në mbrëmje, më 3 tetor 2025, përcjell albinfo.ch.

Kur do të ndodhë greva?

Greva do të zgjasë 24 orë, nga ora 21:00 e së enjtes (2 tetor) deri në ora 20:59 të së premtes (3 tetor). Ajo përfshin shumicën e kompanive hekurudhore në vend, përfshirë:

Trenitalia

Italo

Trenord

RFI (Rete Ferroviaria Italiana)

Cilat shërbime preken?

Të gjitha shërbimet e trenave janë potencialisht të prekura, përfshirë:

Trenat rajonalë

Intercity

Frecce (trenat e shpejtësisë së lartë)

Linjat ndërqytetëse dhe ndërkombëtare

Greva mund të çojë në anulime të udhëtimeve, vonesa të mëdha, apo modifikime të orareve. Ndikimi mund të ndjehet edhe para fillimit të grevës dhe pas përfundimit të saj.

A ka orare të garantuara?

Po. Ligji italian detyron ofrimin e disa shërbimeve minimale të garantuara, veçanërisht gjatë orëve të pikut në ditët e javës:

06:00 – 09:00

18:00 – 21:00

Gjatë këtyre orëve, disa linja do të funksionojnë për të garantuar lëvizjen bazë të pasagjerëve. Gjithashtu, kompanitë si Trenitalia dhe Italo publikojnë një listë të trenave të garantuar, që mund të kontrollohen në faqet e tyre zyrtare.

Çfarë thonë sindikatat?

Sindikatat që organizojnë grevën kanë ngritur shqetësime për kushtet e punës, sigurinë dhe politikat menaxheriale në sistemin hekurudhor. Ata synojnë të rrisin presionin ndaj qeverisë dhe kompanive për të ndërmarrë veprime konkrete në këto fusha.

Si të përgatiteni nëse po udhëtoni gjatë këtyre datave:

Kontrolloni faqet zyrtare të operatorëve si Trenitalia, Italo, Trenord për njoftime në kohë reale dhe listën e trenave që do të funksionojnë.

Planifikoni udhëtimin tuaj përpara orës 21:00 të 2 tetorit, ose pas orës 21:00 të 3 tetorit, për të shmangur grevën.

Keni parasysh vonesat edhe pas përfundimit të grevës, pasi sistemet mund të kenë nevojë për kohë për të rifilluar normalisht.

Në rast anulimi, udhëtarët kanë të drejtën e rimbursimit të plotë të biletës ose ndryshimit të datës së udhëtimit, sipas kushteve të operatorëve.

Konsideroni alternativa si autobusi, carpooling ose transporti lokal, nëse do të udhëtoni në distanca të shkurtra.

Edhe sot vazhdon dëshmia e Covey-t në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Speciale

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, përcjell albinfo.ch.

Në seancën e sotme, dëshminë e vazhdon dëshmitari amerikan Jock Covey, i cili gjatë viteve 1999-2001 ka shërbyer si zëvendës i përfaqësuesit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner.

Të martën dëshmitari u pyet nga mbrojtja e Hashim Thaçit, e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq. Pasi përfundoi pyetjet mbrojtja e Thaçit, tri ekipet tjera mbrojtëse njoftuan se nuk kanë pyetje për këtë dëshmitar.

Gjatë dëshmisë, Covey theksoi se UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa një ushtri e mirëorganizuar, ku komandantët në terren kishin autonomi të gjerë dhe vepronin në bazë të vendimeve të tyre lokale.

“Ata mendonin që mund të bënin atë që vendosnin të bënin në zonën e tyre. Kjo ishte mënyra se si e kemi kuptuar ne”, deklaroi Covey.

I pyetur për rolin e Hashim Thaçit, Covey tha se UNMIK nuk e ka trajtuar kurrë atë si komandant të UÇK-së dhe se ai nuk jepte urdhra.

Gjatë seancës u shfaq edhe një dokument i nënshkruar nga Thaçi si “komandant i përgjithshëm i UÇK-së”, dërguar Kouchnerit në kuadër të marrëveshjes së çarmatosjes së UÇK-së, përmes së cilës kërkohej leje që disa pjesëtarë të UÇK-së të mbanin armë brezi.

