Shifra alarmante të vdekjeve nga ndotja e ajrit në Maqedoni në krahasim me vendet tjera në Evropë

Krahasuar me shumicën e vendeve të Evropës, Maqedonia e Veriut ka nga 5 deri në 10 herë më shumë vdekje, që vijnë si pasojë e ndotjes së ajrit. Kështu deklaroi Tatjana Cekulev nga organizata “O2”, gjatë debatit në Komisionin e përhershëm anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Ajo nënvizoi se në shumicën e qyteteve nga 365 ditë të vitit, qytetarët thithin ajër të pastër vetëm 2 deri në 9 ditë të vitit.

“Sipas raportit të fundit të Agjencisë Evropiane për Mjedis Jetësor, në vitin 2022, 3,600 persona kanë vdekur më herët për shkak të ekspozimit kronik ndaj grimcave PM 2.5. Nëse e përjashtojmë Llazaropolen, ku matet, në vendet e tjera të matjes, ajër të pastër kemi maksimumi një muaj e gjysmë në vit, dhe atë vetëm në Koçan dhe Milladinovc, më pas nga gjysmë muaji në Ohër dhe në periferi të Manastirit. Në të gjitha vendet e tjera të matjes, lëviz nga vetëm 2 deri në 9 ditë të vitit”, deklaroi Tatjana Cekulev, O2 Sektori Joqeveritar, raporton Alsat, përcjell albinfo.ch.

Bojan Tërpeski nga sektori civil tha se para gjykatave të vendit janë ngritur dy padi që lidhen me ndotjen e ajrit. Padia e parë është ngritur në Gjykatën Civile në Shkup kundër Qeverisë, Ministrisë së Mjedisit dhe Qytetit të Shkupit. Ndërsa padia e dytë është ngritur në Gjykatën e Manastirit kundër Qeverisë, Ministrisë së Mjedisit dhe komunës së Manastirit.

“Për fat të keq të gjitha procedurat gjyqësore të ngritura janë hedhur poshtë. Momentalisht, procedura e ngritur në Shkup ndodhet para Gjykatës për të drejtat e njeriut në Strasburg… Ndërkaq javën e kaluar morëm vendim negativ nga Gjykata e Apelit në Manastir”, tha Bojan Tërpeski, Sektori joqeveritar.

Drejtuesi i Komisionit, Dimitar Apasiev nga E Majta, tha se pavarësisht përpjekjeve për ta penguar mbajtjen e debatit, ai ka vendosur ta thërrasë seancën, pasi këtë e kanë kërkuar 20 deputetë dhe nëse nuk do ta bënte, rrezikonte padi penale.

“Nëse nuk e bëj këtë, rrezikoj padi penale, për moskryerjen e detyrës zyrtare nga ana e 20 deputetëve që kanë kërkuar nga unë ta thërras këtë debat”, u shpreh Dimitar Apasiev, E majta.

Në debat ishin ftuar 40 mysafirë, por jo të gjithë pranuan të merrnin pjesë. Debati u bojkotua nga deputetët e shumicës parlamentare, ndërsa ishin të ftuar edhe Kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, dhe ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, por as ata nuk morën pjesë.

Testohet me sukses makina e parë fluturuese, mund të udhëtojë 322 kilometra në tokë dhe 177 në ajër

Alef Aeronautics planifikon të fillojë prodhimin e makinës Model A në fund të vitit 2025, me dërgesa të mundshme në 2026. Modeli A ka një rreze tokësore prej 200 miljesh dhe një rreze fluturimi prej 110 miljesh, me një çmim fillestar prej 300,000 dollarë, e cila përfshin një parashutë balistike – në rast se fluturimi përfundon përpara uljes së planifikuar.

Modeli Z, i planifikuar për vitin 2035, do të jetë i disponueshëm me një çmim shumë më të volitshëm prej 35,000 dollarë.

Startup nga Kalifornia Alef Aeronautics ka demonstruar me sukses makinën e parë fluturuese plotësisht funksionale që mund të udhëtojë në rrugë dhe të ngrihet vertikalisht. Kompania publikoi një video që tregon prototipin e saj Alef Model Zero duke kaluar nga drejtimi rrugor në fluturim, gjë që sjell menjëherë në mendje filma dhe romane me makina fluturuese.

Fluturimi testues u zhvillua më 19 shkurt në një rrugë të mbyllur në Kaliforni rurale, me protokolle sigurie në vend. Alef Model Zero, një version ultra i lehtë i modelit të planifikuar komercial, demonstroi aftësitë e tij duke u ngjitur në një automjet të parkuar, duke aktivizuar modalitetin e fluturimit, duke u ngritur për të kaluar një pengesë, më pas duke u ulur dhe duke vazhduar rrugën.

Jim Duchovny, CEO dhe bashkëthemelues i Alef Aeronautics, pohon se kjo është një ngjarje historike: “Shpresojmë se do të ketë një efekt të ngjashëm me fluturimin e vëllezërve Wright, i cili filloi zhvillimin e industrive krejtësisht të reja të aviacionit.”

Alef Model Zero përdor një sistem shtytës elektrik të shpërndarë me tetë motorë elektrikë, të cilët drejtojnë helika të integruara në trupin e automjetit, me përmasa afërsisht 5.2 metra të gjatë dhe 2.1 metra të gjerë. Ky dizajn lejon ngritjen dhe uljen vertikale, gjë që është thelbësore për zonat urbane ku pistat klasike nuk janë të disponueshme. Ndërsa fluturimi testues u krye me një prototip të specializuar ultra të lehtë, Alef Aeronautics po zhvillon Alef Model A, një version komercial i makinës fluturuese.

Modeli A është projektuar për dy pasagjerë dhe ka një distancë prej 322 kilometrash, ndërsa diapazoni i fluturimit është 177 kilometra. Automjeti ka një dizajn futuristik me një kabinë rrotulluese që lejon shikueshmëri 360 gradë gjatë fluturimit.

Mendimi i parë i vëzhguesve dhe entuziastëve kur shohin një automjet të tillë është siguria, por Alef Aeronautics pretendon se ata tashmë e kanë zgjidhur këtë. Modeli A do të ketë komponentë kryesorë rezervë, teknologji për zbulimin dhe shmangien e pengesave dhe një parashutë sigurie balistike të plotë të automjetit.

Progresi i kompanisë ka tërhequr vëmendjen e investitorëve dhe blerësve potencialë. Alef Aeronautics siguroi mbështetje nga Tim Draper, një investitor i hershëm në Tesla dhe SpaceX. Kompania tashmë ka marrë më shumë se 3,300 para-porosi për veturën Model A, e cila do të shitet për 300,000 dollarë kur të hyjë në prodhim.

