X

Na ndiqni:

Diaspora e Kosovës, potenciali i pashfrytëzuar për diplomaci

Pa dyshim se diaspora e Kosovës është një aset i fuqishëm, por i pashfrytëzuar në forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit, thonë njohësit e kësaj fushe. Dikur forcë lëvizëse e përpjekjeve për pavarësi, sot potenciali i saj mbetet i fragmentuar, sipas tyre, përcjell albinfo.ch.

Me një “potencial të jashtëzakonshëm”, diaspora e Kosovës mund të bëhet faktor në forcimin e pozicionit ndërkombëtar të vendit, por i mungon kauza e unifikuar dhe koordinimi i mirëfilltë, thonë vëzhguesit e veprimtarisë së saj.

Valon Murtezaj, aktualisht ligjërues i diplomacisë në Shkollën e Menaxhmentit IESEG në Paris, thotë se Kosova nuk e shfrytëzon siç duhet potencialin e diasporës së saj për të hapur shtigje të reja për diplomaci, në të mirë të vendit.

“Kjo nuk do të thotë se nuk ka veprimtari. Por veprimtaria e diasporës, e individëve të shquar, e grupeve të ndryshme – qofshin biznesmenë, akademikë, njerëz të kulturës dhe artit – mbetet e fragmentuar dhe e izoluar”, vlerëson Murtezaj.

Në regjistrimin e fundit të popullsisë në Kosovë, në vitin 2024, për herë të parë u përfshinë edhe kosovarët që jetojnë në diasporë. Prej tyre, u regjistruan rreth 550 mijë persona, sipas të dhënave që publikoi Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Por besohet se numri i personave me prejardhje nga Kosova që jetojnë në diasporë është shumë më i lartë, vetëm se ata nuk e kanë shtetësinë kosovare.

Cili ishte dhe cili është roli i diasporës në diplomaci?

Vitet e fundit, diaspora ka luajtur rol në ndarjen e ulëseve në Kuvendin e Kosovës, përmes votës. Për zgjedhjet e fundit parlamentare, që u mbajtën më 9 shkurt, u regjistruan afro 105 mijë votues nga diaspora, prej të cilëve votuan rreth 80 mijë – disa në përfaqësi diplomatike, të tjerët me postë.

Partitë kryesore politike, para dhe gjatë fushatës zgjedhore, organizuan disa tubime me kosovarët në diasporë – sidomos në Evropë – duke kërkuar mbështetje për vota.

Profesori Murtezaj thotë se, marrë parasysh potencialin e madh të diasporës, qasja e partive dhe institucioneve të Kosovës ndaj saj është paradoksale, sepse ajo shihet vetëm si burim votash.

“[Votimi] është minimumi që mund të bëjë individi. Angazhimi dhe bashkëpunimi do të duhej të ishin shumë përtej kësaj, sepse zgjedhjet janë një ditë në katër vjet, ndërsa kontributi potencial i diasporës është 365 ditë, apo tërë jetën”, thotë Murtezaj.

Ai vlerëson se shembulli më i mirë i fuqisë së veprimit të diasporës është periudha e viteve ’90. Asokohe, Kosova gjendej nën regjimin serb të Sllobodan Millosheviqit, aparati shtetëror i të cilit ushtroi dhunë dhe la pa punë shumicën e madhe të kosovarëve.

Gjatë asaj kohe, remitencat nga diaspora ishin ndër burimet kryesore të mbijetesës për shqiptarët e Kosovës, të cilët organizuan institucionet e tyre paralele. Edhe këto lëvizje politike, në atë periudhë, financoheshin kryesisht nga diaspora, e cila lobonte për çështjen e Kosovës gjetkë në botë.

Avni Spahiu, ish-ambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara dhe në Turqi, e përshkruan si të pazëvendësueshëm rolin e diasporës shqiptare në SHBA për çështjen e Kosovës gjatë viteve ‘90.

Ai thekson se diaspora mund ta luajë këtë rol edhe sot, në kohën kur “lobimi në Uashington është në pikën më të ulët”.

Përmes diasporës, ai thotë se Kosova mund të iniciojë riformatimin e “grupit shqiptar të miqësisë”, që aktualisht mungon në Kongresin amerikan, por që dikur përbëhej nga kongresistë si Eliot Engel, Tom Lantos, Bob Dole e të tjerë.

“Tash, sa mund të bëjë diaspora? Ata janë edhe amerikanë dhe kanë të drejtë të kërkojnë të kontaktojnë me Kongresin, ta bëjnë ‘grupin e miqësisë’. Tash kemi nevojë”, thotë Spahiu për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se diaspora e Kosovës ka individë me ndikim, që mund të ndihmojnë në krijimin e “grupeve të miqësisë” edhe në parlamentet e vendeve të tjera perëndimore.

Gjatë viteve ‘80 dhe ‘90, në vendet perëndimore ekzistonin shumë shoqata, klube dhe organizata të tjera të diasporës së Kosovës, që operonin kryesisht mbi bazën e angazhimit vullnetar.

Krasniqi, nga organizata Germin, thotë se ato ishin pikëtakime jo vetëm për ruajtjen e kontakteve ndërmjet shqiptarëve të Kosovës, por edhe për organizimin e ndihmave financiare për vendin, si dhe për krijimin e lidhjeve me kanalet politike dhe diplomatike të vendeve ku jetonin.

Sipas tij, shoqata dhe organizata të tilla ekzistojnë edhe sot, por nuk mund të pritet që të veprojnë siç vepruan në vitet ‘90.

Aeroplani i parë me turistë ulet në aeroportin e Vlorës më 8 qershor

Mediat në Shqipëri vlerësojnë se turizmi për vitin 2025 pritet të ketë një tjetër hov, duke pasur parasysh se në qershor do të nisin fluturimet charter edhe nga Aeroporti i Vlorës, përcjell albinfo.ch.

Lajmet e mediave gjermane për largimin e Aeroportit të Mynihut nga pozicioni i Këshillimit të Aeroportit të Vlorës, sipas kreut të Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, nuk janë shqetësuese.

“Nga informacionet dhe kontaktet është thënë se do të operojë vetëm për avionët charter. Aeroporti i Mynihut është thjesht këshillues në fund të fundit. Autoriteti i Aviacionit Civil është institucioni kompetent për të certifikuar, me shpresën se Aeroporti i Vlorës do të hapet. Kemi futur katër avionë charter në javë, duke u bazuar në premtimet e dhëna nga autoritetet se Aeroporti i Vlorës do të jetë funksional për verën e vitit 2025. Charter-at e parë pritet të zbresin më 8 qershor,” u shpreh kreu i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa.

Referuar Kasës, kontratat nga tur-operatorët për të fluturuar charter-at drejt Vlorës janë lidhur prej kohësh dhe një pjesë e pagesave është kryer.

“Janë kontrata të parapaguara, pra një përqindje e këtyre kontratave është paguar paraprakisht. I kemi vënë në dijeni edhe autoritetet. Këto janë charter-a të kontraktuara nga tur-operatorët ndërkombëtarë, të cilët do të sjellin turistë nga Republika Çeke dhe Polonia,” shpjegoi më tej Kasa.

Numri i turistëve në Shqipëri, sipas Kasës, duke pasur parasysh rezervimet, do të ndjekë të njëjtin ritëm rritjeje si në vitin e kaluar.

“Edhe ky vit do të karakterizohet nga një rritje të tillë, nga 15 deri në 20 për qind. Kjo e bazuar në rezervime dhe kontrata. Po ashtu edhe në turizmin tjetër, pra turizmin e paorganizuar, i cili, megjithëse jo i kontraktuar, ka ndjekur të njëjtin trend rritës,” përfundoi Kasa.