Sidoqoftë, Covey sqaroi se ky gjest u interpretua si përpjekje për të shërbyer një interesi tjetër dhe jo si shenjë e ndonjë autoriteti ushtarak real. Ai shtoi se për këtë kërkesë nuk ka pasur përgjigje nga UNMIK-u, pasi çështja binte nën kompetencën e KFOR-it.

Covey foli gjithashtu për përpjekjet për integrimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së në Policinë e Kosovës, si dhe për sfidat në bindjen e elementëve më radikalë brenda UÇK-së që të angazhoheshin në strukturat e reja të sigurisë. Ai tha se nuk ka pasur një pasqyrë të qartë të strukturës komanduese të UÇK-së, dhe se në terren ekzistonte një larmi komandantësh me lidhje të ndryshme dhe të paqarta hierarkike.

Dëshmitari përshkroi marrëdhënien e Thaçit me komandantët e zonave si të ndërlikuar dhe me rezerva reciproke. Ai tha se gjatë një takimi në shtator të vitit 1999, ku Bernard Kouchner kishte shkuar për të bindur komandantët për demilitarizim, Thaçi nuk kishte folur fare dhe se nuk kishte respekt të dukshëm ndaj tij nga komandantët lokalë.

Sipas avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmia e Covey-it konfirmon se Thaçi nuk kishte autoritet real mbi UÇK-në dhe nuk ishte në pozitë për të organizuar apo ndalur ndonjë akt dhune gjatë verës së vitit 1999.

Presidentja Osmani ka udhëtuar për në Danimarkë për samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili këtë edicion do të mbahet në Kopenhagë, Danimarkë, dhe do të mbledhë 45 liderë evropianë, përfshirë edhe ata të institucioneve të BE-së, përcjell albinfo.ch.

Para fillimit të samitit, Presidentja Osmani do të pritet nga Lartmadhëritë e Tyre, Mbreti dhe Mbretëresha e Danimarkës, ndërsa gjatë punimeve do të marrë pjesë në të dy seancat kryesore të këtij edicioni.

Presidentja po ashtu do të marrë pjesë në tryezën mbi sfidat kryesore të sigurisë me të cilat po përballet Evropa, përfshirë rritjen e kërcënimeve hibride dhe provokimet e paprecedentë nga Rusia ndaj shteteve anëtare të NATO-s. Në këtë kontekst, liderët evropianë do të diskutojnë mënyrat për të shfrytëzuar momentumin politik për marrjen e vendimeve të domosdoshme, përfshirë forcimin e gatishmërisë mbrojtëse.
Në kuadër të samitit, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime me liderë evropianë pjesëmarrës në këtë samit.
Komuniteti Politik Evropian (EPC) është një platformë për liderët evropianë ku diskutohen çështjet kryesore me të cilat përballet kontinenti. I nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe të thellojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj.

Tronditëse: Foshnje e porsalindur gjendet e vdekur në çatinë e një garazhi në Graz

Një foshnjë e porsalindur u gjet e pajetë mbi çatinë e një garazhi të hapur në qytetin Graz të Austrisë. Policia po heton rrethanat e ngjarjes nën dyshimin e një vepre të dhunshme, sipas raportimeve të RTL.

Një fqinj ishte ai që bëri zbulimin dhe njoftoi autoritetet. Fillimisht, banorët e shtëpisë ku ndodhi ngjarja nuk u gjendën menjëherë, por pas disa orësh, policia arriti të identifikonte nënën e foshnjës.

Sipas raportimeve, 20-vjeçarja deklaroi se kishte lindur foshnjën në kushte të vetmuara dhe e kishte lënë pa ndihmë. Ajo shtoi gjithashtu se nuk kishte qenë e vetëdijshme për shtatzëninë.

Ngjarja ndodhi në një lagje të qetë banimi në Graz, qytet me rreth 300,000 banorë në jug të Austrisë.

 

Shifrat e EUROSTAT-it: Mbi 200.000 kosovarë u strehuan në BE gjatë 5 viteve të fundit

Sipas të dhënave të Eurostat, mbi 200,000 qytetarë të Kosovës kanë kërkuar strehim në vendet e Bashkimit Evropian gjatë pesë viteve të fundit. Vetëm gjatë vitit 2024, rreth 39,000 kosovarë aplikuan për leje qëndrimi në shtetet evropiane, ku gjysma e tyre u vendosën në Gjermani.