Alef Aeronautics planifikon të fillojë prodhimin e Modelit A në fund të vitit 2025, me dërgesa të mundshme në 2026. Kompania po shikon gjithashtu projektet e ardhshme, duke përfshirë planet për një model më të përballueshëm me katër vende të quajtur Model Z, i cili është planifikuar të lansohet në vitin 2035, me një çmim të vlerësuar prej 35,000 dollarë.

Megjithatë, përpara se makinat fluturuese të bëhen të zakonshme, duhet të kapërcehen pengesat rregullatore, të zhvillohet infrastruktura dhe të zbatohen sistemet e menaxhimit të trafikut ajror. Administrata Federale e Aviacionit të SHBA (FAA) i ka dhënë Alef Aeronautics një certifikatë speciale të vlefshmërisë ajrore, e cila lejon fluturime eksperimentale, por certifikimi më i gjerë për përdorim komercial ende nuk është konsideruar.

Modeli A do të jetë një makinë e vërtetë rrugore, megjithëse shpejtësia maksimale e saj është vetëm 40 km/h. Kjo e vendos atë në një kategori të veçantë, ndryshe nga avioni eVTOL i zhvilluar nga Honda, Hyundai, BMW dhe kompani të tjera – të cilët janë në thelb helikopterë të avancuar sepse mund të fluturojnë vetëm.

 

 

 

 

 

 

Tragjedi në Paris: Adoleshentja hedh tishnjën nga dritarja e hotelit

Një femër adoleshente nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është arrestuar të hënën në Paris, pasiqë është akuzuar për hedhjen e foshnjës së saj nga dritarja e hotelit, duke e lënë atë pa shenja jete.

Ajo u dërgua në spital për t’u nënshtruar një operacioni pas lindjes dhe më pas u vu në pranga nga policia, pohoi Zyra e Prokurorit të Parisit në një deklaratë.

Foshnja e saj “supozohet të jetë hedhur nga dritarja e katit të dytë të një hoteli” në distriktin e 20-të të Parisit të hënën, tha zyra e prokurorit. “Foshnja u dërgua për kujdes urgjent, por nuk mbijetoi”.

“Nëna, një nënshtetase amerikane, ishte pjesë e një grupi të rriturve të rinj duke udhëtuar në Evropë”, tregoi zyra e prokurorit, duke shtuar se është hapur një investigim për vrasje të një të mituri.

CNN ka kontaktuar policinë franceze dhe Departamentin e Shtetit. Spitali në të cilin ku u dërgua e dyshuara refuzoi të komentojë. Rasti u raportua për herë të parë nga Paris Match.

 

 

Vendi i parë në botë që integron Inteligjencën Artificiale në sistemin arsimor

Estonia ka qenë e para në botë që nisi një iniciativë për të integruar ‘chatbotët’ dhe mjete të tjera të inteligjencës artificiale, të specializuara për arsimimin, në sistemin e saj arsimor kombëtar, njoftuan qeveria estoneze, OpenAI dhe Antropik.

Që nga 1 shtatori, pra që nga fillimi i vitit të ri shkollor, 20 mijë nxënës të shkollave të mesme – klasa e dhjetë dhe e njëmbëdhjeta, dhe tre mijë mësuesit e tyre do të kenë qasje të lirë në ChatGPT Edu, mjetin e kompanisë OpenAI, si dhe në mjete të tjera të inteligjencës artificiale, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Plani është që vitin e ardhshëm programi të shtrihet edhe në shkollat profesionale dhe për nxënësit e klasës së dhjetë, që do të thotë edhe 38 mijë nxënës dhe dymijë mësues, njofton Euraktiv.

“Konkurrueshmëria e Estonisë varet nga sa mirë do t’i përgatisim të rinjtë për epokën e inteligjencës artificiale“, tha ministrja e Arsimit, Christina Kallas, duke shtuar se Estonia do të investojë fuqishëm në trajnimin e mësuesve në kuadër të programit AI Lip (Leap).

Programi do të financohet nga fondacioni publik-privat AI Lip, i zhvilluar nga Këshilli Digjital i Presidentit dhe Ministria e Arsimit dhe Kërkimit, dhe në të marrin pjesë shumë sipërmarrës privatë.

Sipas njoftimit, detajet e detyrave, anëtarëve dhe modelit të financimit të fondacionit do të përcaktohen në mars.

Në njoftim gjithashtu thuhet se janë nisur negociatat me kompanitë OpenAI dhe Antropik dhe se është planifikuar përfshirja e ofruesve të tjerë.

OBSH: 33.5% e vdekjeve të parakohshme vijnë nga problemet kardiovaskulare

1 në 6 persona në Europë vdesin përpara moshës 70 vjeç si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit, diabetit ose sëmundjeve kronike të frymëmarrjes.

Ekspertët e OBSH në raportin e ri për shëndetin në Europë, kanë nxjerrë në pah se 33.5% e vdekjeve të parakohshme vijnë nga problemet me zemrën, me një rrezik pothuajse 5 herë më të lartë në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore sesa në Evropën Perëndimore.

Menjëherë pas tij vijnë Sëmundjet Tumorale të cilat shkaktojnë 32.8% të vdekjeve të parakohshme.

Mes faktorëve ndikues ekspertët fajësojnë konsumin e alkoolit ku cilësohet se Rajoni Evropian ka nivelin më të lartë të konsumit të alkoolit në botë, me një mesatare prej 8.8 litra alkool të pastër për të rritur në vit.

Edhe përdorimi i duhanit, mbetet i lartë me një prevalencë prej 25.3% tek të rriturit dhe larg objektivit për uljen e konsumit të tij me 30% deri në vitin 2025.

Raporti thekson nevojën për masa urgjente për të përmirësuar politikat shëndetësore dhe për të zvogëluar pabarazitë midis vendeve/euronews

Shqipëri: 282 588 kërkesa për votim nga jashtë, 183 382 të miratuara

Në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) që nga 11 janari deri sot kanë bërë kërkesë për t’u regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, 227 788 shtetas shqiptarë.

Këto janë shifrat e fundit të bëra publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri në orën 16:56, të datës 25 shkurt, ndërsa aplikimi do të jetë i hapur deri më datë 4 mars.

Sipas të dhënave të KQZ-së janë miratuar 183 382 kërkesa dhe janë refuzuar 94 563 të tilla.

Gjithashtu janë bërë 282 588 kërkesa për regjistrim gjithsej, janë shqyrtuar 277 945 kërkesa dhe 4591 janë në shqyrtim.

Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave për regjistrim të miratuara është nga Italia me 66 006, e ndjekur nga Greqia me 50 291, Gjermania me 20 026 si dhe nga SHBA me 16 040 e Britania e Madhe 13 407.

