Digjen gjatë natës 6 biznese në Prishtinë

Policia e Kosovës ka konfirmuar se mëngjesin e së enjtes janë djegur disa biznese në rrugën “Ilaz Agushi” në Prishtinë. Kjo rrugë gjendet afër tregut të gjelbër.

Policia ka deklaruar për Radio Evropën e Lirë se në vendngjarje kanë dalë policia dhe zjarrfikësit dhe që nuk raportohet për persona të lënduar.

Mal Gashi, ushtrues detyre i komandantit të brigadës së zjarrfikësve në Prishtinë, ka thënë për mediat se zjarri ka përfshirë gjashtë biznese kafiteri, qebaptore, ato për shitje të pemëve dhe perimeve, si dhe të pajisjeve elektronike.

“Dëmet janë të mëdha, por me atë do të merren inspektorët për vlerësim”, ka thënë ai.

Gashi ka thënë se nuk dihet ende shkaktari i zjarrit.

Në fundjavë është raportuar edhe për djegien e një hotel-restoranti në Brezovicë, ndërsa më herët gjatë këtij muaji ishte raportuar edhe për djegien e ndërtesës së një klubi nate në kryeqytet.

Policia pati thënë për mediat lokale se në koordinim me prokurorinë ka ndërmarrë veprime hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit.

Shmanget një tjetër sulm terrorist në Vjenë, arrestohet një 14 vjeçar

Autoritetet austriake kanë arrestuar një 14-vjeçar të dyshuar në lidhje me një sulm të parandaluar në Westbahnhof të Vjenës, transmeton albinfo.at.

Adoleshentit iu gjetën thika dhe materiale të lidhura me IS.

Autoritetet austriake kanë parandaluar një sulm të planifikuar në stacionin hekurudhor Westbahnhof të Vjenës, duke arrestuar një të dyshuar 14-vjeçar. Adoleshenti u ndalua në 10 shkurt nga oficerë të Zyrës së Sigurimit të Shtetit dhe Kundër Terrorizmit (LSE) dhe grupit të punës WEGA, njoftoi Ministria e Brendshme.

Referuar deklaratës së policisë, djalit iu gjetën dy thika dhe një sasi e madhe materiali që sugjeronte se ai ishte një mbështetës i organizatës terroriste Shteti Islamik (IS).

Ministria nuk dha detaje të mëtejshme në lidhje me sfondin e të dyshuarit apo lidhjet e mundshme me rrjetet ekstremiste dhe hetimi është në vazhdim, siç raportohet nga DerStandard.

Arrestimi vjen mes shqetësimeve të shtuara për sulmet ekstremiste në Austri. Vetëm disa ditë më vonë, një shtetas sirian, 23 vjeç, kreu një sulm me thikë në qytetin e Villach, duke vrarë një 14-vjeçar dhe plagosur pesë të tjerë. Autoritetet konfirmuan se sulmi ishte një incident terrorist islamik, duke nxitur thirrje të reja për masa më të rrepta sigurie. I dyshuari për atë rast u arrestua menjëherë pas sulmit, i cili ndodhi në sheshin kryesor të qytetit.

Incidenti ngre shqetësime të reja për radikalizimin e të rinjve në Austri.

Autoritetet kanë monitoruar nga afër aktivitetin ekstremist, veçanërisht në internet, ku rekrutuesit shpesh synojnë individë të cenueshëm.

Në vitet e fundit, shërbimet austriake të sigurisë kanë kapur kërcënime të shumta të lidhura me grupet radikale islamike dhe qeveria ka ndërmarrë hapa për të forcuar masat e mbikëqyrjes dhe kundër terrorizmit, shtoi raporti.

Kjo mbetet një histori në zhvillim dhe detaje të mëtejshme priten ndërsa hetimi vazhdon.

Për më shumë https://www.heute.at/s/bombe-messer-is-teenie-14-plante-blutbad-in-wien-120091857#

Çiklistët e Cyrihut së shpejti mund të duhet të paguajnë taksat e trafikut

Parlamenti kantonal i Cyrihut ka mbështetur përkohësisht një mocion të paraqitur nga një banor, duke kërkuar që çiklistët të paguajnë një taksë trafiku.

Ideja e këtij propozimi është që pronarët e makinave dhe motoçikletave të kontribuojnë në mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore përmes taksës së mjeteve motorike dhe vinjetave të autostradave, ndërsa çiklistët të përdorin rrugët pa dhënë asnjë kontribut financiar.

Prandaj, propozimi kërkon një taksë trafiku që mbulon koston për çiklistët.

Konsiderata të ngjashme po bëhen tashmë në nivel federal: Zyra Federale e Rrugëve aktualisht po kryen një studim mbi financimin “ndotësi-paguan” të infrastrukturës së biçikletave.

Kosovë: 39 deputetë të legjislaturës së kaluar kanë mbetur jashtë Kuvendit

Janë 29 kandidatë që do të jenë për herë të parë deputetë, tregojnë rezultatet e siguruara nga partitë politike, bazuar në numërimin e 78 për qind të vendvotimeve nga KQZ-ja. Sipas këtyre të dhënave që janë jozyrtare, 39 deputetë të legjislaturës së kaluar kanë mbetur jashtë Kuvendit.

Nga numërimi i rreth 80 për qind të vendvotimeve në të gjithë Kosovën, përbërja e Kuvendit do të ketë shumë emra të rinj krahasuar me legjislaturën e kaluar.