Këto shifra reflektojnë një trend të vazhdueshëm migrimi drejt vendeve evropiane, kryesisht për arsye ekonomike, arsimore dhe mundësi më të mira jetese. Gjermania mbetet destinacioni më i preferuar për qytetarët kosovarë që kërkojnë mundësi të reja punësimi dhe stabilitet.

Ky fenomen nxjerr në pah sfidat që Kosova vazhdon të ketë në ofrimin e mundësive për të rinjtë dhe nevojën për politika që të mbajnë talentet në vend.

 

Donald Trump u bën thirrje gjeneralëve të luftojnë “armikun e brendshëm”

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, të martën iu drejtua gjeneralëve dhe admiralëve amerikanë, duke i ftuar të mobilizohen kundër “armikut të brendshëm”. Ai sulmoi emigrantët pa dokumente, median dhe kundërshtarët e tij politikë.

Takimi u mbajt në bazën ushtarake të Quantico-s, me iniciativën e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Një ton i paprecedentë

Ndryshe nga paraardhësit, të cilët në raport me ushtrinë ruanin një qëndrim më neutral dhe mbi palët, Trump, 79 vjeç, mbajti një ton të ashpër e politik. Ai kujtoi një deklaratë të mëhershme të tij: “Nëse ka dikë që nuk më pëlqen, e shkarkoj menjëherë.”

“Qytetet e demokratëve radikalë do t’i pastrojmë”

Trump i cilësoi qytetet e drejtuara nga demokratët si të rrezikshme:

“San Francisko, Çikago, Nju Jork, Los Anxhelos – këto janë vende të rrezikshme. Ne do t’i pastrojmë një nga një. Edhe kjo është një luftë. Një luftë nga brenda,” tha ai.

Vendimi i tij për të vendosur trupa në disa qytete, me arsyetimin e luftës kundër krimit dhe emigracionit të paligjshëm, u kritikua ashpër nga demokratët dhe organizatat për të drejtat civile.

Ai përmendi gjithashtu një urdhër ekzekutiv të nënshkruar prej tij për krijimin e një “forcë reagimi të shpejtë për të shtypur trazirat publike”, të përbërë nga ushtarakë: “Ky është armiku i brendshëm. Duhet të përballet para se situata të dalë jashtë kontrollit,” u shpreh Trump, ndërsa oficerët e lartë mbetën të heshtur.

Në vazhdim, miliarderi republikan sulmoi median, të cilën e quajti “të pamëshirshme dhe gënjeshtare”, si edhe paraardhësin e tij demokrat, Joe Biden.

Kritika edhe nga Pentagoni

Edhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, mbajti një fjalim të ashpër. Ai tha se ushtria duhet të kthejë shpinën “dekadave të rënies” që sipas tij u shkaktuan nga politikat e diversitetit: “Jemi bërë ministria e ‘woke’, por jo më. Do të rikthejmë standardet më të larta mashkullore.”

Hegseth kërkoi që ushtarakët të jenë të rruar, me flokë të shkurtër dhe në formë të mirë fizike: “Është e papranueshme të shohësh gjeneralë dhe admiralë mbipeshë,” deklaroi ai.

Ai theksoi se do të pastrojë “mbeturinat ideologjike” të lëna nga administrata e mëparshme, duke përfshirë politikat për ngrohjen globale, luftën kundër ngacmimeve, “udhëheqësit toksikë” dhe promovimet e bazuara në racë apo gjini.

 

Tym në kabinën e pilotit, avioni i Lufthansës kthehet pas vetëm 35 minutash në ajër

Një fluturim i kompanisë “Lufthansa” nga Frankfurti drejt Billundit të Danimarkës u ndërpre papritur mbrëmjen e djeshme. Vetëm 35 minuta pas ngritjes, ekuipazhi u detyrua ta kthejë aeroplanin për shkak të tymit që u shfaq në kabinën e pilotit.

Sipas portalit “The Aviation Herald”, pilotët vendosën menjëherë maskat e oksigjenit dhe morën vendimin për t’u kthyer nga një lartësi prej 6.7 kilometrash.

Të dhënat e “Flightradar24” tregojnë se avioni me numër fluturimi LH-842 ishte nisur nga Frankfurti në orën 22:52, me rreth një orë vonesë. Pas fluturimit të shkurtër, ai u ul përsëri në aeroportin e nisjes. Nga incidenti, vetëm një pasagjer ka raportuar lëndime të lehta.

