Shtëpia e Bardhë ka publikuar një orar se kur planifikohet të arrijnë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe liderët evropianë.
Liderët evropianë pritet të arrjnë në Ëashington në mesditë me kohë lokale të SHBA-së (rreth orës 18:00 me zonën tonë kohore).
Një orë më vonë, Zelensky do të pritet nga Trumpi para se të nisë takimin bilateral teksa rreth orës 14:15 me kohë lokale (20:15 me zonën tonë kohore), Donald Trump do të takohet me liderët evropianë para një foto në grup.
Takimi shumëpalësh do të zhvillohet rreth orës 15:00 me kohë lokale (21:00 me zonën tonë kohore).
Ndryshe, presidenti ukrainas, në Shtëpinë e bardhë do të shoqërohet nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni dhe presidenti i Finlandës, Alexander Stubb.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ka uruar nxënësit dhe mësuesit në Zvicër!
“Të nderuar nxënës, prindër dhe mësues. Me fillimin e vitit të ri shkollor, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë ju përcjell urimet më të përzemërta për një vit të mbarë, plot suksese dhe përparim në rrugëtimin tuaj arsimor dhe personal.
Ky moment i ri është gjithmonë një mundësi e re për të nxitur dëshirën për dije, për të kultivuar identitetin dhe për të forcuar lidhjet me kulturën dhe traditat tona kombëtare.
Në veçanti, i drejtohemi me respekt dhe mirënjohje të thellë nxënësve që ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Ju jeni brezi që me përkushtim dhe entuziazëm mbani gjallë lidhjen e çmuar me gjuhën dhe atdheun, duke treguar se edhe larg vendit të origjinës, gjuha shqipe është pasuria jonë më e madhe dhe një urë lidhjeje me rrënjët tona. Gjuhën tonë e quajmë shpirtin e kombit, dhe kjo vlerë e thellë është trashëguar nga rilindasit tanë, të cilët e kanë cilësuar gjuhën shqipe si elementin më të rëndësishëm të identitetit tonë kombëtar.
Pa përkushtimin dhe sakrificën e mësuesve vullnetarë, që prej më shumë se tridhjetë vjetësh japin me pasion dhe përkushtim dijen e tyre dhe kulturën shqiptare brezave të rinj në diasporë, kjo lidhje me gjuhën dhe traditën do të ishte shumë më e vështirë të ruhej dhe zhvillohej. Falënderojmë zemërgjerësisht mësuesit, por edhe prindërit, të cilët me sakrifica të shumta mbështesin këtë përpjekje të përbashkët. Ju jeni shtylla kryesore që sigurojnë që brezat e ardhshëm të mos humbin identitetin dhe të vazhdojnë të ndjehen pjesë e kombit tonë.
Shteti i Kosovës, përmes Ambasadës në Bernë, Konsullatave në Gjenevë dhe Cyrih, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë, i kushton një rëndësi të veçantë dhe investon në ruajtjen dhe zhvillimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër. Ky bashkëpunim institucional është dëshmi e angazhimit tonë për të mbështetur dhe forcuar lidhjen kulturore dhe arsimore me atdheun, në mënyrë që brezat e rinj të jenë krenarë për origjinën dhe trashëgiminë e tyre.
Në këtë kuadër, ju bëjmë thirrje të gjithë prindërve të regjistrojnë fëmijët e tyre në mësimin plotësues në gjuhën shqipe dhe të vazhdojnë të jenë pjesë aktive në këtë proces të rëndësishëm. Së bashku, ne mund të ndërtojmë një të ardhme ku gjuha, kultura dhe traditat tona do të jenë gjithmonë pjesë e jetës së përditshme të brezave të rinj.
Ju urojmë që ky vit shkollor të jetë i mbushur me dije të reja, arritje të larta dhe përvojë të pasur, duke ju inkurajuar të ecni përpara me krenari, dashuri dhe përgjegjësi për të ruajtur gjuhën dhe identitetin tonë kombëtar, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Zvicër.
Edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë përcjell urimet më të përzemërta dhe mirënjohjen e thellë për mësuesit e gjuhës shqipe në Zvicër, të cilët me përkushtim, dashuri dhe profesionalizëm u japin fëmijëve tanë mundësinë të rriten me gjuhën dhe kulturën e tyre amtare.
“Si çdo vit, Ambasada mbështet këtë mision fisnik edhe me shpërndarjen falas të teksteve të gjuhës shqipe për nxënësit në Zvicër nga Qendra e Botimeve për Diasporën. Së shpejti do të shpërndahen të gjitha tekstet e kërkuara nga mësuesit shqiptarë, duke u mundësuar fëmijëve vazhdimësi në mësim dhe lidhje më të fortë me gjuhën e nënës.
Ftojmë të gjithë prindërit shqiptarë që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në klasat e gjuhës shqipe, sepse ruajtja e gjuhës është ruajtja e identitetit tonë kombëtar.
Gëzuar vitin e ri shkollor dhe suksese të gjithë nxënësve e mësuesve!”, thuhet në njoftim.
Valdet Fejza nga fshati Kçiq i Madh në Mitrovicë tregon se zjarri ia dogji një shtëpi të pabanuar. Ai tregon se shtëpinë e re nuk ia shpëtuan zjarrfikësit, por fqinjët, duke përdorur ujin nga pusi, lopata dhe mjete të tjera për shuarjen e zjarrit.
“Zjarrfikësit kanë ardhur krejt vonë, pjesën poshtë e kanë fikur, pjesën tjetër ne e kemi fikur vetë. Është mungesë e tyre. Ata e kanë kryer punën e tyre, por me dy cisterna, shuarja e zjarrit në gjithë këtë katund është punë e vështirë”, rrëfen Fejza për Radion Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.
Valdet Fejza, banor i fshatit Kçiq i Madh, të cilit iu ka djegur shtëpia nga zjarri.
Për vetëm dy ditë, dhjetëra hektarë pyje, ara dhe prona u dogjën vetëm në fshatin Kçiq i Madh në Mitrovicë duke lënë pas tym, hi dhe tokë të nxirë.
Banorët u ankuan se shuarja e zjarreve ishte sfidë për shkak të mungesës së personelit të zjarrfikësve.
Historia e Fejzës është vetëm një nga shumë raste që tregojnë vështirësitë me të cilat përballen zjarrfikësit në Kosovë, sidomos javëve të fundit, kur qindra vatra zjarri kanë përfshirë vendin.
Në nivel vendi, Kosova i ka 734 zjarrfikës. Ky numër është i konsiderueshëm, por jo i mjaftueshëm, thotë shkurt Nexhat Behrami, zëvendësdrejtor i Departamentit të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, në kuadër të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave (AME).
Por, Muharrem Beka, kryetar i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky numër është jashtëzakonisht i vogël dhe i pamjaftueshëm për t’u përballur me situata si kjo.
“Me këtë numër është sfidë edhe në kushte normale, e jo në situata me kaq shumë vatra zjarri. Në këto raste na duhen edhe dhjetë herë më shumë zjarrfikës. Falë qytetarëve vullnetarë po arrijmë ta menaxhojmë disi, por në komunat e vogla gjendja është edhe më e rëndë”, tha Beka.
Ai konsideron se Kosova ka mungesë edhe për 400 zjarrfikës. Në bazë të rregullores për strukturën organizative të njësive profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit, për çdo 1.500 banorë nevojitet së paku një zjarrfikës.
Kosova ka rreth 1.6 milion banorë dhe në bazë të kësaj llogaritjeje, vendi ka nevojë për 1.100 zjarrfikës për të plotësuar standardin.
