Kurti i kërkon Gjykatës ta obligojë Prokurorinë Speciale që dëshminë t’ia marrë në zyrë

Kryeministri Albin Kurti i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, që ta obligojë Prokurorinë Speciale, që dëshminë e tij për rastin për rezerva shtetërore t’ia marrë në Zyrën e Kryeministrit.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka njoftuar se Zyra e Kryeministrit, të premten i është drejtuar Gjykatës Themelore “në lidhje me njoftimin e Gjykatës mbi dëshminë e kërkuar nga kryeministri”.

Në përgjigjen e publikuar nga zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ZKM ka kërkuar nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit, duke thënë se duhet të merret parasysh “agjenda e tij është e ngjeshur”.

Aty thuhet se Kurti ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë dëshminë e ti, teksa drejtohen akuza në drejtim të Prokurorisë.

“…intervistimi nga Prokuroria mund të bëhej që në muajin dhjetor të vitit 2024, kur është bërë ftesa. Megjithatë, Prokuroria ka zgjedhur që, në vend të efikasitetit të humb kohë në dëm të përfundimit të procedurës së hetimit, të prolongojë çdo veprim e të mbetet pa përfundime të rëndësishme për publikun, vetëm për të arritur projeksionet politike, të dëmshme e të pafalshme për një sistem të pavarur të drejtësisë. Duke marrë parasysh sa më sipër, Zyra e Kryeministrit thekson edhe njëherë që Kryeministri ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë dëshminë e tij. Kërkesa e tij që kjo të ndodhë në ambientet e Zyrës së Kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe nuk mund të interpretohet si shmangie nga drejtësia. Në dritë të kësaj, me respekt kërkojmë nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në përgjigje.

ZKM tutje ka thënë se ka dyshime të forta se kjo thirrje ka motiv politik, e jo ligjor.

“Ka dyshime të forta se kjo thirrje nga Prokuroria nuk ka motiv ligjor, por politik. Prokuroria, për vite me radhë, ka dështuar në ndjekjen e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë dhe, në vend që të adresojë këto probleme, po tenton të krijojë një perceptim të rremë kundër Kryeministrit. Një veprim i tillë është motivuar edhe nga qëndrimi publik i Kryeministrit kundër propozimit për emërimin e z. Blerim Isufaj si kryeprokuror i shtetit. Rrjedhimisht, nuk mund të mos shohim çdo veprim të Prokurorisë Speciale si politikisht të motivuar dhe publikisht të paarsyetuar. Andaj, për qëllim të kthimit të besimit të publikut në institucionet e pavarura dhe të paanshme të drejtësisë – ashtu si dëshiron ta shohë çdo qytetar i Republikës së Kosovës dhe edhe vetë Kryeministri Kurti – Gjykata e nderuar duhet të shqyrtojë çdo detaj të ndërlidhur me ftesën e Prokurorisë dhe të veprojë duke u bazuar në rrethanat e rastit, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe gjykimin e paanshëm të një gjyqtari të drejtë.Prandaj, për të shmangur manipulimet politike dhe spekulimet e panevojshme, Kryeministri ka kërkuar një format të qartë dhe të drejtpërdrejtë të bashkëpunimit,” thuhet tutje.

Për këtë thuhet se ka precedentë edhe në Kosovë, por edhe më gjerë.

“Ka raste të dokumentuara në Kosovë por edhe më gjerë (psh ish kryeministri i Francës Jacques Chirac apo ish Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton), ku zyrtarë të lartë institucionalë janë intervistuar në ambientet e tyre dhe jo në Prokurori. Mohimi i këtij fakti nga Prokuroria nuk e ndryshon realitetin dhe as nuk mund ta ndalë aplikimin e një praktike që ka ekzistuar dhe mund të zbatohet përsëri”, thuhet në shkresë.

Qeveria e Kosovës pranoi ftesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për intervistim të Kurtit më 12 dhjetor. Kryeziu e cilësoi si tentim ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve 2025.