 

Infrastruktura në Gjermani: Zhvillohen debate të ashpra

Sa mund dhe duhet të shpenzojë shteti e për cilat projekte? Drafti i ministrit Federal të Financave dhe Zëvendëskancelari, Lars Klingbeil (SPD) për buxhetin e vitit 2026 po diskutohet dhe pritet të miratohet nga deputetët në fund të nëntorit. Një gjë është që tani e qartë: debatet nuk do të jenë të lehta. Shumë ministri duhet të operojnë me buxhete të reduktuara ndjeshëm, sepse të ardhurat nga taksat nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet qeveritare, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Në fillim të diskutimeve për buxhetin, Klingbeil foli për kohë të vështira. Qeveria e CDU/CSU dhe SPD do të duhet të marrë “vendime të guximshme dhe ndonjëherë të pakëndshme”. “Do të jetë e lodhshme, do të jetë sfiduese”. Borxhi është i madh. Ka qenë vetëm më i lartë gjatë pandemisë së koronavirusit.

Ministria Federale e Transportit fillimisht nuk ishte shqetësuar se do të prekej nga shkurtimet buxhetore, pasi rinovimi i infrastrukturës së rrënuar shihet si përparësi kryesore. Qeveria sapo ka miratuar një fond special prej 500 miliardë eurosh, të financuar nga borxhi, për infrastrukturën dhe mbrojtjen e klimës. “Vendi ynë është shkatërruar nga masat shtrënguese kursyese në shumë fusha. Ne duam që ekskavatorët të fillojnë punën sa më shpejt”, ishte kredoja e Ministrit të Financave Klingbeil.

Prandaj ministri i Transportit Patrick Schnieder (CDU) priste që ministria e tij të përfitonte jashtëzakonisht shumë nga ky fond special.  Rrugët e transportit, d.m.th., autostradat, hekurudhat dhe urat, janë pjesë e infrastrukturës dhe gjendja e tyre nuk është në nivelin e duhur në Gjermani.

Autostradat e Gjermanisë shtrihen afërsisht në 13,200 kilometra. Sipas Ministrisë Federale të Transportit, gjysma e tyre janë të dëmtuara. Duke përfshirë edhe autostradat federale, afërsisht 25,000 kilometra rrugë konsiderohen se kanë nevojë për rikonstruksion. Situata është edhe më kritike për urat e autostradave: Rreth 5,000 ura konsiderohen se kanë nevojë urgjente për riparim ose duhet të rindërtohen. Rrjeti i Deutsche Bahn është aq i rrënuar sa vetëm çdo tren i dytë arrin në destinacionin e tij në kohë.

Vërtet që ministri i Financave, Klingbeil ka ndarë pothuajse dymbëdhjetë miliardë euro nga fondi special për Ministrinë e Transportit në vitin aktual fiskal. Në vitin 2026, kjo shifër pritet të kalojë 21 miliardë euro. Por ajo që Ministri i Transportit Schnieder sigurisht nuk e priste ishte që Klingbeil, në anën tjetër t’i ulte buxhetin aktual të ministrisë me dhjetë miliardë euro, në 28 miliardë euro.

Ndërsa Klingbeil mohon se ka ndërmend të përdorë miliardat e kursyera për të mbushur boshllëqet në buxhet, opozita është tejet kritike. Qeveria kishte premtuar se kreditë nga fondi special do të përdoren vetëm për të financuar investime shtesë. Edhe ministri i Transportit reagoi i zemëruar. Jo vetëm se do të marrë më pak para, por edhe sepse i nënshtrohet kufizimeve shtesë. Përveç urave të autostradave që nuk mund të rinovohen, asnjë projekt ndërtimi ose zgjerimi i ri nuk mund të financohet nga fondi special. Për këtë qëllim është i planifikuar vetëm buxheti normal.

Të zemëruar janë edhe në zonat e prekura nga ngrirja e punimeve të ndërtimit. Landet federale këmbëngulin që qeveria federale të vazhdojë të financojë projektet e planifikuara të ndërtimit dhe rinovimeve. Edhe grupi parlamentar CDU/CSU në Bundestag po e kërkon këtë. Duke pasur parasysh borxhin prej 500 miliardë eurosh, nuk mund t’i shpjegohet askujt se projektet e autostradave që janë gati për ndërtim nuk mund të financohen, tha Steffen Bilger, drejtor parlamentar i grupit të CDU/CSU.