Nevoja për investime
Beka shton se problemi thellohet edhe më shumë nga mosha mesatare e lartë e zjarrfikësve – rreth 50 vjeç – dhe nga automjetet e pajisjet e vjetruara me të cilat ata punojnë. Disa prej automjeteve, tregon ai, datojnë nga vitet ’80, ndërsa më të rejat janë të vitit 2015.
“Është urgjente që institucionet t’i harmonizojnë qëndrimet dhe të rrisin numrin e punëtorëve. Duhet të rritet buxheti për zjarrfikësit, për të përmirësuar në thelb këtë gjendje. Me pajisje të vjetruara nuk mund të funksionojmë”, thekson Beka.
Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave nuk tregoi për Radion Evropa e Lirë se cili është buxheti vjetor për këtë njësi. Por, në Ligjin për Buxhet të vitit 2025, janë paraparë 9.6 milionë euro për shërbimet publike, mbrojtje civile dhe emergjenca – ku bëjnë pjesë edhe zjarrfikësit.
Eksperti i emergjencave, Tahir Ahmeti, tha se që nga përfundimi i luftës, asnjë qeveri nuk ka investuar mjaftueshëm për zjarrfikësit, çka e vështirëson punën e tyre në terren.
“Në shumicën e komunave ekzistojnë pajisje të vjetruara, pastaj mjetet janë jashtë standardeve që kërkohen. E gjithë kjo e bën punën e vështirë të zjarrfikësve, të cilët janë gjithmonë të gatshëm të ndihmojnë për të shpëtuar jetën e qytetarëve dhe pronave të tyre”, tha ai.
Ahmeti, drejtor ekzekutiv në Qendrën Kërkimore për Politika të Sigurisë, vlerëson se investimet janë të domosdoshme, pasi çdo vit vendi po përballet me vatra zjarri, të cilat po shkaktojnë pasoja të mëdha, duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe duke ndotur ambientin.
Duke marrë parasysh mungesën e zjarrfikësve dhe dëmet e shkaktuara nga zjarret, Ahmeti thotë se qytetarët duhet të tregojnë më shumë kujdes, veçanërisht gjatë verës, kur temperaturat e larta rrisin rrezikun për shpërthimin e flakëve.
Kosova sivjet është përballur me temperatura të larta, madje në muajin korrik është regjistruar temperaturë rekorde – mbi 40 gradë Celsius.
Shumica e zjarreve shkaktohen nga pakujdesia ose veprimet e qëllimshme të njerëzve.
Institucionet, sipas Ahmetit, duhet t’i shtojnë fushatat vetëdijësuese, për t’ia kujtuar publikut se zjarrvënia përbën vepër penale.
Sipas Kodit Penal, zjarrvënia është vepër që dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet, ndërsa nëse shkakton djegie të banesës së banuar ose automjetit, dënimi shkon nga një deri në pesë vjet.
Kur dëmi arrin shifrën mbi 20 mijë euro ose shkakton lëndim të rëndë trupor, dënimi parashihet nga tre deri në dhjetë vjet burgim. E në rast të vdekjes, dënimi minimal është 10 vjet ose burgim i përjetshëm.
Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka bërë të ditur më 13 gusht se vetëm gjatë javës së fundit, në nivel vendi janë raportuar mbi 633 raste të zjarreve fushore dhe malore dhe 23 persona janë arrestuar nën dyshimin për zjarrvënie të qëllimshme.
Ministria e Bujqësisë nuk iu përgjigj Radios Evropa e Lirë, se sa hektarë pyje dhe tokë bujqësore janë përfshirë nga zjarri gjatë këtij viti.
Për shkak të temperaturave të larta, javëve të fundit zjarre masive kanë përfshirë edhe Shqipërinë, Malin e Zi dhe vende të tjera të Evropës.
Si pasojë e tyre kanë vdekur të paktën 24 njerëz dhe janë shkatërruar shumë shtëpi e objekte të tjera.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky “mund ta përfundojë luftën me Rusinë menjëherë”, ndërsa e hodhi poshtë idenë e Ukrainës që t’i bashkohet NATO-s dhe të rikthejë Gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Rusia si jorealiste.
Në platformën e tij Truth Social, Trump tha se Zelensky “mund ta përfundojë luftën me Rusinë pothuajse menjëherë, nëse dëshiron, ose mund të vazhdojë të luftojë”, transmeton albinfo.ch.
“Mbani mend se si filloi. Nuk ka kthim mbrapsht të Obamës duke pasur parasysh Krimenë (12 vjet më parë, pa u qëlluar asnjë plumb!), dhe NUK KA HYRJE NË NATO NGA UKRAINA”, theksoi Trump, i cili i përdor shpesh shkronjat kapitale në postimet e tij.
Vërejtjet e Trump erdhën përpara një takimi të planifikuar me Zelenskyn në Uashington të hënën dhe përforcojnë qëndrimin e hershëm të Moskës se anëtarësimi në NATO për Ukrainën dhe rikthimi i Krimesë janë çështje të panegociueshme.
Në të kaluarën, Trump i ka atribuar Zelenskyt përgjegjësinë e pjesshme dhe ndonjëherë edhe të vetme për pushtimin e Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Dr. Naim Azemaj është specialist i mjekësisë parandaluese dhe, që nga viti 2019 udhëheq ordinancën e tij moderne në Oftringen, Kantoni Aargau. Por para se të arrinte këtu, ai ka kaluar një rrugë të gjatë e të suksesshme në profesionin e mjekut, në spitale dhe qendra mjekësore, ku mbante edhe pozita udhëheqëse. Në intervistën për albinfo.ch, Dr. Azemaj shpalos bagazhin e tij prej mjeku të përkushtuar specialist, pastaj flet për ofertën e ordinancës së tij, për përvojat me pacientët, shqiptarë e zviceranë etj.
Albinfo.ch: Dr. Azemaj, si do ta përshkruanit rrugëtimin tuaj profesional deri në hapjen e kësaj ordinance në Oftringen?
Dr. Naim Azemaj: Rrugëtimi im profesional ka qenë një përzierje e përkushtimit akademik, përvojave të ndryshme klinike dhe një kërkimi të vazhdueshëm për kuptimin më të thellë të shëndetit njerëzor. Pas përfundimit të studimeve në mjekësi, pata mundësinë të punoj në disa institucione të njohura në Zvicër, ku fitova përvojë në mjekësinë e përgjithshme dhe atë të brendshme, në kirurgji, radiologji dhe mjekësinë emergjente. Që nga viti 2019 kam hapur ordinancën time private në Oftringen, Kantoni Aargau. Megjithatë, gjithmonë ndjeja se mungonte një qasje më e thellë, më gjithëpërfshirëse, që e vendos pacientin në qendër dhe që nuk fokusohet vetëm në trajtimin e simptomave, por në parandalimin e sëmundjeve. Kjo më çoi drejt hapjes së kësaj ordinance në Oftringen një vend ku mund të bashkoj shkencën moderne me një filozofi humane dhe parandaluese të kujdesit shëndetësor.
Albinfo.ch: Çfarë ju ka frymëzuar të zgjidhni pikërisht këtë qasje të mjekësisë parandaluese?
Dr. Naim Azemaj: Inspirimi erdhi nga vëzhgimi i vazhdueshëm se si shumë sëmundje kronike, shpesh herë, janë pasojë e stilit të jetesës, stresit dhe mungesës së ndërgjegjësimit për trupin dhe mendjen. Mjekësia parandaluese nuk është thjesht një disiplinë është një filozofi që kërkon ta kthejë pacientin në një bashkudhëtar të vetëdijshëm në kujdesin për shëndetin. Unë besoj fuqishëm se një ndërhyrje e hershme, edukimi dhe mbështetja afatgjatë mund të bëjnë diferencën në cilësinë e jetës së një njeriu.