Në thirrjen e Prokurorisë Speciale thuhej se Kryeministri Kurti duhet të paraqitet për intervistim të hënën e 16 dhjetorit në ora 09:30. Mirëpo, ai nuk u paraqit për intervistim. Madje ka kërkuar nga Prokuroria që ta intervistojë në zyrën e tij, e kishte ofruar edhe dy data për këtë.

Kurti, i ftuar në cilësinë e dëshmitarit, do të intervisohet për skandalin me Rezervat Shtetërore dhe se vepra penale për të cilën është ftuar hynë tek ato të korrupsionit zyrtar, saktësisht Neni 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

 

 

Albin Kurti zyrtarisht politikani më i votuar në historinë e Kosovës

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë se kryeministri aktual Albin Kurti është politikani më i votuar në histori të Kosovës, që deri më tani ka marrur 300.800 vota, ende pa përfunduar numrimi total, përcjell albinfo.ch.

Kujtojmë se Vjosa Osmani, ka dal më e votuara në zgjedhjet e 14 Shkurtit në Kosovë me 300.788 vota.

Manxhuka këto komente i bëri përmes një postimi në Facebook.

“Albin Kurti, politikani më i votuar në histori të Republikës së Kosovës”, shkroi ai.

Qëllohet para shtëpisë së tij, humb jetën 40-vjeçari shqiptar në Francë

Raportohet se një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Angoulême, ku 40-vjeçari shqiptar Elis Alijaj, është qëlluar dhe vrarë para shtëpisë së tij, përcjell albinfo.ch.

Aliaj është qëlluar në orët e para të mëngjesit kur po e niste furgonin e tij për t’u nisur në punë, me tre plumba, një në këmbë dhe dy në gjoks. Elis Alijaj ishte një hidraulik i njohur nga ata që e njihnin si një njeri pa histori të shkuar kriminale.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 7 të mëngjesit të ditës së djeshme në rrugën “Lézard Vert”, një lagje e qetë në Angoulême, e cila ndodhet midis Ma Campagne dhe Petit Fresquet. Pas krimit, një automjet i djegur u gjet në pyllin Jauldes, ku në bord ishte një pistoletë-mitraloz.

Fqinjët e Alijaj, ende të tronditur nga kjo ngjarje, janë të kujdesshëm në reagimet e tyre. Disa e konsiderojnë këtë akt si një veprim të izoluar dhe të qëllimshëm, ndërsa të tjerë janë të shqetësuar. Disa prej tyre janë të gatshëm të flasin, por vetëm pa u identifikuar, për shkak të frikës dhe pasigurisë që ka krijuar ky krim.

Kjo ngjarje ka tronditur jo vetëm lagjen, por edhe qytetin e Angoulême, ndërsa autoritetet franceze vazhdojnë hetimet për të zbuluar rrethanat e plota të vrasjes dhe lidhjen e saj me incidentet e tjera të mundshme në zonë.

Xherdan Shaqiri çudit zviceranët

Xherdan Shaqiri rrallë e përmallë dështon nga penalltia por kësaj radhe nuk i shkoi ndoresh.

Në minutën e 49-të, Xherdan Shaqiri nuk u tregua i saktë nga penalltia, duke çuditur  tifozët zviceranë.

Një reagim i mirë nga portieri Signori Antonio.

Baseli nuk ka lejuar befasi duke trimfuar në frymën e fundit me rezultat 3:1 ndaj skuadrës së ligës së dytë, Etoile-Carouge. kësisoj kualikohen në gjysmëfinale të Kupës së Zvicrës

Një kualifikim me golat e Sigua (84′) e Kevin (85′ e 88’).

Ajeti asistoi në golin e tretë.

Për vendasit shënoi Correia në minutën e 55-të.

Xherdan Shaqiri dhe Leon Avdullahu u paraqitën standardë për Baselin dhe Albian Ajeti nga minuta e 63-të.

Florian Hysenaj u paraqit nga minuta e 89-të për skuadrën Etoile-Carouge.

