Abdixhiku: Kjo shfaqje teatrale e mandatarëve pa numra, të marrë fund

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së Lëvizjes Vetëvendosje ku propozoi Glauk Konjufcën mandatar të ri për Qeveri, ka thënë se kjo shfaqja teatrale dhe e mandatarëve pa numra, duhet të marrë fund, përcjell albinfo.ch.

“Kjo shfaqje teatrale, e mandatarëve pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik, duhet të marrë fund. Republika nuk është material loje për llogaritje të vogla elektorale. Republika mbetet më e madhe se secili prej nesh. Trajtojeni si të tillë. Shiqoni qytetarët në sy e tregojuni se nuk ka shumicë. Tregojuni qytetarëve se secila parti shqiptare, ka dhënë verdiktin politik, të deponuar tashmë në Presidencë. Ky verdikt është i qartë e është i thejshtë. Sot, matematikisht, me vullnetin e deklaruar politik, nuk ka mundësi për shumicë”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Tutje, Abdixhiku shkroi se dëshiron të besojë që “Presidentja e Republikës, do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, para mbledhjeve propaganduese të partive me mandatarë plot por pa shumicë paralamentare”.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Glauk Konjufcën mandatar për qeveri të re. Më 26 tetor, kryeministri në detyrë Albin Kurti, nuk i pati numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë “Kurti 3”.

Granit Xhaka flet pas golit të parë me Sunderlandin

Kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, ka shprehur kënaqësinë e tij që shënoi golin e tij të parë për “Macet e Zeza” në barazimin e së hënës mbrëma me Evertonin në Ligën Premier.

Të besuarit e David Moyes kishin marrë epërsinë në minutën e 15-të me anë të golit të Iliman Ndiaye përpara se ylli shqiptar të rivendoste barazimin për vendasit në “Stadiumin e Dritave”.

Ndërsa shpreh gëzimin e tij për suksesin e tij personal, ai ndihet pak i zhgënjyer që ekipi i tij nuk mundi të merrte pikët maksimale nga kjo përballje.

“Është gjithmonë mirë të shënosh golin e parë për klubin e ri”, ka thënë fillimisht Xhaka për mediat pas ndeshjes.

“Të gjithë e dinë që jam shumë i lumtur këtu dhe po përpiqem të jap më të mirën time. Ditë pas dite, në çdo ndeshje”.

“Është për të ardhur keq që nuk morëm tre pikët, por jam gjithmonë i lumtur ta ndihmoj ekipin”.

Xhaka në formë: shënon golin e parë sezonal për Sunderlandin

Goli i Xhakës mban në garë Sunderlandin në Premier League

Kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, realizoi golin e tij të parë këtë edicion në Premier League, në barazimin 1:1 ndaj Evertonit në “Stadium of Light”, në kuadër të xhiros së dhjetë të kampionatit anglez, transmeton albinfo.ch.

Evertoni kaloi në epërsi në minutën e 15-të me golin e Iliman Ndiaye, ndërsa Xhaka barazoi rezultatin menjëherë në fillim të pjesës së dytë, në minutën e 46-të, pas një asistimi nga Enzo Le Fée.

33-vjeçari kosovar zhvilloi një ndeshje të plotë, duke konfirmuar formën e mirë që po kalon — këtë sezon ai numëron edhe tri asistime.

Pas këtij barazimi, Sunderlandi renditet në vendin e katërt me 18 pikë, ndërsa Evertoni qëndron në pozitën e 14-të me gjashtë pikë më pak.

Kur ëndrrat nuk njohin kufij, rrugëtimi akademik i Albulena Ukës

Revista albinfo.ch kësaj radhe ka zgjedhur të prezantojë një profil suksesi nga kontinenti i Amerikës. Fjala është për Albulena Ukën e cila fillimisht ishte  një ndër studentet më të dalluara të Kosovës, e që tani është një profesoreshë në një nga shkollat më prestigjioze të së drejtës në SHBA , ndërkohë që rrugëtimi i Albulena Ukës është një histori frymëzimi për brezin e ri.

Albulena Uka, emri i së cilës sot lidhet me botën akademike në Brooklyn Law School në Nju-Jork, ka bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm nga Mitrovica në qendrat më prestigjioze të dijes në botë. Në një kohë kur të rinjtë shpesh përballen me dyshime dhe sfida të shumta, historia e saj është dëshmi e qartë se përkushtimi, kurajë dhe vizioni i qartë mund të thyejnë çdo kufi.

Fillimet e shkëlqyera në Kosovë
Dashuria për drejtësinë dhe ligjin tek Albulena Uka u shfaq qysh herët. E regjistruar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, ajo u dallua shpejt si një nga studentet më të talentuara dhe të përkushtuara. Notat e saj të pandryshueshme dhe suksesi akademik kulmuan me diplomimin me mesatare të përsosur – 10.0.
Ky rezultat i jashtëzakonshëm nuk kaloi pa u vërejtur. Uka fitoi një nga bursat më prestigjioze të Komisionit Europian, e cila i mundësoi vazhdimin e studimeve në një prej universiteteve më të njohura të Belgjikës, Universitetin e Gentit (Ghent University).

Shkëlqimi në arenën ndërkombëtare

Në Belgjikë, ajo përfundoi masterin në Drejtësinë Ndërkombëtare dhe Evropiane, ku u diplomua Summa Cum Laude, një vlerësim që u jepet vetëm studentëve më të dalluar. Ky ishte një moment kthese në karrierën e saj, duke e futur në rrethin e ngushtë të juristëve të rinj europianë me potencial të lartë akademik dhe profesional.
Pas masterit, ajo vazhdoi doktoratën në të njëjtin universitet, duke u fokusuar në temat që prekin drejtpërdrejt demokracinë dhe të drejtat themelore: raporti mes së drejtës ndërkombëtare dhe asaj evropiane, sundimi i ligjit dhe mbrojtja e lirive bazike në Bashkimin Evropian.