Sa i takon qarqeve, numri më i lartë i kërkesave për regjistrim të miratuara është nga qarku i Tiranës me 38 066, e ndjekur nga Fieri me 23 652 si dhe nga Durrësi me 18 983.

Procesi për regjistrimin në Platformën Elektronike të Zgjedhësve (PER) ka filluar në 11 janar dhe do të zgjasë deri në datën 4 mars.

Rinisin kërkimet për të gjetur aeroplanin e zhdukur 11 vite më parë

Firma e eksplorimit detar me bazë në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar Ocean Infinity ka rifilluar kërkimin për fluturimin e humbur të Malaysia Airlines MH370, i cili u zhduk gjatë rrugës nga Kuala Lumpur në Pekin më 8 mars 2014, thanë zyrtarët dhe raportet e mediave të martën.

Zhdukja e Boeing 777, e cila mbante 239 persona, tashmë shkaktoi kërkimin më të madh në historinë e aviacionit në kohën e incidentit në 2014.

Malajzia njoftoi në dhjetor se kishte rënë dakord me një propozim nga Ocean Infinity për të rifilluar kërkimin.

“Ata na kanë bindur se janë gati,” tha të martën ministri i Transportit i Malajzisë, Anthony Loke.

“Kjo është arsyeja pse qeveria e Malajzisë po vazhdon me këtë.”

Ocean Infinity po përdor anijen e kërkimit Armada 78 06 dhe mjete autonome nënujore (AUV) për të pastruar shtratin e detit në një zonë prej rreth 15,000 kilometra katrorë (5,792 milje katrorë) nga brigjet e Perthit në Australinë Perëndimore, thanë media.

Katër pika kryesore brenda kësaj zone do të formojnë fokusin e kërkimit si vendet ku studiuesit besojnë se ka më shumë gjasa të gjenden rrënojat, thanë ata.

Sipas transmetuesit australian 9 News, firma ka nënshkruar një marrëveshje “pa gjetje, pa tarifë” me qeverinë malajziane.

Ocean Infinity tashmë ka ndërmarrë një kërkim për avionin në 2018.

Deri më sot, vetëm disa dhjetëra copëza rrënojash janë derdhur në brigje të ndryshme.

Loke tha se detajet e kërkimit të rinovuar ishin ende duke u finalizuar, por shtoi se ai mirëpret “proaktivitetin e Ocean Infinity për të vendosur anijet e tyre”.

Studiuesit kanë pak të dhëna për të punuar në kërkimin e tyre për MH370, i cili, sipas të dhënave satelitore, devijoi nga rruga e fluturimit për në Pekin dhe vazhdoi të fluturonte për më shumë se gjashtë orë pas zhdukjes së tij nga radarët pak pas ngritjes./DW

Austri: Pritet grevë nga shoferët e autobusëve në mars

Pas grevave paralajmëruese mbarëkombëtare në shkurt, sindikata vida e Austrisë do të rifillojë negociatat me Dhomën Ekonomike Federale Austriake (WKÖ) më 5 mars për 12,000 punonjës në kompanitë private të autobusëve, duke përfshirë ÖBB-Postbus, Blaguss, Dr Richard, Sabtours dhe Gschwindl.

Sindikata kërkon kushte më të mira pune, duke përfshirë bonuse më të larta të natës dhe turne më të shkurtra.

Sindikata ka paralajmëruar për veprime të mëtejshme greve nëse punëdhënësit nuk paraqesin një ofertë të përmirësuar ndjeshëm./The Local

Çfarë duhet të dinë udhëtarët në Gjermani për grevën e aeroportit të Mynihut?

Fluturimet do të anulohen të enjten dhe të premten e kësaj jave për shkak të një greve që përfshin punonjësit në aeroportin e Mynihut.

Pasagjerët në Gjermani do të përballen me ndërprerje më vonë këtë javë pas një greve dy-ditore të thirrur nga sindikata Verdi në një mosmarrëveshje mbi pagat dhe kushtet.

Verdi po u kërkon punëtorëve në aeroportin e Mynihut të bëjnë një shëtitje të enjten dhe të premten.

Ajo vjen pasi një grevë që prek aeroportet e Këlnit/Bonnit dhe Düsseldorfit shkaktoi ndërprerje të rënda këtë javë, duke përfshirë qindra fluturime të anuluara. Një grevë në aeroportin e Hamburgut gjithashtu goditi operacionet në fillim të muajit.

Një zëdhënës nga aeroporti i Mynihut tha se pritet një ndërprerje e konsiderueshme.

“Pasagjerët duhet të përgatiten për një orar fluturimesh dhe vonesa shumë të reduktuara”, tha një zëdhënës i aeroportit për mediat rajonale gjermane.

Çfarë duhet të di për grevën e Mynihut?

Greva ‘paralajmëruese’ në aeroportin e Mynihut është planifikuar të fillojë nga mesnata e mëngjesit të së enjtes (27 shkurt) dhe më pas të zgjasë 48 orë deri në fund të së premtes, 28 shkurt.

Verdi tha se aksioni u njoftua sa më shpejt që të ishte e mundur për t’u dhënë pasagjerëve mundësinë për t’u përgatitur për ndërprerjen. Sindikata po merr pjesë në negociatat kolektive që synojnë sigurimin e pagave dhe kushteve më të mira për punonjësit e aeroportit.

Mynihu është aeroporti i dytë më i ngarkuar i Gjermanisë pas Frankfurtit dhe në vitin 2024 u tha se ishte aeroporti me rritjen më të shpejtë në Gjermani. Ai mirëpret rreth 41.6 milionë pasagjerë çdo vit.

Cilat fluturime janë anuluar për shkak të grevave?

Nuk është ende e qartë se cilat fluturime do të ndërpriten për shkak të efekteve të veprimit industrial.

Por pasagjerët mund të presin ndërprerje të mëdha në kontrollet e sigurisë dhe shërbimet tokësore.

Gjithsej rreth 830 fluturime brenda dhe jashtë janë planifikuar në të dyja ditët.

“Aktualisht nuk është e mundur të bëhet ndonjë parashikim për nivelin e pjesëmarrjes në grevë midis ofruesve të ndryshëm të shërbimeve ose ndikimin në operacionet e fluturimit,” tha zëdhënësi i aeroportit të Mynihut.

Udhëtarët ajror këshillohen të kontrollojnë statusin e fluturimit të tyre me kompaninë e tyre ajrore përpara nisjes. Nëse fluturimi i tyre anulohet, ata duhet të marrin një njoftim nga kompania e tyre ajrore.

Udhëtarët këshillohen të mos vijnë në aeroport nëse fluturimi i tyre është ndërprerë, dhe në vend të kësaj të organizojnë një fluturim tjetër ose të marrin paratë e tyre nga linja ajrore ose kushdo tjetër me të cilin kanë rezervuar.