Votat nga diaspora në dy qendrat evropiane në Bruksel e Strasburg

Janë numëruar të gjitha votat që kanë ardhur nga Brukseli i Belgjikës dhe Strasburgu i Francës, nga votimi që u zhvillua në këto dy përfaqësi diplomatike të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Në të dy këto qendra europiane, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar numrin më të madh të votave: në Strasburg 398 vota apo 82.74 për qind; ndërsa në Bruksel 641 vota apo 82.71 për qind, në bazë të rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Vendin e dytë për nga numri i votave në Strasburg e ka zënë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 37 vota, apo 7.69 %, kurse në Bruksel e dyta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 68 vota, apo 8.77 %.

Në Strasburg, LDK-ja ka grumbulluar 36 vota apo 7.48 për qind, ndërsa në Bruksel e treta është PDK-ja me 5.29 për qind, ose në numra 41 vota.

Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me Nismën në Strasburg i ka marrë 7 vota, ndërsa në Bruksel 11 vota.

Deri në mëngjesin e 28 shkurtit 2025, pothuajse ka përfunduar numërimi i të gjitha votave nga votimi në përfaqësitë diplomatike. Të panumëruara kanë mbetur vetëm rreth 50 për qind e votave të ardhura nga Gjeneva, Frankfurti, Shtutgarti dhe Dyseldorfi.

Kjo ka qenë hera e parë që mërgimtarët kanë pasur të drejtë që të votojnë për Zgjedhjet në Kosovë nëpër Konsullata dhe Ambasada – sipas Ligjit të ri për Zgjedhjet.

Votimi nga mërgimtarët u realizua në dy forma: përmes postës dhe votimit fizik nëpër ambasada dhe konsullata.

Gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës 84,600 ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.

Sipas rezultateve të tanishme nga Qendrat e Votimit në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje ka 47 mandate, Partia Demokratike e Kosovës – 25, Lidhja Demokratike e Kosovës – 20, koalicioni AAK-NISMA – 8, ndërkaq 10 mandate kanë komunitetet joserbe dhe 10 të tjera komuniteti serb, prej të cilave 9 mandate Lista Serbe dhe 1 mandat Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë që udhëhiqet nga ministri aktual për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.

Si u votua në Berlin të Gjermanisë?

Si në çdo Ambasadë dhe Konsullatë, edhe në atë të Berlimit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i ka marrë shumicën e votave, përcjell albinfo.ch.

Rezultatet e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nga kjo përfaqësi diplomatike, shpërfaqin se LVV në Berlin ka fituar 475 vota, apo 80.78 për qind.

Në kryeqytetin gjerman, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dalë e dyta me 52 vota. Apo 8.84 për qind.

E treta në Berlin ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 40 vota, apo 6.80 për qind, ndërkohë, koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me Nismën ka marr 2.72 për qind apo 16 vota.

Mbyllen pikat kufitare Shqipëri-Greqi, mund të kalojnë vetëm këmbësorët dhe rastet emergjente

Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, si dhe Qendra e Bashkëpunimit Policor në Kakavijë, kanë njoftuar se sot nga ora 07:00 deri në orën 23:00, punonjësit e doganës greke në Kakavijë, Qafë Bot – Sarandë dhe Tre Urat – Përmet do të zhvillojnë grevë.

Për këtë arsye do të pezullohet lëvizja e lirë e automjeteve. 

Policia Kufitare e Janinës ka sqaruar se gjatë kësaj periudhe do të lejohen vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore (ambulancat).

“Nisur nga kjo situatë, Policia Kufitare u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve që kanë planifikuar udhëtimin drejt Greqisë, të zgjedhin alternativa të tjera dhe të shmangin grumbullimin në pikat kufitare të sipërpërmendura deri në një njoftim të dytë”, thuhet në njoftim.

Vëllai i Besar Nimanit, Berati dorëzohet në polici

Vëllai i boksierit të vrarë para disa muajsh, Besar Nimani, Berati është dorëzuar në autoritet gjermane pasi u shpall në kërkim pas të shtënave jashtë gjykatës së Bielifeld, para disa ditësh, përcjell albinfo.ch.