Bazuar në rezultatet aktuale të kandidatëve për deputetë, të siguruara nga partitë politike, 29 deputetë nga partitë parlamentare Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia Demokratike (PDK), Lidha Demokratike (LDK) dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)dhe Nismës Socialdemokrate, do të jenë për herë të parë në Kuvend.

Më së shumti deputetë të rinj ka LVV-ja, 13 sish. Pas saj është PDK-ja me 9 deputetë. E treta është LDK-ja me 6 deputetë të rinj dhe AAK-ja me vetëm një.

Në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, pa numëruar votat e diasporës e ato me kusht, LVV-ja do të ketë 47 deputetë, PDK-ja 25, LDK-ja 20 dhe AAK-Nisma 8.

Nga Lëvizja Vetëvendosje 11 ministrat e saj që i ka kandiduar për deputetë, 10 kanë marrë mjaftueshëm vota për t’i fituar mandatet. 

22 nga deputetët e legjislaturës së kaluar që kanë rikandiduar nuk kanë arritur të bëhen deputetë: Agon Batusha, Alban Bajrami, Ardian Gola, Arta Bajralia, Besim Muzaqi, Driton Hyseni, Ekrem Mustafa, Enver Dugolli, Enver Haliti, Fatmire Kollçaku, Fitim Haziri, Gani Krasniqi, Gramos Agusholli, Hydajet Hyseni, Jetmire Vrenezi, Milazim Salijaj, Mirlinda Tishukaj, Mirsad Shkreta, Nasuf Bejta, Nijazi Isaku, Shqipe Isufi dhe Vendenis Lahu. E nga ministrat, është ajo e Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hadari.

Ndërkaq, për herë të parë do të hyjnë: Nezir Kraki, Liza Gashi, Valon Hoti, Agim Bahtiri, Bajram Mavriqi, Ilir Kërçeli, Jeton Raka dhe Burim Demiri. 

Me rezultatet aktuale LVV-ja ka 19 deputete gra duke tejkaluar kuotën gjinore prej 30 për qind.

E në Partinë Demokratike nga legjislatura e kaluar 7 deputetë të PDK-së kanë mbetur jashtë e 11 do të jenë të njëjtë. 

Janë 9 deputetë që do të jenë për herë të parë e 4 janë ish-deputetë të legjislaturave më të hershme.

Me rezultatet aktuale, jashtë kësaj legjislature do të mbesë Xhavit Haliti, i cili ka qenë deputet që prej themelimit të Kuvendit të Kosovës e gjithashtu edhe Ardian Kastrati, Eliza Hoxha, Florete Zjenullahu, Hajdar Beqa, Hisen Berisha e Isak Shabani.

PDK-ja ka 5 gra fituese ndërkaq me ligj duhet t’i ketë 8 deputete. 

Kësisoj për të mundësuar plotësimin e kuotës, rrezikojnë mandatin Petrit Hajdari, Bekim Haxhiu, Arben Mustafa, për t’u zëvendësuar me Eliza Hoxhën, Arbnore Salihun e Kosovare Murselin.

Nëse Bedri Hamza e mban pozitën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës, atë e zëvendëson Arben Mustafa.

E LDK-ja do të vazhdojë të ketë 9 deputetët e legjislaturës së shkuar, 6 të rinj e 5 deputetë të legjislaturave të mëhershme. Në mesin e deputetëve hynë tre kryetarët e komunave Imri Ahmeti, Gazmend Muhaxheri e Sokol Haliti.

Nga deputetët e kaluar që kanë mbetur jashtë Kuvendit, nga të dhënat aktuale, është ish-shefi i grupit parlamentar Arben Gashi, Drita Millaku, Driton Selmanaj, Rrezarta Krasniqi, Valentina Bunjaku e Vlora Dumoshi.

Gratë e Lidhjes Demokratike kanë fituar 5 mandate e që me kuotën gjinore duhet shtuar edhe një.
Nëse tre kryetarët e komunave i ruajnë pozitat, bëhet vend për Arben Gashin, Xhafer
Gashin dhe Alban Zogajn.

E, nëse duhet të arrihet kuota gjinore prej 30 për qind atëherë mandatin e rrezikon Alban Zogaj për t’u zëvendësuar me Lirije Kajtazin.

E në koalicionin AAK-Nisma mandatet i kanë siguruar Ramush Haradinaj, Time Kadrijaj e Bekë Berisha.
Ndërkaq jashtë ka mbetur Besnik Tahiri, ish-shefi i grupit parlamentar, Pal Lekaj, Shemsedin Dreshaj e Albana Bytyqi.

Katër ish-deputetët e legjislaturave të mëhershme Daut Haradinaj, Fatmir Limaj, Lahi Brahimaj, Ardian Gjini bashkë me deputeten e re Arbëreshë Krasniqi kanë marrë vota të mjaftueshme për t’u bërë deputetë.

Nëse Ardian Gjini mban pozitën e kryetarit të Komunës, atëherë zëvendësohet nga Vesel Krasniqi i Nismës Socialdemokrate.

Liderët më të votuar në këto zgjedhje sipas të dhënave aktuale që ende nuk janë zyrtare nga KQZ-ja, janë Albin Kurti me mbi 230 mijë vota, Bedri Hamza me 122 mijë, Lumir Abdixhiku me mbi 94 mijë, Memli Krasniqi me mbi 69 mijë e Ramush Haradinaj me mbi 34 mijë. 