Aeroporti thotë se është në “kontakt të ngushtë me linjat ajrore dhe ofruesit e shërbimeve në mënyrë që të reduktojë shqetësimet për udhëtarët sa më shumë që të jetë e mundur”.

Çfarë ndodh nëse fluturimi im anulohet ose vonohet? Është e rëndësishme që pasagjerët të dinë të drejtat e tyre nëse përballen me një anulim ose vonesë të madhe.

Pasagjerët e prekur mund të kenë të drejtën e kompensimit sipas ligjit të BE-së nëse fluturimi i tyre vonohet ose anulohet.

Bashkëthemeluesi i specialistëve të kompensimit të linjës ajrore SkyRefund, Ivaylo Danailov, tha për The Local: “Nëse fluturimi juaj anulohet dhe ju vendosni të rimbursoheni, ju keni të drejtë ligjore për një rimbursim të plotë si për fluturimin tuaj të anuluar ashtu edhe për fluturimin tuaj të kthimit, sepse nuk keni mundur të arrini destinacionin tuaj.

“Ju mund të merrni deri në 600 € nëse fluturimi juaj vonohet më shumë se tre orë ose anulohet më pak se 14 ditë para nisjes.”

Nëse pasagjerët përballen me pritje të gjata në aeroport, ata kanë të drejtë për ushqim dhe pije të cilat zakonisht lëshohen nga linjat ajrore në formën e kuponëve. Nëse mbeten të bllokuar, kanë të drejtë të akomodohen dhe të transportohen atje dhe mbrapa./The Local

Kuvendi maqedonas miraton ndryshimet ligjore, tregtarët detyrohen t’i publikojnë çmimet në ueb-faqe

Pas vendimit për kufizimin e marzhës së fitimit për 102 grupe produktesh, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar të martën edhe ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, duke vendosur detyrimin për tregtarët me pakicë që të publikojnë çmimet e produkteve në faqet e tyre të internetit.

Ligji kërkon që tregtarët e mesëm dhe të mëdhenj të publikojnë çmimet e produkteve në faqet e tyre të internetit, në mënyrë të qartë dhe të lexueshme, duke u mundësuar konsumatorëve krahasim më të lehtë me çmimet paraprake, si dhe me përditësime ditore për çdo ndryshim.

“Tregtarët e mëdhenj, të mesëm dhe të vegjël që kryejnë tregti me pakicë, me shifrën 47 në përputhje me Klasifikimin Kombëtar të Veprimtarive, janë të detyruar të publikojnë në ueb-faqet e tyre, veçmas për çdo objekt të shitjes, çmimin aktual të shitjes, pra çmimin për njësi në momentin e publikimit të çdo produkti që ofrojnë për shitje”, thuhet në ligj.

Ligji do të zbatohet për marketet e mëdha zinxhirë, ndërsa mikrotregtarët dhe tregtarët individualë janë të përjashtuar nga ky detyrim.

“Si shumicë qeverisëse do të imponojmë detyrimin që të gjithë tregtarët e vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj të krijojnë një faqe interneti ku do të shënojnë çmimet e produkteve për secilën prej dyqaneve të tyre në baza ditore, ndërsa Inspektorati Shtetëror i Tregut do të ndëshkojë nëse nuk e bëjnë këtë”, deklaroi Bojan Stojanovski, kryetar i Komisionit dhe një nga propozuesit e ligjit.

Qeveria maqedonase argumenton se kjo masë do të forcojë konkurrencën dhe mund të ndikojë në uljen e çmimeve, sidomos në sektorin e produkteve ushqimore.

Ndryshimet ligjore parashikojnë gjoba për tregtarët që do të veprojnë në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji dhe dispozitat për kompetencat e inspektorëve shtetërorë të tregut.

Ndërkohë, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka nisur një procedurë kundërvajtëse ndaj katër rrjeteve të mëdha të marketeve dhe një ode ekonomike, ku bëjnë pjesë të njëjtët, duke i akuzuar për bashkërendim të çmimeve dhe bojkot ndaj furnitorëve me çmime të reja. Nëse shkelja konfirmohet, katër supermarketet mund të përballen me gjoba deri në 10 për qind të të ardhurave të tyre vjetore, bazuar në nenin 59 të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.

Ndryshe, nga 20 shkurti, mbi 1.000 artikuj ushqimorë dhe joushqimorë duhet të shiten me çmime më të ulëta, pas vendimit të Qeverisë për kufizimin e marzhës së fitimit dhe ngrirjen e çmimeve.

Sipas vendimit, për tetë produkte bazë, përfshirë bukën, miellin, vajin, vezët, marzha nuk duhet të kalojë mbi 5 për qind. Për 55 produkte të tjera, si mishi dhe produktet e konservuara, kufiri është 10 për qind, ndërsa për 39 produkte të tjera si fruta, perime dhe artikuj higjienikë, marzha lejohet deri në 15 për qind./REL

Austri: Rritje pagash për punonjësit e industrisë së sigurimeve

Nga 1 marsi, punonjësit e sektorit të sigurimeve të Austrisë do të kenë një rritje kolektive të pagave. Stafi i zyrës do të marrë një rritje prej 2.9 për qind plus 19.50 euro, ndërsa personeli në terren do të shohë rritjen e pagave të tyre me 3.6 për qind. Pagat e praktikantëve gjithashtu do të rriten me 3.6 për qind, sipas ÖGB.

Ndërkohë, rreth 9,000 punonjës të industrisë së përpunimit të letrës dhe kartonit do të marrin një rritje pagash prej 2.9 për qind, që përputhet me normën vjetore të inflacionit të Austrisë për vitin 2024./The Local

Çmimet e qirave në qytetin e Bernës u rritën me 3.2 për qind

Indeksi i çmimeve të qirasë për qytetin e Bernës u rrit me 3.2 për qind në vitin 2024. Këtë e tregon një sondazh i çmimeve të qirave të publikuar të martën nga Statistikat e qytetit të Bernës.

Në nëntor 2024, indeksi i çmimit të qirasë arriti në 132.1 pikë. Në vitin e kaluar, sipas Zyrës së Statistikave të Qytetit të Bernës, ajo ishte ende në 128.0 pikë.

Një krahasim me indeksin kombëtar të çmimeve të konsumit dhe nën-indeksin e tij për qiratë e apartamenteve tregon se zhvillimi i qirave në qytetin e Bernës dhe në të gjithë Zvicrën ka qenë i ngjashëm që nga viti 2024.