Pas të shtënave para gjykatës së qarkut Bielefeld, i dyshuari Berat Nimani është dorëzuar të enjten mbrëma, ka njoftuar policia.

Ai është vëllai i boksierit Besar Nimani, i cili u qëllua për vdekje në vitin 2024. Avokati i tij e kishte njoftuar tashmë hapin e dorëzimit.

Gazeta “Bild” ishte e para që raportoi. Sipas raportimeve, i kërkuari u shfaq në selinë e policisë në Bielefeld në mbrëmjen e vonë të së enjtes i shoqëruar nga avokati i tij.

Ai do të dalë para gjykatësit sot (e premte). Akuzat janë të rënda: Ai po hetohet për katër akuza për vrasje të mbetur në tentativë në lidhje me lëndime të rënda trupore.

Pas të shtënave para gjykatës së qarkut Bielefeld të mërkurën, policia e kërkoi publikisht duke përdorur një foto.

Ndryshe, rreth orës 13:40 të së mërkurës, katër persona u qëlluan, disa të plagosur rëndë, pranë Gjykatës Rajonale të Bielefeldit: dy 25-vjeçarë, një 23-vjeçar dhe një 63-vjeçar.

Raportet se njëri prej tyre ka vdekur janë të pavërteta. Policia konfirmoi të enjten në mbrëmje se gjendja e të gjithë të lënduarve ishte stabile.

Ende është e paqartë arsyeja e saktë e të shtënave: autori i dyshuar mund të ketë vepruar për hakmarrje. Sipas raportimeve, ai dyshohet se ka qëlluar familjarët e personit të dyshuar për vrasjen e vëllait të tij.

Dy të dyshuar janë liruar

Dy të dyshuar u arrestuan përkohësisht të mërkurën, por tani janë sërish të lirë. Dyshimi nuk është vërtetuar, tha policia të enjten në mëngjes. Ndërkohë, Gjykata Rajonale e Bielefeldit ka anuluar seancën e caktuar për të premten në gjykimin e vrasjes në vazhdim.

Vdiq fotoreporteri Alban Bujari, dokumentuesi i luftës dhe i paqes

Mësohet se fotoreporteri i mirënjohur, Alban Bujari ka vdekur. Bujari ishte një ndër fotoreporterët më të shquar të Kosovës dhe ndër të parët që ka dokumentuar periudhën e luftës në Kosovë gjatë viteve 1997-99.

Alban Bujari ishte pjesë e ekipit të KOHËS që kur nisi karrierën e tij në të përditshmen “Koha Ditore” në vitin 1997.

Ai ishte pjesë e grupit të fotoreporterëve kosovarë që kanë përcjellë zhvillimet politike dhe sociale të fundviteve të ‘90-ta. Në veçanti luftën mes UÇK-së dhe forcave serbe dhe krizën humanitare të refugjatëve shqiptarë të Kosovës.

Gjatë kësaj periudhe, puna e Bujarit u botua në mediat më prestigjoze ndërkombëtare, si “Time”, “Sunday Time”, “The Independent”, “The Guardian”, “El Pais”, “Fokus”, “Suddeutche”, “Zeitung”, “Kyoto News”, e plot të tjera.

Ndër fotografitë më të dalluara janë ato që dokumentojnë masakrimin e familjes Jashari në Prekaz më 1998, masakrën e Reçakut më 1999 dhe masakrën e shqiptarëve në Rogovë më 1999. Përveç këtyre, ato pasqyrojnë edhe transformimin e UÇK-së në TMK dhe më pas në FSK-në profesionale, me synim anëtarësimin në NATO.

Alban Bujari gjithashtu ka punuar edhe për agjencinë evropiane të shtypit EPA, përgjegjës për mbulimin e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-99.

Varrimi do të mbahet sot, 28 shkurt, në varrezat e Prishtinës në Dragodan, nga ora 14:45.