Gruaja më e votuar në këto zgjedhje është Albulena Haxhiu me rreth 80 mijë vota.

Priten tarifa të larta parkimi në Zvicër

Nëse nuk keni parkim privat, ndoshta duhet të mbështeteni në hapësirat në pronësi të bashkisë në rrugën tuaj – dhe kjo mund të jetë mjaft e shtrenjtë, përcjell albinfo.ch.

Në varësi të vendit ku jetoni, tarifa juaj vjetore e parkimit mund të kushtojë deri në 1000 franga, sipas Adi Kolecic, ekspert i lëvizshmërisë në platformën konsumatore Comparis, e cila ka kryer një analizë të tarifave të ngarkuara për lejet e parkimit rezident në 40 qytete zvicerane.

Krahasimi i tij i komuniteteve të ndryshme zbulon pabarazinë e madhe të çmimeve të kartave të parkimit midis komuniteteve të ndryshme.

Për shembull, më e lira – 20 franga në vit – mund të merret në La Chaux-de-Fonds (Neuchâtel). Është 48 herë më e lirë se tarifa më e shtrenjtë e parkimit (960 franga) që duhet të paguajnë shoferët në Wetzikon (Zyrich).

“Ashtu si në shumë fusha të tjera, Zvicra është një lara-lara kur bëhet fjalë për lejet e parkimit. Kjo reflektohet në tarifat jashtëzakonisht të ndryshme si dhe në udhëzimet e ndryshme për lëshimin e lejeve të parkimit për banorët,” tha Kolecic.

Comparis ka zbuluar gjithashtu një lloj modeli.

“Kartat më të lira të parkimit afatgjatë janë shpesh të disponueshme në qytetet me taksa të larta – kështu që ato priren të jenë në Zvicrën perëndimore,” tha Kolecic.

Kanada: Remzi Cej, kryetar i Komisionit të të Drejtave të Njeriut në Newfoundland dhe Labrador

Shqiptari nga Kosova, Remzi Cej është një mbrojtës të drejtave të njeriut, me një eksperiencë në fushën e Emigracionit dhe Multikulturalizmit në Newfoundland dhe Labrador, në pozicionin e Drejtorit por edhe Kryetar i Komisionit të të Drejtave të Njeriut të Newfoundland dhe Labrador, përcjell albinfo.ch.

https://www.facebook.com/share/12GDuQAuFrn/?mibextid=wwXIfr

Ai është njëri prej 12 anëtarëve të projektit të Speak Truth to Povver të Robert F. Kennedy për ndërgjegjësimin dhe edukimin mbi të drejtat e njeriut.

Ndër arritjet e Remzi Cej renditen:
– Themelimi i Bridge to the Rock, organizatë vullnetarizmi që ka sponsorizuar refugjatët nga e gjithë bota;
– Fitues i programit të bursave Rhodes;
– Fitues i Çmimit “Terry Fox” për kontributin në fushën humanitare;
– Dy herë fitues i Medaljes për të Drejtat e Njeriut të YMCA.
Remzi Cej ka punuar më herët në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, në Shoqatën e Kombeve të Bashkuara të Kanadasë, vullnetar në pozicione drejtimi në mbështetje pranë Amnesty International dhe War Child Canada.

Së fundmi, Remzi Cej ka shërbyer në një sërë shoqatash në mbështetje të të rinjve dhe grupeve të margjinalizuara.
Shkrimet dhe komentet e Remzit janë publikuar në media prestigjoze si Globe and Mail, Toronto Star dhe CBC Radio dhe TV.

Protestat nuk kanë të ndalur në Serbi, policët goditen me vezë nga protestuesit

Protestuesit serbë të mbledhur para ndërtesës së Kuvendit të Komunës së Kralevës hodhën vezë ndaj policisë, dhe siç raporton N1, një fishekzjarr gjithashtu ka fluturuar drejt policisë.

Këshilltarët e opozitës e braktisën sallën e Kuvendit të Kralevës dhe iu bashkuan jashtë protestuesve.

Kur disa nga këshilltarët e koalicionit qeveritar po zbrisnin nga shkallët, të cilat mund të duken jashtë përmes xhamave, në atë moment qytetarët e zemëruar hodhën vezë drejt policisë.

Para godinës ndodhej edhe një grup i xhandarmërisë me armët e gjat për shpërndarjen e demonstratave.

Pranë hyrjes tjetër ishte një grup më i madh demonstruesish, që po prisnin që të dilnin këshilltarët. Ata mbanin parulla studentore dhe thërrisnin “Terziću, jajajro”.

Kujtojmë, para godinës së Kuvendit të Kralevës pati shtyrje mes policisë dhe qytetarëve, të cilët kishin shkuar aty me ftesë të këshilltarëve të opozitës në qytet. Një numër i madh qytetarësh po përpiqeshin të hynin në godinë, por policia ua ndalonte këtë.

Ndryshe, opozita kërkoi nga kryetari i qytetit, Predrag Terziq, që të jap dorëheqje prej postit, të cilën gjë ai refuzoi ta bëjë.

Marrëveshja në Crans-Montana për punën e ndërtimit për Kampionatin Botëror të Skive 2027 

Ndërtesa për stadiumin e ri të përfundimit për Kampionatin Botëror të Skive 2027 në Crans-Montana në Valais mund të ndërtohet. Gjykata Federale hodhi poshtë efektin pezullues të kërkuar nga banorët. Të mërkurën në mbrëmje, palët ranë dakord për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre ligjore.