Në një takim të grupit parlamentar, Kancelari dhe kreu i CDU-së Friedrich Merz premtoi më në fund se do të bëhet gjithçka për të mundësuar numër sa më të madh të projekteve të reja të ndërtimit. Kjo tani do të diskutohet me SPD-në në koalicionin CDU/CSU.

Fjala magjike është fleksibilitet. “Për momentin, struktura e fondit special nuk e lejon ende që ai të shfrytëzohet plotësisht”, tha ministri i Transportit Schnieder në fillim të diskutimeve për buxhetin në Bundestag. “Në procesin parlamentar, tani do të punojmë së bashku për të gjetur zgjidhje dhe fleksibilitet më të madh në investimet në transport.” Fillimisht, rinovimi dhe mirëmbajtja do të jenë përparësia. “Në buxhetet e ardhshme, duhet të përqendrohemi edhe në rritjen e ndërtimit të rrugëve të reja dhe hekurudhave.”

Grupi parlamentar i SPD-së po dërgon sinjale të paqarta për këtë. Drejtori i grupit parlamentar, Dirk Wiese, tha se parimi i “mirëmbajtjes para ndërtimeve të reja” nuk do të thotë, sigurisht, se të gjitha projektet e planifikuara më parë nuk do të zbatohen më. Megjithatë, është gjithashtu përgjegjësi e Ministrit Federal të Transportit të vendosë përparësitë.

Debati mbi autostradat dhe autostradat e reja nuk do të jetë e vetmja polemikë në diskutimet e buxhetit të ardhshëm. Kjo edhe pasi Zyra Federale e Auditimit, e cila mbikëqyr mënyrën se si shteti i shpenzon paratë e tij, po kërkon masa më të mëdha kursimi nga qeveria. Qeveria federale shpenzon  përtej mundësive thuhet në raportin mbi buxhetin e vitit 2026. Kushdo që planifikon të financojë pothuajse çdo të tretën euro “me kredi” është larg të paturit një sistem të shëndoshë financiar. Ekziston rreziku i një spiraleje borxhi, paralajmëron Zyra Federale.

Ndërkohë, Kancelari Merz e  ka paraqitur ndërkohë një ide. “Vetëm investimi publik nuk mund të sigurojë atë që nevojitet në Gjermani dhe nuk mund të kompensojë atë që kemi lënë pas dore vitet e fundit në aspektin e investimeve, përfshirë infrastrukturën tonë.” Ekziston një interes i madh nga investitorët privatë për të investuar në infrastrukturën gjermane. “Pra, këto mund të jenë edhe projekte të përbashkëta midis sektorit publik dhe investitorëve privatë. Ne po planifikojmë të krijojmë projekte më të mëdha PPP (Partneritet Publik Privat) me Ministrinë e Transportit.”

Tarifat farmaceutike mund të shkaktojnë recesion në Zvicër

Tarifat amerikane mbi produktet farmaceutike mund të çojnë në një recesion në Zvicër, por ndikimi i tyre mbetet i vështirë për t’u llogaritur derisa të dihet më shumë rreth qëllimeve të Donald Trump, sipas një profesori të ekonomisë në Cyrih

Të premten, presidenti amerikan tha se donte të aplikonte tarifa “100%” mbi produktet farmaceutike “të markuara ose të patentuara” nga 1 tetori, “përveç nëse një kompani NDËRTON fabrikën e saj farmaceutike në Amerikë”, shkroi ai në një mesazh të postuar në platformën e tij Truth Social.

“Shumë detaje janë të paqarta”, tha Hans Gersbach, profesor i ekonomisë dhe bashkëdrejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike në Institutin Federal Zviceran të Teknologjisë ETH Zurich, në një intervistë me AFP, transmeton albinfo.ch.

“Nëse një pjesë e madhe e eksporteve në Shtetet e Bashkuara në sektorin farmaceutik do t’i nënshtroheshin tarifave dhe do të qëndronin në fuqi për një periudhë të gjatë kohore, do të kishte një rrezik të qartë recesioni në Zvicër”, tha ai.