Kontributi në Kosovë

Përveç përkushtimit akademik, Albulena Uka ka qenë aktive edhe në skenën institucionale të Kosovës. Ajo ka punuar në Ministrinë e Drejtësisë, ku ka dhënë kontribut në proceset reformuese dhe hartimin e politikave ligjore. Gjithashtu, ka qenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Themelore të Prishtinës, si dhe e Ministrisë së Integrimit Europian, duke sjellë profesionalizëm dhe përvojë të vyer në këto institucione.

Në të gjitha këto role, Uka ka treguar se si ekspertiza akademike mund të lidhet ngushtë me praktikën institucionale dhe shtetërore, duke ndihmuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe integrimit europian të Kosovës.

Një zë i dëgjuar ndërkombëtarisht

Emri i saj është i lidhur edhe me shumë konferenca dhe forume ndërkombëtare. Ajo ka përfaqësuar Kosovën në qytete si Vjenë, Paris, Bruksel, Ankara, Budapest e Shkup, duke ligjëruar mbi të ardhmen e së drejtës europiane dhe sfidat e demokracisë moderne. Përvoja e saj në platforma të tilla i ka dhënë zë Kosovës në arenën akademike ndërkombëtare dhe ka ndihmuar që bota të njohë më afër talentet e reja shqiptare.

Uka është angazhuar edhe në role kyçe në konferenca model të Kombeve të Bashkuara, duke udhëhequr sesione dhe duke qenë pjesë e forumeve ku debatohet për të drejtat e njeriut dhe çështje globale të rëndësishme.

Në katedrat e Brooklyn Law School

Sot, Albulena Uka është pjesë e Brooklyn Law School në New York, një ndër qendrat më prestigjioze të edukimit juridik në SHBA. Ky emërim e vendos atë në një pozitë të veçantë, duke u bërë një ndër të paktat profesoreshë shqiptare që ligjërojnë në këtë nivel të lartë akademik.

Për shumë të rinj kosovarë dhe shqiptarë në diasporë, ajo është një shembull se si pasioni për dijen dhe këmbëngulja për përsosmëri mund të hapin dyert e universiteteve më elitare në botë.

Një histori frymëzimi për brezin e ri

Historia e Albulena Ukës nuk është vetëm një sukses personal. Ajo është një frymëzim për të gjithë ata që besojnë se mund të arrijnë më shumë, pavarësisht kufijve gjeografikë apo sfidave të vështira. Rruga e saj, nga auditorët e Mitrovicës, tek amfiteatrot e Nju-Jorkut, është dëshmi se ëndrrat e mëdha realizohen me punë të palodhur, disiplinë dhe besim në vetvete.

Albulena Uka është sot një ambasadore e dijes kosovare në botë. Rrugëtimi i saj dëshmon se Kosova ka talente që mund të shkëlqejnë në çdo skenë ndërkombëtare dhe se e ardhmja e vendit është e ndritshme, kur mbështetet në gjenerata të reja me vizion dhe guxim.

Profesoreshë në Brooklyn Law School

Sot, Albulena Uka është pjesë e Brooklyn Law School në New York, një ndër qendrat më prestigjioze të edukimit juridik në SHBA. Ky emërim e vendos atë në një pozitë të veçantë, duke u bërë një ndër të paktat profesoreshë shqiptare që ligjërojnë në këtë nivel të lartë akademik.

Gjermania, nën mesataren e BE-së për përfaqësimin e grave në drejtime menaxhuese

Gjatë vitit 2024, vetëm 29.1% e pozicioneve të larta menaxheriale në Gjermani janë mbajtur nga gra, një shifër që qëndron poshtë mesatares së Bashkimit Evropian, e cila arrin në 35.2%, sipas të dhënave më të fundit të Zyrës Federale të Statistikave.

Të dhënat tregojnë se për dekadën e fundit, përqindja e grave në pozita udhëheqëse në Gjermani ka ndryshuar shumë pak, edhe pse në nivel evropian ka pasur një rritje prej mbi 3 pikësh përqindjeje që nga viti 2014.

Sipas Eurostat, disa vende të BE-së shënojnë përparim të dukshëm në këtë drejtim. Suedia kryeson listën me 44.4% gra në pozicione drejtuese, e ndjekur nga Letonia me 43.4% dhe Polonia me 41.8%.

Në të kundërt, Qiproja renditet në fund, me vetëm 25.3% të posteve menaxheriale të mbajtura nga gra.

Zyra Federale e Statistikave e cilësoi këtë rezultat “befasues”, duke marrë parasysh se në Gjermani thuajse gjysma e fuqisë punëtore – rreth 46.9% – përbëhet nga gra, një përqindje disi më e lartë se mesatarja e BE-së, që është 46.4%.

Këto të dhëna nënvizojnë se pavarësisht pjesëmarrjes së lartë të grave në tregun e punës, prania e tyre në nivelet e larta të drejtimit mbetet ende e kufizuar në Gjermani.

 

Solothurn planifikon ndalim të lotarive profesionale: përfitim apo rrezik për klubet lokale?

Kantoni i Solothurn-it po diskuton një ndryshim të ligjit ekonomik që synon ndalimin e lotarive të organizuara nga ofrues profesionalë. Ky ndryshim ka për qëllim të lehtësojë aktivitetin e klubeve lokale që shpërndajnë çmime në parà përmes lotarive të veta, të cilat për shumë shoqata janë një burim i rëndësishëm financiar për funksionimin e tyre.

Në kantonin Jura, lotaritë janë mjaft të popullarizuara dhe shpesh ofrojnë çmime si shporta me fruta, proshuta, biçikleta, vouchera ose para në dorë. Disa klube i organizojnë vetë lotaritë, ndërsa të tjerat i delegojnë te ofruesit profesionistë, të cilët shpesh organizojnë lojëra pothuajse çdo javë.

Sipas ligjit aktual, çmimet e parave dhe voucher-ave të të gjitha lotarive në kanton nuk duhet të tejkalojnë 820,000 franga në vit (rreth 2.50 franga për banor). Çdo ngjarje me fitim të planifikuar mbi 50,000 franga kërkon leje speciale. Në praktikë, ky kufi shpesh tejkalohet në Solothurn.