Nis numërimi i fletëvotimeve nga votimi përmes postës

Ka filluar numërimi i fletëvotimeve nga votimi përmes postës, përcjell albinfo.ch. 

Ndërkaq, po vazhdon numërimi i atyre nga votimi në përfaqësi diplomatike. 

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i vendvotimeve të fundit nga votimi në përfaqësi diplomatike dhe tani kemi filluar edhe numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar të premten rezultatet nga numërimi i 93.02 për qind të vendvotimeve nga përfaqësitë diplomatike.

Sipas rezultateve të deritanishme, kur numërimi ka përfunduar në 40 kuti, nga 43 sa janë gjithsej, Lëvizja Vetëvendosje (VV) prin me 80.75 për qind të votave. Ajo pasohet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), që ka marrë 7.48 për qind të votave, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila ka marrë 7.45 për qind. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 1.93 për qind të votave, ndërsa Koalicioni për Familjen 0.76 për qind.

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër: URIMI PËR FILLIMIN E MUAJIT TË RAMAZANIT

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër përcjell urimet më të përzemërta për të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit.

Në vijim urimi i plotë:

Të nderuar vëllezër e motra!

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër informon besimtarët se me perëndimin e diellit të premten, më 28 shkurt 2025, nis muaji i shenjtë i Ramazanit. Dita e shtunë, 01 mars 2025, shënon fillimin e agjërimit për Ramazanin e këtij viti.

Muaji i Ramazanit është një muaj i rëndësishëm për besimtarët muslimanë në mbarë botën. Gjatë këtij muaji, agjërohet nga agimi deri në perëndim të diellit, duke u përmbajtur nga ushqimi, pija dhe nga veprimet negative si shenjë ibadeti dhe përkushtimi ndaj Krijuesit të gjithësisë.

Po ashtu, Ramazani është një mundësi e veçantë për të shprehur mirësinë, për të pastruar zemrat tona dhe për të përmirësuar vetveten, si individë dhe si bashkësi. Në këtë muaj të shenjtë, ne përjetojmë një bashkim të veçantë, që na lidh me njëri-tjetrin dhe me Zotin.

Lutemi që Zoti të na dhurojë paqe dhe siguri, të pranojë agjërimin dhe lutjet tona dhe të na falë mëkatet. Lutemi që njerëzimi të përfitojë nga mësimet që na sjell ky muaj i shenjtë dhe që të ndihmojmë njëri-tjetrin për të arritur një botë më të mirë dhe më paqesore.

Në emër të Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, i uroj çdo besimtari e besimtareje dhe çdo qytetari e qytetareje të Zvicrës një Ramazan të bekuar, plot paqe, dashuri dhe begati.

Për hajr muaji i bekuar i Ramazanit!

Me respekt,

Mehas Alija

Kryetar i KMSHZ-së

Numërohen mbi 93% të votave të diapsorës, opozita me përqindje tejet të vogël

Tashmë janë procesuar 93.02% e votave të diasporës nga votimet në Konsullata dhe Ambasada, shkruan albinfo.ch.

Referuar rezultatit të fundit që është publikuar nga KQZ-ja sot në mëngjes, LVV-ja prin me  10 mijë e 898 vota apo 80.75 %.

PDK dhe LDK kanë një rezultat të ngjashëm mirëpo e dyta është PDK-ja me 7.48 % dhe e treta LDK-ja me 7.45 %.

Pra PDK ka vetëm 4 vota më shumë se LDK-ja.

Këta janë 10 kandidatët më të votuar të LVV-së në Ambasada e Konsullata

Në Qendrën e Numërimit të Rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka vazhduar numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kur janë numëru 67.44 për qind të votave nga përfaqësitë diplomatik del se Albin Kurti, kandidat për Kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë 4883 vota.

Pas tij 4280 vota nga diaspora që kanë votuar në përfaqësitë diplomatike ka marrë Glauk Konjufca.