Albinfo.ch:Si ndikuan përvojat tuaja të mëparshme në këtë vendim për të ndërtuar një ordinancë me një filozofi të veçantë?
Dr. Naim Azemaj: Përvojat klinike më mësuan shumë për sistemin shëndetësor tradicional, për kufizimet dhe mundësitë e tij. Por pikërisht ato kufizime më shtynë të kërkoj më shumë një mjekësi që dëgjon, kupton dhe parandalon, përpara se të trajtojë. Kam parë raste të panumërta ku një këshillë e dhënë me kohë, një analizë më e thelluar apo një ndërhyrje në stilin e jetesës do të kishte shmangur vuajtje të mëdha. Ky reflektim i vazhdueshëm më udhëhoqi drejt krijimit të një ordinance me një qasje të personalizuar, individuale dhe precize.
Rreth ordinancës dhe konceptit të saj unik
Albinfo.ch: Ordinanca juaj ndodhet në një vilë të mbrojtur me konventat kulturore. Çfarë kuptimi ka kjo për ju dhe për pacientët tuaj?
Dr. Naim Azemaj: Kjo vilë historike përfaqëson shumë më tepër sesa një hapësirë pune. Ajo është një simbol i respektit për traditën, për rrënjët dhe për vlerat njerëzore. Ambienti i saj i ngrohtë dhe estetikisht i kujdesshëm ndikon drejtpërdrejt në gjendjen emocionale të pacientëve. Ne dëshiruam që qasja jonë holistike ndaj shëndetit të pasqyrohet edhe në ambientin fizik ku secili që hyn ndjehet i mirëpritur, i dëgjuar dhe i vlerësuar.
Albinfo.ch: Na tregoni më shumë për konceptin e ordinancës: në çfarë mënyre ajo dallon nga praktikat klasike mjekësore?
Dr. Naim Azemaj:Ordinanca jonë është ndërtuar mbi konceptin e “mjekësisë së personalizuar parandaluese”. Ne nuk trajtojmë vetëm sëmundjet, por fokusohemi në zbulimin e faktorëve të hershëm që çojnë drejt tyre. Kjo përfshin analiza të avancuara të biomarkerëve ne te gjitha degët e mjekësisë ne mënyrën më të detajuar dhe precize. Analiza epigjenetike, gjenetike, vlerësime të detajuara të stresit dhe ndikimit të tij në organe apo sisteme të ndryshme organike me mënyrat më të sofistikuara në mjekësinë moderne. Analiza rreth mungesës së mikronutrientëve, si dhe ndërtimin e planeve individuale për stilin e jetesës. Për ne, pacienti është një bashkëkrijues i procesit të shërimit.
Albinfo.ch:Çfarë lloj trajtimesh dhe shërbimesh ofroni, që e bëjnë ordinancën tuaj të vetmen në pjesën gjermane të Zvicrës?
Dr. Naim Azemaj: Ne ofrojmë një gamë shërbimesh që integrojnë mjekësinë konvencionale me atë funksionale dhe parandaluese: Analiza laboratorike me te avancuara dhe detajuara duke filluar nga pasqyra e gjakut, sistemit hormonal, të të gjitha vitaminave, aminoacideve, mineraleve dhe mikronutrientëve. Pastaj, analiza epigjenetike dhe gjenetike, testet për diagnostikë performuese (Spiroergometrie) më moderne në pjesën gjermanishtfolëse të Zvicrës si dhe diagnostifikime rreth metabolizmit, ndër të tjera, me kalorimetrie indirekte. Po ashtu ofrojmë terapi me infuzione të personalizuara (vitamina, minerale, antioksidantë, NAD), detoksifikim biologjik, konsulta për ushqim funksional, si dhe programe të menaxhimit të stresit dhe mirëqenies mendore. Më tutje, në ordinancën tonë ofrojmë shërbime për trajtimin e lëkurës duke krijuar produkte që u përgjigjen specifikave të lëkurës së çdo individi, duke synuar përmirësimin e shëndetit dhe pamjes së saj. Gjithçka është ndërtuar rreth individit, pra në formë të personalizuar nuk ekziston një zgjidhje universale për të gjithë.
Qasja ndaj pacientit dhe filozofia parandaluese
Albinfo.ch: Si i qaseni parandalimit të sëmundjeve në praktikë? Çfarë përfshin kjo në jetën e përditshme të pacientëve?
Dr. Naim Azemaj:Parandalimi, për ne, fillon me edukimin dhe vetëdijësimin. Çdo pacient merr një vlerësim gjithëpërfshirës të faktorëve të rrezikut, si dhe një plan individual të mbështetur në të dhëna shkencore. Ne punojmë ngushtë me pacientët për të integruar ndryshime të vogla por domethënëse në ushqim, aktivitet fizik, menaxhim stresi dhe ritëm jetese. Kjo nuk është një qasje afatshkurtër, por një udhëtim i qëndrueshëm drejt shëndetit të mirë.
Albinfo.ch: A keni ndonjë filozofi personale për shëndetin dhe mirëqenien që përpiqeni ta përcillni tek pacientët tuaj?
Dr. Naim Azemaj: Po, besoj se shëndeti nuk është mungesë e sëmundjes, por një gjendje dinamike mirëqenieje fizike, mendore dhe emocionale. Filozofia ime është që çdo njeri ka potencialin për të qenë në versionin e tij më të mirë, nëse i jepet mbështetja e duhur. Kujdesi për veten nuk është luks, por një akt dashurie dhe përgjegjësie ndaj vetes dhe të tjerëve. Në kët kontekst duhet te veçoj diciplinën mentale.
Albinfo.ch:A vëreni ndryshime në mënyrën si njerëzit e perceptojnë shëndetin dhe kujdesin ndaj vetes, veçanërisht në komunitetin shqiptar në Zvicër?
Dr. Naim Azemaj: Po, shoh një ndryshim pozitiv dhe të qëndrueshëm, sidomos tek brezat e rinj. Ka më shumë vetëdije për rëndësinë e kujdesit të parakohshëm, të ushqyerit të shëndetshëm dhe të balancës mendore. Komuniteti shqiptar po bëhet gjithnjë e më i hapur, është kureshtar dhe i interesuar ndaj koncepteve moderne të shëndetit, dhe kjo është inkurajuese.
E ardhmja dhe roli i mjekut shqiptar në diasporë
Albinfo.ch: Cili është misioni afatgjatë i kësaj ordinance, çfarë dëshironi të arrini në pesë apo dhjetë vitet e ardhshme?
Dr. Naim Azemaj: Qëllimi ynë është të krijojmë një qendër referimi për mjekësinë parandaluese në Zvicër, ku inovacioni, përkushtimi dhe kujdesi i personalizuar janë në qendër. Në planin afatgjatë, dëshiroj të ndërtoj një platformë ndërdisiplinare që bashkon mjekë dhe ekspertë të mirëqenies për t’u shërbyer pacientëve në mënyrë holistike.
Albinfo.ch: A bashkëpunoni me institucione të tjera shëndetësore ose kulturore në Zvicër apo më gjerë?
Dr. Naim Azemaj: Po, bashkëpunimi është një nga shtyllat tona kryesore. Ne jemi të përfshirë në rrjete profesionale me mjekë dhe klinika të specializuara në gjithë Zvicrën, si dhe posedojmë një rrjet fantastik me mjekët dhe klinikat më të avancuara në Zvicër. Gjithashtu, kemi bashkëpunime me institucione kulturore për të promovuar shëndetin si pjesë të integruar të jetës në përditshmëri.