Qiraja mesatare neto për një apartament me një dhomë në qytetin e Bernës në vitin 2024 ishte 788 franga në muaj. Për një apartament me dy dhoma ishte 1111 franga, për një apartament me tre dhoma 1309 franga, për një apartament me katër dhoma 1646 franga dhe për një apartament me pesë dhoma 2082 franga.

Sipas Statistikave të Bernës, në këto të dhëna përfshihen edhe çmimet e apartamenteve me qira, disa prej të cilave janë në fuqi prej vitesh. Prandaj, ato nuk korrespondojnë me çmimet e apartamenteve me qira të shpallura në tregun e banesave./Blick

Serbi, policia bastis organizatat e shoqërisë civile të financuara nga USAID

Policia serbe bastisi të martën zyrat e të paktën katër organizatave të shoqërisë civile si pjesë e një hetimi mbi dyshimet për keqpërdorim të fondeve të Agjencisë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID) në Serbi.

Ky veprim vjen pasi administrata e Presidentit amerikan Donald Trump ngriu në janar fondet e kësaj organizate për 90 ditë dhe që atëherë ka ndërmarrë hapa për ta shpërbërë agjencinë e ndihmave, duke shkarkuar mbi një mijë punonjës të saj.

Prokurori i Shtetit Nenad Stefanoviç tha se Serbia ka kërkuar informacione nga Departamenti amerikan i Drejtësisë mbi dyshimet për keqpërdorim të fondeve të USAID-it dhe pastrim parash në Serbi, duke iu referuar deklaratave të Presidentit Trump, Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, miliarderit Elon Musk si dhe zyrtarëve të tjerë amerikanë pas vendimit për ngrirjen e fondeve të USAID-it.

Departamenti i posaçëm kundër korrupsionit ka kërkuar nga policia “të mbledhë të gjitha të dhënat e zbulimit për të verifikuar informacionin dhe për të mbledhur prova mbi shpenzimet e dyshimta të fondeve të USAID-it, keqpërdorimit të fondeve dhe dyshimeve për pastrim parash”, tha prokurori Stefanoviç.

Policia është udhëzuar të mbledhë tërë dokumentacionin rreth donacioneve të USAID-it për katër organizata joqeveritare, tha ai.

Dy organizatat me seli në Beograd, Qendra për Hulumtime, Transparencë dhe Përgjegjësi, ‘CRTA’, si dhe Nisma Qytetare konfirmuan se forcat policore bastisën zyrat e tyre të martën.

CRTA, e cila bën vëzhgimin e pavarur të zgjedhjeve në Serbi, postoi në rrjetin X se “po bashkëpunonte plotësisht me autoritetet shtetërore”.

Organizata Nisma Qytetare e cilësoi bastisjen si një “sulm serioz kundër të drejtave themelore civile dhe vazhdimësi të trysnisë së jashtëligjshme ndaj shoqërisë civile në Serbi”.

“Përdorimi i policisë për qëllime politike paraqet një keqpërdorim të ashpër të institucioneve të shtetit për të goditur ata që mendojnë ndryshe dhe kufizim të aktiviteteve të lira dhe demokratike në Serbi”, thuhet në deklaratën e kësaj organizate.

Bastisjet në Serbi po ndodhin në një kohë kur Presidenti populist Aleksandar Vuçiç dhe qeveria e tij po përballen gjatë muajve të fundit me protesta kundër korrupsionit. Demonstratat e udhëhequra nga studentët janë rritur dhe shndërruar në një lëvizje mbarëkombëtare kundër korrupsionit që po i krijojnë probleme Presidentit Vuçiç, përkrahës i zëshëm i Presidentit Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin.

Që nga vitet 1990, USAID ka investuar miliarda dollarë në vendet si Moldavia, Serbia, Shqipëria, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina – të gjitha shtete ish komuniste, që synojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.

Në këto shtete, fondet e USAID-it kanë promovuar institucionet demokratike dhe reformat, kanë ndihmuar në zhvillimin e infrastrukturës dhe sigurisë energjetike, kanë fuqizuar bizneset dhe ekonomitë dhe kanë mbështetur një numër të rëndësishëm organizatash joqeveritare dhe mediat e pavarura.

Shumica e donacioneve në Serbi u janë dhënë institucioneve shtetërore, sipas zyrtarëve të opozitës dhe njoftimeve të mediave të pavarura./VOA

Gjykata Federale: Kosovari duhet të largohet përfundimisht nga Zvicra

Një kosovar sot 43 vjeçar ka përdhunuar, rrahur dhe kërcënuar se do të vriste gruan e tij, me të cilën në atë kohë jetonte së bashku, në Nidwalden. Për krimet që kanë ndodhur ndërmjet viteve 2008 dhe 2019, gjykata kantonale e Nidwalden e ka dënuar atë tre vjet më parë me 22 muaj burg të kushtëzuar dhe një gjobë me kusht prej rreth 15,000 frangash.

Për shkak të dy përdhunimeve, atij i ishte shqiptuar edhe dënimi me u dëbua nga vendi për pesë vjet, transmeton albinfo.ch. Pikërisht këtë dënim ai nuk donte ta pranonte. Ndër të tjera, sepse nëse dëbohej ai nuk do të mund ta shihte më djalin e vet. “Si mund të qëndroj pesë vjet pa të? Ky do të ishte fundi për mua”, ishte shprehur ai dy vjet më parë në seancën e apelit përpara Gjykatës së Lartë të Nidwalden. Atje ai kishte kërkuar që të anulohej dëbimi i planifikuar – sepse ndarja e afërt nga djali i tij nënkuptonte se kishte një rast vështirësie, shkruan gazeta Nidwaldner Zeitung.

Në raste të tilla, ligji i lejon gjykatat të përmbahen nga shqiptimi i dëbimit nga vendi. Megjithatë, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të Nidwaldenit nuk e bënë këtë. Ata konfirmuan vendimin e gjykatës kantonale. Kosovari kundër kësaj u ankua edhe para autoritetit tjetër më të lartë gjyqësor të Zvicrës, para Gjykatës Federale me seli në Lozanë.

Por ankesa e tij rezultoi e pasuksesshme edhe para Gjykatës Federale, siç tregon vendimi i Lozanës. Kjo, për dsy arsye: Nga njëra anë, ai është shumë keq i integruar në Zvicër. Njohuria e pamjaftueshme e gjermanishtes dhe një rreth pothuaj jo ekzistues i miqve nuk argumentojnë kundër dëbimit të tij. Ai kishte ardhur në Zvicër nga Kosova në vitin 2006, përcjell albinfo.ch. Përveç me familjarët – dy vëllezërit e burrit dhe disa halla dhe xhaxhallarë jetojnë gjithashtu në Zvicër – ai ka kontakte vetëm me kolegët e tij të punës.

