Bërnabiq me gjuhë fashiste ndaj shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë

Në mes të tensioneve dhe përplasjeve në Parlamentin e Serbisë, kryeparlamentarja Ana Bërnabiq, ka bërë propagandë në foltore duke thënë se opozita serbe “po i kënaq terroristin Albin Kurti dhe mediat në Kosovë”. Ajo vazhdimisht përdori gjuhë fashiste duke përdorur fjalën “shiptari”.

Ajo teksa fliste mbante në duar shkrimet e mediave në Kosovë që kishin raportuar për situatën e shkaktuar të martën.

Bërnabiq ka thënë se për shkak të tymit dhe gazit opozita në Serbi “po shihet si heroinë” nga shqiptarët.

Kurti pasi nuk u paraqit në Prokurori për të dhënë dëshminë, fton prokurorët në zyrën e tij

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se është i gatshëm të dëshmojë, por i ka ftuar hetuesit e Prokurorisë Speciale që t’i shkojnë në zyrën e tij.

“Asnjëherë s’kam thënë se s’do të jap dëshmi dhe e refuzoj… Kam thënë se jam i gatshëm dhe i interesuar. Kam shkruar letër ku kam treguar edhe oraret kur mund të bëhet. Mirëpres Prokurorinë e Shtetit në zyrën e kryeministrit… S’ka ndonjë arsye që të mos vazhdojë. Pra, qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim dhe të jepet dëshmia nga ana ime,” ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës, ishte i detyruar me urdhër gjykate të japë dëshminë e tij më 04.03.2025 në orën 10:00.

Ilir Hasanaj, një regjisor filmi në relacionin Zvicër – Kosovë

Ilir Hasanaj është një regjisor filmi. I lindur në Kosovë në vitin 1986, ai ka ardhur në Zvicër në moshën 7-vjeçare dhe është rritur në Winterthur ZH. Pas diplomimit për film në ZHdK (Universiteti i Arteve i Cyrihut), dokumentari i tij ME DASHT’ ME DASHT’ ME DASHT’ (2017) pati një turne të suksesshëm në festivale të ndryshme, përfshirë këtu: Hot Docs, Solothurner Filmtage dhe Dokufest, ku fitoi çmimin e audiencës.

Ai lëviz ndërmjet Prishtinës dhe Cyrihut dhe punon në projekte të ndryshme filmike me rëndësi sociale. Hasanaj gjithashtu udhëheq programin e larmishëm të kinemasë alternative “Kino ARMATA” në Prishtinë. Ndër të tjera, ai ka themeluar “Neo_School” në Prishtinë, një shkollë e orientuar drejt praktikës që u jep entuziastëve të talentuar të filmit në Kosovë mundësinë për të bërë filmin e tyre dokumentar nën mbikëqyrjen e profesionistëve.

Vitin e kaluar, filmi i tij “Krahët e punëtorëve” ishte nominuar nga Kosova për çmimin Oscar në kategorinë e filmave dokumentarë. Filmi nuk arriti në rrethin e ngushtë por ka fituar një numër të madh çmimesh në festivale të rëndësishme botërore. Kjo, dhe roli i tij si artist në relacionin Zvicër-Kosovë është temë e intervistës që Albinfo.ch ka zhvilluar me Ilir Hasanajn.

Albinfo.ch: Në CV-të tuaja që kemi pasur rastin t`i lexojmë shkruhet se ju, si regjisor, “lëvizni” në mes të Zvicrës dhe Kosovës. Qëkur ka filluar kjo “lëvizje” dhe përse e keni zgjedhur atë? A do ta vazhdoni këtë “ecejake” edhe më tutje?

I.Hasanaj: Kjo lëvizje ka qenë e natyrshme. Nga mesi i vitit 2015 kam përfunduar studimet në ZHdK (Universiteti i Arteve i Cyrihut), në degën e filmit. Pas kësaj kam pasur mundësinë të punoja filmin me titull “Me dasht, me dasht, me dasht”. Kjo në një mënyrë më ka shtyrë të lëvizja nga Zvicra në Kosovë sepse një pjesë e filmit është xhiruar atje. Edhe pas kësaj e kam pasur ndjenjën se dëshiroj të kuptoj më shumë për identitetin tim. Në Zvicër shpesh me kanë thënë shqiptar, që është një fakt pasi të dy prindërit i kam shqiptarë nga Kosova. Por unë nuk e dija se çfarë i bie saktësisht kjo ndjenjë e të qenit shqiptar ose të jesh rritur apo të kesh jetuar në Kosovë. Përmes kësaj lidhjeje që e kam pasur përmes filmit, ngjarja e të cilit zhvillohej në Kosovë, kam dashur të lëvizja në mes të Zvicrës dhe Kosovës. Doja të bëj diçka në Kosovë me këtë arsimim që kam bërë në Zvicër dhe në të njëjtën kohë të bëj në një mënyrë një riorientim në jetë. Kjo sepse unë gjatë studimeve kam realizuar filma artistikë dhe kalimi në Prishtinë më dukej si një mundësi që të shkëputem prej ekipeve të mëdha të filmit dhe efekteve me shumë drita, me shumë punonjës. Pra dëshiroja të realizoj një mënyrë pune me ekip minimal dhe që më jep më shumë mundësi të shprehem, për të realizuar gjuhën time të filmit. Kjo ka bërë që nga fundi i vitit 2015 të filloja lëvizjen mes Zvicrës dhe Kosovës.

Albinfo.ch: Keni krijuar një shkollë për film, në Prishtinë. A mund të na flisni pak për profilin e asaj shkolle?