Orinanca në Villa am Tych
Albinfo.ch: Çfarë mesazhi keni për mjekët e rinj shqiptarë që duan të kontribuojnë në mënyrë inovative në fushën e mjekësisë?
Dr. Naim Azemaj: Mos kini frikë të mendoni ndryshe. Mjekësia ka nevojë për vizionarë që e shohin pacientin si një tërësi dhe jo si një sëmundje. Studioni vazhdimisht, mbani pasionin të gjallë dhe mos harroni kurrë rrënjët tuaja, ato janë një burim force dhe autenticiteti.
Albinfo.ch: Çfarë do të thotë për ju të jeni një mjek shqiptar në Zvicër?
Dr. Naim Azemaj: Për mua është një nder dhe një përgjegjësi e madhe. Është një mundësi për të përfaqësuar me dinjitet vlerat tona dhe për të ndërtuar ura mes kulturave, përmes profesionalizmit dhe etikës. Është gjithashtu një dëshmi se puna e ndershme nuk njeh kufij. Kjo vlen ndoshta sidomos për gjeneratat e para, që nga vitet e 90-ta që jemi edukuar shtetet perëndimore.
Albinfo.ch: Si e përjetoni lidhjen mes kulturës, ambientit ku ndodhet ordinanca, dhe mënyrës si u shërbeni pacientëve?
Dr. Naim Azemaj: E përjetoj si një simfoni të natyrshme. Kultura është pjesë e shëndetit, ajo ndikon në mënyrën si perceptojmë veten, sëmundjen dhe procesin e shërimit. Ambienti ynë është menduar për të reflektuar këtë ndërthurje: një hapësirë që respekton historinë, mikpritjen dhe kujdesin e thellë për njeriun.
Kush është Dr. Naim Azemaj
Ka mbaruar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Vjenë (Austri) ndërsa specializimin, në Degën e Mjekësisë Interne dhe të përgjithshme i ka përfunduar kryesisht në Qendrën Universitare në Zürich, por edhe në qendra tjera të njohura në Zvicër.
Para se te kalonte në ordinancën e tij private ne vitin 2019, ishte mbi 4 vite e gjysmë udhëheqës i Departamentit të Emergjencës dhe anëtar i bordit udhëheqës të Spitalit Linth, Uznach, Kantoni St. Gallen.
Ka kryer subspecializime në mjekësinë preventive, regjenerative, mjekësinë emergjente, Osteologji, Ultrazë, në mjekësinë për laser, diagnostikë performuese dhe nutricioni në sport (Fakulteti i Sporteve në Köln). Ka specializuar po ashtu në Kolegjin Evropian të mjekësisë dhe Kirurgjisë Estetike.
Çmimet e kafesë, qirave dhe shtresave të dyshemesë janë rritur 5.4 deri në 7 për qind në Shqipëri, gati dy dhe herë dhe më shumë në krahasim me nivelin e përgjithshëm të çmimeve, sipas tabelës së detajuar mbi inflacionin nga INSTAT.
Qiratë për banesat janë rritur ndjeshëm që prej vitit 2021 dhe kanë vijuar me këtë trend deri në mesin e vitit 2025. Sidomos në periudhën midis muajve janar 2023 dhe korrik 2025, rritja ka qenë e qëndrueshme, me norma mujore që shpesh arrijnë nga 3% deri në 5% në bazë vjetore.
Në muajin korrik 2025 ndryshimi vjetor i çmimit të qirasë ishte 5.4%, nga 0.9 për qind që ishte ky ndryshim në shkurt 2025, raporton Monitor, transmeton albinfo.ch.
Ky ritëm rritjeje ka reflektuar presionin që po përballin familjet shqiptare, veçanërisht në zonat urbane, ku kërkesa për banesa me qira mbetet e lartë për shkak të urbanizimit dhe fluksit të lartë të turistëve, sidomos në Tiranë ku ka edhe lëvizje migratore te brendshme.
Një faktor kryesor që ka ndikuar në shtrenjtimin e qirave afatgjata lidhet me zhvillimet turistike, ku shumë ndërtesa janë dhënë me qira afatshkurtra, duke i hequr ato nga tregu i qirave afatgjata, që kanë si klientë kryesisht familjet vendase.
Nëse jep shtëpinë me qira mujore, sipas të dhënave nga agjencitë e pasurive të paluajtshme, në kryeqytet, një apartament 1+1, më i liri është në zonën e Freskut, që varion nga 330-400 euro, më i shtrenjti te zona e ish-Bllokut dhe e Stadiumit Air Albania, deri në 800 euro/muaj. Për apartamente 2+1, qiraja fillon nga 550 euro 2+1 dhe arrin në 1300 euro në zonën e Stadiumit Air Albania dhe ish-Blloku.
Një tjetër kategori që ka njohur rritje të ndjeshme çmimesh mbi mesataren e përgjithshme janë pijet joalkoolike dhe shërbimet e kafeneve. Në korrik 2025 çmimet mesatare të kafesë u rritën me 6% në krahasim me korrikun 2024.
Çmimet e kafesë, çajit dhe ujit të ofruara në ambiente publike janë rritur në mënyrë të qëndrueshme, sidomos pas vitit 2022, duke reflektuar kostot në rritje për pagat e stafit dhe çmimet e importit të kafesë.
Kjo duket se nuk ka ndikuar shumë në kërkesën për konsum, pasi kafeneja mbetet një pjesë e rëndësishme e kulturës shqiptare. Megjithatë, për konsumatorët me të ardhura të kufizuara, frekuentimi i përditshëm i kafeneve është kthyer gjithnjë e më shumë në një luks të vështirë për t’u përballuar.
Ndërkohë që qiratë dhe pijet në kafene mbeten ndër sektorët me rritje më të lartë, edhe disa kategori të tjera kanë shënuar luhatje.
Gjithashtu mbulesat e dyshemesë ndonëse janë një produkt që nuk kanë shumë peshë në shpenzimet e buxheteve të familjeve janë në rritje të vazhdueshme.
Në korrik 2024 çmimet e këtij grupi u rriten mesatarisht 6.7%. Një vit më parë në korrik ky ndryshim ishte 2.9%.
Edhe pse normat e përgjithshme të inflacionit kanë filluar të bien krahasuar me kulmin në vitin 2022, çmimet nuk po kthehen në nivelet e mëparshme, duke u shndërruar në barrë të përhershme mbi konsumatorët.
Bundeswehr-i ka nevojë urgjente për më shumë ushtarë. Partnerët e koalicionit, kristiandemokratët dhe socialdemokratët janë dakord për këtë. Kancelari Friedrich Merz synon që Bundeswehr-i të bëhet ushtria më e fortë konvencionale në Evropë, gjë që kërkon pajisje më moderne dhe një shtim të madh të trupave përtej 183,000 anëtarëve aktualë. Sipas standardeve të NATO-s dhe bazuar në popullsinë e Gjermanisë, ushtria duhet të rritet me rreth 60,000 ushtarë të rinj, raporton DW, transmeton albinfo.ch.
Si do të rritet Bundeswehr-i?
Këtu qëndrimi i partive ndahet. Për SPD-në, zgjidhja është reformimi i shërbimit ushtarak vullnetar. Megjithatë, projektligji i Ministrisë së Mbrojtjes nuk i ka bindur të gjithë. Mosmarrëveshja brenda koalicionit ka të bëjë me një nga çështjet më të rëndësishme të sigurisë kombëtare: aftësinë mbrojtëse të Gjermanisë.