Në vendin e tretë është Hekuran Murati me 2629 vota, pastaj Albulena Haxhiu me 2567, Xhelal Sveçla me 2548, Faton Peci me 2530, Donika Gërvalla me 2484, Mimoza Kusari me 1848, Avni Dehari me 1639 dhe Arben Vitia me 1355 vota.

Në Oslo, Lëvizja Vetëvendosje mori 91.17% të votave

Të dhënat e fundit janë ato të enjten më 27 shkurt, në orën 18:56, sipas së cilave, janë procesuar 67.44 për qind e vendvotimeve.

Sipas rezultateve që janë publikuar deri më tash, Lëvizja Vetëvendosje në koalicion me Guxo dhe Alternativa, ka marrë 81.97 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 7.5 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 6.14 për qind dhe koalicioni AAK-Nisma 1.5 për qind të votave.

Në Olso diaspora votoj kështu

LVV- 91.17% (351 vota)

PDK-3.90% (15 vota)

LDK- 3.12% (12 vota)

Vota e diasporës: Këto janë rezultatet në Vjenë

Sipas rezultateve që janë publikuar deri më tash, Lëvizja Vetëvendosje në koalicion me Guxo dhe Alternativa, ka marrë 81.97 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 7.5 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 6.14 për qind dhe koalicioni AAK-Nisma 1.5 për qind të votave, shkruan albinfo.at.

Ndërkohë, në Ambasadën e Kosovës në Vjenë, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 580 vota.

Pas VV-së është PDK-ja me 64 vota, LDK ka siguruar 62 ndërsa AAK ka siguruar 14. /Albinfo.at

Rezultatet e partive politike nga votimet në Ambasadën e Kosovës në Paris dhe Romë

Rezultatet e partive politike nga votimet në Ambasadën e Kosovës në Paris, Lëvizja Vetëvendosje prinë me 81.25% (182 vota), PDK-ja 20 vota, LDK-ja 17 vota, AAK-Nisma zero vota, përcjell albinfo.ch.

Ndërsa në Ambasadën e Kosovës në Romë, Lëvizja Vetëvendosje mori 88.06% të votave, apo 59 vota, LDK-ja dhe PDK-ja me nga 2 vota dhe AAK-NISMA 1 votë.

Arrestohet në Angli 56-vjeçari shqiptar, kultivoi kanabis

Një 56-vjeçar shqiptar është dënuar me burg në Angli, me akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike.

Ilir Muçmata, u dënua me 12 muaj heqje lirie. Oficerët gjetën 100 bimë, pajisje për rritje dhe peshore, ndërsa i dyshuari u arrestua në vendngjarje.

“Ky është një shembull tjetër i mirë i punës që po bëjmë në komunitetin tonë për të pastruar rrugët nga droga ilegale.

Dhe për të mbrojtur njerëzit nga dëmi dhe krimi që vjen me aktivitetin e paligjshëm të drogës”, u shpreh një zyrtar i gjykatës.

Vendi më i ftohtë në botë kërkon punëtorë, rroga minimale 35 mijë euro në vit

British Antarctic Survey (BAS) ka publikuar disa oferta pune për të punuar në stacione të ndryshme kërkimore shkencore në Antarktidë. Këto pozita janë të parat që shpall ky institucione dhe do të lëshohen oferta të reja në një periudhë prej tre muajsh.

BAS kërkon një gamë të gjerë profesionistësh, nga shkencëtarë, teknicienë, inxhinierë, marangozë, kuzhinierë e elektricistë, deri te biologë detarë, inxhinierë elektrikë dhe konsulentë për shëndetin dhe sigurinë. Aplikimi është i hapur për të gjithë, shkruan A2 CNN.

Sipas ofertave të para, kontratat kanë një periudhë nga 6 deri në 18 muaj dhe janë të karakterit fleksibël. Paga më e ulët fillon nga 35.000 euro në vit. Po ashtu, të gjithë shpenzimet e ushqimit dhe strehimit janë të mbuluara për të gjithë punonjësit, pavarësisht nga detyra e tyre. BAS do të sigurojë akomodim, ushqim, udhëtime, veshje të specializuara dhe mjete, si dhe periudhë trajnimi për punonjësit.