Komuna e Crans-Montana dhe banorët u takuan të mërkurën për të nënshkruar një marrëveshje bazë. Kjo u arrit përmes koncesioneve nga të dyja palët, sipas një deklarate të komunës. Palët synojnë ta iniciojnë marrëveshjen të martën e ardhshme.

Leja e ndërtimit është ligjërisht e detyrueshme sepse është lëshuar më parë nga komisioni kantonal i ndërtimit dhe kontratat me kompanitë përgjegjëse për kantierin janë lidhur.

Më pak italianë aplikojnë për punë në sektorin e gastronomisë së Ticinos

Një vit e gjysmë pasi hyri në fuqi marrëveshja e re për udhëtarët ndërkufitar, shoqata e industrisë Gastro Ticino ka regjistruar një rënie të aplikimeve nga Italia veriore. Punëtorët e kualifikuar në veçanti janë më pak të interesuar për një punë në Ticino.

Nga njëra anë, kjo ka të ngjarë të ketë të bëjë me marrëveshjen e re tatimore me Italinë që ka hyrë në fuqi që nga korriku 2023. Sipas sindikatave të Ticino-s, udhëtarët ndërkufitarë do të duhet të paguajnë nga 10 deri në 30 për qind taksa më të larta për shkak të marrëveshjes së re, në varësi të të ardhurave të tyre.

Nga ana tjetër, sindikatat në Itali kanë luftuar me sukses për një situatë më të mirë pune në industri, thotë presidenti i Gastro Ticino, Massimo Suter: “Ata që jetojnë pak më larg kufirit, kanë më pak gjasa të vijnë në Ticino për të punuar”. Këtë përshtypje e konfirmon edhe drejtoresha e Hotellerie Suisse Ticino, Sonja Frey.

Në rajonin e Lokarnos në veçanti, vihet re se më pak njerëz nga Piemonte aty pranë po vijnë përtej kufirit për të punuar. Sipas raporteve, punonjësit në industrinë e hotelierisë në rajonin Cannobio në anën italiane të liqenit Maggiore po fitojnë më pak se dikur, tha Frey kur u pyet nga agjencia e lajmeve Keystone-SDA. “Akoma nuk ka ndryshim trendi”

Sipas shifrave të publikuara të martën nga Zyra Federale e Statistikave (FSO), numri i udhëtarëve ndërkufitarë që punojnë në Zvicër u rrit me 2.9 për qind nga viti në vit në tremujorin e katërt të 2024.

Situata në Ticino u zhvillua në drejtim të kundërt, ku numri i udhëtarëve ndërkufitarë ra me 318 për qind, brenda një viti. Komentuesit në gazetat e përditshme të Ticinos flasin për një “rënie historike” të udhëtarëve ndërkufitarë. Në të njëjtën kohë, ekspertët paralajmërojnë të mos flitet para kohe për një ndryshim të trendit.

Sipas marrëveshjes, e cila hyri në fuqi në korrik 2023, Zvicra do të mbajë 80 për qind të taksave të mbajtura në burim të vendosura mbi të ardhurat e udhëtarëve italianë ndërkufitarë. Udhëtarët e rinj ndërkufitarë do të tatohen rregullisht në vendin e tyre të banimit, por tatimi i dyfishtë duhet të parandalohet atje.

 

 

Në qytetet e Zvicrës, këmbësorët janë viktimat e para të aksidenteve me tramvaj 

Këmbësorët janë ndër viktimat e para të aksidenteve me tramvaj. Raport nga Gjeneva për këtë bashkëjetesë që ndonjëherë kthehet në tragjedi.

Një grua 76-vjeçare vdiq dhjetorin e kaluar në Gjenevë, e goditur nga një tramvaj në fund të Rue de la Servette, në bregun e djathtë. Mjaft që disa banorë të frikësohen nga një tjetër aksident i të njëjtit lloj në këtë lokacion, ku sinjalistika mund të jetë konfuze.

“Imagjinoni një vendkalim për këmbësorë në atë moment: ai mund të rrëzohet nga tramvaji. Kjo nuk është normale. Autoritetet duhet të marrin përgjegjësinë për njerëzit më të rrezikuar”, tha njëri prej tyre të martën në lajmet e 19:30 në RTS. Është e rëndësishme të dini se tramvajet, ashtu si hekurudhat rrugore (ato që qarkullojnë në rrugë, të tilla si LEB në Lozanë përpara se t’i jepej korsia e vet, ose trenat për në Leysin dhe Les Diablerets në Aigle), kanë përparësi ndaj këmbësorëve, duke përfshirë në vendkalimet e këmbësorëve ku trafiku nuk është i rregulluar.

Prandaj, kalimtarët duhet të jenë vigjilentë. “Ata nuk e kuptojnë rrezikun.” Në kontrollet e tramvajit të tij, Pascal Tanner sheh çdo ditë gabime njerëzore. “Njerëzit kalojnë me nxitim, nuk e kuptojnë rrezikun,” vëren ai, ndërsa një burrë sapo ka hipur në platformë pak para mbërritjes së tij. “Përparësi ka tramvaji, por shoferi duhet të bëjë gjithçka për të shmangur një aksident dhe të mbajë kontrollin e mjetit të tij,” shpjegon ai.