Sipas projektligjit, nga viti 2026 shërbimi ushtarak mbetet vullnetar, por do të bëhet më tërheqës për të rinjtë. Detyrimi i përgjithshëm ushtarak, i cili ishte në fuqi deri më 2011, nuk është paraparë. Kjo përkon edhe me marrëveshjen e koalicionit që synon një shërbim të ri, tërheqës dhe fillimisht të bazuar te vullnetarizmi.
Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, beson se një shërbim ushtarak më interesant dhe më i paguar do të tërheqë mjaftueshëm të rinj. Sipas tij, çdo vit mund të rekrutohen mesatarisht 25,000 deri në 30,000 ushtarë të rinj. Për këtë arsye është paraparë rritja e pagave, modernizimi i trajnimit, përdorimi i dronëve, kurse gjuhe dhe mundësi të tjera. Shërbimi do të zgjasë të paktën gjashtë muaj.
Skepticizëm nga CDU/CSU
Kristiandemokratët dyshojnë se vetëm vullnetarizmi do të mjaftojë. Sipas Norbert Röttgen, projektligji nuk i përmend fare objektivat e NATO-s. Ligji megjithatë parashikon që të gjithë të rinjtë 18-vjeçarë, meshkuj dhe femra, do të marrin një letër nga Bundeswehr-i me një pyetësor mbi gatishmërinë e tyre. Synimi është që të rinjtë ta marrin parasysh shërbimin ushtarak.
Që nga tani, numri i rekrutëve është në rritje. Në fund të korrikut ishin regjistruar mbi 11,000 rekrutë, rreth 15 për qind më shumë se vitin e kaluar. Përveç kësaj, ligji i ri parashikon që të rinjtë të thirren për ekzaminim mjekësor, edhe nëse nuk shprehin interes. Ky detyrim pritet të hyjë në fuqi nga viti 2028, megjithëse disa politikanë kërkojnë ta përshpejtojnë.
Modeli i Suedisë si shembull
Gjermania merr shembull nga Suedia, ku të rinjtë janë të detyruar të shërbejnë vetëm nëse ka mungesë vullnetarësh. Në Gjermani, një mekanizëm i tillë nuk është parashikuar. Nëse shërbimi ushtarak vullnetar nuk sjell rezultatet e pritura ose në rast të një përkeqësimi të sigurisë, Bundestagu mund të vendosë rikthimin e shërbimit të detyrueshëm.
Kryetari i grupit parlamentar të SPD-së, Matthias Miersch, ka theksuar se rikthimi i detyrimit ushtarak nuk do të jetë pjesë e mandatit aktual deri në vitin 2029. Në të kundërt, shumë zëra në CDU/CSU do të donin që rikthimi të përfshihej që tani, duke paralajmëruar për rrezikun në rritje nga Rusia.
Shërbimi ushtarak u shfuqizua në vitin 2011 nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg (CSU). Kancelari aktual Friedrich Merz e konsideron këtë vendim një gabim, por ende nuk ka propozuar një zgjidhje konkrete.
Shumica e popullsisë në Zvicër (86 përqind) beson se njohja e disa gjuhëve kombëtare është e rëndësishme për kohezionin kombëtar. Pothuajse dy të tretat përdorin rregullisht disa gjuhë në jetën e përditshme. Megjithatë, shumëgjuhësia nuk kufizohet vetëm në gjuhët kombëtare; anglishtja është gjuha jo-kombëtare më e folur. Kjo tregohet nga rezultatet e fundit të Anketës mbi Gjuhën, Fenë dhe Kulturën të kryer nga Zyra Federale e Statistikave (FSO), raporton SRF, transmeton albinfo.ch.
Familje shumëgjuhëshe
81 përqind e të rinjve të moshës 15 deri në 24 vjeç flasin shumë gjuhë, krahasuar me vetëm 38 përqind të njerëzve mbi 65 vjeç. Për disa, shumëgjuhësia fillon herët: 38 përqind e fëmijëve dhe adoleshentëve nën 15 vjeç dëgjojnë të paktën dy gjuhë në shtëpi. Rreth një në pesë fëmijë flet shumë gjuhë me prindërit e tyre.
Përveç gjuhëve kombëtare, anglishtja është gjuha më e përdorur. Në vendet gjermanishtfolëse, më shumë njerëz përdorin anglishten sesa frëngjishten. Në Zvicrën frëngjishtfolëse, është edhe më e zakonshme se gjermanishtja.
Sipas Zyrës Federale të Statistikave (FSO), gjysma e mirë e të moshuarve të moshës 15 deri në 64 vjeç i vlerësojnë aftësitë e tyre aktive në anglisht si të mira ose shumë të mira.
Spanjishtja dhe portugalishtja janë veçanërisht të zakonshme në Zvicrën frëngjishtfolëse. Nga ana tjetër, shqipja, boshnjakishtja, kroatishtja, malazezishtja dhe serbishtja fliten më shpesh në Zvicrën gjermanishtfolëse.
Pothuajse një e katërta e popullsisë së moshës 25 vjeç e lart po mëson një ose më shumë gjuhë. Anglishtja, gjermanishtja dhe frëngjishtja janë gjuhët që mësohen ose përmirësohen më shpesh. Në rastin e gjermanishtes dhe frëngjishtes, kjo bëhet kryesisht për arsye profesionale. Në të kundërt, njerëzit kanë më shumë gjasa të mësojnë anglisht për pushime dhe udhëtime.
Sipas anketës së Zyrës Federale për Çështje Sociale (BFS), frëngjishtja mësohet kryesisht në shkollë. Gjermanishtja, nga ana tjetër, fitohet kryesisht në punë ose në kurse gjuhësore.
Ashtu si çdo sezon veror në Vlorë, çmimet janë rritur ndjeshëm.
Për pushuesit në plazhe kjo rritje ka prekur çdo produkt e shërbim që ofrohet në bregdet që nga kafja, darkat në restorante apo çadrat e shezlongët.
Për këtë arsye edhe plazhet publike po bëhen gjithnjë e më te frekuentuara.
Por kjo rritje çmimesh, duket se nuk shkon në proporcion me cilësinë, për të cilët qytetarët kanë jo pak ankesa. Ata e vendosin theksin tek papastërtia e bregdetit apo menaxhimi i hapësirës publike në plazhe, shkruan A2CNN, transmeton albinfo.ch.
Ndërsa për emigrantët situata është krejt ndryshe. Me pagat apo pensionet që ata kanë në vendet e tyre të punës pushimet në Shqipëri dhe sidomos në Vlorë janë të përballueshme.
Në Vlorë duke nisur nga muaj maji, çdo produkt jetësor, duke filluar nga ata bazë të shportës ka pësuar një rritje të ndjeshme.
Edhe produktet e servirura në bare dhe restorante vijnë sot me një çmim 30-40% më lartë se një vit më parë.
Ekonomia e Zvicrës ndjen ndikimin e tarifave amerikane dhe votuesit e Cyrihut mund të vendosin për përparësinë në strehim
Tarifat amerikane tashmë po japin efekt në ekonominë zvicerane. Rritja ekonomike e vendit u ngadalësua ndjeshëm në tremujorin e dytë (prill–qershor), pasi eksportet ranë për shkak se kompanitë nxituan të grumbullonin mallra përpara hyrjes në fuqi të tarifave të reja prej 39 për qind të SHBA-së.
Konkretisht, ekonomia e Zvicrës, e varur fort nga eksportet, u rrit vetëm me 0.1 për qind gjatë periudhës prill–qershor, krahasuar me një zgjerim prej 0.8 për qind në tremujorin e parë. Qeveria zvicerane ende shpreson të negociojë një tarifë më të ulët, megjithëse bisedimet e fundit në Uashington nuk sollën ndryshim në qëndrimin e qeverisë amerikane.