Antarktida është një nga destinacionet më unike në botë. Me një popullsi që arrin deri në 5,000 persona gjatë verës dhe 1,000 gjatë dimrit, ajo është e banuar kryesisht nga punonjës të sektorëve të ndryshëm. Ndërkohë, duhet theksuar se Antarktida ka një klimë ekstremisht të ftohtë, me mungesë të dritës diellore gjatë dimrit dhe temperatura shumë të ulëta që mund të ndikojnë në aspektet fizike dhe psikologjike të punonjësve.

A do të jenë votat e diasporës përcaktuese në krijimin e institucioneve në Kosovë?

Teksa ka filluar numërimi i votave të diasporës, analistët në Kosovë mendojnë se këto vota mund të jenë përcaktuese në krijimin e institucioneve.

Bujar Dugolli, tha për RTK se votat nga diaspora edhe më parë kanë qenë kështu.

“Ndonëse nuk janë numëruar shumica e kutive të votave, trendi është duke shkuar në drejtim të krijimit të një shumice absolute për LVV, që mundëson shtimin e numrit të deputetëve”, tha Dugolli, derisa shtoi se mund të ketë ndryshime në mandatet e deputetëve

Ai u shpreh kritik ndaj KQZ-së në ngadalësimin e numërimit të votave.

Edhe Dorajet Imeri tha se trendi momental është i jashtëzakonshëm për LVV, sipas tij, përqindja e madhe e votave të numëruara deri më tani nga diaspora arrin mbi 80%. “Besoj se ky trend do të vijojë edhe më tej”, u shpreh Imeri, derisa për partitë tjera ai tha se nga numërimi i deritanishëm nga votat e diasporës nuk do të mund të marrin asnjë kandidat për deputetë, ndërsa shtoi se në bazë trendit të tanishëm, LVV do t’i marrë 3 mandate për deputetë.

Ndërsa Flamur Hyseni tha se fushata me diasporën ka filluar shumë më herët, veçmas në qytete ku shqiptarët gravitojnë më së shumti. Ai theksoi se nëse vazhdon edhe më tutje në këtë trend, atëherë, votuesi në diasporë po e përsëritë votën që ka dhënë 4 vjet më parë.

“Në njëfarë mënyre po e konfirmon mbështetjen. Nëse edhe më tutje vazhdon me këtë trend, atëherë ata po dëshmojnë rol vendimtar, sepse t’i shtosh edhe 2 apo tri mandate një partie që ka 47 mandate, mundëson krijimin e një qeverie me minoritete”, tha Hyseni.

Kurse Besa Luzha tha se nëse arrihet 80 përqindëshi i numërimit të përgjithshëm të votave nga diaspora, LVV do të arrijë të fitojë 5 mandate, që mundëson krijimin e institucioneve shtetërore nga LVV.

Vatikani njofton se Papa po shkon drejt shërimi

Vatikani ka nxjerrë detaje të reja në lidhje me gjendjen shëndetësore të Papa Françeskut, duke shprehur se problemi i një veshke ditë më parë, fatmirësisht është zhdukur.

Gjithashtu, ata theksojnë pavarësisht përmirësimit të lehtë, ai duhet të mbetet akoma nën kujdesin e mjekëve.

Papa Françesku, 88 vjeçar ndodhet në spitalin e Gemellit të Romës që prej datës 14 shkurt ku po trajtohet për pneumoni të dyfishtë dhe bronkit kronik.

Një CT në kraharor e kryer mbrëmjen e së martës tregoi progresionin normal të pneumonisë, teksa po trajtohet dhe analizat e gjakut konfirmuan përmirësimin e gjendjes.

Besimtarët katolikë u mblodhën për t’u lutur për shëndetin e Papa Françeskut në këmbët e Bazilikës së Shën Pjetrit për të tretën natë rresht.