I.Hasanaj: Gjatë kohës kur lëvizja, në Prishtinë bashkë me dy shokë kemi ngritur një kinema alternative që njihet si Kino Armata. Brenda saj u ngrit edhe shkolla qe mban emrin “Neo_School”. Unë e kam udhëhequr këtë shkollë që kishte si vizion të ketë 6 ose 7 persona me talent dhe interesim për film. Ata, brenda tre muajve duhej të realizojnë një film  dokumentar më vete. Ne i kemi përzgjedhur në tri edicione, 6-7 persona secilin edicion, të cilët kanë pasur ndonjë ide ose koncept se çfarë duan të bëjnë. Bashkë me mentorë të tjerë, secili specialist në lëmin e vet, i kemi monitoruar. Në fund ata kanë bërë xhirimet bashkë me mua dhe ekipin e armatës dhe i kanë prezantuar publikut filmat e tyre. Disa prej tyre kanë pasur sukses të konsiderueshëm dhe mund të them se e kanë gjetur veten në film. Kështu, për shembull Redoni, pas kësaj shkolle e ka realizuar një dokumentar të gjatë, ideja e të cilit është zhvilluar brenda armatës dhe ka emrin “Kurrë nuk kam hipur në aeroplan”. Ndërsa një studente tjetër, Berta po studion filmin në FAMU-në e njohur të Pragës etj.

Albinfo.ch: Vitin e kaluar, filmi juaj “Krahët e punëtorëve” ishte nominuar nga Kosova për çmimin Oscar, por, mjerisht, nuk mundi të vazhdonte tutje. Megjithatë, mund të na flisni pak për rrugën e sukseseve të këtij filmi: Në cilët festivale të rëndësishme ka marrë pjesë dhe çfarë çmimesh ka fituar? 

I.Hasanaj: Mundësia për të garuar për  Oscar na ka gëzuar shumë, na ka bërë të ëndërrojmë për një kohë që filmi ynë mund të marrë pjesë në Oscars 2025. Mirëpo nuk kishte qenë ende koha për Oscars, në këtë edicion. Kjo i bie që në të ardhmen prapë do të vijë mundësia për të garuar për atë çmim. Ky sukses i deritashëm vetëm sa na ka dëshmuar që mundemi të arrijmë suksese kur të bëjmë punë të mirë.

Ndryshe, filmi ka marrë pjesë në më shumë se 20 festivale ndër të cilët disa janë me shumë rëndësi, dhe ka fituar çmimet e para. Festivali mbase më i rëndësishëm ku ka marrë pjesë dhe ka fituar ka qenë në fillim, festivali në Roterdam që ka më shumë se 50 vjet traditë. Këtu, filmi ka marrë çmimin kryesor të festivalit, në short compettion. Ky ka qene një gëzim shumë i madh për mua dhe sigurisht ky vlerësim ka qenë shumë domethënës për filmin, për rrugëtimin e tij. Ka marrë pjesë po ashtu në festivale në vendet si: në Uruguai, Hong Kong, Austri, Portugali, Meksikë, (ku po ashtu ka fituar), pastaj në Kroaci, në Kosovë, në Slloveni dhe në Greqi ka fituar po ashtu ndërsa çmimi më i fundit që ka marrë ka qenë ai në Serbi.

Albinfo.ch: Si e kanë cilësuar filmin tuaj juritë e festivaleve ku është shpërblyer? Mund të citoni ndonjë nga vlerësimet e rëndësishme?

I.Hasanaj: Mund të citoj këtu dy prej tyre. Deklarata e jurisë Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Roterdam: “Filmi “Krahët e punëtorëve” është një dëshmi e punës së njerëzve të klasës punëtore, e bërë me një ton empatik dhe të butë. Ky film portretizon ngjarje tragjike në jetën e individëve, plagët dhe dinjiteti i të cilëve theksohet bukur nga një stil kinematografik i ndershëm dhe modest…”. Ndërsa juria e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Guanajuato (Meksikë), veç tjerash shprehet: “Filmi vlerësohet për një rrëfim të krijuar me zgjuarsi, i shoqëruar nga kinematografia intuitive dhe goditëse, që jep zë dhe hedh dritë mbi punëtorët në mbarë botën dhe gjurmët e punës në trupat e tyre”.

Albinfo.ch: Çfarë ju ka frymëzuar që ta realizoni filmin “Krahët e punëtorëve” dhe si do ta përshkruanit qasjen ndaj kësaj teme, për të cilën jeni përcaktuar ju, si realizues i filmit?

I.Hasanaj: Fillimisht ka qenë një ngjarje që ka ndikuar tek unë, një ngjarje, do të thosha edhe traumatizuese. Në vitin 2016 kur po e punoja filmin tim të parë dokumentar, në Prishtinë kam parë kur një punëtor në ndërtesën afër është rrëzuar nga 2 metra lartësi me ç` rast ka pësuar lëndime të rënda në kokë. Ishin mbledhur njerëz rreth tij duke pritur emergjencën por për shkak se ishte koha e drekës me tollovi në rrugë, emergjenca kishte vështirësi të arrinte në vendin e ngjarjes ndërsa viktima kishte dhimbje të mëdha dhe bërtiste. Ajo bërtitmë dhe gjaku që i dilte nga koka më ka mbetur në kokë dhe më ka preokupuar edhe me vite më vonë. Me këtë ngjaje në kokë, e kam ditur se dikur do të bëj një film mbi këtë temë. Kështu, në vitin 2022 vendosa të merresha aktivisht me të, dmth të hulumtoja arsyet përse ndodhnin këto aksidente. Me këtë sfond kam filluar hulumtimet e mia mbi këtë temë, për ta filmuar atë. Kam takuar shumë persona që lidhen me temën, si punëtorë që vetë kanë pësuar aksidente, pastaj kompani të ndërtimit etj., që të mund të kem një ide më të plotë rreth kësaj teme, nga të gjitha këndet. Më pastaj kam synuar që të kem një pamje vizuale në një mënyrë poetike të filmit, që të jem shumë më afër personazhit… Kam dashur të zhvilloj një gjuhë unike të filmit, një gjuhë e shprehur në shirit filmi, që të ketë njëfarë ndjenje brenda saj që filmi del si i “gërvishtur”, në shiritin 16 mm. Me këtë pikënisje e kemi zhvilluar filmin me ekipin tonë.