Vazhdimisht në gatishmëri, shoferi parashikon rreziqe të mundshme, por kjo nuk mjafton gjithmonë për të shmangur tragjeditë. Kështu, në janar në Thônex, një tramvaj goditi një të mitur, i cili u plagos, raportoi Tribune de Genève. Më shumë aksidente në Cyrih Në vitin 2023, qyteti i Bazelit regjistroi 1 aksident në çdo 677,000 km. Gjeneva vijon me 1 aksident në çdo 343,000 km.

Cyrihu është qyteti më i prirur ndaj aksidenteve nga të tre, me 1 aksident në çdo 300,000 km. Pas disa vdekjeve të këmbësorëve në vitin 2024, kompania e transportit publik të Cyrihut po shqyrton pajisjen e tramvajeve të saj me airbag. Duke përdorur sensorë, sistemi aktivizohet kur i afrohet një pengese.

Vatikani tregon sëmundjen nga e cila po vuan Papa

Papa Françesku, që është shtruar në spital javën e kaluar, po vuan nga pneumonia në të dy mushkëritë dhe gjendja shëndetësore e 88-vjeçarit vazhdon të jetë “komplekse”, tha Vatikani më 18 shkurt.

Françesku u shtrua në spitalin Gemelli të Romës të premten e kaluar me bronikt, pasi kishte pasur vështirësi në frymëmarrja dhe Selia e Shenjtë ka anuluar të gjitha aktivitetet e tij deri në fundjavë.

“”Testet laboratorike, radiografia e kraharorit dhe gjendja klinike e Atit të Shenjtë vazhdojnë të paraqesin një tablo komplekse,” tha Selia e Shenjtë përmes një deklarate.

Vatikani tha se, për shkak të një infeksioni polimikrobik dhe bronkitit asmatik, Papa është dashur të përdorë antibiotikë. Megjithatë, pas kontrolleve të reja që ai bëri pasditen e 18 shkurtit, mjekët kanë vërejtur “pneumoni të dyfishtë, e cila kërkon terapi shtesë” mjekësore, sipas Vatikanit.

Kreu i Kishës Katolike që nga viti 2013, argjentinasi Françesku u shtrua në spital pasi për disa ditë kishte pasur vështirësi që të lexonte fjalimet e tij para publikut.

Ai edhe më herët ishte përballur me probleme shëndetësore dhe i ishte nënshtruar operacioneve për hernia dhe zorrë të trashë dhe së fundi ka përdorur edhe karrocën për të lëvizur për shkak të dhimbjeve në gju/euronews

Kompania amerikane investon 2 miliardë dollarë në ilaçin për humbje peshe

Kompania farmaceutike amerikane Eli Lilly, e cila gjithashtu ofron ilaçe për humbje peshe, shpenzoi pothuajse dy miliardë dollarë në vitin 2023 për të fituar të drejtën e përdorimit të ilaçit bimagrumab të Versanis Bio, raporton Reuters.

Bimagrumab parandalon aktivitetin e një proteine ​​të quajtur miostatin dhe ndihmon në ruajtjen e muskujve duke frenuar miostatinën dhe duke lejuar rritjen dhe ruajtjen më të madhe të masës muskulore.

Metodat aktuale të humbjes së peshës si ndryshimi i stilit të jetesës, kirurgjia dhe terapitë e njohura si Novo Nordisk’s Vegovi ose Eli Lilly’s Zepbound rezultojnë në humbje të yndyrës, por edhe të masës muskulore, e cila mund të rrisë rrezikun e rënies dhe të zvogëlojë forcën e përgjithshme, veçanërisht te pacientët e moshuar.

Megjithatë, hulumtimi i ri nga Eli Lilly ka për qëllim zhvillimin e trajtimeve për humbje peshe që ndihmojnë gjithashtu në ruajtjen ose rritjen e masës muskulore.

Eli Lilly është duke testuar bimagrumab vetë dhe në kombinim me Novo’s vegovi, por gjithashtu po bashkëpunon me kompaninë kineze Laekna për zhvillimin e një ilaçi të ngjashëm.

 

 

Gripi i këtij viti më i vështiri në dekada sipas ekspertëve

Nëse të duket sikur çdokush është me grip në këtë periudhë, s’je i vetmi… Të paktën 24 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara janë prekur nga gripi këtë sezon, dhe ky numër sa vjen e rritet sipas Qendrës për Parandalimin e Sëmundjeve. Raportohet se të paktën 13 mijë njerëz kanë humbur jetën në SHBA këtë sezon (përfshirë 57 fëmijë).

Afro 8% e vizitave mjekësore brenda një jave janë raportuar të kenë qenë për probleme në frymëmarrje shoqëruar me grip, që është në fakt është ndër rastet më shpesh të raportuara përgjatë dy dekadave të fundit. 45 shtete të Amerikës e kanë këtë shqetësim aktualisht.

“Është më keq se çdo grip që kemi parë deri më sot”, shprehen ekspertët shëndetësore, duke shtuar se është e vështirë të përcaktosh se llojin e gjendjes gripale. “Ngjan si mister”, thonë ata, ndërsa theksojnë se shkak mund të jetë edhe numri tejet i ulët i vaksinimeve në këtë periudhë.