Ai ka po ashtu të afërm në Kosovë dhe atje jetojnë edhe prindërit e tij. Gjuha dhe kultura e atjeshme janë të njohura për të dhe perspektivat e tij për punë në vendlindje janë gjithashtu të mira. Prandaj ai duhet të jetë në gjendje të integrohet në Kosovë pa asnjë problem, thotë Gjykata Federale.

Në vendimin e Gjykatës Federale më tutje thuhet se marrëdhënia me djalin e tij adoleshent “nuk është e një natyre tepër intensive”. Për shembull, ai nuk ishte në gjendje të thoshte emrin e mësuesit ose të shokëve të fëmijës së tij, në seancën e gjykatës së lartë. Ai gjithashtu nuk e dinte saktësisht se çfarë donte të punonte djali i tij në të ardhmen – thjesht, kishte thënë se duhet të ishte një punë zyre.

Prandaj, interesi publik për parandalimin e krimeve të tij të mëtejshme në Zvicër është më i madh se interesi personal i të dënuarit për të qenë në gjendje të qëndrojë në Zvicër me djalin e tij, transmeton albinfo.ch. Gjyqtarët e Lozanës arritën në përfundimin se Gjykata e Lartë e Nidwalden-it e kreu në mënyrë korrekte këtë balancim interesash. Dhe kështu ankesa kundër dëbimit është rrëzuar edhe nga Gjykata Federale.

Siç ka treguar Zyra e Drejtësisë në Nidwalden për gazetën, kosovari është larguar nga Zvicra vitin e kaluar.

Austria ka gjasa të ketë një qeveri të re në mars

Austria pritet të shohë një qeveri të re në mars, pasi ÖVP e qendrës së djathtë, SPÖ e qendrës së majtë dhe NEOS liberale janë afër një marrëveshjeje koalicioni.

Pas muajsh negociatash, të tre palët janë afër finalizimit të një marrëveshjeje, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm në peizazhin politik të Austrisë.

Nëse arrihet një marrëveshje, qeveria e re mund të marrë detyrën brenda muajit dhe të formësojë politikat kryesore për ekonominë, migracionin dhe çështjet sociale./The Local

Rritje e konfiskimeve të cigareve kontrabandë në Zvicër në vitin 2024

Kontrabanda e cigareve është një biznes që lulëzon në Zvicër. Konfiskimet në tre aeroportet ndërkombëtare panë një rritje të mprehtë vitin e kaluar krahasuar me vitin 2023, sipas Zyrës Federale të Doganave dhe Sigurisë Kufitare (FOFD).

Në një deklaratë për shtyp të lëshuar të martën, FDF-ja bëri me dije se në vitin 2024 janë zbuluar 882.265 cigare të padeklaruara, të transportuara në bagazhet e pasagjerëve që mbërrinin në Zvicër. Një vit më parë, numri i cigareve të konfiskuara arriti në 693,776 në tre aeroportet ndërkombëtare të Zvicrës.

Në vitin 2024, shumica e konfiskimeve të cigareve kontrabandë janë bërë në aeroportin e Gjenevës, me 716,980 artikuj të zbuluar, tha OFDF. Në shumicën e rasteve, cigaret dukej se ishin të destinuara për shitje në Francë.

Në vitet 2023 dhe 2024, cigaret e sekuestruara vinin kryesisht nga Turqia, Egjipti, Etiopia dhe Republika e Kongos, thekson OFDF. Të gjithë kontrabandistët e huaj që u arrestuan në lidhje me këto operacione trafikimi u gjobitën dhe u ndaluan të hyjnë në territorin zviceran. Cigaret e sekuestruara asgjësohen.

Sekuestrimi i fundit i madh i cigareve kontrabandë u bë në fillim të muajit, në aeroportin e Gjenevës. Punonjësit e OFDF-së përgjuan dy udhëtarë nga Egjipti. Njëri, një 35-vjeçar egjiptian, tentoi të kalonte në doganë me 44.840 cigare (220 pako), dhe tjetri, një 25-vjeçar grek, mbante në bagazhin e tij 47.360 cigare të padeklaruara (më shumë se 235 pako)./RTS

Kristian Oroshi dhe Two.jobs “Beso se mundesh dhe je në gjysmë të rrugës”

Kristian Oroshi, 29 vjeçar, themelues dhe CEO i Two.jobs, ka sjellë një ndryshim të madh në fushën e rekrutimit të punëtorëve në Zvicër me një qasje të avancuar dhe të orientuar drejt së ardhmes.

Në vitin 2017, ai krijoi kompaninë Two.jobs, një platformë për rekrutimin e punëtorëve, ku kompanitë mund të publikojnë çdo lloj oferte pune. Përmes Two.jobs, këto oferta shpërndahen në media sociale të ndryshme dhe u shfaqen personave që përputhen me kërkesat e asaj pozite.

Kjo kompani domethënë i lidh dy palët: Ata që kërkojnë punë dhe kompanitë që kërkojnë punëtorë. Kjo është edhe arsyeja pse emri i saj është Two.jobs.

Themelimi i Two.jobs

Kompania Two.jobs po arrin suksese të mëdha. Kristian Oroshi, themeluesi dhe pronarë i kompanisë, ka rrëfyer se si i lindi ideja për ta themeluar atë.

“Pasi përfundova maturën, vazhdova studimet për ekonomi dhe më pas u specializova në financa dhe marketing. Marketingu më tërhoqi shumë dhe bëra një kurs shtesë në këtë fushë. Aty e kuptova se kishte një mundësi të pashfrytëzuar për rekrutimin e punëtorëve të kualifikuar në mediat sociale”, tregon ai.

Fillimet e vështira dhe suksesi

Kristian Oroshi kishte ëndërruar gjithmonë të kishte biznesin e tij. Ai erdhi në Zvicër në moshën tetëvjeçare nga Gjakova e Kosovës dhe u rrit me dëshirën për të krijuar diçka të re.

“Në fillim, askush nuk besonte në idenë time. Shtatë investitorë të njohur më refuzuan, duke thënë se nuk kishte potencial. Atëherë vendosa të mbledh fonde nga familjarët  dhe investova rreth 60 mijë franga për të nisur platformën”, kujton ai.

Fillimi ishte i vështirë. Pas një viti e gjysmë, kompania kishte mbetur me vetëm 2,000 franga në llogari dhe pa shitje të konsiderueshme. Pikërisht në atë moment, rrjeti i kontakteve të tij i hapi dyert drejt CEO-ve dhe drejtuesve të lartë të kompanive të mëdha. Me ndihmën e tyre, Two.jobs filloi të siguronte abonime të kompanive të para dhe të rritej.