Iniciativë për t’u dhënë vendasve përparësi në strehim në Cyrih
Partia Popullore Zvicerane (SVP) ka nisur një referendum për të detyruar ndarjen e apartamenteve me përparësi për zviceranët dhe banorët afatgjatë të Cyrihut, raporton albinfo.ch. Iniciativa, e nxitur nga seksioni i SVP-së në Cyrih, synon që popullsia vendase të ketë përparësi ndaj të huajve të sapoardhur.
Partia ka gjashtë muaj kohë për të mbledhur 6,000 nënshkrime të nevojshme për ta çuar këtë çështje në votim kantonal.
Ndalim i përkohshëm i makinave ndotëse në Gjenevë
Pas disa ditësh me vapë dhe diell të fortë, përqendrimet e ozonit në ajër mbi Gjenevë tejkaluan pragjet rregullatore, duke e çuar nivelin e alarmit në shkallën 2 nga 3. Për të parandaluar përkeqësimin e cilësisë së ajrit, autoritetet e qytetit aktivizuan për herë të parë që nga viti 2020 sistemin e afisheve kundër ndotjes së makinave, StickAIR, i cili ngjitet në xhamin e përparmë të automjeteve për të treguar performancën e tyre mjedisore.
Masat janë të përkohshme, por autoritetet nuk kanë përcaktuar ende se kur do të hiqen.
Dhjetëra viktima në Alpet Zvicerane këtë verë
Moti i mirë dhe pushimet shkollore e kanë bërë këtë verë Alpet Zvicerane një destinacion tërheqës për vizitorë të të gjitha moshave, por njëkohësisht kanë sjellë edhe më shumë aksidente fatale. Dhjetëra njerëz kanë humbur jetën, shkruan The Local.
Ekspertët theksojnë se gjithnjë e më shumë alpinistë po ngjiten në male pa pajisjet e nevojshme sigurie, si litarë ose krampone, duke nënvlerësuar rreziqet, përfshirë rënien e shkëmbinjve ose humbjen e ekuilibrit në çarje.
Rekord i ri për avionin me energji diellore
Piloti zviceran Raphael Domjan ka thyer rekordin e lartësisë për një aeroplan elektrik me energji diellore, duke arritur në 9,521 metra. Avioni SolarStratos bëri fluturimin historik nga aeroporti i Sionit në kantonin Valais, duke përfituar nga temperaturat e ngrohta për të thyer rekordin 15-vjeçar.
Fluturimi zgjati pesë orë e nëntë minuta dhe shënon një hap të ri të rëndësishëm në zhvillimin e aviacionit të qëndrueshëm.
Votuesit e rajonit të Engadinit të Sipërm kanë dhënë dritën jeshile në kutinë e votimit për ndërtimin e zëvendësuesit shumëmilionësh dhe të diskutueshëm të aeroportit rajonal Samedan.
Ata miratuan një kredi angazhimi prej 38 milionë frangash dhe marrjen përsipër të detyrimeve prej 20 milionë frangash.
Sipas rajonit Maloja, 2,443 banorë të Engadinit të Sipërm votuan në favor të zgjerimit, ndërsa 2,051 votuan kundër. Kjo korrespondon me një përqindje prej 54.36 për qind vota pro. Pjesëmarrja në votime ishte relativisht e lartë, 45.64 për qind.
Kjo do të thotë se projekti i madh, i cili ka qenë i kontestuar për shumë vite, tani mund të realizohet. Edhe pse gjashtë nga njëmbëdhjetë komunat në Engadinin e Sipërm votuan kundër, vetëm rezultati i përgjithshëm rajonal është vendimtar, prandaj kjo nuk pati peshë, transmeton albinfo.ch.
Refuzimi erdhi nga komunat Bever, La Punt Chamues-ch, Pontresina, S-chanf, Zuoz dhe nga vetë komuna pritëse e Samedan. Miratimi erdhi nga Celerina, Madulain, Sils, Silvaplana dhe St. Moritz, shkruan SRF.
Aeroporti më i lartë në Evropë
Aeroporti më i lartë i Evropës duhet të rinovohet, dhe kjo ka qenë e qartë prej vitesh. Projekti i miratuar tani përfshin zëvendësimin e ndërtesave kryesore të aeroportit, si dhe rinovimin e infrastrukturës operative deri në vitin 2031. Planet përfshijnë dy qendra të reja operacionesh me hangare avionësh, zgjerimin e zonave të platformës, një kullë moderne kontrolli dhe një gardh sigurie një kilometër të gjatë.
Projekti rajonal i shekullit do të kushtojë gjithsej 68.5 milionë franga. Nga kjo shumë, 38 milionë do të mbulohen nga 11 komunat e Engadinit të Sipërm, ndërsa pjesa tjetër nga qeveria federale, kantonale dhe kreditë bankare. Rega do të ndërtojë gjithashtu një bazë të re me shpenzimet e veta si pjesë e zgjerimit.
Votimi i mëparshëm i anuluar
Në një votim të dytë, votuesit vendosën me 74 për qind pro të përmbysin një vendim të ngjashëm nga viti 2017. Në atë kohë, u miratua një zgjerim për shumë dukshëm më të pakta. Kur kostoja filloi të tejkalohej, u ngrit kundërshtim i fortë për shkak të perceptimit të mungesës së transparencës. Kjo çoi në projektin e rishikuar që tani është miratuar.
Banorët e Engadinit të Sipërm kanë dhënë kështu një sinjal të rëndësishëm, si për ekonominë e rajonit ashtu edhe për shërbimet e sigurisë të ofruara nga Rega, tha Christian Brantschen, kryetar i Konferencës së Bashkive të Aeroportit, në njoftimin për shtyp. “Tani më në fund mund të fillojmë modernizimin e vonuar prej kohësh”, u shpreh ai. Aeroporti Rajonal Samedan do të mbetet një nxitës i rëndësishëm ekonomik dhe një pikë unike e Engadinit të Sipërm në të ardhmen.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se vendi është i gatshëm të flasë për ndryshime territoriale si pjesë e një marrëveshjeje paqeje për t’i dhënë fund pushtimit rus, por Kievi nuk do të heqë dorë nga toka që forcat e Moskës nuk e kontrollojnë.
” Ne kemi nevojë për negociata të vërteta, që do të thotë se ato mund të fillojnë aty ku është vija e frontit tani. Vija e kontaktit është vija më e mirë për të biseduar “, deklaroi ai.
Sipas Zelenskyt, Rusia nuk ka arritur të pushtojë rajonin e Donetskut në Ukrainën Lindore, të cilin Moska është përpjekur ta kontrollojë që nga viti 2014.
” Putin nuk ka qenë në gjendje ta marrë atë për 12 vjet, dhe kushtetuta e Ukrainës e bën të pamundur të hiqet dorë nga territori ose të bëhet tregti me tokën “, tha ai, transmeton albinfo.ch.
Nëse jeni duke pritur një fëmijë, punëdhënësi juaj zviceran është i detyruar të ndjekë rregulla të caktuara për të siguruar që ju të keni të drejta të veçanta në vendin e punës.
Para së gjithash, nuk jeni të detyruar ligjërisht ta informoni punëdhënësin tuaj për shtatzëninë tuaj (megjithëse kjo do të bëhet e qartë me kalimin e kohës).
Megjithatë, është në interesin tuaj më të mirë ta bëni këtë, pasi kompania është e detyruar të ofrojë një mjedis pune të shëndetshëm dhe të sigurt për ju dhe fëmijën tuaj.