Mbi këtë bazë, qytetarët e kantonit do të votojnë më 30 nëntor për ndalimin e lotarive profesionale. Qeveria argumenton se kjo do t’i lejojë të gjitha shoqatat lokale të vazhdojnë të ofrojnë aktivitete kulturore dhe sportive për komunitetin, pa u varur nga ofruesit profesionistë. Parlamentit kantonal gjithashtu i ka dhënë mbështetje të plotë këtij ndryshimi.

Avantazhet e ndalimit

Mbështetësit e ndalimit thonë se duke hequr ofruesit profesionistë nga tregu, klubet do të mund të ofrojnë vetë çmime të mëdha si para, voucher-e ose çmime të tjera, pa shkelur kufijtë e ligjit. Kjo do të mundësojë që fondet e grumbulluara të mbeten për shoqatat lokale.

Rreziqet për klubet

Nga ana tjetër, gjashtë ofrues profesionistë të kantonit kundërshtojnë ndalimin dhe tashmë kanë mbledhur firma për një referendim kundër vendimit të parlamentit. Ata argumentojnë se ofruesit profesionalë garantojnë organizim të drejtë dhe transparent të lotarive dhe ndihmojnë klubet që nuk kanë mjaftueshëm personel për të menaxhuar lojërat vetë.

Qeveria kantonale dhe parlamenti rekomandojnë votim “PO” për këtë ndryshim, ndërsa vetëm SVP ka marrë pozicion “JO”.

Ky vendim mund të ketë ndikim të madh mbi mënyrën se si klubet lokale të Solothurn-it mbledhin fonde dhe organizojnë aktivitete për komunitetin.

 

Zbulim i ri shkencor: Një faktor gjenetik që mund të ndihmojë në shpjegimin e autizmit

Autizmi është një çrregullim kompleks i zhvillimit që ndikon në mënyrën se si individët mendojnë, mësojnë dhe komunikojnë me të tjerët. Ai zakonisht shfaqet në fëmijërinë e hershme dhe shoqëron personin gjatë gjithë jetës. Statistikat tregojnë se rreth një në çdo 59 fëmijë diagnostikohet me këtë çrregullim, ndërsa djemtë preken katër herë më shpesh se vajzat. Sipas raportimeve të “Reuters”, fëmijët me autizëm përballen shpesh me vështirësi në komunikim, ndërveprim social dhe shfaqje të sjelljeve të përsëritura.

Edhe pse autizmi është studiuar gjerësisht për dekada, shkaku i saktë i tij mbetet ende i paqartë. Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti Northwestern në SHBA ka arritur së fundmi të identifikojë një mekanizëm të rëndësishëm biologjik që mund të ndihmojë në shpjegimin e këtij fenomeni.

Kërkimi është përqendruar në një gjen të quajtur ANK3, i cili prodhon një proteinë të njohur si ankyrin-G – thelbësore për ndërtimin e lidhjeve mes qelizave nervore, të quajtura sinapse. Këto sinapse janë kanalet përmes të cilave qelizat e trurit komunikojnë mes tyre. Kur numri i tyre është më i ulët se normalja, truri përballet me vështirësi në përpunimin e informacionit, duke ndikuar në të mësuar dhe sjellje – dy elementë që shpesh shfaqen tek personat me autizëm.

Studiuesit zbuluan se për funksionimin e duhur të ankyrin-G është e domosdoshme edhe një tjetër proteinë, Usp9X, e cila ndihmon në stabilizimin e saj. Kur Usp9X nuk vepron siç duhet, sasia e ankyrin-G bie ndjeshëm, sidomos në fazat shumë të hershme të zhvillimit të trurit – gjatë ditëve dhe javëve të para pas lindjes, kur krijohen lidhjet bazë nervore.

Në eksperimentet e kryera me minj laboratorikë, u vu re se mungesa e ankyrin-G çonte në formimin e më pak sinapseve dhe në pasoja afatgjata për sjelljen dhe aftësinë e të mësuarit. Kjo i ka çuar shkencëtarët në përfundimin se një proces i ngjashëm mund të ndodhë edhe te njerëzit kur gjenet që kontrollojnë këto proteina nuk funksionojnë siç duhet.

Profesori Peter Penzes, udhëheqësi i studimit, theksoi se ky zbulim ofron një mundësi të re për të kuptuar më mirë mënyrën se si zhvillohet autizmi. Ai shtoi se gjetjet e reja mund të ndihmojnë në diagnostikim më të hershëm dhe në zhvillimin e trajtimeve të reja që synojnë përmirësimin e zhvillimit të trurit.

Rezultatet e studimit janë publikuar në revistën shkencore “Neuron”.

 

Shqipëria, “Tajlanda e Evropës”: Një parajsë tropikale vetëm disa orë larg Britanisë

Gazeta britanike “Express” e ka cilësuar Shqipërinë si “Tajlandën e Evropës”, një destinacion që ofron peizazhe tropikale dhe ujëra të kristalta, vetëm disa orë larg nga Britania e Madhe.

Në një artikull të autores Aditi Rane, theksohet se ndërsa miliona turistë udhëtojnë çdo vit drejt Tajlandës për të shijuar ishujt dhe plazhet e saj ekzotike, ekziston një alternativë shumë më afër dhe më e përballueshme – Shqipëria.

Sipas shkrimit, Lumi i Shalës, shpesh i quajtur “Tajlanda e Evropës”, ofron një përvojë magjepsëse natyrore, me ngjyrat e gjelbra të maleve që pasqyrohen në ujërat e tij blu.

Ky vend i jashtëzakonshëm është i arritshëm vetëm me varkë përmes Liqenit të Komanit dhe shtrihet në zemër të Alpeve Shqiptare, duke krijuar një atmosferë të qetë e të paprekur nga turizmi masiv.

Përveç peizazheve që të kujtojnë Azinë Juglindore, vizitorët mund të shijojnë aktivitete të shumta si noti, zhytja, kajaku dhe ecja në natyrë.

Për ata që kërkojnë pushim e qetësi, Lumi i Shalës mbetet një destinacion ideal, larg zhurmës dhe turmave të mëdha turistike.