Aktualisht, Two.jobs ka mbi 700 abonime aktive dhe gjeneron mbi 20 milionë shikime të shpalljeve të punës çdo vit. Në listën e klientëve të saj përfshihen kompani prestigjioze si Migros, Coop, SBB, Raiffeisen Bank, Allianz Group, Bücherer dhe institucione shtetërore si qeveria e Bernës dhe Policia Zvicerane.

Bashkëpunimi me Kosovën dhe rritja e kompanisë

Në vitin 2018, Two.jobs filloi të bashkëpunojë me programues nga Kosova. Ekipi nga Gjakova arriti të përfundonte zhvillimin e platformës shumë më shpejt se parashikimet. Bashkëpunimi me Kosovën jo vetëm që ka ndihmuar biznesin, por gjithashtu ka krijuar vende pune dhe ka ndihmuar familjet lokale.

Sot, Two.jobs është një nga tri kompanitë kryesore të rekrutimit në Zvicër. Dallimi kryesor është se në Two.jobs punëkërkuesit nuk duhet të kërkojnë punë – platforma e gjen punën për ta.

Shërbimet që ofron Two.jobs

Platforma Two.jobs lehtëson lidhjen mes punëkërkuesve pasivë dhe kompanive që kërkojnë punëtorë. Konkretisht, ajo ndihmon në rekrutimin e punëtorëve profesionalë në Zvicër, duke i ndihmuar qytetarët të gjejnë vende pune më të mira dhe kompanitë të rekrutojnë punëtorët e duhur.

“Në Two.jobs, kompanitë publikojnë pozitat e punës dhe ne i shpërndajmë ato në rrjetet sociale dhe në Google, duke i synuar kandidatët që përputhen me kriteret e kërkuara. Kështu, ofertat e punës arrijnë tek njerëzit e duhur pa pasur nevojë që ata të kërkojnë në mënyrë aktive”, shpjegon Oroshi.

Ai thekson se Two.jobs nuk është një agjenci e zakonshme rekrutimi. Platforma funksionon ndryshe nga modelet klasike duke synuar të thjeshtojë procesin e aplikimit për punë përmes teknologjisë moderne dhe mediave sociale.

Two.jobs është ndryshe nga platformat tradicionale të punësimit. Në vend që të presë aplikime nga kandidatët që aktivisht kërkojnë punë, ajo synon të arrijë edhe ata që nuk janë domosdoshmërisht në kërkim të një pozicioni të ri, por që mund të jenë të interesuar për mundësi më të mira. Për ta bërë këtë, Two.jobs përdor një sistem të avancuar që shpërndan automatikisht shpalljet e punës në rrjete sociale si LinkedIn, Facebook dhe Instagram, duke siguruar që ato të shihen nga personat më të përshtatshëm për pozitat e ofruara.

Platforma lejon kompanitë të publikojnë shpallje pune, të cilat më pas shpërndahen tek kandidatët potencialë në bazë të një algoritmi të sofistikuar të përshtatjes së kritereve. Ky inovacion ka bërë që Two.jobs të rritet me shpejtësi dhe të bëhet një nga platformat më të besuara të rekrutimit në Zvicër.

Mesazhi për të rinjtë

Kristiani thekson se e ardhmja e rekrutimit do të jetë më e digjitalizuar, me përdorimin e inteligjencës artificiale dhe aplikacioneve të komunikimit si WhatsApp për procese më të shpejta dhe efikase. Ai i inkurajon të rinjtë që të kenë vizion të qartë, të krijojnë rrjete profesionale dhe të investojnë në zhvillimin personal.

Kristian Oroshi ka disa këshilla për të rinjtë që duan të ndërmarrin iniciativa të reja:

  1. Krijoni një vizion të qartë. Është e rëndësishme të dini ku dëshironi të arrini.
  2. Rrethojeni veten me njerëz të duhur. Nuk mund t’i bëni të gjitha vetëm – bashkëpunimi është çelësi i suksesit.
  3. Bëni atë që doni me pasion. Nëse keni një arsye të fortë për të ndjekur ëndrrën tuaj, mos u ndalni.

Duke ndjekur këto parime, ai arriti të ndërtojë një kompani të suksesshme që ka avancuar tregun e rekrutimit në Zvicër. Two.jobs vazhdon të rritet, duke ndihmuar mijëra njerëz të gjejnë punë dhe kompania të rekrutojnë talentet më të mira.

Kristian Oroshi dëshiron të frymëzojë të rinjtë që ëndërrojnë të ndërtojnë diçka të madhe. Ai i inkurajon ata të kenë një vizion të qartë dhe të mos dorëzohen përballë sfidave. Sipas tij, rrjetëzimi, bashkëpunimi dhe inovacioni janë çelësat e suksesit në çdo fushë. Ai beson se këmbëngulja dhe puna e palodhur janë faktorët që bëjnë diferencën midis suksesit dhe dështimit.

Në fund Kristiani porosit: “Besoni në veten tuaj dhe në idetë tuaja. Nuk ka rëndësi sa sfida keni përpara, nëse keni një vizion dhe e ndjeni që mund të bëni diçka ndryshe, mos u dorëzoni. Bëni rrjetëzimin tuaj, mësoni nga të tjerët dhe punoni me pasion. Paraja nuk duhet të jetë qëllimi kryesor, por ndikimi që lini pas.”

Mendoj se pavarësisht fushës ose drejtimit në të cilën punon, nëse ke disa aftësi, pavarësisht fushës gjithmonë mund të jesh i suksesshëm. Elon Mask e kam idol, ai ka shumë fusha që vepron, dhe në të gjitha ka formulën e njëjtë të suksesit. Klientët tanë janë kryesisht kompani zvicerane, mirëpo dy viteve të fundit është rritur numri i kompanive të suksesshme shqiptare me të cilat kemi bashkëpunim. “Believe you can and you’re halfway there”. Kemi  network me shumë shqiptarë, mësojmë shumë prej njëri-tjetrit dhe na lidhin bizneset e ndryshme.  Për mua, rrjetëzimi ndërmjet shqiptarëve është jashtëzakonisht i rëndësishëm

Në përfundim, historia e Kristian Oroshit dhe Two.jobs është një shembull i shkëlqyer i si një ide inovative dhe një vizion i qartë mund të çojnë në krijimin e një kompanie të suksesshme që transformon industrinë e rekrutimit përmes mediave sociale. Përmes inovacionit dhe përkushtimit, ai ka krijuar një platformë që ka transformuar mënyrën se si kompanitë dhe kandidatët lidhen me njëri-tjetrin. Ky rrugëtim është një frymëzim për të gjithë ata që besojnë në mundësitë e pafundme të teknologjisë dhe fuqinë e lidhjeve ndërmjet njerëzve.