Kjo sepse edhe pse leja prindërore e Zvicrës nuk është aq bujare sa ajo e ofruar në shumë vende të tjera punëdhënësit janë të detyruar me ligj të ofrojnë përfitime të veçanta për nënat në pritje.
Pa orë shtesë
Nëse punoni me kohë të plotë, dita juaj nuk mund të kalojë 9 orë, edhe nëse kontrata juaj e punës e lejon këtë.
Mosrrezikoni shëndetin tuaj ose të fëmijës suaj
Mund të kryeni vetëm aktivitete që nuk ju vënë ju ose fëmijën tuaj në rrezik. Punëdhënësi juaj duhet të sigurojë që nuk ka kërcënim në vendin e punës për ju dhe fëmijën tuaj të palindur.
Në rast rreziku për shëndetin ose sigurinë tuaj, punëdhënësi juaj duhet t’ju ofrojë punë ekuivalente që është e sigurt dhe jo shumë e kërkuar, transmeton albinfo.ch.
Puna gjatë ditës
Nëse normalisht punoni natën, mund të kërkoni të punoni gjatë ditës në të njëjtën punë ose ekuivalente gjatë gjashtë muajve të parë të shtatzënisë, shkruan thelocal. Për më tepër, është rreptësisht e ndaluar që gratë shtatzëna të punojnë midis orës 8 të mbrëmjes dhe 6 të mëngjesit gjatë tetë javëve para lindjes.
Nëse zakonisht punoni natën dhe punëdhënësi juaj nuk mund t’ju ofrojë një pozicion ekuivalent gjatë ditës, ju liroheni nga puna dhe keni të drejtë për 80 përqind të pagës suaj.
E njëjta gjë vlen edhe në rast pune të lodhshme ose të rrezikshme.
Koha e pushimit
Ju duhet të keni mundësinë të shtriheni dhe të pushoni gjatë ditës, në një dhomë të veçantë.
A mund të pushoheni nga puna gjatë shtatzënisë?
Jo, nuk mundeni.
Punëdhënësi juaj nuk mund t’ju pushojë nga puna ndërsa jeni shtatzënë, ose gjatë 16 javëve të lejes së lindjes pas lindjes.
Megjithatë, kompania mund t’ju pushojë nga puna nëse jeni shtatzënë gjatë periudhës së provës.
I vetmi përjashtim është një sjellje e keqe serioze nga ana juaj e njëjta lloj sjelljeje që do t’ju pushonte nga puna nëse nuk do të ishit shtatzënë, si vjedhja, për shembull.
Ku mund të drejtoheni për ndihmë nëse punëdhënësi juaj nuk po e zbaton ligjin?
Nëse kompania juaj ka një marrëveshje kolektive pune (CLA), është shumë e pamundur që punëdhënësi të rrezikojë sanksione duke shkelur rregullat e përcaktuara në të qoftë në lidhje me shtatzëninë apo ndonjë çështje tjetër.
Ju mund të raportoni çdo shkelje në sindikatë (nëse keni një të tillë) ose në shoqatën tuaj profesionale.
Shpresojmë që nuk do të keni nevojë të shkoni më tej, por nëse e bëni, zgjidhja juaj e fundit do të jetë veprimi ligjor, i cili do të fillojë me gjykatën tuaj lokale të rrethit dhe do të shkojë në gjykata më të larta prej andej, nëse është e nevojshme.
Autoritetet e Bosnje-Hercegovinës kanë konfirmuar për REL-in se rreth 50 turistë nga Izraeli, që po qëndronin në Sarajevë, kanë raportuar se u kanë humbur pasaportat.
Zharko Laketa, drejtor i Shërbimit për Çështje të Jashtme të Bosnjës, ka thënë se po punohet për zgjidhjen e problemit dhe se turistëve izraelitë do t’u lëshohen dokumente udhëtimi. Ai ka shtuar se ka informacion se “pasaportat janë hedhur si pasojë e një aksidenti”, transmeton albinfo.ch.
Mediat izraelite kanë raportuar se 47 turistë izraelitë kanë mbetur të “bllokuar” në Bosnje-Hercegovinë dhe se, sipas tyre, pasaportat u janë hedhur “aksidentalisht në koshin e mbeturinave të një hoteli”.
Në pamjet që kanë qarkulluar në rrjetet sociale shihet momenti kur çanta me pasaportat e turistëve izraelitë përfundon në koshin e plehrave të hotelit.
Sipas informacionit nga Shërbimi për Çështjet e të Huajve, qytetarët izraelitë mund të largohen nga Sarajeva nesër dhe të kthehen në vendin e tyre.
Ndërtimi i banesave nuk po fillon. “Jemi ende shumë larg rimëkëmbjes ose rritjes, për të tretin vit radhazi”, tha për APA-n kreu i prodhuesit të materialeve të ndërtimit Baumit në Austri, Georg Bursik. Ekonomia e ndërtimit është “ende e mjerë”, e përshkroi ai drejtpërdrejt. Përveç kësaj, subvencioni shtetëror për izolimin termik dhe zëvendësimin e bojlerëve një stimul i rëndësishëm për sektorin e rinovimit u ndërpre fillimisht në dhjetor.
Rënia e ndërtimit ndikon “Austrinë dhe Gjermaninë edhe më keq”, raportoi Bursik, i cili është përgjegjës në Baumit për të dy vendet. “Austria ka problemin se nuk po ndërtohet asgjë, edhe pse kemi imigracion”, e përshkroi ai situatën qartë.
“Ndërtimet e reja janë në stanjacion nuk ka pasur kaq pak apartamente të përfunduara në 15 vjet si tani”, shtoi Bursik. Që në fillim të vitit ai kishte bërë thirrje që të ndërtoheshin më shumë të paktën gjysmë të përballueshme. Për të përmbushur kërkesën në rritje, sipas tij, duhet të ndërtohen midis 40,000 dhe 60,000 njësi banimi çdo vit. Në atë kohë, objektivi ishte ende rreth 40 për qind larg.
Biznesi me çimento, beton dhe materiale ndërtimi është i ngadaltë. Dhe rritja e vogël në sektorin e rinovimit nuk po kompenson rënien e ndërtimeve të reja, tha kreu i kompanisë. Në Austri, sipas tij, ka mbi dy milionë ndërtesa që “kanë nevojë për rinovim, nuk plotësojnë standardin termik dhe konsumojnë shumë energji ngrohjeje e ftohjeje”. Përmirësimet që lidhen me klimën, sipas Bursikut, nuk po ecin me ritmin e duhur.
“Nëse vazhdojmë kështu, do të na duhen 100 vjet për të rinovuar dy milionë shtëpitë”, theksoi ai.
Ngadalësimi i rinovimit termik
Qeveria aktualisht po rishikon të gjitha subvencionet klimatike dhe mjedisore. Duke pasur parasysh deficitin e madh buxhetor, subvencioni për rinovimin termik do të vazhdojë, por do të ulet ndjeshëm. Kur fondet do të rifillojnë, mbetet e paqartë. Sipas Ministrisë së Mjedisit, norma e re e subvencionit do të jetë 30 për qind, ndërsa deri në fund të vitit 2024 subvencionohej deri në 75 për qind e kostove për zëvendësimin e sistemeve të ngrohjes me naftë e gaz, transmeton albinfo.at.
“Subvencioni u ndërpre papritur në dhjetor”, kritikoi Bursik. Megjithatë, sipas tij, ai kontribuon në produktin e brendshëm bruto dhe mban ose krijon vende pune. Përveç kësaj, rritja e rinovimit do të shmangte gjobat ndaj Brukselit, të cilat do të aplikoheshin nëse Austria nuk arrin objektivat e BE-së për CO2. “Është më mirë të investohet në ekonominë e Austrisë”, tha ai.