Parashikohet që i gjithë ky vit të jetë i tillë. Ndërsa vlen të theksohet se Covid-19, nga ana tjetër, ka rezultuar me më pak raste apo shtrime në spital se vitin e kaluar. Megjithatë, është i nevojshëm ekzaminimi për të kuptuar cilin nga këto viruse mbart dhe për të marrë mjekimin e duhur. S’ka rëndësi shkalla e infektimit; sugjerohet qëndrimi në shtëpi derisa të ndihesh plotësisht mirë ose mbajtja e maskës nëse zgjedh të dalësh jashtë.

Rastet më të shkumta i shkakton gripi A, që është dominant në çdo sezon, i ndjekur nga ai B në fund të dimrit ose pranverës/living

Jetëgjatësia në Evropë pëson rënie

Jetëgjatësia në shtetet e Evropës ka pësuar rënie në periudhën 2011-2021, sipas një studimi të ri të publikuar në “The Lancet”.

Përderisa shkalla e jetëgjatësisë u përmirësua te evropianët që nga vitet 1990, kombinimi i problemeve shëndetësore (tensioni i gjakut, kolesteroli, duhanpirja, konsumimi i alkoolit si dhe pandemia COVID-19) – ka shkatërruar dekada progres të bërë në shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian.

“Kemi gjetur se vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare ishin shkaktari i parë i prishjes së trendit përmirësues për jetëgjatësi në periudhën 2011-2019”, ka thënë Nicholas Steel, autori kryesor i studimit.

Në anën tjetër, studimi ka gjetur se shtetet me investime më të mëdha afatgjate në përmirësim të dietave, për shembull, ka ndikuar në përmirësim. Hulumtuesit kanë shtuar se nuk kanë arritur të gjejnë ndonjë “tavan” për jetëgjatësinë biologjike.

Nga 20 shtetet evropiane që ishin pjesë e studimit, e vetmja ishte Norvegjia që nuk shfaqi ulje të shkallës së jetëgjatësisë. Anglia vuante më së shumti nga përmirësimi i jetëgjatësisë e pas saj ishin Irlanda e Veriut, Uellsi dhe Skocia.

Studimi ka treguar se në periudhën 2019-2021, si pasojë e COVID-19, shumica e shteteve përjetuan ulje të shkallës së jetëgjatësisë.

Përmirësimi i jetëgjatësisë në periudhën 1990-2011 i atribuohej përmirësimit të luftës së shteteve ndaj faktorëve të rrezikut për sëmundje zemre dhe kancer.

Gjithsesi, shkalla e lartë e vdekjes nga zemra ishte faktore kryesore në uljen e shkallës së jetëgjatësisë në periudhën e re.

Ekspertët kanë thënë se, për të zgjatur shkallën e jetëgjatësisë, shtetet duhet të prioritizojnë një mënyrë jetese më të shëndetshme për të rinjtë dhe të investojnë në iniciativa për shëndetin publik.

Studimi mori për bazë të dhëna të mbi 12 mijë njerëzve.

Shtetet që u përfshinë në studim ishin Austria, Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Islanda, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Portugalia, Spanja, Suedia, Anglia, Irlanda e Veriut, Skocia dhe Uellsi.

SHBA shpall kartelet e shumta të drogës si organizata terroriste globale

Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar grupin kriminal Tren de Aragua, Kartelin Sinaloa dhe kartele të tjera të drogës si organizata globale terroriste, sipas një njoftimi të Regjistrit Federal.

Departamenti amerikan i Shtetit tha në një deklaratë se këto grupe paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, politikën e jashtme dhe interesat ekonomike të Shteteve të Bashkuara, raportoi Reuters.

Pas marrjes së detyrës më 20 janar, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, lëshoi ​​një urdhër ekzekutiv, duke u bërë thirrje zyrtarëve të vlerësojnë nëse ndonjë kartel kriminal apo bandë transnacionale duhet të cilësohet si grup terrorist.

Gjatë mandatit të tij të parë nga viti 2017 deri në 2021, ai konsideroi përcaktimin e karteleve si grupe terroriste, por përfundimisht i anuloi planet.

Pas marrjes së detyrës më 20 janar, Trump urdhëroi gjithashtu zyrtarët e lartë të ndërmarrin hapa për t’u përgatitur për të thirrur Aktin e Fuqive të Luftës të vitit 1798, i cili do ta lejonte atë të dëbonte anëtarët e dyshuar të bandës pa gjyq.

 

 

 

 

Trump përmend Kosovën e Serbinë kur flet për ndarjen e fondeve të USAID-it

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka komentuar ndarjen dhe përdorimin e fondeve të USAID-it në mbarë botën, duke përmendur edhe Kosovën dhe Serbinë.

Gjatë një konference për media në Florida, Trump theksoi se dy milionë dollarë janë alokuar për zhvillimin e “modeleve të qëndrueshme të riciklimit” në Kosovë, me synimin për të rritur kohezionin socio-ekonomik dhe përmirësuar kushtet e jetesës për komunitetet e margjinalizuara.

“…Dy milionë dollarë për të zhvilluar modele të qëndrueshme të riciklimit, për të rritur kohezionin socio-ekonomik në mesin e komuniteteve të margjinalizuara në Kosovë, si ashkalinjtë dhe egjiptianët”, tha ai.

Gjatë deklaratës së tij Trump për një moment ngatërroi egjiptianët si komunitet në Kosovë, dhe Egjiptin si shtet.