Albinfo.ch: Cilat janë punët tuaja aktuale: Keni në duar ndonjë film ose planifikoni ndonjë për një të ardhme më të afërt?

I.Hasanaj: Jam duke vazhduar punën. E kam aktualisht një rrëfim me të cilin jam shumë i lidhur. Është fjala për filmin mbi Jusuf Gërvallën. Është një lloj biografie e tij dhe tani jam në fazën e hulumtimit, jam duke provuar të gjej sa më shumë materiale dhe ta përmbledh si projekt. Janë edhe disa ide të tjera për të cilat më duhet ende punë, janë në fazën kritike.

Albinfo.ch: Në punën tuaj krijuese ju jeni konceptualisht të orientuar më shumë për film dokumentar sesa për atë artistik apo kjo ndodh për faktin se dokumentari kushton më pak dhe është më lehtë i realizueshëm?

I.Hasanj: Më duket se më ka ardhur shumë natyrshëm të punoj në filma dokumentarë. Ajo që të lejon të bëj dokumentari, filmi artistik nuk ta lejon. Në dokumentar punon një ekip shumë i vogël. Pastaj mua më pëlqen të lidhem drejtpërdrejtë, në momente jetësore, në kohë reale. Kështu përderisa në filmin artistik një skenë mund ta përsëritësh sa herë të duash deri ta realizosh si duhet, te filmi dokumentar është vetëm momenti konkret i realizimit ai që vlen dhe kjo më pëlqen më shumë mua. Kjo për mua është me shumë rëndësi për ta zhvilluar intuitën time dhe të gjej gjuhën e filmit që më pëlqen dhe që të identifikohem me të.

Por mendoj që kjo pyetje varet edhe nga rrëfimi. Tani, për shembull, filmi për Jusuf Gërvallën, që e kam në plan do të jetë film artistik, jo dokumentar për shkak se tregimi e kërkon kështu.

Albinfo.ch: Si e shihni gjendjen aktuale të filmit ndër shqiptarët, në Kosovë, po edhe në Shqipëri dhe kudo tjetër ku xhirohet filmi shqip? A mund të flitet për një “boom” të filmit, veçanërisht atij të Kosovës, siç është thënë here pas here viteve të fundit?

I.Hasanaj: Mund të them se filmi në Kosovë është duke pasur shumë suksese për arsyen se filmat e atjeshëm janë të ndërtuar dhe të treguar shumë mirë. Kjo ndoshta mund edhe të shihet si njëfarë “boom”-i. Mendoj që tregimet që po vijnë nga Kosova po janë shumë unike si rrëfime prandaj kjo po vlerësohet edhe në festivalet në botë. Shpresoj që ky vlerësim do të rritet edhe më shumë në vitet e ardhshme.

Albinfo.ch: A ka mbështetjen e duhur filmi në vendet tona të prejardhjes, gjegjësisht a “ja vlen” të punohet filmi, në kushtet ekzistuese atje?

I.Hasanaj: Normalisht, mbështetja nuk është kurrë e mjaftueshme. Burimi kryesor dhe më i madh i financimit të filmit në Kosovë është QKK (Qendra Kinematografike e Kosovës). Mendoj se si fillim nuk është edhe keq por realisht, një pjesë të filmave të mi i kam financuar nga xhepi im. Kjo tregon se ka nevojë për më shumë mbështetje për filmin në Kosovë. Unë për filmin e fundit kam punuar më shumë se dy vjet dhe ende më bie të bëj ndonjë punë rreth tij, si për shembull interesimi për festivale, takimet me producentët, distributorët etj. Prandaj është me rëndësi që të ketë një buxhet të mirë sepse për të bërë filmin me cilësi të lartë nevojiten persona që e realizojnë atë, aktorë, teknikë, mjete transporti etj. dhe të gjitha këto kushtojnë. Dhe tek ne shumica e punëve bëhen pa pagesë ose vetëm si një favor që ia bën dikush filmit… Për këto arsye unë shpresoj se do të rritet buxheti mes tjerash edhe për faktin se Kosova e ka shpallur filmin si interes kombëtar dhe tani po mungon vetëm që kjo shpallje të merret seriozisht dhe të realizohet, që filmi ynë të ketë suksese edhe më të mëdha.

 

 

 

Gjermani: Ekspertët sugjerojnë 400 miliardë euro për mbrojtje

Në sfondin e situatës së tensionuar botërore shtrohet çështja për forcimin e mbrojtjes dhe si rrjedhojë rritjen e shpenzimeve. Ky diskutim po rrit presionin në bisedimet paraprake për krijimin e koalicionit qeverisës, përcjell albinfo.ch. 

Gjermania ndodhet aktualisht në kulmin e përpjekjeve për krijimin e qeverisë dhe koha nuk pret. CDU/CSU dhe SPD po vazhdojnë bisedimet paraprake. Këto raunde janë fokusuar tek çështjet financiare që ndër të tjera kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe ndihmat për Ukrainën. Arsyeja e intensifikimit të këtij diskutimi ka të bëjë me situatën e tensionuar të krijuar në Shtëpinë e Bardhë, kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump e kërcënoi presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyj, se nuk do ta mbështesë në luftën me Rusinë. Trump e akuzoi rëndë Zelenskyjn.

Çfarë është e mundur dhe nga duhen gjeneruar paratë?

Kjo është arsyeja pse, në bisedimet për krijimin e koalicionit në Gjermani, CDU/CSU dhe SPD po synojnë të ndërmarrin hapa për sigurimin sa më të shpejtë të miliardave, jo vetëm për forcimin e ushtrisë, por edhe për krijimin e më shumë pavarësie për Europën dhe mbështetjen më të fortë të Ukrainës. Ndërkohë, është e qartë se europianët duhet të shpenzojnë shumë më tepër për mbrojtjen e tyre dhe për ndihmën ndaj Ukrainës, vëren agjencia e lajmeve Reuters, duke iu referuar opinioneve që po mbizotërojnë aktualisht në radhët e të dyja partive, CDU/CSU dhe SPD.