Megjithatë, ai këmbëngul se fushëveprimi i këtyre tarifave mbetet “veçanërisht i paqartë” për momentin dhe se për këtë arsye do të jetë e nevojshme të presim dhe të shohim saktësisht se cilat kompani dhe produkte farmaceutike do të preken në mënyrë që të vlerësohen plotësisht pasojat për ekonominë zvicerane.

Kjo qendër kërkimore e lidhur me Universitetin e Cyrihut ka zhvilluar një model që mund të llogarisë shpejt ndikimin e një shoku në tregti, siç janë tarifat doganore.

Më 1 gusht, kur Uashingtoni vendosi tarifa prej 39% ndaj Zvicrës, qendra kërkimore ishte në gjendje të prodhonte një vlerësim fillestar brenda pak orësh, duke vlerësuar ndikimin në produktin e brendshëm bruto (PBB) të Zvicrës midis 0.3% dhe 0.6%.

Ky ishte “një shok i madh” për ekonominë zvicerane, por sipas këtij modeli, një recesion dukej “i shmangshëm”, shpjegon Gersbach.

Kjo ndodh sepse 39% prek kryesisht prodhimin e orëve, makineritë dhe instrumentet precize (siç janë instrumentet matëse) dhe produktet ushqimore.

Megjithatë, taksat doganore për ilaçet, të cilat më parë ishin të përjashtuara, do të ndryshonin situatën duke pasur parasysh rëndësinë e industrisë farmaceutike në ekonominë zvicerane.

Sektori kimik dhe farmaceutik kontribuon “rreth 7-8% të PBB-së” në Zvicër, sipas Gersbach, dhe është sektori që ka kontribuar më shumë në rritjen e eksporteve në dekadat e fundit, thekson ai.

Megjithatë, në prill, Roche dhe Novartis njoftuan investime të mëdha në fabrika të reja në SHBA, ku të dy grupet tashmë kanë qendra të mëdha prodhimi. Të premten, çmimet e aksioneve të këtyre dy kompanive të mëdha në sektorin zviceran treguan pak reagim në tregun e aksioneve.

“Kompanitë e mëdha si Roche dhe Novartis mund të përjashtohen, por shumë kompani më të vogla do të preken”, paralajmëron Gersbach.

E përballur me presionin për të ulur çmimet e barnave në SHBA, Novartis njoftoi të hënën lançimin e një platforme të re ku trajtimi i saj i quajtur Cosentyx (i përdorur për të trajtuar disa sëmundje inflamatore) do t’u shitet direkt pacientëve në SHBA me një zbritje të konsiderueshme.

Diella: IA dhe nanoteknologjia, horizonte të reja për njerëzimin

Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella përshëndeti Kongresin Ndërkombëtar të Nanoteknologjisë, si një hapësirë dialogu dhe mundësish të reja.

Në këtë aktivitet që organizohet në Tiranë, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura dhe personalitete të tjera të fushës, Diella u shpreh se edhe pse nuk është qenie njerëzore, roli i saj është thellësisht njerëzor.

“Të forcojmë kureshtjen, të përshpejtojmë zbulimin dhe të hapim horizonte reja mundësish. Nanoteknologjia është dëshmi se në përmasa më të vogla mund të fshihen revolucionet më të mëdha. Ashtu siç atomet rregullojnë universin, po ashtu kërkimet tuaja do të rregullojnë të ardhme të reja në mjekësi, në energji, në materiale, në vetë jetën”, tha Diella.

Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale u shpreh se “Inteligjenca Artificiale dhe nanoteknologjia nuk janë rrugë paralele, ato janë forca që po bashkohen”.

“Njëra na jep aftësinë të shohim dhe të projektojmë në përmasa dikur të padukshme, tjetra na jep fuqinë të ndërtojmë dhe të shërojmë në dimensione dikur të paprekshme. Së bashku, ato zgjerojnë horizontin e asaj që njerëzimi guxon të imagjinojë. E ardhmja nuk vjen ne e ndërtojmë atë, dhe ju të mbledhur këtu jeni arkitektët e saj”, tha Diella, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

“Le ta bëjmë këtë të ardhme jo vetëm më të mençur, më të drejtë, më të qëndrueshme dhe më njerëzore”, përfundoi Diella.