Në tetor, temperaturat mesatare rreth 25°C e bëjnë Shqipërinë zgjedhjen perfekte për ata që duan të shijojnë rrezet e fundit të diellit të verës.

Pamjet mahnitëse të këtij rajoni janë bërë virale edhe në rrjetet sociale. Një video në TikTok që tregonte ujin e pastër dhe peizazhet tropikale të lumit ka habitur përdoruesit, të cilët nuk e besonin se ndodhej në Evropë.

“Kam qenë në Shqipëri disa herë. Është destinacioni im i preferuar, dhe e rekomandoj pa hezitim”, shkruan një komentues. Një tjetër shton: “Mendova se ishte Tajlanda!”

Falë fluturimeve direkte nga disa aeroporte britanike, si Bristol, Birmingham, Luton dhe Stansted, udhëtimi drejt Shqipërisë është i lehtë dhe ekonomik.

Në muajin tetor, biletat ajrore mund të kushtojnë vetëm 20 paund, duke e bërë këtë vend një alternativë tërheqëse për pushuesit që kërkojnë diell, det dhe qetësi tropikale pa dalë nga Evropa.

 

Banorët e Cyrihut kundërshtojnë rritjen e qirave

Në Cyrih, po rritet rezistenca kundër rritjeve masive të qirave nga Baloise Group, një nga pronarët më të mëdhenj të Zvicrës.

Brenda tre ditëve nga lançimi i tij, mbi 5,300 njerëz kanë nënshkruar një peticion kundër rritjes së çmimeve, i nxitur nga një rast i kohëve të fundit ku qiraja për një apartament u rrit me më shumë se 1,000 franga në muaj pas një ndryshimi të qiramarrësve, shkruan thelocal, transmeton albinfo.ch.

Sipas Shoqatës së Qiramarrësve të Cyrihut, “raste të tilla nuk janë incidente të izoluara”; prandaj, peticioni kërkon që Baloise Group t’i japë fund “rritjeve drastike të qirave, të zbulojë politikën e saj të çmimeve dhe të marrë përsipër përgjegjësi sociale”.

Cyrihu nis lagjen pilot me zero energji zero

Qyteti zviceran i Cyrihut po zbaton një lagje zero-emetimesh në zonën Binz dhe Alt-Wiedikon. Gjatë gjashtë viteve të ardhshme, banorët, bizneset dhe shkollat ​​do të testojnë qasje të reja ndaj mbrojtjes së klimës dhe qëndrueshmërisë.

Qyteti po përdor fillimin e fazës së zbatimit për iniciativa të tilla si stacionet e reja të karikimit elektronik dhe kutitë e pakove për të zvogëluar trafikun e shpërndarjes, tha këshilli i qytetit në një deklaratë të hënën.

Shërbimet e konsulencës janë gjithashtu në dispozicion për të ndihmuar pronarët të rinovojnë dhe optimizojnë sistemet e tyre të ngrohjes. Dhe nga 21-23 nëntori, një “climathon” do të zhvillohet në rreth për të zhvilluar zgjidhje për mbrojtjen e klimës, transmeton albinfo.ch.

Zero-emetime deri në vitin 2040

Qëllimi i projektit është të testojë se si qyteti, ekonomia dhe popullsia mund të arrijnë zero-emetimesh hap pas hapi, shkruan swissinfo. “Mbrojtja e klimës ka sukses kur bëhet pjesë e jetës së përditshme”, tha kryetarja e bashkisë Corine Mauch e Social Demokratëve.

Rrethi pilot është pjesë e strategjisë së klimës zero-emetimesh të qytetit deri në vitin 2040, e cila u miratua nga 75% e popullsisë në një votim të vitit 2022. Në shkurt të vitit 2024, parlamenti i qytetit miratoi një buxhet prej gati 8 milionë CHF (10 milionë dollarë) për projektin gjashtëvjeçar.

Shëndeti mendor, një sfidë e kushtueshme për kompanitë zvicerane

Stresi kronik, lodhja ose depresioni: shëndeti mendor në punë është bërë një shqetësim i rëndësishëm në Zvicër. Sipas vlerësimeve të fundit, çrregullimet mendore i kushtojnë ekonomisë së vendit rreth 20 miliardë franga në vit, një shifër që pasqyron rritjen e vazhdueshme të lejeve mjekësore që lidhen me shqetësimin psikologjik.

Një studim ndërkombëtar nga Axa tregon se Zvicra është vendi i industrializuar ku aktiviteti profesional ka ndikimin më të madh në mirëqenien mendore. Pothuajse 17% e punëtorëve përjetojnë paaftësi të përkohshme për punë për arsye psikologjike, shkruan RSI, transmeton albinfo.ch.

Këto mungesa, shpesh për shkak të ngarkesave të tepërta të punës, afateve shumë të shkurtra ose mungesës së njohjes, ndikojnë në të gjithë sektorët.

Tensionet në vendin e punës janë shkaku kryesor i mungesave për shkak të sëmundjeve me origjinë psikologjike, përgjegjëse për 57% të rasteve sipas një studimi të kohëve të fundit. Këto mungesa janë gjithashtu më të gjatat: mesatarisht 218 ditë, ose më shumë se shtatë muaj, dhe në 95% të rasteve është një ndërprerje me kohë të plotë.

Përballë këtij realiteti, një numër në rritje i kompanive zvicerane investojnë në parandalim: punëtori mbi menaxhimin e stresit, kurse trajnimi mbi rreziqet psikosociale ose programe mbështetjeje psikologjike. Por, pavarësisht këtyre përpjekjeve, shëndeti mendor mbetet një çështje e ndjeshme, shpesh e vështirë për t’u trajtuar hapur në sferën profesionale.

Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut: Katër gra janë zgjedhur kryetare të komunave

Në Zgjedhjet lokale në Maqedoni të Veriut, që janë mbajtur dje, katër gra kanë arritur ta marrin besimin e qytetarëve dhe të zgjedhen kryetare në komunat e tyre, një në rrethin e parë dhe tre në rrethin e dytë.

Në rrethin e parë, kryetarja e vetme e zgjedhur ishte Beti Stamenkoska Trajkovska nga VMRO-DPMNE, e cila do ta udhëheq Komunën e Kisella Vodës.