Trump përmendi gjithashtu 14 milionë dollarë të alokuara për përmirësimin e prokurimit publik në Serbi.

Sipas Trump, ndarja e fondeve të tilla është një mashtrim i madh.

“Të gjitha këto janë mashtrime… Po flasim për qindra miliarda dollarë. Mund t’i lexoj këto gjithë ditën…”, tha ai.

Në përfundim, ai e quajti sistemin aktual “të korruptuar” dhe theksoi se kjo është një situatë shqetësuese për vendin.

Verifikohen mbi 38 mijë pako të votave të ardhura përmes postës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i verifikimit të pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës është duke vazhduar.

Sipas zëdhënësit të KQZ’së deri më tani, nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi, janë verifikuar 38,229 pako, prej të cilave janë aprovuar 35,832, ndërsa janë refuzuar 2,397 pako.

“Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë, etj”, ka bërë të ditur Elezi.

Sipas Elezit, gjatë votimit përmes postës, KQZ-ja ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime dhe vetëm në përfundim të procesit të vlerësimit të tyre, do të dihet saktë se sa është numri i pakove me fletëvotime të cilat do t’i nënshtrohen numërimit.

“Sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, tregoi Elezi, raporton RTK.

Numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104,924, prej të cilëve 20,324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike dhe votuan 15,352, ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84,600 shtetas.

 

 

 

Shqipëria afrohet me Zvicrën, nis operimi i linjës direkte Tiranë-Gjenevë-Tiranë

Ambasada e Shqipërisë në Zvicër ka njoftuar se nga sot ka nisur së operuari fluturimi i drejtpërdrejtë Tiranë-Gjenevë dhe anasjelltas.

Kjo, nga Ambasada, është vlerësuar si një mundësi e re për shqiptarët dhe miqtë e Shqipërisë që duan të udhëtojnë mes dy vendeve.

“Kjo mundësi do të inkurajojë më tej turizmin dhe do të afrojë më shumë dy kulturat tona, duke lehtësuar lidhjet mes Shqipërisë dhe Zvicrës”, thuhet në njoftim.

 

 

Zvicër: Anglishtja po bëhet më e rëndësishme

Anglishtja po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në Zvicër – por jo në dëm të gjuhëve kombëtare.

Shifrat e fundit nga Zyra Federale e Statistikave tregojnë se numri i banorëve zviceranë që përdorin anglishten si gjuhë kryesore është rritur nga 4% në 6% në dhjetë vitet e fundit.

Për më tepër, më shumë vende pune përdorin anglishten si gjuhën e tyre kryesore operacionale, transmeton albinfo.ch.

Në të gjithë vendin, anglishtja përdoret kryesisht në 23% të vendeve të punës – që është pothuajse po aq sa frëngjishtja me 28%.

Në kantonin Vaud, një e katërta e punëtorëve përdorin zakonisht anglisht në punë – në Cyrih është 36%.

Por jeta në shtëpi është ndryshe. Vetëm 1.5% e familjeve nuk përdorin kurrë një gjuhë kombëtare.

 

 

Gjermani: Studimi tregon se migrimi nuk rrit krimin

Krahasuar me gjermanët, të huajt shfaqen më shumë në statistikat e krimit të policisë (PKS). Kjo shpesh përdoret si argument se migrimi rrezikon sigurinë në Gjermani, sepse të huajt kanë më shumë gjasa të kryejnë krime. Megjithatë, studiuesit e Institutit ifo me bazë në Mynih kanë arritur në një përfundim tjetër në një analizë të fundit të bazuar në të dhëna: shkalla më e lartë e të huajve në statistikat e krimit nuk dëshmon një prirje më të lartë për krim midis emigrantëve dhe as nuk tregon një rritje të krimit në vendet ku ata vendosen.

Statistika e Krimeve e Policisë (PKS) regjistron krimet e njohura dhe të dyshuarit e identifikuar. Përjashtohen shkeljet e trafikut, kundërvajtjet financiare dhe tatimore dhe kundërvajtjet ndaj sigurisë së shtetit.

Studiuesit e ifo-s vlerësuan të dhënat e Statistikës sipas rretheve dhe qyteteve të pavarura. Rezultati i tyre: “Ne nuk gjejmë asnjë lidhje midis një përqindjeje në rritje të të huajve në një rreth dhe shkallës së krimit lokal. E njëjta gjë vlen veçanërisht për ata që kërkojnë mbrojtje,” thotë studiuesi i ifo-s Jean-Victor Alipour. “Rezultatet janë në përputhje me gjetjet e hulumtimit ndërkombëtar, sipas të cilit migrimi dhe arratia nuk kanë ndikim sistematik mbi krimin në vendin pritës.”

Fakti që të huajt janë të mbi përfaqësuar në statistikat e krimit nuk është për shkak të origjinës së tyre, por të faktorëve të tjerë. Krahasuar me popullsinë gjermane, të huajt janë më të rinj dhe përqindja e meshkujve është më e lartë. Përveç kësaj, ata më shpesh jetojnë në rajone ku krimi ndodh më shpesh, për shembull në zonat urbane. Aty edhe gjermanët shfaqin sjellje më kriminale.