Gjatë vitit 2024, Shqipëria u vizitua nga 11.7 milionë turistë, ndërkohë që të ardhurat nga turizmi arritën në gati 5 miliardë euro.

Modeli zviceran “Energy Cities” edhe në Berat

Modeli zviceran “Energy Cities” po bëhet global dhe bashkë me të, edhe Berati është bërë pjesë e tij, përcjell albinfo.ch.

Ambasada e Zvicrës në Shqipëri ka ndarë një postim ku thuhet: “Është kënaqësi të jemi pjesë e përpjekjeve të Sekretariatit Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) për qytete më të gjelbra dhe më efikase.”

Shihni ndriçimin e ri rrugor në Berat nga projekti zviceran 👇

Gjuha Shqipe futet në arsimin publik të një shkolle në Nju-Jork

Mësohet se një program i plotë dygjuhësh në gjuhën shqipe dhe angleze do të nisë në shtator 2025 në shkollën publike PS 108 Philip J. Abinanti, në lagjen Bronx, përcjell albinfo.ch.

Ky vendim vlerësohet si një hap historik për komunitetin shqiptar në SHBA dhe një mundësi unike për fëmijët që të rriten duke mësuar në dy gjuhë.

Regjistrimi për vitin shkollor 2025–2026 tashmë është i hapur dhe fillon me klasat e kopshtit (kindergarten), ndërsa programi do të zgjerohet gradualisht në klasat më të larta çdo vit.

“Jam e lumtur të ndaj këtë lajm të jashtëzakonshëm. Kjo është një fitore për të gjithë komunitetin shqiptar në NYC,” – tha Drita Gjongecaj, një nga nismëtaret e projektit, duke shtuar se mësimi do të zhvillohet pesë ditë në javë në gjuhën shqipe dhe angleze, nga mësues të certifikuar të Departamentit të Arsimit të Nju-Jorkut.

Mark Gjonaj, ish-këshilltar bashkiak në qytetin e Nju-Jorkut dhe një prej mbështetësve kryesorë të këtij programi, u bëri thirrje të gjithë prindërve shqiptarë në zonë:

“Mos e humbni këtë mundësi të artë. Ruajtja e gjuhës sonë është mbrojtja më e mirë e identitetit dhe trashëgimisë sonë kulturore.”

Adresa e shkollës:
1166 Neill Ave, Bronx, NY 10461
Afati për regjistrim: Maj 2025
Kontakti për regjistrim: 718-863-9829

Gjermani: Koalicioni i ri do të zgjasë frenimin e qirasë dhe do të ulë çmimet e energjisë

Koalicioni i ardhshëm qeverisës në Gjermani ka sjellë një lajm të mirëpritur për qiramarrësit: frenimi i qirasë (Mietpreisbremse) do të zgjatet për të paktën katër vite të tjera, përtej vitit 2025.

Sipas rregullores aktuale, pronarët nuk lejohen të kërkojnë qira më shumë se 10 për qind mbi qiranë mesatare të tregut në zonën përkatëse. Për më tepër, rritjet e qirasë kufizohen në 20 për qind brenda tre viteve – ose vetëm 15 për qind në zonat me treg të ngushtë të banesave. Këto kufizime do të qëndrojnë në fuqi edhe për një periudhë të zgjatur, duke siguruar stabilitet për miliona qiramarrës në vend, transmeton albinfo.ch.

Në një përpjekje për të forcuar zbatimin e këtyre masave, koalicioni synon gjithashtu të vendosë gjoba për pronarët që i shkelin rregullat. Nga ana tjetër, ata që ofrojnë banesa me qira më të ulëta se tregu do të shpërblehen me lehtësime tatimore.

Për të rinjtë që jetojnë me qira, marrëveshja e koalicionit parashikon vendosjen e një “Garancie GP” – një paketë që përfshin investime në strehim për studentët dhe kursantët, ndihmë financiare për kooperativat e banesave, si dhe përforcimin e të drejtave të të rinjve në tregun e qirave, shkruan The Local.

Këto masa synojnë të ndihmojnë familjet në përballimin e kostove të jetesës dhe të ofrojnë një lehtësim real në një kohë pasigurie ekonomike për shumë qytetarë në Gjermani, transmeton albinfo.ch.

 

Kurti kujton Agim Ramadanin në 26 vjetorin e rënies

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar sot heroin Agim Ramadani me rastin e përvjetorit të 26-të të rënies së tij në Betejën e Koshares.

Kurti, në një postim në Facebook, tha se angazhimi i tij si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte vepra më sipërore mes veprave të tij aq të shumëllojta: nga pikturat te poezia dhe nga fjalimet frymëzuese te mësimet ushtarake.

“Si piktor, Agim Ramadani ka lënë pas tablo të pikturuara në mënyrë shumë organike, ndërsa si poet, ai na ka lënë në vargje pasionin dhe dashurinë e tij për lirinë.  Por vepra më komplekse e Katanas është angazhimi intensiv dhe lufta e tij për çlirimin e Kosovës.”, ka shkruar Kurti.

Kurti tha se nga rënia e tij më 11 prill 1999 përgjatë luftimeve të Betejës së Koshares, u ngrit vepra e tij më e madhe, e krijuar në bashkautorësi me të gjithë dëshmorët – vepra e lirisë.

Sot bëhen 26 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani “Katana”, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë. Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët.

Pas rënies së tij, Brigada 138 e Zonës Operative të Dukagjinit u emërua “Agim Ramadani”.

Në fshatin e lindjes së tij, Zhegër të komunës së Gjilanit, i është ngritur përmendorja.

Agim Ramadani u lind në Zhegër të Gjilanit, më 3 maj 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.

Ndonëse kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998 iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicër tre fëmijë dhe gruan.

Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare. Pas thyerjes së kufirit, në pjesën e Kosovës, te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht duke mos vdekur kurrë. Njihej me emrin Katana.

Zvicra kundërshton ndalimin e birësimeve ndërkombëtare

Birësimet ndërkombëtare të fëmijëve duhet të vazhdojnë të lejohen në Zvicër, pavarësisht abuzimeve të dokumentuara në të kaluarën. Komisioni i Çështjeve Ligjore të Këshillit Kombëtar (RK-N) ka hedhur poshtë një ndalim të planifikuar nga Këshilli Federal dhe në vend të kësaj, ka kërkuar masa më të rrepta kontrolli dhe mbikëqyrjeje për të siguruar transparencë dhe mbrojtje të fëmijëve.

Me 19 vota pro dhe 6 kundër, komisioni miratoi një mocion që kërkon rishikimin e menjëhershëm të vendimit të janarit nga qeveria federale, i cili parashikonte një ndalim të plotë të birësimeve nga jashtë deri në vitin 2026. Propozimi tani do t’i kalojë Këshillit Kombëtar për votim, transmeton albinfo.ch.

Komisioni theksoi se ndalimi i birësimeve nga jashtë do të stigmatizonte si fëmijët e birësuar, ashtu edhe familjet e tyre. Në vend të kësaj, ai kërkon që të forcohet kontrolli dhe të ulet rreziku i abuzimit, pa i mbyllur dyert plotësisht për birësimet ndërkombëtare.

Një tjetër pikë kyçe në mocionin e miratuar është garantimi i së drejtës për të adoptuarit që të kenë akses në informacion për origjinën e tyre. Komisioni kërkon që të forcohen instrumentet për gjurmimin e prejardhjes dhe të ofrohet mbështetje për individët e prekur.