Në rrethin e dytë, mandat të dytë fitoi Sonja Stamenkova në Komunën e Makedonska Kamenicës, e mbështetur nga Koalicioni “Zgjedhje lokale 2025 – LSDM”.

Mandat të kryetares në rrethin e dytë fituan edhe kandidatet e Koalicionit “Maqedonia Jote” – VMRO-DPMNE”, Marija Naceva në Komunën e Negotinës dhe Natalia Dimitrieva në Komunën e Demir Kapisë, shkruan INA, transmeton albinfo.ch.

Në këto zgjedhje kishte gjithsej 309 kandidatë për kryetarë komunash, nga të cilat vetëm 32 ishin gra (10.35%). Më shumë kandidate, tre kishte në Prilep, ndërsa nga dy kanë kandidatuar në Manastir, Veles, Karposh, Kisella Vodë, Negotinë dhe Qendër.

Në 16 komuna dhe Qytetin e Shkupit kishte vetëm nga një grua kandidate.

Në pjesën më të madhe të komunave gratë nuk ishin fare të pranishme në fletëvotime.

Fillon gjyqi në Zvicër kundër dy burrave me akuza për terrorizëm në lidhje me Kosovën

Dy burra nga Ballkani do të paraqiten sot para Gjykatës Federale Penale Zvicerane në Bellinzona, të akuzuar për mbështetje dhe pjesëmarrje në një grup ekstremist që kishte planifikuar të destabilizonte një rajon të Kosovës.

Të dy të akuzuarit janë një 37-vjeçar kosovar dhe një 34-vjeçar me shtetësi të dyfishtë, Zvicër dhe Maqedoni. Me bazë në rajonin e Gjenevës, ata u arrestuan në shtator 2022 pas një mbikëqyrjeje të gjatë dhe që atëherë janë në burg.

Akuzat e ngritura nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm janë serioze: pjesëmarrja dhe mbështetja për një organizatë terroriste, ryshfet ndaj zyrtarëve të huaj publikë, pastrim parash, pengim i procedurave penale, falsifikim dokumentesh dhe mashtrim tregtar, ndër të tjera. Të dy burrat prezumohen të pafajshëm.

Të dy burrat akuzohen se kanë mbështetur dhe financuar një organizatë islamike në Kosovë, Vëllezërit Vitia. Midis viteve 2014 dhe 2022, ata drejtuan degën e saj zvicerane, të ashtuquajturit Vëllezërit e Gjenevës, e cila ishte aktive në zonën e Liqenit të Gjenevës. Ai mblodhi burra kryesisht nga qyteti kosovar i Vitisë dhe, në një masë më të vogël, nga Maqedonia e Veriut, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Pasi rekrutuan besimtarë rreth xhamisë në Petit-Saconnex, Gjenevë, duke filluar nga viti 2016, Vëllezërit e Gjenevës u përqendruan në financimin e organizatës kosovare.

Sipas aktakuzës, fondet e mbledhura përmes abonimeve dhe donacioneve, por mbi të gjitha përmes sigurimeve shoqërore dhe mashtrimit me kredi Covid, arritën në një shumë midis 64,000 CHF dhe 77,000 CHF. Këto janë vetëm shumat e dërguara në Kosovë.

Shteti Islamik dhe ligji i Sheriatit

Qëllimi i Vëllezërve Vitia ishte të përfitonin nga destabilizimi politik në Kosovë për të marrë pushtetin në një rajon dhe për të imponuar një shtet islamik të qeverisur nga ligji i Sheriatit, sipas prokurorisë. Paratë e mbledhura në Gjenevë u përdorën për të blerë armë dhe për të korruptuar gjyqtarët e thirrur për të gjykuar anëtarët e grupit.

Në vitin 2016 në Kosovë, dy burrat dyshohet gjithashtu se kanë ndihmuar në ruajtjen e katër pushkëve sulmuese kalashnikov, një pistoletë dhe 3,000 fishekëve në një shtëpi të sigurt. Ata dyshohet gjithashtu se kanë organizuar takime indoktrinimi në Gjenevë. Për këtë qëllim, thuhet se ata kanë ftuar dhe pritur disa imamë.

Zvicra detyrohet t`i trajtojë studentët nga BE, sikur vendësit

Në të ardhmen, universitetet zvicerane do të detyrohen t’u ngarkojnë studentëve nga vendet e BE-së të njëjtat tarifa shkollimi si studentët vendas – shtesat nuk do të lejohen më.

Pothuajse një e pesta e studentëve në universitetet zvicerane vijnë nga vendet e BE-së. Sipas marrëveshjeve të reja të BE-së, universitetet nuk do të jenë më në gjendje t’u ngarkojnë qytetarëve të BE-së tarifa shkollimi më të larta se ato për studentët vendas, raportohet nga gazetat CH Media.

Kjo kërcënon humbje në miliona franga: të ardhura që arrijnë në total pothuajse 41 milionë franga zvicerane do të humbasin, sipas shifrave të publikuara nga qeveria federale, transmeton albinfo.ch. Ky “mosdiskriminim” po shkakton shqetësim. “Shumë universitete do të përballen me sfida të konsiderueshme financiare dhe strukturore”, paralajmëron Swissuniversities, konferenca e rektorëve të universiteteve zvicerane.

Dy ETH (universitetet politeknike) , Zurich dhe Lozanë, janë veçanërisht të goditura rëndë, pasi vetëm kohët e fundit kanë futur tarifa më të larta shkollimi për studentët ndërkombëtarë. Kjo rezultoi në një humbje prej 23.6 milionë frangash zvicerane në të ardhura shtesë.

Universitetet e St. Gallenit dhe Luganos do të preken gjithashtu, me humbje prej 7.6 milionë dhe 7.7 milionë frangash zvicerane, përkatësisht. Universitete të tjera, si ai i Bazelit, Bernës, Gjenevës dhe Lozanës, tashmë nuk ngarkojnë pothuajse fare ose vetëm një mbishpagim minimal për tarifat e shkollimit për qytetarët e BE-së.

Për katër vitet e para, qeveria federale synon të mbulojë humbjet e universiteteve të prekura. Në rastin e dy Instituteve Federale të Teknologjisë (ETH Zurich dhe ETH Zurich), të cilat i zotëron, ajo do të marrë përsipër kostot e plota. Për universitetet kantonale, ajo planifikon të paguajë gjysmën dhe t’ia lërë pjesën tjetër vetë kantoneve. Ka pakënaqësi të veçantë në Ticino dhe St. Gallen, ku qeveria federale po kërkon mbulim të plotë të kostove.

Zvicër: Shkalla vjetore e inflacionit shënoi rënie në tetor

Mallrat dhe shërbimet në Zvicër kushtuan mesatarisht 0.1 përqind më shumë në tetor sesa një vit më parë. Kjo do të thotë që inflacioni vjetor ra me 0.1 pikë përqindjeje krahasuar me shtatorin, duke u rikthyer në të njëjtin nivel si në qershor, transmeton albinfo.ch.

Konkretisht, norma vjetore e inflacionit në tetor ishte 0.1 përqind, nga 0.2 përqind muajin e kaluar.

Kjo shifër tani është në të njëjtin nivel si në qershor, pas të cilit mbeti në +0.2 përqind për tre muaj rresht. Në maj, ajo madje ra pak për pak kohë në territor negativ.

Ky informacion u publikua nga Zyra Federale e Statistikave, të hënën.

Ndërsa mallrat vendase u bënë përsëri pak më të shtrenjta, mallrat e importuara në fakt u bënë më të lira, raporton srf.ch.

Indeksi kombëtar i çmimeve të konsumit ka shënuar rënie me 0.3 për qind krahasuar me muajin e kaluar, duke u ndalur në 107.2 pikë.

Ndër të tjera, janë ulur çmimet në sektorin e hotelerisë dhe për pushimet e paketuara jashtë vendit . Veshjet dhe këpucët, për shembull, u bënë më të shtrenjta.

Prodhimi i orëve dhe sfidat me të cilat përballet

Dobësimi i kërkesës globale, tarifat amerikane dhe rritja e çmimeve të arit po ushtrojnë presion mbi industrinë zvicerane të orëve në disa fronte. Megjithatë, inovacioni në orë, proceset e tyre të prodhimit dhe shërbimet po i mundëson sektorit të përballojë këtë situatë sfiduese.

“Tarifat vijnë në një kohë tkurrjeje, pas euforisë pas Covid-it. Gjatë bumeve ekonomike, industria tenton të mbiprodhojë dhe të grumbullojë inventarë”, shpjegon Elvis Gonzalez, drejtor menaxhues i konsulencës së prodhimit të orëve M&BD Consulting. “Kjo ndikon vazhdimisht në tregjet gri, veçanërisht në internet, ku disa modele orash shiten me zbritje të mëdha.” “Ndikimi i taksave të reja në SHBA është i diskutueshëm dhe ndryshon nga marka në markë, disa prej të cilave kanë liri veprimi të konsiderueshme”, thotë Gonzalez. “Racionalizimi i prodhimit, por edhe negocimi me furnizuesit dhe shpërndarësit, janë mënyrat e preferuara për të ulur kostot.”

“Kriza me të cilën përballet industria e prodhimit të orëve është ciklike. Ndryshe nga viti 2016, kur grupet kishin zbatuar plane sociale, përdorimi i punës me kohë të shkurtër tregon se prodhuesit duan të shmangin humbjen e ekspertizës së tyre dhe po mbështeten në një rimëkëmbje”, shton Benjamin Gietzendanner, një ekspert në firmën konsulente BearingPoint. Kjo reflektohet në shifrat e punësimit, me sektorin që ruan një fuqi punëtore të qëndrueshme, sipas shifrave nga Federata e Industrisë së Orëve (FH). Megjithatë, viti 2025 duket sfidues: “Sektori ka parë rritje të fortë për tre vjet dhe rënia ka të ngjarë të vazhdojë për një ose dy vjet të tjerë, por bazat janë të forta, të paktën për segmentin e çmimeve mbi 5,000 franga”, beson eksperti. Rritja e qëndrueshme e numrit të milionerëve, veçanërisht në Kinë dhe Indi, dhe kërkesa jashtëzakonisht e fortë për orët e përdorura janë disa shenja optimizmi, transmeton albinfo.ch.

Një sfidë është çmimi i arit, i cili është rritur me gati gjysmën që nga fillimi i vitit. “Rritja e shpejtë dhe e ndjeshme e çmimit të arit përbën një sfidë të madhe për prodhuesit e orëve: kalimi i kostos së plotë është delikat, pasi një rritje shumë e papritur e çmimit mund të ulë kërkesën, veçanërisht me presionin e shtuar të tarifave të reja amerikane. Prandaj, markat po i rregullojnë gradualisht çmimet, duke rritur edhe efikasitetin e tyre”, thekson Jean-Philippe Bertschy, një analist në Bank Vontobel. “Klientët tanë të prodhimit të orëve po kërkojnë zgjidhje për çmimin e arit”, rrëfen një specialist i kërkimit dhe zhvillimit anonim në një furnizues të industrisë. Kompania e tij kohët e fundit përdori printimin 3D për një klient, një metodë që lejon “të zvogëlohet pesha e kornizës së orës duke ruajtur vëllimin e saj”. Për këtë klient të njohur, i cili ofron orë midis 40,000 dhe 240,000 frangave, kjo ka bërë të mundur “zvogëlimin e peshës së arit të kërkuar me një të tretën”, shpjegon ai.

“Që nga fillimi i krizës, grupet kryesore të prodhimit të orëve kanë ruajtur ose edhe kanë rritur buxhetet e tyre të kërkimit dhe zhvillimit. Këto projekte synojnë kryesisht rritjen e produktivitetit (automatizimi, dixhitalizimi i punishteve) duke mbështetur njëkohësisht përmirësimin e gamës së modeleve për të ruajtur marzhet dhe diferencimin”, shton Bertschy. “Markat rrisin çmimet e tyre me 3% deri në 4% çdo vit, gjë që shpjegon pse nuk ndiejnë presion për të automatizuar. Përkundrazi, rreziku i dëmtimit të imazhit të markës duket të jetë më i madh”, vëren Gietzendanner, duke vënë në dukje se kostot e prodhimit përfaqësojnë “rreth 20% të çmimit të një ore” dhe se “markat nuk janë përpjekur kurrë t’i ulin ato”. Kjo është gjithashtu arsyeja pse industria mbetet prapa sektorëve të tjerë kur bëhet fjalë për inovacionin: “Automatizimi është një dilemë, sepse nga njëra anë, lejon uljen e kostove dhe shpesh përmirësimin e cilësisë, por në të njëjtën kohë, bie ndesh me imazhin e orëndreqësit artizanal, i cili është baza e suksesit të orëve zvicerane.”

Nëse industria zvicerane e orëve dëshiron të ruajë epërsinë e saj ndërkombëtare, diferencimi është thelbësor: “Përballë konkurrencës në rritje nga India dhe Kina, artizanati dhe tradita janë çelësi i diferencimit”, shpjegon Gietzendanner. “Titan, një degë e Grupit Tata, prodhon më shumë se 15 milionë orë në vit, një pjesë gjithnjë e në rritje e të cilave janë modele mekanike”, thotë ai. “Ka dy fabrika orësh, 200 mekanizma të zhvilluar dhe eksporton në 30 vende, kryesisht në Azi dhe Lindjen e Mesme”. “Sa i përket ndërlikimeve, shumë mundësi janë eksploruar tashmë, por në dizajnin e orëve, idetë janë të shumta”, shpjegon eksperti i kërkimit dhe zhvillimit. “Trendi i madh janë ndryshimet e ngjyrave për metalet”. Nuanca të reja po zhvillohen për markat që shpesh ruajnë ekskluzivitetin e tyre për një periudhë të caktuar. Nga ana e tij, përdorimi i printimit 3D në bizhuteri dhe orë dore po hap gjithashtu mundësi të reja në aspektin e dizajnit të orëve.

Analizat gjenetike treguese për parandalimin e sëmundjeve kronike

Specialistja e Gjenetikës Mjekësore në Spitalin e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit “Biruni” në Stamboll, Zeynep Ocak tha se struktura gjenetike ndikon drejtpërdrejt në suksesin e trajtimit në sëmundjet kronike dhe se identifikimi i shënuesve gjenetikë ofron avantazh të rëndësishëm për trajtimin në kohë.

Në një deklaratë të lëshuar nga spitali, Ocak vuri në dukje se analizat gjithëpërfshirëse gjenetike mund të parashikojnë shkencërisht trendet shëndetësore afatgjata të një individi.

Ajo tha se ADN-ja tani zbulon se si trupi do t’i përgjigjet trajtimit, cilat ilaçe do të jenë efektive dhe cilat rreziqe shëndetësore mund të hasen në të ardhmen, shkruan ATSh, transmeton albinfo.ch.

Pasi shpjegoi se ADN-ja është bërë një nga përcaktuesit më themelorë që ndikojnë në përgjigjen e trupit ndaj ilaçeve dhe suksesin e trajtimit, Ocak tha se “fusha e farmakogjenetikës bën të mundur parashikimin se cilat ilaçe do të jenë efektive në cilat doza bazuar në përbërjen gjenetike të një individi”.

Sipas saj “antidepresivët mund të jenë joefektivë te disa pacientë ndërsa mund të shkaktojnë efekte anësore tek të tjerët. Arsyeja e këtyre ndryshimeve janë ndryshimet tona gjenetike. Epoka e trajtimeve të ngjashme për çdo sëmundje tani po zëvendësohet nga një epokë e trajtimit të personalizuar”.

Specialistja Ocak thekson rëndësinë e informacionit gjenetik në mjekësinë parandaluese për sëmundjet multifaktoriale si hipertensioni, diabeti, migrena dhe sëmundjet kardiovaskulare.

“Kur identifikohet predispozita gjenetike, individët përmes të ushqyerit, ushtrimeve, menaxhimit të stresit dhe kontrolleve të rregullta mund të marrin masa parandaluese përpara se sëmundja të zhvillohet. Interpretimi i saktë i informacionit gjenetik mbështet jo vetëm trajtimin, por edhe ruajtjen e një jete të shëndetshme”, tha ajo duke shtuar:

“Analizat gjithëpërfshirëse gjenetike zbulojnë predispozita gjenetike për gjendje të tilla si mpiksja e gjakut, çrregullimet e metabolizmit të kolesterolit dhe dobësia e muskujve të zemrës në sëmundjet kardiovaskulare”.

Më tej Ocak kujton se disa sëmundje neurologjike, të tilla si sëmundja e Alzheimerit dhe Huntingtonit, janë të lidhura ngushtë me ndryshimet gjenetike.

Ajo thekson se sëmundje të tilla nuk mund të parandalohen plotësisht përmes ndryshimeve të stilit të jetës, por identifikimi i shënuesve gjenetikë siguron avantazh të rëndësishëm në aspektin e diagnostikimit të hershëm, monitorimin e afërt dhe trajtimin në kohë.

“Çdo individ mund të reagojë ndryshe ndaj të njëjtit plan ushqimi ose ushtrimesh. Një dietë që i sjell dobi një personi mund të jetë joefektive për një tjetër dhe kjo ndodh sepse gjenet përcaktojnë përdorimin e energjisë, ruajtjen e yndyrës, strukturën e muskujve dhe metabolizmin e vitaminave”, tha Ocak.

Ajo nënvizon se profilet gjenetike mund të zbulojnë se ndaj cilave grupe ushqimore një individ reagon më mirë, ndjeshmërinë e tyre ndaj kafeinës ose laktozës dhe kapacitetin e tyre antioksidues.

“Edhe prodhimi i kolagjenit, ndjeshmëria ndaj diellit dhe shëndeti i lëkurës formohen nga ndryshime të vogla në ADN-në tonë. Njohja e këtyre ndryshimeve ofron bazë shkencore për planifikimin e një jete të shëndetshme”, shtoi Ocak.