Foto: Rromir Imami/albinfo.ch

Arrestohet një person i dyshuar për krime lufte në Gjakovë

Policia e Kosovës e ka arrestuar të martën një person në pikën kufitare të Jarinjës nën dyshimet për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

I dyshuari D.R. dyshohet për krime lufte gjatë periudhës 7-10 maj 1999 në komunën e Gjakovës. Sipas policisë, i dyshuari kishte vepruar në grup të organizuar si zyrtar të mobilizuar me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP).

I dyshuari është shoqëruar në Policinë e Kosovës, ku është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës.

Prokurori Special e ka ndaluar të dyshuarin për 48 orë.

 

Mbrëmje Gala në 30 vjetorin e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Lozanës

Më 15 mars 2025, AEAUL (Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Lozanës) feston 30 vjetorin e saj gjatë një mbrëmjeje të veçantë që do të shënojë një moment të rëndësishëm në historinë e shoqatës sonë.

Në program:

  • Performanca muzikore live nga artistë të talentuar.
  • Një atmosferë miqësore dhe festive për takime të paharrueshme.
  • Një koleksion ekskluziv i merchandise-it, i krijuar posaçërisht për këtë rast unik.

Ky përvjetor është mundësia ideale për të bashkuar breza dhe miq rreth vlerave themelore të AEAUL: kultura, angazhimi dhe mikpritja.

Ju presim të veshur me veshjet tuaja më elegante për të festuar së bashku këtë rast të veçantë dhe për të kaluar një mbrëmje që nuk duhet humbur.

Ne falënderojmë gjithashtu sponsorët tanë:

-Orllati VD (SA)

-VARRIN SA

-Infinis Sàrl

Koha: 15 mars. Nga ora 18:30 – 01:00

Adresa: Rte de Chavannes 201, Route de Chavannes 201, 1007 Lausanne, CH, Lausanne (CH)

 

Putini i ofron minerale të rralla SHBA-së

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar të hënën se është i hapur për t’u ofruar Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) qasje në mineralet e rralla të Rusisë, duke përfshirë edhe ato të territoreve ukrainase që Rusia i ka pushtuar prej fillimit të luftës 3-vjeçare, shkruan BBC.

Oferta e Putinit, shihet si alternativë e marrëveshjes për mineralet e rralla midis SHBA-së dhe Ukrainës, e cila sipas presidentit amerikan, Donald Trump, dhe zyrtarëve të tjerë ukrainas është afër finalizimit.
Në një prononcim për televizionin shtetëror të hënën, Putini ka thënë se është i gatshëm të “ofrojë” burime për partnerët amerikanë në projekte të përbashkëta, përfshirë edhe burimet në “territoret e reja” – referencë kjo e pjesëve lindore të Ukrainës që Rusia i ka okupuar prej se ka nisur operacionin ushtarak në shkallë të gjerë.

Ai ka shtuar gjithashtu se një marrëveshje e mundshme midis Amerikës dhe Ukrainës për mineralet e rralla nuk është shqetësim dhe se Rusia “s’ka dyshim që ka, më shumë burime të këtij lloji se Ukraina”.
Mineralet e rralla janë një grup prej 17 elementesh që janë thelbësore për shumë lloje të teknologjisë, duke përfshirë celularët, disqe e për pajisje për automjetet elektrike dhe hibride.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e kishte refuzuar propozimin fillestar amerikan për të kontrolluar 50 për qind të mineraleve të rralla të Ukrainës, për arsye se propozimi nuk përmbante angazhimet e pritura që do të ofronin garanci sigurie në rast të armëpushimit midis Ukrainës dhe Rusisë.

Promovim libri dhe film dokumentar në përvjetorin e Epopesë së UÇK-së

Të shtunën, më 1 mars, në Winterthur, në nderim të përvjetorit të 26-të të Epopesë së UÇK-së do të bëhet promovimi i librit të Imer Lladrovcit “Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese”. Në kuadër të po këtij aktiviteti do të shfaqet edhe filmi dokumentar “Shtegtari sypatrembur i shtigjeve të lirisë”, kushtuar atdhetarit, Hysen Gega, bëhet e ditur në njoftimin e organizatorit, Studio Artistike, Fenix.

Adresa: Talgutstrasse 71, 8400, Winterthur

Koha: 1 mars, nga ora 18.30.

10 profesionet më të paguara në Zvicër

Pagat zvicerane janë më të lartat në Evropë, por disa profesione paguajnë më shumë se të tjerët. Në cilët sektorë apo punë mund të fitoni më shumë tani?

Për shkak të mungesës së vazhdueshme të fuqisë punëtore në sektorë të caktuar, shumë kompani po rekrutojnë punonjës nga brenda Zvicrës, si dhe nga shtetet e BE-së dhe EFTA – Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni, përcjell albinfo.ch.

Për të tërhequr fuqi punëtore të kualifikuar, punëdhënësit i heqin të gjitha pengesat – nga pagat e larta deri te orët fleksibël dhe përfitime të tjera.

Por cilat profesione janë më të kërkuara dhe, për rrjedhojë, më të paguarat?

Përgjigja për këtë pyetje vjen nga agjencia e rekrutimit Indeed në formën e analizës së saj të re që tregon se cilët profesionistë kanë marrë pagat më të larta në katër vitet e fundit.

Cilat ishin gjetjet kryesore të studimit?

Ndoshta nuk është për t’u habitur që pozicionet kryesore në industrinë financiare (përfshirë bankën) paguajnë më së miri në përgjithësi, me drejtuesit e këtij sektori që komandojnë pagat mesatare vjetore prej 129,590 frangash.

Siç tregon analiza, ekspertët e taksave dhe sigurisë fitojnë 125,000 në vit, të ndjekur nga inxhinierët e sigurisë kibernetike, me të ardhura vjetore prej 122,000 frangash.

Më pas janë inxhinierët e lartë të sistemit (118,010); drejtuesit e ekipit të shitjeve (117,500); menaxherët e mandatit të besuar (114,579); menaxherët e llogarive (110,000); konsulentë IT (108, 889); specialistë sigurie (108 333); dhe menaxher dege (107500).

Një tjetër studim i kohëve të fundit, Michael Page Salary and Hiring Insights Guide 2025, hodhi dritë mbi vendet e punës në Zvicër që kanë parë rritjen më të lartë të pagave.

Këto janë pozicionet më të paguara, sipas gjetjeve të studimit:

Shefi i Bankës Private: 500 000 franga në vit
Shefi i Investimeve (në banka dhe financa) dhe shefi financiar në kompanitë shumëkombëshe: 450,000 franga
Nënkryetari i lartë/Zyrtari kryesor i burimeve njerëzore në firmat shumëkombëshe: 400,000 franga
Kryeshefi Operativ në fushën e Bankave dhe Financave: 360,000. /Albinfo.ch.