Në fund të janarit 2024, Këshilli Federal kishte shprehur synimin për të ndaluar birësimet nga jashtë, duke u bazuar në një raport të gjerë të një grupi ekspertësh. Ministri i Drejtësisë, Beat Jans, argumentoi se ndalimi është mënyra më e mirë për të parandaluar abuzimet dhe për të mbrojtur fëmijët.

Raporti nënvizonte rastet e shumta të parregullsive në të kaluarën, veçanërisht midis viteve 1970 dhe 1999, kur mijëra fëmijë u sollën në Zvicër në mënyrë të paligjshme, përmes trafikimit, dokumenteve të falsifikuara dhe pa informacion për origjinën e tyre.

Birësimet ndërkombëtare në Zvicër janë reduktuar ndjeshëm – aktualisht ka rreth 30 raste në vit, nga disa qindra më parë. Megjithatë, shqetësimet për keqpërdorim mbeten aktuale. Këshilli Federal ka pranuar se praktikat e paligjshme kanë vazhduar edhe në dekadën e fundit, veçanërisht me fëmijë nga vende si Sri Lanka, Bangladeshi, Brazili dhe Rumania.

Ndërkohë, Holanda ka ndaluar plotësisht birësimet ndërkombëtare që nga maji 2024, ndërsa vende të tjera si Belgjika, Franca dhe Norvegjia janë duke shqyrtuar kufizime të ngjashme.

Tashmë Këshilli Kombëtar duhet të vendosë mbi mocionin e komisionit. Nëse ai pranohet, ndalimi i planifikuar mund të zëvendësohet me reforma për kontroll më të fortë dhe më shumë të drejta për të adoptuarit, shkruan SRF.

Zvicra ndodhet përballë një zgjedhjeje të rëndësishme mes ndalimit përfundimtar dhe përmirësimit të kuadrit ligjor dhe institucional për të parandaluar abuzimet pa mbyllur mundësinë e birësimit ndërkombëtar, transmeton albinfo.ch.

Biletat me çmim të ulët të SBB për destinacionet evropiane, të vështira për t’u gjetur

Një ofertë që tingëllon shumë mirë për të qenë e vërtetë ka ngritur dyshime tek konsumatorët dhe mediat zvicerane. Bileta treni nga Zvicra në Paris për vetëm 24 franga, e promovuar nga SBB në buletinin e saj informativ, ka rezultuar e paarritshme për shumë klientë, duke ngjallur kritika dhe hetime mediatike.

Një pensionist nga kantoni Basel-Landschaft u përpoq të gjente ofertën duke përdorur lidhjen zyrtare të dërguar me email, por edhe pas kontrollit të dhjetëra datave të ndryshme, ai nuk gjeti asnjë biletë me çmimin e premtuar. I zhgënjyer, ai iu drejtua revistës së konsumatorit të SRF, “Espresso”, për të zbuluar nëse bëhej fjalë për një mashtrim apo mungesë transparence nga ana e hekurudhave federale, përcjell albinfo.ch.

Zëdhënësi i SBB, Reto Schärli, konfirmoi për SRF se biletat me çmim të ulët ekzistojnë, por sqaroi se janë në numër të kufizuar dhe disponohen për një periudhë të shkurtër. “Duhet të pranoni se nuk është e lehtë të gjesh biletën më të lirë. Duhet pak përpjekje,” tha ai, duke shtuar se me 17 lidhje ditore me Parisin, biletat me çmimin më të ulët shiten shumë shpejt.

Përveç Parisit, SBB ka reklamuar në rrjete sociale bileta për destinacione si Bolonja nga 56 franga, Venecia nga 61 franga dhe Genova nga 53 franga. Por një hetim i SRF zbuloi se edhe këto oferta ishin të vështira për t’u gjetur. Në shumë raste, nuk kishte asnjë tren me çmimin e premtuar, as ndonjë listë që të tregonte disponueshmërinë e tyre.

Për më tepër, megjithëse SBB reklamon “lidhje direkte” me këto qytete, për shembull në rastin e Bolonjës, itinerari i ofruar përfshin deri në tre ndërrime trenash – një përvojë larg idesë së një udhëtimi të thjeshtë dhe ekonomik, transmeton albinfo.ch.

Sipas Schärli, një pjesë e problemit qëndron edhe në funksionalitetin e pamjaftueshëm të aplikacionit të SBB, i cili ende nuk është i aftë të tregojë në mënyrë të qartë biletat më të lira. “Nuk jemi ende aty ku duam të jemi,” pranoi ai, duke theksuar se kompania po punon me partnerë evropianë për të përmirësuar sistemin e rezervimeve ndërkombëtare.

Një alternativë për konsumatorët mund të jetë aplikacioni SBB Preview, ku në seksionin “Frymëzimi” mund të gjenden ide udhëtimesh dhe çmime të ulëta. Megjithatë, gjatë testimeve të SRF, edhe ky aplikacion rezultoi i pasaktë dhe me vështirësi teknike.

Schärli rekomandon që përdoruesit të përdorin faqen zyrtare të SBB për të kërkuar bileta me zbritje. Duke lëvizur poshtë në faqen kryesore, mund të gjendet një lidhje që ofron përmbledhje të çmimeve të ditës për udhëtime ndërkombëtare – një mënyrë më e sigurt për të kapur ndonjë nga ofertat e limituara që promovohen, shkruan SRF.

Ndërsa SBB premton çmime të ulëta dhe udhëtime të lehta drejt qyteteve evropiane, realiteti për klientët shpesh rezulton zhgënjyes. Deri sa të përmirësohet sistemi i rezervimeve dhe transparenca e ofertave, konsumatorët do të duhet të armatosen me durim – dhe pak fat – për të përfituar nga këto promovime, transmeton albinfo.ch.

Kur pritet të nis punën qeveria e re e Gjermanisë?

Gjermania është një hap më afër formimit të një qeverie të re, pasi aleanca konservatore CDU/CSU dhe Partia Socialdemokrate (SPD) kanë rënë dakord të krijojnë një koalicion qeverisës dhe kanë zbuluar këtë javë marrëveshjen e tyre prej 146 faqesh.

Marrëveshja, e arritur më 9 prill – më pak se gjashtë javë pas zgjedhjeve federale të 23 shkurtit – sinjalizon kthimin e një koalicioni të njohur në historinë politike të vendit, të quajtur “zi-kuq”, një bashkëpunim mes konservatorëve dhe socialdemokratëve që është përsëritur disa herë në të kaluarën, transmeton albinfo.ch.

Pas rënies së papritur të qeverisë së koalicionit “semafor” në vjeshtën e vitit të kaluar, Gjermania u përfshi në një fushatë zgjedhore të shpejtë dhe intensive. Vetëm dy javë pas zgjedhjeve nisën bisedimet formale mes CDU/CSU-së dhe SPD-së. Brenda pak javësh, palët arritën të miratojnë ligje kyçe që përfshijnë investime prej 500 miliardë euro në infrastrukturë dhe reforma për frenimin e borxhit, me qëllim rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen.

Përkundër ritmit të shpejtë, ende duhen disa hapa përpara se qeveria e re të hyjë zyrtarisht në detyrë dhe vendi të ketë kancelarin e ri.