Familjet në pritje
“Sektori i ndërtimit është emetuesi i dytë më i madh i CO2 pas transportit”, theksoi ekonomisti i Linzit, Friedrich Schneider. Ai kujtoi se ofensiva e rinovimit për familjet private në vitin 2023 dhe 2024 me bonusin për rinovimin e fasadave dhe programin “Jashtë naftës dhe gazit”, përmes të cilit subvencionohej zëvendësimi i bojlerëve u prit shumë mirë.
Aktualisht, konsumatorët po presin të shohin se si do të vazhdojnë subvencionet, dhe tregu është pothuajse në ngërç, shkruan theinternational.
Schneider nënvizoi se subvencionet kanë efekte të dukshme ekonomike. Totali prej rreth 1.5 miliardë eurosh në subvencione ka nxitur investime prej 5 miliardë eurosh: 801 milionë euro për fasada e dritare sollën investime prej 3.5 miliardë, ndërsa 739 milionë euro për zëvendësimin e bojlerëve sollën 1.5 miliardë euro. “Programi ia doli mbanë”, deklaroi ai.
Megjithatë, ekonomisti theksoi se duhet kursyer. “Buxheti është i paqëndrueshëm, pyetja është ku e sheh dividendin më të lartë ekologjik dhe/ose ekonomik.” Subvencionet, sipas tij, kanë kuptim vetëm kur reduktojnë ndikimet negative, si emetimet e CO2 ose varësinë nga energjia fosile. Problemi, shtoi ai, është efekti i “free rider”-it, pasi rreth 30 për qind e përfituesve do t’i kishin kryer rinovimet edhe pa ndihmën e shtetit.
Subvencione më të diferencuara
Kur subvencionet të vazhdojnë, Schneider rekomandon kriteret më të qarta: p.sh. të përfitojnë më parë ndërtesat me fasada të dobëta ose me sisteme të vjetra ngrohjeje. Edhe Bursik sugjeron ndarjen e fondeve, rinovimi termik dhe zëvendësimi i bojlerëve të financohen nga burime të ndryshme, për të shmangur konkurrencën mes tyre.
Ai thekson gjithashtu parimin: “Izoloni së pari, pastaj zëvendësoni ngrohjen.” Sipas tij, deri më tani ky proces është bërë mbrapsht. Subvencioni për zëvendësimin e bojlerëve u prit mirë nga popullsia. Schneider shtoi se puna lobuese për pompat e nxehtësisë ka qenë mjaft e suksesshme.
Deri në mesin e gushtit, që është fillimi i vitit shkollor zviceran, kanë mbetur rreth 6,400 vende të lira pune për praktikantë, kryesisht në industrinë e ndërtimit, ushqimit dhe makinerive. Kjo është një e katërta më pak se 12 muaj më parë (8,500).
Këto shifra, të publikuara të premten nga platforma e praktikantëve Yousty, tregojnë se kompanitë po e kanë më pak të vështirë të rekrutojnë këtë vit. Numri i të rinjve që aplikojnë për praktikantë është rritur gjithashtu, tha zëdhënësi i Yousty, Lale Scirocco, për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA, transmeton albinfo.ch.
Përveç kësaj, kompanitë kanë zhvilluar fushata aktive, veçanërisht në rrjetet sociale. Nga 6,400 vendet e lira të punës, pothuajse 1,800 janë në sektorin e ndërtimit, 600 në industrinë e ushqimit dhe po aq në sektorët e makinerive dhe shëndetësisë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se sot është arrestuar një person i dyshuar për krime lufte ndaj popullsisë civile.
Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, i dyshuari me inicialet S.S. është ndaluar për 48 orë në pikën kufitare të Merdarës, gjatë tentativës për të hyrë në Kosovë nga Serbia. Arrestimi është kryer nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale, ndërsa ndaj tij po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, transmeton albinfo.ch.
Bëhet e ditur se i njëjti dyshohet se gjatë luftës së fundit në Kosovë ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” në Komunën e Vushtrrisë.
Prokuroria ka paralajmëruar se brenda afateve ligjore do të parashtrojë në Gjykatën Themelore të Prishtinës kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Një shtetas zviceran u vra së bashku me një shtetas gjerman në një aksident ajror që përfshiu dy avionë të lehtë argëtimi të shtunën pasdite në Saint-Pons, në Francën juglindore, bëri të ditur agjencia e lajmeve AFP duke cituar autoritetet lokale.
Një aeroplan rimorkues dhe një planor u ngritën pak pas orës 13:00 nga Barcelonnette. Aksidenti ndodhi pak më vonë në luginën Ubaye, sipas të njëjtit burim, transmeton albinfo.ch.
Një zjarr u përhap në bimësi, por u vu shpejt nën kontroll, sipas brigadës së zjarrfikësve të departamentit.
Rrethanat e aksidentit mbeten ende për t’u përcaktuar, tha policia.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë, ka përditësuar të dhënat e pikave kufitare, përmes të cilave njoftohet se edhe këtë mbrëmje po vazhdojnë pritjet e gjata për të dalë nga Kosova.
Pritjet më të gjata janë në dalje të Kosovës përmes pikës kufitare në Merdarë deri në dy orë, transmeton albinfo.ch.
Nga 30 deri në 40 minuta janë pritjet për të dalë përmes pikës kufitare te Dheu i Bardhë ndërsa në pikat e tjera janë pritjet rutinë, nga 5 deri në 10 minuta.
Në hyrje të Kosovës pritjet më të gjata janë përmes pikës te Hani i Elezit, teksa në pikat e tjera nuk janë regjistruar pritje të gjata.
Në veriperëndim të Spanjës, sidomos në Galicia, Castile-Leon dhe Extremadura, zjarret po shkatërrojnë sipërfaqe të mëdha pyjore, duke përfshirë mbi 115 mijë hektarë deri tani. Flakët vazhdojnë të përhapen me intensitet dhe aktualisht janë regjistruar 39 vatra aktive, kryesisht në Ourense, Zamora, Leon dhe Cáceres.
Bilanci është i rëndë: tre persona kanë humbur jetën, mbi 3 mijë banorë janë evakuuar, ndërsa shumë të tjerë janë detyruar të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi për shkak të tymit. Dhjetëra rrugë janë bllokuar dhe linja hekurudhore me shpejtësi të lartë Madrid-Galicia është pezulluar.
Përballë situatës, qeveria spanjolle ka angazhuar rreth 3 500 trupa të Njësisë së Emergjencave të Ushtrisë, mbi 5 000 pjesëtarë të Gardës Civile dhe 350 policë kombëtarë. Ndërkohë, përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, janë dërguar avionë të specializuar për shuarjen e flakëve.
Kryeministri Pedro Sánchez ka ndërprerë pushimet për të vizituar zonat më të prekura, ndërsa mbreti Felipe VI pritet të vizitojë bazën e UME-së në Madrid. Pavarësisht përpjekjeve, situata mbetet kritike për shkak të temperaturave ekstreme mbi 40°C, që po ushqejnë përhapjen e zjarreve.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka konfiskuar 9,500 paund britanik (rreth 11,033 euro) nga një pasagjer në linjën Londër-Prishtinë, pasi shuma tejkalonte kufirin e lejuar. Sipas procedurave, 25% e shumës u sekuestrua.
Kontrollet janë pjesë e planit operativ të Policisë Kufitare për të parandaluar kontrabandën dhe shkeljet ligjore në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës