Biblioteka Kombëtare nderon Epopenë e UÇK-së me dy ekspozita

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” me rastin e përvjetorit të 28-të të Epopesë së UÇK-së, sot me fillim nga ora 11:00, në dy atriumet e veta, do të hapë dy ekspozita në shenjë nderimi dhe kujtimi për luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ekspozita Epopeja e UÇK-së në shtypin e Kosovës (2000-2020) paraqet mënyrën sesi Epopeja e UÇK-së është organizuar, kujtuar, festuar dhe interpretuar në shtypin e Kosovës përgjatë dy dekadave pas luftës.

Ekspozita trajton narrativën e përvjetorëve të epopesë më 5, 6, 7 mars, gjuhën e përdorur në titujt e gazetave për këtë epope, ndryshimin e diskursit medial ndër vite për këtë epope dhe, po ashtu, heroizimin dhe institucionalizimin e kujtesës kombëtare.

Mesazhi i kësaj ekspozite është: epopeja e UÇK-së nuk është vetëm ngjarje historike, por edhe proces i vazhdueshëm i ndërtimit të kujtesës përmes fjalës së shkruar.

Ekspozita tjetër, e cila, po ashtu, do të hapet nesër në atriumin e BKK-së, me titull “Ditënetët e zjarreve në Prekaz”, është vizuale dhe emocionale. Ajo përqendrohet në vendin fizik ku ka ndodhur sakrifica e familjes Jashari, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Kjo ekspozitë përbëhet nga 36 fotografi të fotografit nga Skenderaj, Sefer Aliqkaj, i cili i ka realizuar kryesisht në Prekaz.

Titulli i kësaj ekspozite, “Ditënetët e zjarreve në Prekaz”, simbolizon: zjarrin e luftës, zjarrin e sakrificës, zjarrin e kujtesës dhe mbijetesën. Fotografitë e realizuara në vendlindjen e familjes së Adem dhe Hamëz Jasharit nuk janë vetëm dokumentim, por dëshmi e një hapësire të shndërruar në simbol kombëtar.

Përmbajtja e kësaj ekspozite është me fotografi panoramike nga Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, nga shtëpitë e familjes Jashari, nga peizazhi i lagjes Jashari, nga shenjat e sakrificës, nga gjurmë të plumbave nëpër shtëpitë e tyre dhe gjësendet përbri shtëpive të tyre, nga muret e djegura dhe të shkatërruara, nga objektet e ruajtura nga institucionet e Kosovës, nga festimet e përvjetorëve të Epopesë në disa edicione, nga ceremonitë festive, nga flakadanët, nga qytetarët që vizitojnë kompleksin dhe nderojnë të rënët, nga Jasharët e brezit të vjetër dhe të rinj etj.

Mesazhi i përbashkët i këtyre dy ekspozitave është se Prekazi nuk është vetëm vend historik, por altar i kujtesës kombëtare.

Presidenca e gatshme t’i dërgojë në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të presidentit nga populli

Shefja e stafit të presidentes Vjosa Osmani, Learta Hollaj, ka thënë se janë të gatshëm që nesër t’i dërgojnë për votim në Kuvend amendamentet kushtetuese që parashohin zgjedhjen e presidentit nga populli. 

Ajo ka thënë se Osmani hyn në këtë garë vetëm për t’u rizgjedhur, por meqë sipas saj po flitet për garë, atëherë ajo ka thënë se gara e vërtetë është ajo te populli. 

“Për të hyrë në këtë garë presidentja Osmani hyn për t’u rizgjedhur, e nëse flasim për garë, atëherë garë për garë po kthehemi aty ku gara është e vërtetë, është te qytetarët e Republikës së Kosovës, ne kemi kohë, janë edhe 24 orë afat, dhe ne jemi të gatshëm që në ora 8 në mëngjes që të dorëzojmë amendamentet në Kushtetuese dhe të kthehemi te sovrani, ku është problemi, matemi dhe pastaj kuptojmë se cila është përgjigja”, është shprehur Hollaj për Ktv.

Sot fillon Epopeja e UÇK-së

Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e koncentroi në Prekaz, në zemrën e UÇK-së duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.

Ajo që ndodhi në fillimet e marsit të vitit 1998 është një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj, politikë e diplomatikë. Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit ngrehi çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore.

Kështu, në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi u rrethua nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Atje pati rrethim të hekurt.

Pikërisht më 5 mars bëhen 28 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm në historinë e kombit tonë, transmeton albinfo.ch.

Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mundi frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këto ditë dhe data, e pikërisht 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi legjendar, që shekuj e vite i dha Kosovës shumë.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 kryhet sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta.

Ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marr vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”. Dhe vendosen të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre.

Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoj tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.

Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në 28-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Koncert i muzikës shqiptare në Ústí nad Labem

Ambasada e Kosovës në Pragë organizoi një mbrëmje koncertale në Sallën Perandorake të Muzeut Rajonal në Ústí nad Labem, duke i prezantuar publikut çek një program me muzikë vokale shqiptare, transmeton albinfo.ch.

Sopranoja Elona Sadiku, e shoqëruar në piano nga Pranvera Hoxha, krijoi një atmosferë të veçantë artistike që u prit me emocion dhe duartrokitje nga të pranishmit. Ngjarja u realizua në partneritet me Universiteti Jana Evangelisty Purkyně, si dëshmi e bashkëpunimit kulturor dhe akademik ndërmjet Kosovës dhe Çekisë.

Programi përfshiu këngë artistike e popullore shqiptare nga kompozitorë të njohur, duke shpalosur pasurinë dhe ndjeshmërinë e muzikës shqipe. Moment i veçantë ishte interpretimi i aries “Měsíčku na nebi hlubokém” nga opera Rusalka e kompozitorit Antonín Dvořák, që i dha koncertit një dimension simbolik si urë lidhëse mes dy kulturave.

Aktivitetet e Muajit të Gjuhës dhe Kulturës Shqipe do të vazhdojnë me ligjërata akademike dhe ngjarje të tjera kulturore, ndërsa së shpejti do të shfaqet edhe filmi Hive, duke vijuar promovimin e artit kosovar në Çeki./Albinfo.ch

Aksident fatal për 10-vjeçarin shqiptar në Itali

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, pasi një 10-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën në Foggia të Italisë, transmeton albinfo.ch.

Sipas mediave italiane, vogëlushi,  i identifikuar si Alessio, ishte duke luajtur kur u rrëzua dhe goditi kokën në murin e një shatërvani në sheshin e qytetit. Ai fillimisht humbi ndjenjat dhe më pas pësoi arrest kardiak.

Mjekët luftuan për rreth 45 minuta për ta rikthyer në jetë, por fatkeqësisht pa sukses.

Ngjarja ka tronditur thellë edhe banorët e zonës Castelluccio dei Sauri, të cilët janë shprehur të prekur nga humbja tragjike e 10-vjeçarit./Albinfo.ch

160 predha nga Lufta e Dytë Botërore gjenden në Shqipëri

Rreth 160 predha që datojnë nga Lufta e Dytë Botërore janë zbuluar pranë urës së Vodiçës, në fshatin Vodiçë, pjesë e Njësisë Administrative Kotë, në Bashkinë Selenicë.

Zbulimi ndodhi gjatë punimeve të një firme private, e cila njoftoi menjëherë forcat xheniere për praninë e municioneve të rrezikshme, raporton euronews.al.

Ekspertët xhenioerë mbërritën në vendngjarje dhe gjatë dy ditëve realizuan operacionin e identifikimit dhe largimit të predhave. Gjatë ditës së parë u siguruan rreth 140 predha mortaje, ndërsa ditën e dytë u gjetën edhe 20 predha të tjera.

Në total, specialistët transportuan 160 predha në Tiranë, ku ato do të asgjësohen në mënyrë të kontrolluar. Ndërhyrja e shpejtë e forcave xheniere ka shmangur çdo rrezik për banorët dhe për punonjësit që po punonin në zonë.

Berna do të ketë klasa dygjuhëshe në të gjitha komunat

Parlamentarët e kantonit të Bernës miratuan një mocion që kërkon të mundësojë klasat dygjuhëshe në të gjitha komunat, pa u mbështetur më vetëm te iniciativa apo burimet lokale. Mocioni u miratua me 76 vota për, 49 kundër dhe një abstenim, dhe kërkon nga qeveria kantonale të ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë dhe financiarë për ta realizuar këtë.

Kjo vendimmarrje vjen pas debatit mbi ndërprerjen e projektit “Classes Bilingues” në qytetin e Bernës në maj 2025, i ndaluar për arsye financiare dhe organizative. Përkrahësit e mocionit argumentojnë se promovimi i dygjuhësisë sjell përfitime të mëdha për nxënësit, ndërsa skeptikët mendojnë se tashmë ekzistojnë mjetet e nevojshme për të ofruar arsimin dygjuhësh.

Qeveria kantonale po shqyrton ndryshime në ligjin mbi gjuhët dhe dygjuhësinë për të mundësuar zbatimin e këtij vendimi në të gjithë kantonin.

Brukseli nxit rindustrializimin me “Made in Europe”

Brukseli prezantoi të mërkurën propozimet për iniciativën “Made in Europe”, e cila synon rindustrializimin e Evropës dhe forcimin e konkurrencës ndaj Kinës. Ligji, i quajtur “përshpejtimi industrial”, synon të ruajë dhe dekarbonizojë sektorët kyç industrialë, përfshirë industrinë automobilistike, duke synuar rritjen e pjesës së industrisë në 20% të PBB-së evropiane deri në 2035 (nga 14% aktualisht).

Ministri francez për Industrinë, Sébastien Martin, theksoi se propozimet “nuk mbrojnë ende mjaftueshëm interesat evropiane” dhe kërkoi forcimin e avantazheve për prodhuesit në Evropë. Ligji duhet të miratohet ende nga shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian.

Zv/Presidenti i Komisionit Evropian, Stéphane Séjourné, e përshkroi këtë iniciativë si një ndryshim doktrine për industrinë evropiane, duke theksuar rëndësinë e sovranitetit industrial dhe mbrojtjes së sektorëve strategjikë.

Në Zvicër, shumica e studentëve ndërkombëtarë vijnë nga BE

Gjatë vitit akademik 2024/2025, rreth 63,200 studentë ndërkombëtarë studiuan në universitetet e Zvicrës, ku dy të tretat e tyre vinin nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Sipas të dhënave, më të përfaqësuara ishin shtetësitë gjermane, franceze dhe italiane.

Sipas raportit “Studentët e Bashkimit Evropian në institucionet e arsimit të lartë në Zvicër në vitin 2026”, të publikuar të mërkurën nga Zyra Federale e Statistikave (FSO), qytetarët nga Gjermania, Franca dhe Italia përbënin 12% të numrit total të studentëve, gjysmën e studentëve ndërkombëtarë dhe më shumë se tre të katërtat e studentëve nga BE-ja.

FSO bën të ditur se pothuajse një e katërta e të regjistruarve në institucionet e arsimit të lartë janë me shtetësi të huaj. Ky përqindim rritet ndjeshëm në nivelin e doktoratës, ku arrin në 56%.

Institucionet pedagogjike në krye

Përqindja e studentëve nga BE-ja ndryshon ndjeshëm sipas llojit të institucionit. Programet e studimit në universitetet pedagogjike (HEP) regjistruan përqindjen më të lartë gjatë vitit akademik 2024/2025, me 86–88% të studentëve ndërkombëtarë që vijnë nga BE-ja.

Ndërkohë, kjo përqindje ishte rreth dy të tretat në universitetet e shkencave të aplikuara (HES) dhe 64% në universitetet e tjera të arsimit të lartë (HEU). Në fusha si pedagogjia, bujqësia, pylltaria, peshkimi dhe mjekësia veterinare, pjesëmarrja e studentëve nga BE-ja tejkalonte tre të katërtat.

Gjatë vitit 2024/2025, përqindja më e lartë e studentëve nga BE-ja ndër të gjithë studentët ndërkombëtarë u regjistrua në Institutin Universitar për Arsimin në Distancë, Universitetin e St. Gallenit dhe Universitetin e Zvicrës Italiane.

Në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, pavarësisht llojit, numri i meshkujve ishte pak më i lartë se ai i femrave.

Qeset me nikotinë ndalohen në Francë nga prilli, por mbeten në përdorim në Evropë

Qeset me nikotinë, produkte të vogla pa përmbajtje duhani, do të ndalohen në Francë duke filluar nga 1 prilli 2026. Këto produkte, të njohura si “pouches”, po fitojnë popullaritet në disa vende evropiane, përfshirë Zvicrën, veçanërisht tek të rinjtë.

Këto qese përmbajnë nikotinë të përthithshme dhe shiten në kuti të vogla me ngjyra dhe aroma të ndryshme, si mentol apo fruta. Ndryshe nga snusi (i ndaluar në Bashkimin Evropian, përveç Suedisë dhe Zvicrës), ato nuk përmbajnë duhan.

Vendimi i Francës vjen pas një raporti të autoriteteve shëndetësore, i cili evidenton rritje të rasteve të helmimit nga produktet alternative të duhanit që nga viti 2017. Sipas të dhënave, shumica e rasteve përfshijnë të rinj të moshës 12 deri në 17 vjeç. Simptomat e raportuara përfshijnë të vjella të forta, kriza, çrregullime të vetëdijes dhe probleme me tensionin e gjakut.

Ndërkohë, produkte të tjera me nikotinë që përdoren për ndërprerjen e duhanit dhe shiten në farmaci nuk preken nga ky ndalim.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për përmbajtje potencialisht të rrezikshme në disa marka të qeseve me nikotinë, përfshirë metale të rënda dhe substanca toksike. Për më tepër, në vende si Zvicra, përmbajtja e nikotinës nuk është e rregulluar, çka rrit rrezikun e mbidozës.

Prodhuesit i promovojnë këto produkte si alternativa më pak të dëmshme se cigaret. Megjithatë, specialistët theksojnë se, megjithëse mund të jenë më pak të rrezikshme për duhanpirësit, ato nuk rekomandohen për personat që nuk konsumojnë duhan, veçanërisht për të rinjtë.

Ky zhvillim vë në pah shqetësimet në rritje për përdorimin e produkteve me nikotinë tek të miturit dhe nevojën për rregullim më të rreptë në nivel evropian.

Zvicër: Rriten mashtrimet telefonike me zë të klonuar nga inteligjenca artificiale

Mashtrimet telefonike me inteligjencë artificiale po shënojnë rritje të ndjeshme në Zvicër, ku kriminelët përdorin teknologjinë për të imituar zërat e njerëzve të njohur dhe për të përfituar shuma të mëdha parash.

Vetëm në kantonin e Zürich janë raportuar mbi 30 mijë raste të mashtrimeve kibernetike gjatë vitit 2025. Autoritetet paralajmërojnë se këto metoda po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara dhe të vështira për t’u dalluar.

Mashtruesit shfrytëzojnë besimin që njerëzit kanë te zëri, duke përdorur AI për të kopjuar zërin e familjarëve apo partnerëve të biznesit. Në një rast të fundit, një biznesmen u mashtrua me miliona franga pasi u kontaktua nga një “partner” me zë të klonuar.

Për t’u përballur me këtë fenomen, kompania Aurigin ka zhvilluar një sistem që funksionon si “antivirus” për telefonatat, duke identifikuar dhe paralajmëruar përdoruesit për zëra të gjeneruar nga inteligjenca artificiale.

Ekspertët theksojnë se, megjithëse teknologjia AI nuk mund të ndalet, ajo duhet të përdoret dhe të kontrollohet në mënyrë etike për të parandaluar abuzimet.

Vetëvendosje në pritje të kandidaturave nga PDK e LDK, thotë se ua jep nënshkrimet

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se janë në pritje të kandidaturave për president nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Nagavci tha se ata si subjekt e kanë propozuar Glauk Konjufcën, meqë nuk ka pasur marrëveshje për një kandidat konsensual. Ndërsa janë të gatshëm t’i ofrojnë nënshkrimet edhe për kandidatët e mundshëm të propozuar nga opozita, raporton Albinfo.ch.

Nagavci në një konferencë për media ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ia ka ofruar edhe Vjosa Osmanit 30 nënshkrime, megjithatë theksoi se ajo nuk e ka pranuar një ofertë të tillë. Ajo garantoi që deputetët e Vetëvendosjes do t’i japin nënshkrimet për kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente, nëse kjo kërkohet.

“Ne presim deri nesër që PDK dhe LDK t’i paraqesin kandidatët e tyre”, tha Nagavci, duke ftuar deputetët e opozitës të reflektojnë dhe të marrin pjesë në votimin e presidentit, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja./Albinfo.ch/

“Efekti Crans-Montana”: Bizneset zvicerane rrisin trajnimin për ndihmën e parë

Pas tragjedisë me zjarr në një bar në Crans-Montana më 1 janar, Swiss First Aid Training Center ka raportuar një rritje të fortë të kërkesave për kurse të ndihmës së parë në sektorin korporativ. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rezervimet nga kompanitë janë rritur rreth 50 për qind, përcjell albinfo.ch.

Organizata thekson se në javët e fundit “ka pasur një rritje të dukshme të vëmendjes ndaj ndihmës së parë, menaxhimit të emergjencave në punë dhe parandalimit të zjarrit. Më shumë kompani po ndërmarrin hapa për t’u siguruar që punonjësit të jenë të përgatitur për të reaguar shpejt dhe me efektivitet.”

Tendenca e njëjtë është vërejtur edhe në sektorin e mbrojtjes nga zjarri, ku regjistrohen shifra rekord të pjesëmarrjes në kurset përkatëse./Albinfo.ch

Spitalet zvicerane mbështeten gjithnjë më shumë te infermierët nga Europa Lindore

Spitalet zvicerane po bëhen gjithnjë e më të varura nga stafi i huaj, ndërsa mungesa e infermierëve arrin nivele rekord, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të fundit nga Swiss Health Observatory (OBSAN), një e treta e infermierëve që punojnë aktualisht në Zvicër mbajnë një diplomë të huaj.

Në kantonet kufitare si Geneva, Neuchâtel dhe Vaud, ky përqindje arrin madje mbi 65 për qind.

Megjithatë, pavarësisht fluksit të konsiderueshëm të stafit nga jashtë, shumë vende pune në sektorin e infermierisë mbeten të paplotësuara.

Si pasojë, rekrutimi po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt vendeve lindore të Bashkimit Europian, përfshirë Rumani dhe Bullgari, sipas OBSAN. /Albinfo.ch

Zvicra do të publikojë kombësinë e autorëve të veprave penale

Council of States miraton mocionin që obligon policinë të zbulojë sistematikisht moshën, gjininë dhe shtetësinë e autorëve, të dyshuarve dhe viktimave, përcjell albinfo.ch.

Dhoma e Lartë e Parlamentit zviceran, Council of States, ka miratuar të martën një mocion parlamentar që kërkon nga policia zvicerane të publikojë në mënyrë sistematike kombësinë e autorëve të veprave penale.

Sipas vendimit, autoritetet do të duhet të bëjnë publike moshën, gjininë dhe shtetësinë e autorëve, të dyshuarve dhe viktimave, sa herë që informojnë opinionin publik për raste të caktuara – për aq kohë sa nuk cenohen rregullat e mbrojtjes së privatësisë dhe nuk bëhet i mundur identifikimi i personave.

Në mocion theksohet se, në emër të transparencës, “nuk ka arsye për të fshehur kombësinë e autorit të një krimi”.

Vendimi synon rritjen e transparencës në komunikimet zyrtare të autoriteteve, ndërsa çështja e publikimit të kombësisë së të dyshuarve ka qenë prej kohësh temë debati në Zvicër./Albinfo.ch

Kuvendi i Kosovës mban nesër seancë solemne për 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së

Sipas rendit të ditës të siguruar nga RTV21, në këtë seancë është paraparë vetëm një pikë: shënimi i 28-vjetorit të Epopesë së Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Seanca pritet t’i kushtohet përkujtimit të ngjarjeve historike të marsit 1998 dhe sakrificës së dëshmorëve të UÇK-së.

Sveçla: Kërcënimet e Vulinit nuk e zmbrapsin Kosovën

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka bërë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të kenë vëmendje të shtuar ndaj deklaratave kërcënuese të ish-drejtorit të inteligjencës serbe, Aleksandar Vulin, drejtuar Kosovës dhe liderëve të saj, përcjell albinfo.ch.

Një ditë më parë, Vulin deklaroi se ashtu siç ka vepruar Mossad në Iran, mund të veprojë edhe Serbia në Kosovë. Ai shtoi se Serbia “di ta bëjë këtë”, duke përmendur edhe kryeministrin Albin Kurti.

Në reagimin e tij, Sveçla e cilësoi deklaratën si të papranueshme dhe tërësisht kërcënuese. Sipas tij, krahasimi me operacione sekrete të zhvilluara në kontekste lufte nënkupton normalizim të logjikës së destabilizimit në Ballkan.

Sveçla theksoi se Vulin ka pasur marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe me presidentin serb Aleksandar Vučić, ndërsa kujtoi se Shtetet e Bashkuara e kanë vendosur atë në listën e sanksioneve për shkak të lidhjeve me aktorë rusë të inteligjencës.

Ai shtoi se historia e afërt dëshmon për përfshirjen e strukturave të inteligjencës serbe në vrasjen e veprimtarëve politikë shqiptarë dhe se deklarata të tilla përbëjnë precedent të rrezikshëm.

Në këtë kontekst, Sveçla përmendi edhe arrestimin e dy shtetasve bjellorusë dhe një rusi në muajin shkurt, të cilëve, sipas tij, u ishin gjetur pajisje që përkojnë me retorikën e artikuluar nga Vulin.

Ministri theksoi se institucionet e Kosovës po e përmbushin mandatin e tyre me profesionalizëm dhe janë të gatshme të përballen me çdo kërcënim në përputhje me ligjin. Ai përfundoi duke thënë se përpjekjet e Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit duhet të marrin vëmendjen e plotë të faktorëve ndërkombëtarë dhe se as Vulin e as Vuçiç nuk mund ta frikësojnë Kosovën.

Në Stokholm promovohet libri “Zogj të harruar dhe tregime të tjera” në shënim të Epopesë së UÇK-së

Me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së, Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm organizoi promovimin e librit “Zogj të harruar dhe tregime të tjera” të autorit Shqiptar Oseku, transmeton albinfo.ch.

Në fjalën e saj, ambasadorja theksoi rëndësinë historike të Epopesë së UÇK-së si moment themelor i historisë moderne të Kosovës, duke vënë në pah figurën e Adem Jashari dhe sakrificën e familjes Jashari si simbol i përkushtimit për liri.

Libri i promovuar përmbledh 21 tregime që trajtojnë tema si humbja, mërgimi, kujtesa dhe identiteti, duke vendosur personazhet mes realiteteve vendase dhe nordike. Në panelin diskutues, publicisti Shuquri Sejdijaj, kritiku letrar Qerim Kryeziu, kryetari i Shoqatës Jehona Arben Vata dhe profesoresha e albanologjisë Entela Tabaku vlerësuan dimensionin humanist, simbolikën dhe pjekurinë artistike të veprës.

Në përmbyllje, autori falënderoi të pranishmit dhe theksoi rolin e letërsisë si formë e ruajtjes së kujtesës dhe dialogut me historinë. Aktiviteti theksoi ndërthurjen e kujtesës historike me krijimtarinë letrare si pjesë e rëndësishme e identitetit kulturor.

Del në shitje ferma më e shtrenjtë në Zvicër, kushton 7.2 milionë franga

Një nga pronat më të veçanta në tregun e patundshmërive në Zvicër është nxjerrë në shitje me një çmim prej 7.2 milionë frangash zvicerane, transmeton albinfo.ch.

Bëhet fjalë për Kurmannhof, një fermë moderne e ndërtuar në vitin 2016, e cila ndodhet në zonën rurale të Pfaffnau, në pjesën e brendshme të kantonit të Lucernit. Sipas përshkrimit në platformën ImmoScout24, prona cilësohet si një objekt unik që kombinon sharmin tradicional me komoditetin bashkëkohor.

Kompleksi shtrihet në një truall prej 2500 metrash katrorë dhe përfshin një kullotë për kuaj, stallë me katër bokse si dhe burim privat uji. Objekti përbëhet nga dy ndërtesa ku janë të shpërndara shtatë banesa: tri me 4.5 dhoma, tri me 5.5 dhoma dhe një banesë e madhe me 7.5 dhoma. Sipërfaqet e banimit variojnë nga 108 deri në 213 metra katrorë, duke ofruar hapësirë dhe rehati të konsiderueshme për banorët.

Përveç ambienteve të banimit, prona ofron edhe një garazh nëntokësor me kapacitet për 17 vetura, si dhe hapësira të përbashkëta luksoze për banorët, përfshirë palestër prej 60 metrash katrorë, sauna, kinema private dhe bar. Me këto karakteristika dhe çmimin milionësh, Kurmannhof konsiderohet aktualisht si një nga fermat më të shtrenjta në Zvicër, ndërsa mbetet të shihet se kush do të jetë blerësi i kësaj prone ekskluzive. /Albinfo.ch

Si ndërtoi Zvicra marrëdhënie të afërta me regjimin e mullahëve në Iran

Irani është një treg i madh: 90 milionë njerëz të arsimuar mirë, rezervat e dyta më të mëdha të gazit natyror në botë dhe thesarë shtetërorë të mbushur me të ardhura nga nafta. Që nga revolucionet e mullahëve në vitin 1979, Zvicra ka negociuar marrëveshje pas marrëveshjeje me Teheranin, gjithmonë me shpresën e një biznesi të lulëzuar.

Por më pas erdhën sanksionet: fillimisht nga SHBA në 1995, pastaj nga OKB në 2006 dhe më vonë edhe nga BE-ja, transmeton albinfo.ch.

Pse një marrëdhënie e veçantë?

Si është e mundur që një shtet i dashur për lirinë, si Zvicra, të ketë ruajtur një marrëdhënie të veçantë me një regjime që përfaqëson vlera kaq të ndryshme nga ato të veta?

Regjimi iranian ka synime bërthamore, kërcënon Izraelin dhe ka ndërhyrë në luftëra rajonale në Irak, Liban, Jemen dhe Siri. Ai ka furnizuar dronë Rusinë dhe ka mbështetur Hamasin, që është klasifikuar si organizatë terroriste në Zvicër që nga viti 2025.

Regjimi mullah vepron me brutalitet ekstrem ndaj popullsisë së tij civile. Krahasuar me vendet e tjera, qeveria zvicerane ka vepruar gjithmonë me përmbajtje dhe maturi.

Siç shkroi ish-Ministri i Jashtëm Cassis në vitin 2022:

*”Sa më i izoluar bëhej regjimi ndërkombëtarisht, aq më e rëndësishme bëhej Zvicra. Jo vetëm për Teheranin, por edhe për Perëndimin: Zvicra ndërtoi ura, duke vepruar

Parlamenti zviceran kundër ndalimit të adoptimeve ndërkombëtare

Parlamenti i Zvicrës ka vendosur që vendi duhet të vazhdojë të lejojë adoptimet ndërkombëtare, duke hedhur poshtë idenë për një ndalim të tyre. Ky vendim vjen pasi Dhoma e Përfaqësuesve refuzoi propozimin e Senatit për t’i dhënë qeverisë zgjedhjen midis një ndalimi ose një ligji më të rregulluar për adoptimet.

Në thelb, të dyja dhomat bien dakord: Zvicra duhet të vazhdojë të autorizojë adoptimet ndërkombëtare. Megjithatë, Senati kishte propozuar një amendament për të dhënë më shumë fleksibilitet qeverisë, duke sugjeruar dy variante: ndalimin e adoptimeve ndërkombëtare ose një reformë që përfshinte reduktimin e numrit të vendeve që bashkëpunojnë dhe riorganizimin e institucioneve përkatëse.

Dhoma e Përfaqësuesve e konsideroi të domosdoshme të bëjë të qartë se një ndalim i adoptimeve ndërkombëtare nuk do të merrte shumicën e votave. Si rrjedhojë, ajo miratoi propozimin në versionin e tij origjinal me 130 vota pro dhe 35 kundër, duke konfirmuar votimin e parë të vitit 2025.

Kreu i Departamentit Federal të Drejtësisë dhe Policisë, Beat Jans, ka shprehur kundërshtim ndaj një ndalimi të tillë. Ai theksoi se debati duhet të zhvillohet në shoqëri dhe se vendimi përfundimtar do të merret nga Parlamenti.

Kundërshtim i fortë nga shoqëria

Në janar 2025, qeveria kishte paralajmëruar se synonte të ndalonte adoptimet ndërkombëtare për të luftuar abuzimet që ndodhin në disa raste. Ky paralajmërim shkaktoi reagime të forta nga disa pjesë të shoqërisë dhe partitë politike.

Një peticion me titullin “Ruatni adoptimet ndërkombëtare” u dorëzua në Kancelarinë Federale, duke mbledhur mbi 10,000 nënshkrime brenda një muaji.

Raste të mëparshme të abuzimeve

Zvicra ka qenë e përfshirë në raste të adoptimeve të paligjshme të mijëra fëmijëve nga jashtë, që nga vitet 1970 deri në vitet 1990, ku autoritetet zvicerane ishin të vetëdijshme për këto veprime.

Europol godet gtupe mafioze, katër të arrestuar në Zvicër

Shtatë persona janë arrestuar në një operacion ndërkombëtar kundër trafikut të drogës, katër prej tyre në Zvicër, në komunën e Roveredo në Graubünden. Të arrestuarit kishin leje qëndrimi B dhe lidhen me një rrjet ndërkombëtar të kokainës të Camorras dhe ‘Ndranghetas.

Hetimet, të koordinuara nga Europol dhe me pjesëmarrjen e Fedpol, zbuluan se droga transportohej nga Amerika e Jugut dhe fshihej në makina luksoze, ndërsa fitimet pastroheshin përmes kompanive dhe investimeve në prona. Në Zvicër nuk u bë asnjë arrestim gjatë bastisjeve.