14 prill – 3 maj: Pritet shpallja e emrave të ministrave
Ndërsa emrat për shumicën e posteve ministrore nuk janë zyrtarizuar ende, dihet se kryetari i CDU-së, Friedrich Merz, do të zëvendësojë Olaf Scholz-in si kancelar. Nga ana tjetër, SPD ka përzgjedhur Lars Klingbeil për Ministrinë e Financave, ndërsa Boris Pistorius pritet të vazhdojë si Ministër i Mbrojtjes. Alexander Dobrindt i CSU-së mund të marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme, ndërsa Carsten Linnemann dhe Johann Wadephul përmenden si kandidatë për Ekonominë dhe Punët e Jashtme.

SPD ka paralajmëruar se nuk do të publikojë emrat e ministrave të saj para përfundimit të votimit të anëtarësisë, në fund të muajit prill.

28–30 prill: Votimi për marrëveshjen e koalicionit
CSU-ja ka dhënë tashmë miratimin për marrëveshjen. CDU-ja pritet ta bëjë këtë më 28 prill në një mbledhje të brendshme. Ndërkohë, SPD do të zhvillojë një votim të brendshëm me pjesëmarrjen e 358.000 anëtarëve të saj. Procesi do të zgjasë dy javë, duke u mbyllur më 29 prill, me shpalljen e rezultateve një ditë më pas.

1–3 maj: Nënshkrimi zyrtar i marrëveshjes
Nëse të gjitha partitë i japin dritën jeshile marrëveshjes, nënshkrimi zyrtar pritet të bëhet në fillim të majit, menjëherë pas publikimit të rezultateve të votimit të SPD-së.

5–9 maj: Zgjedhja e kancelarit dhe betimi i qeverisë së re
Friedrich Merz ka shprehur synimin për t’u betuar si kancelar brenda javës që fillon më 5 maj. Bundestagu do të thirret në një seancë të posaçme, me gjasë më 7 maj, për të votuar kancelarin dhe kabinetin e ri. Të nesërmen, më 8 maj – një datë simbolike që shënon fundin e Luftës së Dytë Botërore në Evropë – Merz pritet të mbajë fjalimin e tij të parë si udhëheqës i Gjermanisë, shkruan The Local.

Nëse ky afat kohor respektohet, Gjermania do të ketë një qeveri të re vetëm gjashtë muaj pas rënies së koalicionit të mëparshëm në nëntor. Kjo do të shënonte një kthim në stabilitetin politik dhe në një model të njohur bashkëqeverisjeje, në një kohë kur sfidat e brendshme dhe ato ndërkombëtare kërkojnë vendime të shpejta dhe të koordinuara, transmeton albinfo.ch.


 

Fedpol: Rritje e raportimeve për pastrim parash, ndalimeve të hyrjes dhe kërcënimeve në Zvicër

Zyra Federale e Policisë së Zvicrës (Fedpol) ka publikuar raportin e saj vjetor për vitin 2024, duke shënuar rritje të ndjeshme në çështjet që lidhen me sigurinë kombëtare, financimin e terrorizmit dhe kërcënimet ndaj figurave publike. Të dhënat pasqyrojnë një klimë në përkeqësim të sigurisë në një botë gjithnjë e më të polarizuar.

Gjatë vitit 2024, janë regjistruar 15,141 raportime të dyshuara për pastrim parash dhe financim terrorizmi në Zyrën e Raportimit të Pastrimit të Parave (MROS) – një rritje prej 27.5% krahasuar me vitin paraprak. Kjo tendencë në rritje ka vazhduar prej vitesh dhe shihet si pasojë e zhvillimeve gjeopolitike dhe rritjes së transaksioneve ndërkombëtare të dyshimta, transmeton albinfo.ch.

Në përpjekje për të mbrojtur sigurinë e brendshme dhe të jashtme të vendit, Fedpol ka lëshuar 238 ndalime hyrjeje në Zvicër gjatë vitit 2024 – një rritje e ndjeshme nga 173 ndalime në vitin 2023.
Këto ndalime kanë të bëjnë kryesisht me:

Terrorizëm – 126 raste

Krim të organizuar – 43 raste

Ekstremizëm të dhunshëm – 35 raste

Spiunazh – 34 raste

Shumica e këtyre rasteve janë bazuar në informacion të ofruar nga partnerë ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit.

Në vitin 2024, janë urdhëruar katër dëbime – gjysma e shifrës së vitit 2023. Për herë të parë, një dëbim ka qenë për krime lufte, ndërsa tre të tjerët kanë qenë të lidhur me terrorizëm të mundshëm. Tre nga këto dëbime tashmë janë zbatuar.

Fedpol ka regjistruar 689 kërcënime ndaj personave të mbrojtur nga Konfederata, si anëtarët e qeverisë apo parlamentarët – një rritje nga 593 raste në 2023.
Nga këto, 71 raste (rreth 10%) janë vlerësuar si kërcënime reale, që kanë çuar në masa të tilla si:

Kontaktimi i personit që ka bërë kërcënimin

Dërgimi i një letre paralajmëruese

Masa mbrojtëse për viktimën potenciale

Sipas Fedpol, shumica e kërcënimeve ndodhin në mediat sociale, ku toni është bërë gjithnjë e më agresiv, dhe diskutimet rreth politikës janë gjithnjë e më polarizuese, shkruan RTS.

Autoritetet kantonale kanë bërë katër kërkesa për masa parandaluese në bazë të Aktit Federal për Luftimin e Terrorizmit, ndërsa Shërbimi Federal i Inteligjencës (FIS) nuk ka bërë asnjë kërkesë në vitin 2024. Masat e mundshme përfshijnë: Detyrim për t’u paraqitur; intervista të detyrueshme; ndalim kontakti apo ndalim gjeografik; Mbikëqyrje elektronike, transmeton albinfo.ch.

 

SBB planifikon rreth 1600 trena specialë për vitin 2025, për këtë arsye

Hekurudhat Federale të Zvicrës (SBB) po përgatiten për një vit jashtëzakonisht të ngarkuar, me rreth 1.600 trena specialë të planifikuar për t’u operuar gjatë vitit 2025 – dyfishi i numrit në një vit tipik me ngjarje të mëdha. Ky fluks i shtuar vjen si pasojë e numrit të pazakontë të aktiviteteve kulturore, sportive dhe muzikore që do të mbahen gjatë vitit në gjithë vendin.

Ngjarja e parë madhore është Eurovision Song Contest (ESC), që do të mbahet në Bazel nga 13 deri më 17 maj, ku SBB do të operojë 115 trena specialë për të përballuar fluksin e vizitorëve. Shefi i Transportit të Ngjarjeve pranë SBB, Florian Kurt, deklaroi në një konferencë për shtyp se synimi është që udhëtimi drejt dhe nga Bazeli të zhvillohet në mënyrë sa më të qetë për spektatorët, transmeton albinfo.ch.

Ndërsa pritet një pjesëmarrje deri në 250.000 vizitorë, nuk është ende e qartë se sa prej tyre do të përdorin trenin si mjet udhëtimi. SBB përdor të dhëna nga platforma e shitjes së biletave Ticketcorner për të përcaktuar origjinën e vizitorëve vendas, por nuk ka informacione të sakta për ata që vijnë nga jashtë vendit.

Viti 2025 është parashikuar të jetë jashtëzakonisht intensiv për SBB-në, me rreth 1.400 ngjarje të listuara në kalendarin e saj – nga koncerte e festivale, te ndeshje sportive dhe evente folklorike. Disa nga ngjarjet kryesore përfshijnë Kampionatin Evropian të Futbollit për Femra, Festivalin Zviceran të Mundjes dhe Alpeve në Mollis, si dhe Kampionatin profesional SwissSkills në Bernë, shkruan RTS.