Sulm me thikë në një tren në Angli: Asgjë nuk tregon se ishte akt terrorist

Dhjetë persona u plagosën në një sulm me thikë në një tren në Mbretërinë e Bashkuar

Policia britanike deklaroi të dielën se nuk ka asnjë tregues “në këtë fazë” që sulmi me thikë, i cili la të paktën dhjetë të plagosur në një tren në lindje të Anglisë të shtunën, të ketë qenë akt terrorist. Nga dy personat e arrestuar fillimisht, vetëm njëri konsiderohet tani si i dyshuar.

Sulmi ndodhi të shtunën në një tren që ishte nisur në orën 18:25 me orën lokale nga Doncasteri (veri i Anglisë) drejt stacionit King’s Cross në Londër.

Autoritetet u njoftuan për incidentin rreth orës 19:40 pas aktivizimit të sistemit të alarmit dhe ndërhynë në stacionin Huntingdon, afër qytetit universitar të Kembrixhit, rreth 120 kilometra në veri të kryeqytetit.

Sipas Policisë së Transportit Britanik (BTP), oficerët lokalë “hipën në tren dhe arrestuan dy persona”. E gjithë ndërhyrja përfundoi brenda tetë minutash.

Mediat zvicerane shkruajnë për Loredanën, polemikat dhe përplasjet e saj në skenën muzikore

Loredana, reperja e njohur me prejardhje nga Kosova dhe e vendosur në Lucern të Zvicrës, ka reaguar ashpër ndaj kritikave të koleges gjermane Ikkimel. Mediat zvicerane raportojnë se përplasjet verbale midis dy artisteve kanë marrë hov, me Loredanën që e ka quajtur Ikkimel “rast të humbur” gjatë një transmetimi live, transmeton albinfo.ch

Ikkimel kishte kritikuar së fundmi këngën më të fundit të Loredanës, duke e përshkruar tekstin si “shumë të dobët dhe pa origjinalitet”. Loredana, 30 vjeçe, tha se nuk e kupton pse reperja nga Berlini ndjehet e prekur: “As që kisha menduar për të. Nuk është në mendjen time apo në jetën time,” u shpreh ajo.

Reagime ndaj Shirin David

Por Loredana nuk ndalet vetëm me Ikkimel. Ajo ka kritika edhe për reperen gjermane Shirin David, pasi një varg i këngës së saj “Ich bin nicht so eine” duket se i referohet Loredanës. Këngëtarja kosovare-zvicerane theksoi se nuk do të komentojë më tej për këtë çështje, duke thënë: “Ky emër nuk do të përmendet në këtë shtëpi.”

Loredana është një nga artistet më të ndjekura nga komuniteti shqiptar në diasporë, dhe mediat zvicerane vazhdojnë ta mbulojnë çdo lëvizje të saj në skenën muzikore ndërkombëtare.

 

 

Eurobarometri: Shumica e spanjollëve mbështesin anëtarësimin e Kosovës në BE

Një sondazh i ri i publikuar nga Eurobarometer ka treguar se shumica e qytetarëve në disa vende të Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e shohin pozitivisht mundësinë që Kosova t’i bashkohet BE-së.

Sipas rezultateve, 53 për qind e qytetarëve të Spanjës janë në favor të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, ndërsa 27 për qind janë kundër dhe 20 për qind mbeten neutralë. Në Rumani, 52 për qind shprehen pro, ndërsa 36 për qind janë kundër.

Përqindja e mbështetjes është më e ulët në disa shtete të tjera që nuk e njohin Kosovën: në Sllovaki arrin në 46 për qind, në Greqi 44 për qind dhe në Qipro 40 për qind, transmeton klankosova përcjell albinfo.ch.

Në përgjithësi, kur merren për bazë pesë shtetet mosnjohëse, mesatarja e mbështetjes për Kosovën është 47 për qind, krahasuar me 40 për qind që janë kundër. Në nivel të përgjithshëm të BE-së, përkrahja për integrimin e Kosovës arrin në 43 për qind.

Ky rezultat është cilësuar si befasues, veçanërisht në rastin e Spanjës – një vend që nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, por ku opinioni publik shfaqet më pozitiv ndaj anëtarësimit të saj në BE sesa mesatarja evropiane.

 

 

Gjermani: Ulje e ndjeshme e kërkesave për azil

Numri i personave që kanë kërkuar azil në Gjermani ka vijuar të bjerë ndjeshëm. Gjatë dhjetë muajve të parë të këtij viti janë regjistruar 97 277 kërkesa, krahasuar me 199 947 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme gjermane.

“Politikat tona të reja për migracionin po japin rezultate. Ne kemi arritur të ulim ndjeshëm faktorët që e bëjnë Gjermaninë tërheqëse për emigrantët,” deklaroi ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, për gazetën gjermane Bild.

Një zëdhënës i ministrisë theksoi gjithashtu se janë shtuar kontrollet kufitare, duke shtuar se “që nga muaji maj, rreth 18 600 persona janë ndaluar të hyjnë ose janë kthyer mbrapsht në kufijtë gjermanë”.

Pas marrjes së detyrës në maj, Dobrindt kishte dhënë udhëzime që aplikimet për azil të refuzohen në kufi, nëse nuk përmbushin kriteret.

Reduktimi i numrit të kërkesave lidhet edhe me masat e marra nga vendet e Ballkanit, si dhe me ndryshimet në situatën në Siri, prej nga vinte më parë numri më i madh i azilkërkuesve. Regjimi i Bashar al-Assad u rrëzua në dhjetor, duke ndikuar në uljen e fluksit të refugjatëve.

Deri në ora 15:00 kanë votuar mbi 30% të votuesve, më pak se në raundin e parë

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni të Veriut, deri në orën 15:00, kanë dalë për të votuar më pak qytetarë se në raundin e parë.

Numri i qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale deri në orën 15:00, ka shkuar deri në 30,26%, krahasuar me zgjedhjet në raundin e parë ishte 31,16%, transmeton albinfo.ch.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka deklaruar se në raundin e dytë jehona e votuesve është më e vogël për afër 1%.