Kjo çon në një paradoks të dukshëm: sipas statistikave, të huajt kryejnë krime më shpesh, por migrimi i përgjithshëm nuk ka ndikim në shkallën e krimit në vend. Shpjegimi për këtë është se emigrantët kanë më shumë gjasa të qarkullojnë në zona me rrezik më të lartë krimi. Nëse ata kanë një tendencë të ngjashme ndaj sjelljes kriminale si gjermanët vendas, shkalla e krimit lokal atje do të mbetet e njëjtë. Megjithatë, në nivel kombëtar, shkalla e krimit midis emigrantëve rritet me rritjen e përqindjes së tyre në popullsinë totale.

Studiuesit e ifo-s hetuan gjithashtu nëse ndryshimet në përqindjen e të huajve në një rreth ose qytet të pavarur kanë pasur ndikim në krimin lokal gjatë periudhës së studimit midis 2018 dhe 2023. Nuk u gjet asnjë korrelacion domethënës, as për krimin e përgjithshëm, as për krimin e rrugës apo vrasjet.

Studime të tjera, të cilave u referohen studiuesit e ifo-s, gjithashtu vijnë në këtë përfundim: imigrimi midis viteve 2008 dhe 2019 nuk pati asnjë efekt të rëndësishëm në krimin në Gjermani. Në të kundërt, krimi u rrit në Gjermaninë Perëndimore midis viteve 1996 dhe 2006, kur rreth tre milionë njerëz me origjinë gjermane u shpërngulën atje nga Evropa Lindore, duke përfshirë shumë të rinj dhe njerëz me aftësi të ulëta.

Sipas autorëve, rreziku i sjelljes kriminale te emigrantët mund të reduktohet me masa integruese si kurset e gjuhës. E njëjta gjë vlen edhe për qasjen më të lehtë për ta në shtetësinë gjermane, sepse kjo rrit mundësitë e punësimit.

 

Ndihma për kërkimin e punës dhe përfitimet sociale gjithashtu reduktojnë krimin. Mundësia e fitimeve të ligjshme dhe afatgjata zvogëlon tërheqjen drejt aktiviteteve të paligjshme. Këtu, qasja joburokratike në tregun e punës është thelbësore. Ndalimet e punësimit për azilkërkuesit, nga ana tjetër, kanë ndikuar negativisht në integrimin e tyre ekonomik.

Me kuptim do të ishte edhe thjeshtimi i njohjes së kualifikimeve të huaja. Këto njihen vetëm me vështirësi ose me vonesë. Prandaj, emigrantët punojnë nën nivelin e tyre të kualifikimit dhe fitojnë përkatësisht më pak./DW

Natyralizimi i thjeshtuar: Këshilli Federal rekomandon refuzimin e iniciativës

Këshilli Federal rekomandon refuzimin e nismës popullore “Për një të drejtë civile moderne (iniciativa e demokracisë)”.

Qeveria federale i referohet kompetencave të kantoneve dhe dizajnit federalist të procedurës së natyralizimit.

Shtetësia zvicerane me tre nivele dhe kompetencat e secilit nivel shtetëror duhet të ruhen në përputhje me rrethanat.

Këshilli Federal argumenton se iniciativa ndërhyn në mënyrë të konsiderueshme me kompetencat ekzistuese kantonale dhe dizajnin federalist të procedurës së zakonshme të natyralizimit.

Procesi ekzistues i natyralizimit përfshin rregulloret federale dhe kantonale dhe komunale. Kjo do të thotë se natyralizimi në Zvicër nuk është i rregulluar në mënyrë uniforme. Sipas Këshillit Federal, ky sistem trenivelësh i nënshtetësisë zvicerane dhe kompetencat e çdo niveli shtetëror duhet të ruhen.

Natyralizimi i thjeshtuar pas pesë vitesh?

Me një procedurë uniforme të natyralizimit mbarëkombëtar, nismëtarët e referendumit duan të eliminojnë dallimet ndërmjet kantoneve dhe komunave dhe të sigurojnë trajtim më të barabartë.

Nisma synon gjithashtu të lehtësojë natyralizimin. Pas pesë viteve të qëndrimit të ligjshëm në Zvicër, natyralizimi duhet të jetë i mundur pavarësisht nga leja e qëndrimit. Parakushtet do të ishin njohja bazë e një gjuhe kombëtare dhe pa vepra të rënda penale.

Komiteti që qëndron pas nismës popullore “Për një të drejtë civile moderne (iniciativa për demokraci)” e paraqiti kërkesën nëntorin e kaluar me rreth 105,000 firma të vërtetuara./SRF

Zvicër: Përdorni zyrat boshe si shtëpi

Zvicra po vuan nga një krizë strehimi, por në të njëjtën kohë, hapësirat e zyrave mbeten bosh.

Nëse shumë zyra të papërdorura do të mund të shndërroheshin në shtëpi, do të mjaftonte për të strehuar 43,000 njerëz.

Zyra CBRE në Cyrih thotë se ka dy milionë metra katrorë zyra bosh, transmeton albinfo.ch.

Qytetet e mëdha janë goditur veçanërisht, si Cyrihu, Lozana dhe Gjeneva.

Zotërimi i rezidencës është nën 1% dhe megjithatë ka shumë zyra rezervë.

Televizioni RTS vlerëson se ka hapësirë ​​të mjaftueshme për 6,000 njerëz në Cyrih dhe 4,000 në Gjenevë.

Por ka probleme – jo të gjitha ndërtesat e zyrave mund të konvertohen dhe pronarët e pronave marrin një normë më të mirë kthimi nga qiratë e zyrave sesa shtëpitë.