Për të përballuar këtë fluks, punonjësit e SBB-së nuk do të lejohen të marrin pushime gjatë periudhave kyçe. Qendra Qendrore e Kontrollit të Trafikut (TCC), e udhëhequr nga Carlo Fasciati, ka një rol kyç në planifikimin dhe zbatimin e qarkullimit të trenave shtesë. Fasciati tha se TCC “duhet të punojë magjinë e saj” për të siguruar që secili nga 9.700 trenat ditorë të pasagjerëve të funksionojë pa probleme – veçanërisht rreth ESC, ku oraret e vonshme janë vendimtare për shumë udhëtarë që kërkojnë kthimin në shtëpi, përcjell albinfo.ch.

Shtetësia, migracioni i paligjshëm, punëtorët e kualifikuar, planet e qeverisë së re gjermane për të huajt?

Formimi i qeverisë së re në Gjermani, mes Unionit (CDU/CSU) dhe SPD-së, ka sjellë zhvillime të rëndësishme për qytetarët e huaj në vend. Një nga zotimet më të rëndësishme është ruajtja e ligjit për shtetësinë e dyfishtë, i cili hyri në fuqi në qershor 2024 dhe u konsiderua një nga arritjet kryesore të koalicionit të mëparshëm “semafor”.

Ky qëndrim përfaqëson një kompromis të madh nga CDU dhe CSU, të cilat gjatë fushatës kishin premtuar anulimin e këtij ligji. Pranimi për ta lënë atë në fuqi shihet si një hap i rëndësishëm në negociatat me SPD-në dhe një sinjal se Unioni është i gatshëm për lëshime serioze në formimin e qeverisë, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, qeveria e re ka paralajmëruar se do t’i japë fund rrugës së përshpejtuar trevjeçare për natyralizim për të huajt “të integruar në mënyrë të jashtëzakonshme”, duke e rikthyer afatin standard pesëvjeçar si të vetmin opsion për shtetësi.

Për fëmijët me prejardhje migrimi, qeveria planifikon të prezantojë teste gjuhësore mbarëkombëtare për fëmijët katërvjeçarë, për të vlerësuar aftësitë e tyre në të folur, lexim dhe dëgjim, në përputhje me moshën, shkruan The Local.

Në përpjekje për të ndihmuar emigrantët e kualifikuar të hyjnë më lehtë në tregun gjerman të punës, është paralajmëruar krijimi i një “Agjencie Pune dhe Qëndrimi”, që do të ndihmojë në procesin e integrimit profesional dhe ligjor.

Por, krahas këtyre masave lehtësuese, qeveria e re paralajmëron një qasje shumë më të ashpër ndaj migracionit “të parregullt”. Sipas qëndrimit të Unionit, do t’i jepet fund bashkimit familjar për ata që kanë mbrojtje të përkohshme, do të ndalohet hyrja e azilkërkuesve në kufi dhe do të nisë një “ofensivë deportimi” për personat pa të drejtë qëndrimi, përcjell albinfo.ch.

Po ashtu, është përmendur mundësia e heqjes së shtetësisë gjermane për shtetasit e dyfishtë që mbështesin ide “ekstremiste apo antisemitike”, por mbetet e paqartë si do të zbatohet kjo masë dhe nëse është e ligjshme sipas Kushtetutës gjermane.

LDK dhe PDK nuk do të votojnë për kryeparlamentarin më 15 prill

Kur kanë mbetur edhe katër ditë deri më 15 prill, ditën kur pritet të konstituohet Kuvendi i Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka numrat për ta votuar kryetarin që propozohet nga vetë ajo.

Të premten, krerët e partive politike që dolën e dyta, respektivisht e treta, thanë se nuk do ta votojnë kandidatin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Kushtetuta parasheh që më 15 të konstituohet Kuvendi. Nuk është e thënë që ne patjetër të votojmë. Krejt çka presim është që më 15 të propozohet kryetari i Kuvendit dhe ne të propozojmë nënkryetarët. Pse duhet të jetë problem të votohet kryetari i Kuvendit? Nuk është telashe të bëhen 61 vota. Unë vetëm shpresoj që do të ketë respektim – së pari të vullnetit qytetar, votës së qytetarit dhe Kushtetutës së Kosovës. Të martën, partia e parë duhet të propozojë kryetarin e Kuvendit – kjo është me rëndësi të ndodhë. Në momentin që ndodh kjo, jam i bindur se nuk do të ketë asnjë telashe që të bëhen 61 vota,” ka thënë Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, thotë se partia që ka dalë e para duhet ta krijojë shumicën parlamentare.

“Një kryetar i Kuvendit që nuk i ka 61 vota për vete, nuk duhet të jetë kryetar i Kuvendit të Kosovës në radhë të parë fare. Pra, minimalisht duhet t’i ketë 61 vota, më pas shihemi për gjëra të tjera. E njohim të drejtën e plotë të partisë së parë që të provojë të bëjë shumicën. Nëse jo, pas 15 ditësh, Kushtetuta ia njeh të drejtën secilës parti që dëshmon para Presidentes se mund ta bëjë shumicën, që ta bëjë një gjë të tillë. S’kemi mbërritur në atë pikë. Do të jem transparent kur të mbërrijmë aty,” tha Abdixhiku.

Deputeti i Listës Serbe intervistohet nga Prokuroria për sulmet ndaj gazetarëve në Leposaviq

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se ka intervistuar në cilësinë e të pandehurit deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq, lidhur me dyshimet për organizimin e sulmeve ndaj gazetarëve më 16 qershor 2023 në Leposaviq, shkruan albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar, Simiq dyshohet për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, në bazë të nenit 404 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ai akuzohet se ka dhënë urdhër për sulm ndaj gazetarëve gjatë protestave që u mbajtën atë ditë kundër vizitës së ish-ministrit për Komunitete dhe Kthim, Elbert Krasniqi.

Në komunikatën e Prokurorisë thuhet: “I pandehuri S.S., deputet i posazgjedhur i Kuvendit të Kosovës, dyshohet se më 16 qershor 2023, gjatë protestave në Leposaviq kundër vizitës së ish-ministrit E.K., ka dhënë urdhër për sulm ndaj gazetarëve dhe me këtë ka kryer veprën penale për të cilën është intervistuar.”

Gjatë asaj proteste, disa gazetarë ishin sulmuar me shok-bomba, gurë dhe dhunë fizike, teksa mbulonin zhvillimet në veri të vendit, ku komuniteti serb kundërshtonte emërimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe, shkruan albinfo.ch.

Sllavko Simiq, i cili ishte zgjedhur sërish deputet në zgjedhjet e parakohshme të 9 shkurtit, mori mbi 12 mijë vota, duke siguruar një tjetër mandat në Kuvendin e Kosovës.

Kosovë: Rritet çmimi i rrymës për 16% nga 1 maji

Nga data 1 maj, qytetarët e Kosovës do të përballen me rritje të faturave të energjisë elektrike, me një mesatare prej 16.1 për qind. Vendimi është marrë të premten nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), pavarësisht kundërshtimeve të shumta nga qytetarët dhe institucionet.

ZRRE ka shpërfillur komentet publike dhe ato të Presidencës, të cilat kishin kërkuar që të mos miratohet rritja e çmimit, duke shprehur shqetësimin se një vendim i tillë mund të shkaktojë një valë të re inflacioni dhe të rëndojë edhe më shumë gjendjen ekonomike të qytetarëve, shkruan albinfo.ch.

Ndryshimi i strukturës tarifore është paralajmëruar që do të finalizohet javën e ardhshme. Atëherë pritet të bëhen publike edhe detajet lidhur me numrin e bllok-tarifave, si dhe çmimet për secilën kategori – nga tarifa më e ulët deri te ajo më e larta.

ZRRE ka paralajmëruar se vendimi bazohet në analizat e kostove dhe nevojën për stabilitet financiar në sektorin energjetik, shkruan albinfo.ch.

Nga heshtja në zjarr: Detaje të reja tronditëse për tragjedinë e Épagny që la katër fëmijë pa prindër

Informacione të reja dalin në dritë rreth ngjarjes tragjike që tronditi fshatin Épagny të kantonit Fribourg, ku një burrë me origjinë nga Kosova dyshohet se vrau bashkëshorten e tij dhe më pas kreu vetëvrasje më 10 prill 2025. Detajet e fundit zbulojnë aspekte edhe më dramatike të këtij rasti të rëndë.

Burime të besueshme bëjnë të ditur se autori i dyshuar, rreth 42 vjeç, kishte një të kaluar problematike me bashkëshorten. Gruaja, rreth 38 vjeçe, kishte ngritur më parë padi për dhunë në familje ndaj tij. Mësohet se burri sapo kishte dalë nga burgu pas një dënimi të shkurtër për shkak të kësaj akuze, vetëm pak kohë para se të kryhej krimi tragjik, shkruan albinfo.ch.

Një element tjetër shqetësues i zbuluar së fundmi është se gjatë incidentit, krahas armës së zjarrit, dyshohet se autori ka përdorur edhe një granatë. Ky detaj rrit dyshimet se ngjarja ka qenë e mirëplanifikuar dhe e përgatitur paraprakisht.

Po ashtu, burime pranë hetimit kanë konfirmuar se zjarri që shkatërroi shtëpinë ku u gjetën trupat e viktimave ishte ndezur qëllimisht nga vetë autori, pas aktit të vrasjes së bashkëshortes.

Kjo tragjedi ka nxitur një debat të fortë në komunitetin lokal dhe në atë shqiptar rreth rëndësisë së reagimit të hershëm ndaj dhunës në familje dhe rrezikut real që ajo përbën për jetën e viktimave.

Albinfo.ch do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje zhvillimet e mëtejshme dhe të informojë lexuesit për çdo informacion të ri që lidhet me këtë ngjarje tragjike.

Nga gazetarja e albinfo.ch – Épagny, Fribourg, Zamira Bytyqi

Studenti zviceran thyen rekordin botëror të shpejtësisë së dronëve

Samuele Gobbi, një student në Shkollën e Inxhinierisë dhe Arkitekturës në Fribourg (HEIA-FR), ka thyer rekordin botëror të shpejtësisë me një dron me katërkopter, duke arritur 557.64 km/h. Kjo arritje është regjistruar në Rekordet Botërore të Guinness.

Ishte një sfidë personale që u shndërrua në një arritje teknike: në vetëm një semestër, Gobbi zhvilloi, ndërtoi dhe testoi një dron që vendosi një rekord shpejtësie, tha HEIA-FR në një deklaratë për shtyp të premten.

Një pilot i mprehtë FPV (First Person View), studenti i inxhinierisë elektrike po ndjek nga afër zhvillimet e shpejta teknologjike në fushën e dronëve. Me miqtë e tij, ai projektoi prototipin e tij të parë si pjesë e kursit të tij, me synimin për ta bërë atë sa më të shpejtë, transmeton albinfo.ch.

Duke pasur parasysh rezultatet premtuese, Gobbi sugjeroi që për tezën e tij të Masterit të studionte optimizimin e fluturimit me shpejtësi të lartë me një katërkopter. Nën mbikëqyrjen e Nicolas Rouvé, dhe me mbështetjen e anëtarëve të Grupit Kërkimor Ndërdisiplinor të UAV-ve (GRID) të HEIA-FR, Gobbi zhvilloi, ndërtoi dhe testoi UAV-në “Fastboy 2” (Ajror pa pilot), shkruan swissinfo.

Projekt ndërdisiplinor

Disa koncepte novatore e veçojnë Fastboy 2 nga konkurrenca: sistemi i tij inercial i ftohjes së ujit dhe dizajni revolucionar aerodinamik.

“Inercia e lartë termike e ujit, e cila gjendet në dy rezervuarë, mundëson ftohjen e elektronikës. Përveç kësaj, krahët e dronit janë projektuar për të mbajtur anijen me shpejtësi të lartë. Në ajër, forca vjen si nga motori ashtu edhe nga krahët”, shpjegoi Gobbi.

“Është shumë një projekt ndërdisiplinor: jam marrë me aspektet elektrike, por edhe me mekanikën, aerodinamikën dhe menaxhimin e projektit,” tha ai, duke shtuar se njohuritë dhe aftësitë e fituara gjatë tezës së magjistraturës janë po aq të rëndësishme sa edhe rezultati përfundimtar.

Analiza e rrezikut

Analiza e rrezikut është gjithashtu një temë themelore në garantimin e sigurisë së njerëzve dhe objekteve. Megjithëse është në përputhje me rregulloret aktuale, funksionimi i këtij avioni 1.6 kg me fuqi maksimale prej 10 kW kërkon masa rigoroze sigurie.

Ndërsa testet përparuan, mundësia për të mposhtur rekordin e mëparshëm të vendosur në 480 km/h nga Luke Maximo Bell i Afrikës së Jugut u shfaq e madhe. Protokolli i certifikimit ishte i rreptë: fluturimi duhej të ishte horizontal ose lart, dhe 100 metra në vijë të drejtë, në dy drejtime të kundërta, të gjitha brenda së njëjtës orë.

Ekspertët e jashtëm mbikëqyrën provën dhe konfirmuan shpejtësinë e arritur: 557.64 km/h. Rekordi më pas u regjistrua në Rekordet Botërore Guinness.

A mund t’u mohohet mbulimi shëndetësor në Austri për shkak të kushteve para-ekzistuese?

Marrja e sigurimit shëndetësor privat në Austri me kushte para-ekzistuese mund të jetë sfiduese, por nuk është e pamundur. Ja çfarë duhet të dini.

Të kesh sigurim shëndetësor privat në Austri ka disa përfitime – një zgjedhje më e gjerë e mjekëve dhe kohë më të shkurtra pritjeje, për fillim. Por kushdo me kushte para-ekzistuese mund të jetë i shqetësuar nëse siguruesit privatë mund t’ua mohojnë ose jo mbulimin.

Fakti është se siguruesit privatë mund të mohojnë mbulimin ose të vendosin kufizime për shkak të problemeve të mëparshme shëndetësore, por nuk është aq e thjeshtë. Përveç kësaj, njerëzit që punojnë, përfitojnë përfitime ose vartësit e tyre në Austri kanë gjithmonë të drejtë për sigurim shëndetësor publik, pavarësisht nga historia shëndetësore.

Këtu keni gjithçka që duhet të dini për t’u siguruar me kushte para-ekzistuese.

Çfarë është saktësisht një gjendje para-ekzistuese?

Një gjendje para-ekzistuese i referohet çdo sëmundjeje, lëndimi ose problemi mjekësor që keni pasur përpara se të aplikoni për sigurim. Kjo përfshin sëmundje kronike si diabeti ose sëmundjet e zemrës, operacionet e kaluara ose trajtimi i vazhdueshëm i shëndetit mendor. Zakonisht nuk përfshin kontrolle të vogla ose rutinë, shkruan thelocal, përcjell albinfo.at.

Kompanitë e sigurimeve ju kërkojnë të plotësoni një pyetësor të detajuar shëndetësor kur aplikoni, duke mbuluar historinë tuaj mjekësore nga vitet e fundit – zakonisht tre deri në pesë.

A mund të mohojnë siguruesit mbulimin privat shëndetësor për shkak të kushteve para-ekzistuese?

Po, siguruesit privatë në Austri mund t’ju refuzojnë mbulimin bazuar në historinë tuaj mjekësore. Por kjo rrallë nënkupton një refuzim automatik. Sipas ekspertëve të sigurimeve në Zusatz-Versicherungen.at, kompanitë zakonisht trajtojnë kushtet para-ekzistuese në një nga disa mënyra:

  • Të pranojë plotësisht pa kushte shtesë.
  • Të pranojë, por të paguajë një prim më të lartë (që quhet shtesë rreziku).
  • Përjashtoni mbulimin që lidhet veçanërisht me gjendjen tuaj para-ekzistuese.
  • Refuzoni plotësisht aplikimin tuaj (relativisht e pazakontë).

Për shembull, nëse keni pasur një operacion në gju tetë vjet më parë, disa sigurues mund të mos pyesin për këtë nëse pyetësori i tyre shëndetësor mbulon vetëm pesë vitet e fundit.

Përvojat e jetës reale: Jo të gjitha kushtet trajtohen në mënyrë të barabartë

Siguruesit nuk ndjekin kritere uniforme. Sipas një studimi nga shoqata e konsumatorëve të Austrisë (VKI), të njëjtat kushte shëndetësore mund të rezultojnë në rezultate dramatike të ndryshme në varësi të ofruesit.

Për shembull, një test VKI zbuloi se një fëmijë tre vjeçar me bronkit të mëparshëm dhe alergji të lehta u pranua pa kushte nga disa sigurues. Megjithatë, të tjerët kërkuan prime dukshëm më të larta ose mbulim të kufizuar.

Një tjetër subjekt testimi – një aplikant 23-vjeçar me hipotiroidizëm dhe obezitet – u përball me refuzimin nga të gjithë siguruesit që iu afruan.

Në mënyrë të ngjashme, një përdorues i Reddit ndau përvojën e tij të refuzimit të menjëhershëm për shkak të kushteve të shëndetit mendor, duke përfshirë ADHD dhe çrregullimet e ankthit, duke vënë në dukje se “kompanitë e sigurimeve thjesht nuk duan të paguajnë”.

A duhet të fshihni kushtet tuaja të mëparshme?

Definitivisht jo. Ndërsa disa aplikantë mund të ndjehen të tunduar për të fshehur çështjet shëndetësore, ekspertët paralajmërojnë fuqishëm kundër kësaj. Nëse nuk arrini të deklaroni historinë tuaj mjekësore, siguruesit mund të refuzojnë të paguajnë dëmet më vonë ose të ndërpresin plotësisht kontratën tuaj.

VKI shprehimisht thotë: “Nëse një kusht paraekzistues që është fshehur nga siguruesi bëhet i dukshëm, siguruesi nuk duhet të paguajë.” Kjo gjithashtu mund të çojë në pasoja të rënda ligjore.

Si mund t’i përmirësoni shanset tuaja për t’u pranuar?

Të qenit i hapur për historinë tuaj shëndetësore është thelbësore, por ka gjëra të tjera që mund të bëni për të rritur shanset tuaja. Për shembull, ju duhet të aplikoni për sigurues të shumtë, pasi secila kompani vlerëson rreziqet ndryshe – të refuzoheni nga një nuk do të thotë që do të refuzoheni nga të gjithë. Për të ndihmuar në thjeshtimin e procesit, siguroni dokumentacion të detajuar mjekësor përpara. Gjithashtu ia vlen të merret parasysh negocimi; me mbështetjen e një këshilltari sigurimesh, mund të jeni në gjendje të reduktoni tarifat shtesë të primit ose të shkurtoni periudhat e pritjes.

Çfarë ndodh nëse përballeni me refuzimin?

Refuzimi mund të jetë dekurajues, por nuk është fundi i rrugës. Për shkak se siguruesit ndryshojnë shumë, një kompani tjetër mund të ofrojë mbulim me më pak kufizime ose një tarifë shtesë më të ulët.

Ndonjëherë siguruesit rishikojnë refuzimet ose kufizimet e mëparshme nëse mund të përmirësoni gjendjen tuaj – për shembull, duke menaxhuar në mënyrë efektive sëmundjet kronike ose humbjen e peshës.

A ia vlen akoma sigurimi shëndetësor privat me kushtet para-ekzistuese?

Sigurimi privat ofron avantazhe të dukshme, si kohë më të shkurtra pritjeje, zgjedhje më të madhe të mjekëve dhe specialistëve dhe akses në ambientet e spitaleve private.

Megjithatë, nëse siguruesit vendosin kufizime të rënda, përjashtime ose pagesa të konsiderueshme për shkak të historisë suaj mjekësore, konsideroni me kujdes nëse këto avantazhe i tejkalojnë kostot.

Është gjithashtu e rëndësishme të mendosh afatgjatë: pasi të pranohet, ndryshimi i ofruesve më vonë është kompleks dhe primet shpesh rriten me kalimin e moshës.

Sigurimi shëndetësor publik: Mbulim i garantuar

Pavarësisht nga gjendja juaj shëndetësore, është thelbësore të mbani mend se sigurimi shëndetësor publik (gesetzliche Krankenversicherung) është i garantuar në Austri. Ai zbatohet pothuajse për të gjithë ata në punë me pagesë, për shumicën e personave të vetëpunësuar, për personat që pretendojnë përfitime papunësie, për pensionistët dhe për personat në ngarkim të të gjitha këtyre grupeve.

Edhe nëse nuk bëni pjesë në asnjërën nga këto kategori, mund të aplikoni për t’u vetësiguruar nga sigurimi shëndetësor publik – dhe ata nuk do t’ju pyesin për kushtet para-ekzistuese. Kushti i vetëm është që të jetoni në Austri dhe të mos keni të drejtë për sigurim tjetër të detyrueshëm shëndetësor.

Mbulimi i shëndetit publik siguron që nuk do të mbeteni pa kujdes mjekësor, edhe nëse siguruesit privatë vendosin të mos ju mbulojnë.

Cilat janë ligjet rreth detektorëve të kamerave të shpejtësisë në Zvicër?

Nëse jeni i ri në Zvicër, ose planifikoni të udhëtoni këtu nga jashtë, mund të pyesni veten se çfarë thotë ligji zviceran për përdorimin e pajisjeve që zbulojnë kamerat e shpejtësisë ose kontrollet e shpejtësisë nga policia.

Disa sisteme të integruara GPS në makina mund të përdoren për të paralajmëruar shoferët për praninë e kamerave fikse të shpejtësisë në rrugë.

Ekzistojnë gjithashtu aplikacione të shumta për smartphone që ofrojnë të njëjtin shërbim paralajmërimi dhe gjithashtu paralajmërojnë shoferët për praninë e kontrolleve të policisë, kur oficerët përdorin radar për të kapur shoferët me shpejtësi, transmeton albinfo.ch.

Pra, ndërsa këto pajisje dhe aplikacione mund të jenë të njohura për shoferët, të cilët duan të shmangin një gjobë nëse kalojnë kufijtë e shpejtësisë, a janë ato të ligjshme në Zvicër?

A mund t’i keni këta detektorë në makinën tuaj?

Sipas qeverisë, “në Zvicër është e ndaluar përdorimi i pajisjeve paralajmëruese të kamerave të shpejtësisë”, pavarësisht nga lloji: një model i pavarur, ose ato të integruara në sistemet GPS ose telefonat celularë.

Arsyeja e ndalimit është e qartë – sepse këta detektorë duket se promovojnë shpejtësinë dhe për këtë arsye i bëjnë rrugët më të rrezikshme.

Drejtuesit e mjeteve ngadalësojnë shpejtësinë vetëm nëse e dinë se ku ndodhen kurthët e shpejtësisë dhe përshpejtojnë përsëri pasi i kalojnë, shkruan thelocal.

Nëse jeni turist ose thjesht kaloni tranzit nëpër Zvicër, sigurohuni që të çaktivizoni pajisjet tuaja të zbulimit ndërsa jeni në vend.

Çfarë ndodh nëse përdorni një detektor dhe kapeni?

“Pajisjet e kësaj natyre do të konfiskohen dhe do t’u dorëzohen autoriteteve përgjegjëse kantonale,” thotë qeveria.

“Si rregull, pajisja do të shkatërrohet dhe do të vendoset një gjobë”, shuma e së cilës do të përcaktohet nga kantoni ku jeni kapur.

Gjobat ndryshojnë, me një shofer francez që gjobitet me 400 franga në vitin 2019 dhe sipas blogjeve të automobilistëve shuma mund të shtrihet nga 600 në 1,000 franga në varësi të kantonit.

Zvicër: Rriten rastet e pastrimit të parave dhe krimeve që lidhen me pedofili

Raporti vjetor i vitit 2024 i Zyrës Federale të Policisë (Fedpol) zbulon se numri i rasteve të dyshuara të pastrimit të parave, raporteve për kërcënime ndaj oficerëve dhe rasteve të krimeve që lidhen me pedofilinë ka shënuar rritje gjatë vitit të kaluar – në disa raste, ndjeshëm.

Numri i raporteve të marra nga Zyra e Raportimit të Pastrimit të Parave në Zvicër (MROS) është rritur në mënyrë të konsiderueshme gjatë viteve të fundit. Krahasuar me një vit më parë, autoriteti regjistroi një rritje prej 27.5% të raporteve për aktivitete të dyshimta në lidhje me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, shkruan swissinfo, përcjell albinfo.ch.

Numri i raporteve për kërcënime gjithashtu u rrit paksa vitin e kaluar, pas një rënieje të përkohshme pas heqjes së masave për Covid-19. Në vitin 2024, Fedpol mori dhe shqyrtoi 689 raporte. Sipas raportit vjetor të Fedpol-it, përmbajtja e këtyre kërcënimeve ishte alarmante dhe toni veçanërisht agresiv.

Autoriteti raportoi gjithashtu një rritje të rasteve të pedofilisë që kanë lidhje me Zvicrën.

ÖBB thyen rekord me mbi gjysmë miliardë pasagjerë në 2024

Në vitin 2024, Hekurudhat Federale Austriake (ÖBB) tejkaluan një moment historik, duke transportuar për herë të parë mbi gjysmë miliardë pasagjerë.

Një total prej 511.3 milionë pasagjerësh udhëtuan me trenat dhe autobusët e ÖBB-së vitin e kaluar, njoftoi kompania të premten. Rezultati para tatimit (EBT) u rrit me 2 milionë euro, duke arritur në 113.6 milionë euro.

“2024 ishte një vit i mbushur me sfida – siç ishte përmbytja një herë në shekull. Por ishte gjithashtu një vit arritjesh”, tha CEO i ÖBB-së, Andreas Matthä, në deklaratën për shtyp të kompanisë, shkruan theinternational. Në total janë mbuluar 172.8 milionë kilometra me tren, që paraqet një rritje prej 4.2% krahasuar me një vit më parë, 2023, përcjell albinfo.at.

Numri i përgjithshëm i pasagjerëve është rritur me 17.7 milionë ose 3.6%. Kjo rritje i atribuohet kryesisht një shtimi prej 9.8% në trafikun e udhëtarëve të përditshëm.

Nga heshtja në zjarr, tragjedia që tronditi shqiptarët në Zvicër

Komuniteti shqiptar në Zvicër është tronditur sot, pasi në Épagny, mëngjesin e sotëm ka ndodhur një tragjedi. I dyshuari, shqiptari me inicialet R.B. nga komuna e Malishevës, vrau dhe dogji bashkëshorten, e më pas edhe veten.

Në vendin e ngjarjes pati një ndërhyrje të madhe policore dhe të zjarrfikësve, në një zonë të qetë rezidenciale të këtij fshati të kantonit Fribourg. Rreth orës 9:15, dëgjoheshin sirena dhe zhurma të tensionuara.

Ndërsa policia kishte izoluar zonën, gazetarja e albinfo.ch nga vendi i ngjarjes vërejti ndërhyrjen e forcave speciale, të cilat hynë me forcë në shtëpi duke bërtitur “Duart lart!”, teksa flakët nisën të përhapeshin. Zjarrfikësit e Gruyères dhe Broc arritën ta vinin zjarrin nën kontroll rreth mesditës.

Sipas autoriteteve, dy trupa pa shenja jete u gjetën nën rrënojat e shtëpisë, bashkë me një armë të gjatë. Sipas informacioneve të mbledhura në vendin e ngjarjes dhe nga burime të besueshme në komunitetin shqiptar, viktimat ishin një burrë dhe një grua me origjinë nga Kosova – konkretisht nga rajoni i Malishevës. Ai ishte 42 vjeç, ajo 38. Ata ishin të martuar dhe prindër të katër fëmijëve, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave jozyrtare, gruaja punonte si pastruese në atë shtëpi, ndërsa burri kishte qenë më parë i punësuar në një firmë lokale. Ai dyshohet se ka hyrë në shtëpi me një armë zjarri, ka qëlluar mbi bashkëshorten dhe më pas ka shkaktuar zjarrin, ku humbi jetën edhe vetë.

Burime nga komuniteti i informuan gazetarët se çifti kishte pasur marrëdhënie të tensionuara prej kohësh. Viktima thuhet ta kishte denoncuar bashkëshortin për dhunë në familje, dhe ai kishte qëndruar për rreth një muaj në paraburgim. Vetëm pak kohë pas lirimit të tij ka ndodhur kjo ngjarje tragjike.

Pamjet nga vendi i ngjarjes janë tronditëse: dritare të thyera, mure të nxira nga tymi, struktura e vilës pjesërisht e shkatërruar. Banorët vendas ishin ende të tronditur. Një prej tyre i tha gazetares sonë: “Nuk e kemi përjetuar kurrë diçka të tillë. Ishte si një film, por me fund tragjik, këtu pranë nesh.”

Policia kantonale ka konfirmuar se rrethanat janë ende objekt hetimi, ndërsa identifikimi zyrtar i viktimave vazhdon. Hetimi po udhëhiqet nga Zyra e Prokurorit Publik të Fribourgut.

Organizatat për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje kanë reaguar duke theksuar se dhuna nuk duhet të injorohet asnjëherë dhe se ndihma duhet kërkuar menjëherë.

Albinfo.ch do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet nga ky rast dhe të informojë lexuesit në kohë reale për çdo zhvillim të mëtejshëm.

Nga gazetarja e Albinfo.ch – Épagny, Fribourg, Zamira Bytyqi

Reklamë
X

Abonohu në revistën tonë