Si mund të veprohet për sigurimin e financave?

Parlamenti mund të vendosë një reformë lidhur me frenën e borxhit, gjë që do të lejonte marrjen e kredive më të larta. Nëse veprohet kështu, paratë mund të tërhiqen nga buxheti i rregullt. Megjithatë, ekziston edhe një mundësi tjetër: shpenzimet për mbrojtjen të jenë të shkëputura nga çështja e frenës së borxhit, siç ka propozuar së fundmi kancelari Scholz.

Përpara tre vjetësh kancelari Olaf Scholzpropozoi krijimin e një fondi të posaçëm për forcimin e ushtrisë. Borxhi për krijimin e një fondi të posaçëm llogaritet nga borxhet e shtetit dhe rregullorja europiane e borxhit. Gjendja aktuale buxhetore në Gjermani është e tensionuar. Në raundin e parë të bisedimeve paraprake për koalicion të premten (28.02), ministri i Financave, Jörg pati një prezantim jo optimist, sikurse njofton Reuters.

Ekspertët: 400 miliardë euro për mbrojtjen

Ekspertët e ekonomisë rekomandojnë 400 miliardë euro për ushtrinë, në mënyrë që t’i dërgohet një sinjal i qartë edhe presidentit rus Vladimir Putin. Për infrastrukturën ekspertët llogarisin 400 deri në 500 miliardë euro që duhen vënë në dispozicion në vitin 2025.

Sipas mediave këto propozime vijnë nga ekonomistët Clemens Fuest (president i institutit Ifo), Michael Hüther (Drejtor i Instituti të Ekonomisë gjermane), Moritz Schularick (President i Institutit të Kielit IfW) dhe Jens Südekum (Universiteti Heinrich-Heine, Düsseldorf. Ky raund ekspertësh u organizua me inciativën e ministrit të Financave të Saarlandit, Jakob von Weizsäcker.

Zëdhënësi i qeverisë Steffen Hebestreit, bëri të ditur, se kancelari Olaf Scholz ka ftuar në kabinet për të mërkurën (5.03.2025) kryetarët e partisë SPD, CDU/CSU. Në këtë takim synohet të shqyrtohet se si dotë veprohet më tej me ndihmat për Ukrainën duke pasur parasysh edhe samitin e posaçëm të BE-së që do të zhvillohet të enjten (6.03.2025) po për Ukrainën.

Si janë shanset në Bundestag?

Për reformimin e frenës së borxhit si dhe për krijimin e një fondi të posaçëm nevojitet votimi në parlament me shumicë të kualifikuar. Partitë që negociojnë për koalicion CDU/CSU dhe SPD së bashku nuk e arrijnë numrin e nevojshëm të deputetëve në parlamentin e ri që mund të konstituohet deri më 25 mars. Partinë në opozitë AfD dhe E Majta kanë fuqinë e një minoriteti bllokues. Këto dy parti janë kundër mbështetjes për Ukrainën. Kësisoj ose dy partitë që negociojnë aktualisht për koalicionin do të duhej të siguronin edhe mbështetjen e ekologjistëve. Kancelari i ardhshëm kristiandemokrati Friedrich Merz ka propozuar, që kjo çështje të shtrohet për votim në parlamentin aktual.

Gratë në Zvicër ende fitojnë më pak se burrat

Pothuajse pesë vjet pasi rishikimi i Aktit të Shanseve të Barabarta (GIG) hyri në fuqi, diskriminimi në paga ekziston ende në Zvicër, përcjell albinfo.ch.

Prandaj, një koalicion i organizatave të grave, sindikatave dhe partive politike i dërgoi një letër Këshillit Federal, duke kërkuar që më në fund të merrte masa efektive drejt pagave të barabarta.

Ata theksuan se “diskriminimi i pagave mbetet një problem i pazgjidhur” dhe theksuan se, në krahasim me homologun e saj mashkull, “një grua në Zvicër humbet rreth 8,000 franga paga çdo vit”.

Ai gjithashtu bën thirrje për vendosjen e sanksioneve ndaj kompanive që në mënyrë të përsëritur nuk respektojnë dispozitat ligjore për paga të barabarta.

KQZ-ja pret që numërimi i votave të përfundojë të mërkurën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se pret që të mërkurën (5 mars) të përfundojë numërimi edhe i votave të fundit, atyre me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim që të pranojë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për parregullsi gjatë numërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

PZAP-ja urdhëroi që 21 fletëvotime nga qendra të votimit të vlerësohen si të vlefshme dhe të përfshihen në rezultatin përfundimtar. Partia në pushtet ishte ankuar për disa fletëvotime, duke thënë se janë shpallur të pavlefshme.

Në arsyetimin e PZAP-së thuhet se më 1 mars ka pranuar ankesë, ku pretendohet nga VV-ja se gjatë procesit të numërimit të votave në QNR në Prishtinë, fletëvotimet janë shpallur të pavlefshme për shkak të një gabimi teknik gjatë shtypjes.

“Sipas parashtruesit të ankesës, theksohet se, konkretisht, bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, votuesi duhet ta shtypë/printojë vetë fletëvotimin nga faqja zyrtare e KQZ-së. Gjatë këtij procesi të printimit, vërehet se fletëvotimet përkatëse nuk janë printuar në formë të plotë, ndonëse qëllimi i votuesit është i qartë. Megjithatë, meqë ky nuk është rasti dhe votuesi fillimisht ka printuar fletëvotimin në kushte shtëpie – e diktuar ndonjëherë nga formati i dërguar dhe specifikat teknike e teknologjike – duhet të kihet parasysh qëllimi i votuesit, ashtu siç e përcakton edhe Ligji”, thuhet në njoftimin e PZAP-së

Monitorimi i Çmimeve të Qeverisë u kurseu konsumatorëve miliona franga në vitin 2024

Stefan Meierhans, “Price Monitor” zyrtar i Zvicrës, kishte përpunuar një numër rekord ankesash të konsumatorëve vitin e kaluar – 800 në total – dhe kishte arritur të kursente 120 milionë franga, përcjell albinfo.ch.

Konkretisht, përmes negociatave me Postën Zvicerane si dhe kompanitë e transportit publik, ai mundi të ulte rritjet e planifikuara të çmimeve përkatësisht me 70 milionë dhe 50 milionë franga.

Në raportin e tij vjetor të hënën, Meierhans përmendi gjithashtu uljen e marzheve të shitjeve për barnat, si dhe tarifat më të ulëta të rekomanduara për përdorimin e rrjetit elektrik – të dyja në dobi të konsumatorëve.

Kroacia planifikon ndërtimin e një autostrade deri në kufi me Shqipërinë

Planet e Kroacisë për të vazhduar ndërtimin e autostradës nga Spliti në Dubrovnik janë të njohura për Podgoricën zyrtare, por pika e kontaktit ende nuk është rënë dakord.

Pasi u njoftua se Kroacia do të ndërtojë autostradën nga Spliti në Dubrovnik, u shtrua pyetja: a do të lidhet kjo rrugë me të ashtuquajturin Korridori Adriatiko-Jonian nëvendet fqinje. E kjo çështje është shumë me rëndësi edhe për Malin e Zi.

Në Podgoricë thonë se janë informuar për idenë e Zagrebit, por nuk tregojnë se ku do të jetë pika e lidhjes së autostradës kroate me Malin e Zi, që është me rëndësi edhe për të gjithë ata që udhëtojnë nga Perëndimi për në vendet e tjera. Mali i Zi po përgatitet të ndërtojë pjesën e dytë të autostradës Bar-Boljare, përgjatë bregdetit malazez si dhe një autostradë për në Shqipëri.

Edhe pse Podgorica zyrtare është njoftuar me planet e Kroacisë për të vazhduar ndërtimin e autostradës nga Spliti në Dubrovnik, akoma nuk dihet ku do të lidhet kjo rrugë me ato në Malin e Zi.

“Aktivitetet janë duke u zhvilluar për të harmonizuar pikën ndërlidhëse me Kroacinë. Ne po përgatisim një projekt për një rrugë me shpejtësi të madhe kalimi përmes Gjirit të Kotorrit, e cila do të ndërlidhet me Kroacinë”, tha kompania shtetërore malazeze Monteput, duke shtuar se po përgatisin edhe dokumentacionin për një autostradë deri në kufirin me Shqipërinë. Pikat ndërlidhëse të autostradës do të koordinohen me Zagrebin dhe Tiranën.

Rrugët deri në Shqipëri

Plani hapësinor për vitin 2040 përfshin një rrugë me shpejtësi të lartë deri në kufirin me Kroacinë, si dhe një autostradë deri në kufirin me Shqipërinë.

Rruga e shpejtë përgjatë bregdetit malazez, e cila shkon nga kufiri me Kroacinë, lidhet me autostradën Bar – Boljare në zonën e gjerë të Gragjanit. “Është planifikuar një autostradë nga tuneli i Sozinës deri në kufirin me Shqipërinë, e pas hartimit të projekteve konceptuale, zbatimi i të cilave është duke u zhvilluar, këto korridore do të përfshihen në Planin e ri Hapësinor të Malit të Zi, i cili është në proces miratimi dhe do të jetë i vlefshëm deri në vitin 2040”, kumtoi Monteput.

Qëllimi është që të dyja rrugët të vlerësojnë potencialin turistik të Malit të Zi dhe të zgjidhin problemin e kahershëm të mbingarkesës në bregdetin malazez. “Kjo rrugë së bashku me autostradën Bar – Boljare është prioritet për ndërtim. Ministrja e Transportit Maja Vukiçeviq u takua me ministren e Infrastrukturës sëShqipërisë Belinda Baluku, ku kjo ishte një nga temat”, thanë për DW nga Ministria e Transporteve.

Tenderi për ndërtimin e rrugëve

Pas një viti është anuluar tenderi paraprak për ndërtimin e seksionit të dytë të autostradës Bar Boljare (Mateshevë – Andrijevica) dhe është shpallur një i ri.

“Ky është një tender që do të lejojë pjesëmarrjen e të gjithë ofertuesve, përfshirë edhe ata që morën pjesë në procesin paraprak”, thonë në Monteput për DW. Një tender i ri është kërkuar jozyrtarisht nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Podgoricë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të pakënaqur që asnjë kompani evropiane nuk iu përgjigj procesit.

Zyrtarisht, Monteput dhe Qeveria thonë se tenderi i ri është rezultat i një marrëveshjeje për të “mundësuar të gjitha kompanitë e interesuara të aplikojnë, jo vetëm atyre që aplikuan në fazën paraprake”. Arsyeja e dytë është se një pjesë e itinerarit është ndryshuar ndërkohë.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Podgoricë, Johan Sattler, i pyetur nga TV Vijesti nëse presin që ndonjë kompani evropiane të aplikojë për tenderin e ri, tha se vendimi është në dorën e kompanive, por ata shpresojnë një gjë të tillë.

Tenderët dhe konkurrenca

“Ne mendojmë se është një gjë e mirë të kesh sa më shumë konkurrencë, në mënyrë që të marrësh ofertat më të mira të mundshme dhe zgjidhjet më të avancuara teknologjikisht,” tha Satler.

Kompanitë nga Turqia, Azerbajxhani dhe Kina aplikuan për tenderin paraprak për ndërtimin e pjesës së dytë, duke përfshirë CRBC, kompaninë që ndërtoi pjesën e parë të autostradës Smokovac-Mateshevo. Në fillim të vitit të kaluar, Komisioni Evropian njoftoi se do të marrë pjesë në ndërtimin e kësaj pjese të rrugës me një grant prej 100 milionë euro, ndërsa BERZH me një kredi të butë prej 200 milionë euro.

Pjesa e rrugës Mateshevë-Andrijevica është rreth 22 kilometra e gjatë, që është afër 14 për qind e rrugës totale të autostradës Tivar-Boljare. Nënshkrimi i kontratës së projektimit dhe ndërtimit ishte planifikuar për gjysmën e parë të vitit 2025, ndërsa përfundimi i punimeve pritet në vitin 2030. Monteput pretendon se po bën gjithçka për të përmbushur afatet e planifikuara./DW

Zvicra më në fund cakton datën për fillimin e pagesës së pensionit të 13-të

Deputetët zviceranë më në fund kanë caktuar një datë se kur do të fillojnë pagesat e një pensioni shtetëror shtesë për një muaj.

Pagesa e 13-të e pensionit shtetëror (AHV/AVS), u miratua në një referendum në mars 2024 dhe ligjvënësit kishin për detyrë të vendosnin se kur do të hynte në fuqi.

Ata arritën në përfundimin se pagesa e parë do të bëhet në dhjetor 2026 dhe do të vazhdojë çdo vit më pas, përcjell albinfo.ch.

Burimet e sakta të financimit për pagesën shtesë – në masën 4.2 miliardë franga në vit – duhet të përcaktohen ende, megjithëse dihet tashmë se një pjesë e financimit do të vijë nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

Çfarë do të thotë kjo për pensionistët?

Sipas ligjit të ri, pensionistët do të marrin një pension shtesë, në të njëjtën shumë me shumën e tyre ‘të rregullt’ AHV/AVS të shtyllës së parë që marrin çdo muaj.

Kjo do të korrespondonte me një rritje mujore të pensioneve prej 8.33 për qind.

Të gjithë do të përfitojnë nga kjo pagesë shtesë, megjithëse disa njerëz më shumë se të tjerët.

Krahas atyre me të ardhura të ulëta në përgjithësi, më së shumti do të përfitonin gratë, veçanërisht ato që nuk kanë punuar vazhdimisht në pozicione me kohë të plotë për 43 vjet.

Jo vetëm që pensionet e tyre AHV/AVS janë më të ulëta, por edhe gratë kanë një shtyllë shumë më të dobët të dytë, kështu që nevojat e tyre financiare pas daljes në pension nuk mbulohen si dhe ato të njerëzve që marrin shumat e plota të të dyja pensioneve.

Megjithatë, ‘pika e dobët’ e propozimit, siç theksojnë disa, është se të gjithë pensionistët në Zvicër – edhe ata që janë mirë – dhe jo vetëm ata që kanë vërtet nevojë për të, do të marrin këtë pagesë të 13-të.

Rutte dhe ambasadorët e NATO-s pritet ta vizitojnë Kosovën

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pritet ta vizitojë Kosovën më 11 mars për herë të parë që kur e mori këtë post. Këtë e ka mësuar Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike.

Një ditë më herët shefi i NATO-s do ta vizitojë Bosnjë dhe Hercegovinën. Ndërkaq, gjatë vizitës në Kosovë pritet që Rutte të jetë i shoqëruar edhe nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s që janë anëtarë të Këshillit të Atlantikut të Veriut.

NATO-ja ende nuk e ka paralajmëruar zyrtarisht një vizitë të tillë.

Vetë Rutte kishte paralajmëruar se do ta vizitonte Kosovën gjatë muajit mars në një debat që kishte pasur më herët në Bratisllavë të Sllovakisë.

Rutte të hënën ka pasur edhe një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, para disa ditësh kishte thënë se stabiliteti në Kosovë, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Serbi, është në interes të të gjithëve dhe se ai nuk sheh arsye të besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në NATO.

Ai këtë e kishte thënë gjatë qëndrimit në Bratisllavë të Sllovakisë kur u pyet në një debat nga studentët se a sheh mundësi për rifillim të konfliktit në Kosovë pasi ka zëra se politika e re amerikane mund të çojë deri te largimi ushtarak.

“Më lejoni të jem krejtësisht i qartë. Nga krejt ajo çka unë po kuptoj nga sistemi amerikan, është se ata janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s dhe angazhimeve aktuale. Por, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne gjithmonë mund të kemi ndryshime të politikave ose adaptime të vogla që mund të ndodhin. Sllovakët, holandezët dhe të tjerët po e bëjnë këtë. Por, nuk kam arsye të besoj se do të ketë vendime dramatike. Dhe, në përgjithësi, në Ballkanin Perëndimor, duhet të jemi të sigurt që, ne e mbajmë në fokus këtë rajon, sepse stabiliteti në Kosovë, stabiliteti në Bosnje dhe stabiliteti në Serbi është në të interesin e të gjithë neve”, ishte përgjigjur ai.

Edhe Rutte pas zgjedhjeve në Kosovë kishte bërë ftesë që të vazhdojë procesi demokratik, pjesë e të cilit është edhe formimi i koalicioneve.

Delegacioni i NATO-s i kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm, Rutte, do të vizitojnë edhe misionin e KFOR-it, i cili udhëhiqet nga NATO-ja.

Në këtë mision aktualisht janë rreth 4700 ushtarë. Prej tyre kontingjentin më të madh e ka Italia me 1250 pjesëtarë, pasi e ka edhe komandën, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rreth 600 pjesëtarë në këtë mision.

Rusia del me reagim pasi SHBA ia ndali Ukrainës ndihmat ushtarake

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka quajtur lajm të mirë ndaljen e mbështetjes ushtarake të SHBA-së për Ukrainën. Ai ka thënë të martën se ky vendim mund ta shtyjë regjimin e Kievit drejt një procesi paqeje.

Sipas tij, ndalja e furnizimeve për Ukrainën i kontribuon paqes.

“Sigurisht, ne ende duhet t’i kontrollojmë detajet, por nëse është e vërtetë, atëherë ky është një vendim që me të vërtetë mund ta shtyjë regjimin e Kievit drejt një procesi të paqes. Nëse Shtetet e Bashkuara i ndalojnë këto furnizime, ky ndoshta do të jetë kontributi më i mirë për kauzën e paqes”, ka thënë Peskov.

Disa prej vendeve evropiane e kanë quajtur shqetësues ndaljen e furnizimit me armatim.

Dogana zbulon mbi 20 mijë euro të falsifikuara

Dogana e Kosovës ka zbuluar 20 mijë e 886 euro të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Nëpërmjet një njoftimit në Facebook, bëhet e ditur se në kuadër të kontrolleve të rregullta të kryera nga zyrtarët doganorë në Qendrën Postare Tranzitore, duke përdorur pajisje të teknologjisë së avancuar si X-Ray, u zbuluan para të dyshuara si të falsifikuara.

Gjatë kontrollit, u gjetën këto sasi të dyshuara:

500 € – 1 copë

200 € – 1 copë

50 € – 101 copë

20 € – 1 copë

5 € – 1 copë

Sasia e përgjithshme e parave të dyshuara arrin në 20,885.00 €.

Për shkak të dyshimeve për falsifikimin e monedhave, ky rast është raportuar në Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejshëm në përputhje me procedurat ligjore.

“Autoritetet doganore do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me Policinë për të zbardhur plotësisht këtë rast dhe për të parandaluar aktivitetet e paligjshme të falsifikimit të monedhave”, përfundon njoftimi

Gerlafingen (SO): Vetëvritet kosovari pasi ka plagosur rëndë një grua

Të hënën në mëngjes, pak pas orës 6:35 të mëngjesit, në Policinë Kantonale të Solothurnit u raportua se një burrë kishte plagosur rëndë një grua në një pronë në Gerlafingen dhe më pas i kishte marrë jetën vetes, transmeton albinfo.ch. Në bazë të këtij raporti, një kontingjent i madh i punonjësve të emergjencës dhe shpëtimit shkuan menjëherë në Gerlafingen, ku u konfirmua raporti fillestar.

Në vendngjarje janë gjetur një grua 41-vjeçare, e plagosur rëndë dhe autori i dyshuar i plagosjes, i cili tashmë kishte vdekur, shkruan blick.ch. Gruas ju ofrua kujdes i menjëhershëm mjekësor nga shërbimet e urgjencës dhe nga një ekuipazh i Rega si dhe më pas u dërgua në një spital në gjendje kritike me një helikopter shpëtimi.

Ata njiheshin me njëri-tjetrin

Policia dhe Prokuroria Publike në kantonin Solothurn filluan menjëherë hetimet për krimin, motivin dhe shkakun e vdekjes. Sipas njohurive të deritanishme, viktima (shtetas e Serbisë) dhe autori i dyshuar, një kosovar 51-vjeçar, njiheshin me njëri-tjetrin, përcjell albinfo.ch.

Përveç shërbimeve të ndryshme speciale nga Policia Kantonale e Solothurnit, në detyrë ishin edhe shërbimi i shpëtimit, një ekuipazh Rega, zyra e prokurorit publik kantonal të Solothurnit, punonjës të një instituti për mjekësinë ligjore dhe një ekip kujdesi.

Von der Leyen: BE-ja e gatshme të mobilizojë 800 miliardë euro për forcimin e mbrojtjes

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka deklaruar se Evropa është gati të rrisë “në mënyrë masive” shpenzimet e saj të mbrojtjes dhe se janë në një “epokë riarmatimi”.

Von der Leyen theksoi se i ka shkruar një letër udhëheqësve evropianë, dhe po përshkruan një plan të riarmatimit të Evropës me pesë pika.

Lëshimi në përdorim i fondeve publike për mbrojtjen – nëse shtetet anëtare rrisin shpenzimet e mbrojtjes me 1.5 për qind të GDP-së, ku von der Leyen thotë se kjo mund të krijojë hapësirë  fiskale afër 650 miliardë euro gjatë katër viteve.

Instrument i ri që siguron 150 miliardë euro kredi për shtetet anëtare për investime në mbrojtje.

Përdorimim i fuqisë së buxhetit të Bashkimit Evropian.

Mobilizimi i kapitalit privat përmes Unionit të Kursimeve dhe Investimeve.

Mobilizimi i kapitalit privat përmes Bankës Evropiane të Investimeve.

Von der Leyen shpjegon se planet për të forcuar mbrojtjen e Evropës dhe për të rritur aftësitë ushtarake, mund të mobilizojnë rreth 800 miliardë euro.

“Ky është momenti i Evropës dhe ne duhet të jetojmë deri në atë”, shtoi ajo.

Përplasje fizike e tym në Kuvendin e Serbisë

Përplasje fizike, tym, gazlotsjellës e flakë ka pasur në mbledhjen e Kuvendit të Serbisë të martën.

Pas ndezjes së mjeteve piroteknike kryeparlamentarja Ana Bërnabiq ndërpreu punimet.

Partitë opozitare kishin paralajmëruar se s’do të jenë pjesë e punimeve të Kuvendit, përderisa studentët e qytetarët janë duke protestuar vazhdimisht në kërkim të drejtësisë për vdekjen e 15 personave në nëntor nga rrëzimi i strehës së një stacioni hekurudhor në Novi-Sad.

Protestuesit e fajësojnë pushtetin për korrupsion.

Përplasja erdhi pasi deputetët e pushtetit miratuan rendin e ditës, i cili u kundërshtua nga opozita. Qeveria e kishte miratuar paraprakisht rendin e ditës me 62 pika, ku përfshiheshin edhe ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë. Aty përfshihen edhe kërkesat e studentëve që protestojnë në Serbi, pas shembjes vdekjeprurëse të një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar. Në seancë duhej të miratohej edhe dorëheqja e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, të cilën ai e ofroi më 28 janar, nën presionin e protestave të studentëve. Opozita kërkoi që në rend dite të përfshiheshin vetëm ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë, duke argumentuar se një Qeveri që ka shpallur dorëheqjen nuk mund të miratojë ligje të rëndësishme.

Pas incidentit Bërnabiq u shpreh se një nga deputetet ka pësuar sulm dhe është në rrezik. “Gruaja po lufton për jetën e saj pas shpërthimeve tuaja”, u ka thënë Bërnabiq deputetëve. Sipas saj, edhe një tjetër deputete ka pasur tronditje.

Hyjnë në fuqi tarifat e SHBA-së prej 25% ndaj Kinës, Kanadasë e Meksikës

Tarifat prej 25% të Presidentit Donald Trump ndaj Meksikës dhe Kanadasë hynë në fuqi këtë të martë. Një veprim që nxit një luftë të re tregtare të SHBA me tre partnerët kryesorë tregtarë dhe sjell dobësim të ekonomisë e Amerikës së Veriut, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara.

Trump gjithashtu dyfishoi tarifën për të gjitha importet kineze në 20% nga 10% që paralajmëroi. Këto detyrime janë në krye të tarifave ekzistuese për qindra miliarda mallra kineze.

Pak para hyrjes në fuqi të tarifave, Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se “ndërsa Presidenti Trump i dha Kanadasë dhe Meksikës mundësi të mjaftueshme për të frenuar aktivitetin e rrezikshëm të kartelit dhe fluksin e drogës vdekjeprurëse që hyn në SHBA, ata nuk kanë arritur ta trajtojnë siç duhet situatën”.

Tarifat vijnë në një kohë kur inflacioni mbetet problematik. Ekonomia amerikane në tërësi është në një terren jo fort të qëndrushëm, siç raportojnë të dhënat e fundit.

Tarifat do të rrisin çmimet që amerikanët paguajnë për një gamë të gjerë mallrash të importuara nga të tre vendet, të cilat, së bashku, kanë dërguar mallra me vlerë 1.4 trilion dollarë në SHBA vitin e kaluar, sipas të dhënave të Departamentit të Tregtisë. Kjo përbën më shumë se 40% të vlerës së të gjitha mallrave që SHBA importoi gjatë vitit të kaluar.

Të vetmet mallra që nuk do të përballen me një tarifë prej 25% nga Kanadaja janë artikujt e lidhur me energjinë si nafta e papërpunuar, një nga mallrat kryesore që SHBA importon nga atje. Në vend të kësaj, ata do të përballen me një tarifë prej 10%.

Prodhimet e freskëta, makinat dhe pjesët e tyre, pajisjet elektronike, duke përfshirë telefonat dhe kompjuterët, janë ndër mallrat kryesore që SHBA importon nga Meksika, Kanadaja dhe Kina që tani do të përballen me tarifa midis 20% dhe 25%.

Kina u përgjigj menjëherë pas afatit, duke njoftuar tarifa shtesë prej 10%-15% për disa importe amerikane nga 10 Marsi dhe një seri kufizimesh të reja eksporti për entitetet e caktuara amerikane.

Kanadaja dhe Meksika, të cilat kanë gëzuar një marrëdhënie tregtare praktikisht pa tarifa me SHBA-në për tre dekada, janë gati të hakmerren menjëherë kundër aleatit të tyre të gjatë.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se Otava do të përgjigjet me tarifa të menjëhershme prej 25% për importet amerikane me vlerë 30 miliardë Dollarë dhe 125 miliardë Dollarë të tjerë nëse tarifat e Trump do të ishin ende në fuqi në 21 ditë. Ai tha më parë se Kanadaja do të synonte birrën amerikane, verën, burbonin, pajisjet shtëpiake dhe lëngun e portokallit në Florida.

“Tarifat do të prishin një marrëdhënie tregtare tepër të suksesshme”, tha Trudeau, duke shtuar se ato do të shkelnin marrëveshjen e tregtisë së lirë SHBA-Meksikë-Kanada të nënshkruar nga Trump gjatë mandatit të tij të parë.

Ndërkohë, Trump ka lënë të kuptohet se në vazhdim do të vendosen edhe më shumë tarifa, duke përmendur ato për importet bujqësore. Këto i shtohen planeve të tij për “tarifa reciproke” më të larta, me qëllim përshtatjen me taksat e vendeve të tjera dhe kompensimin e barrierave të tyre tregtare, një veprim që mund të godasë fort Bashkimin Evropian.

Jehon kënga e vallja shqipe në ceremoninë e hapjes së ITB Berlin

Ansambli Popullor elektrizon skenën në ceremoninë e hapjes së ITB Berlin, panairit më të madh global të turizmit, me performanca rrënqethëse që përçuan shpirtin dhe energjinë e Shqipërisë, shkruan albinfo.ch.

Një promovim i jashtëzakonshëm i kulturës shqiptare në zemër të Europës.

Pas fjalimeve në ceremoninë e hapjes në CityCube Berlinu prezantua një vitrinë magjepsëse të pasurive kulturore të Shqipërisë nën sloganin “All Senses” (të gjitha ndjesitë).

Elementet kryesorë të prezantimit të Shqipërisë përfshinë një udhëtim kinematografik nëpër Shqipëri, performanca live me “Shkodra Elektronike” – përfaqësuesit e Shqipërisë në Eurovision 2025 –, muzikë tradicionale të njohur nga UNESCO dhe performanca të vallëzimeve tradicionale shqiptare nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve.

Pas ceremonisë, të ftuarit shijuan specialitetet shqiptare të kulinarisë.

Shqipëria si vendi i nderit i ITB Berlin 2025 prezanton evente, diskutime dhe përvoja gjithëpërfshirëse nën sloganin “All Senses” në panairin që nisën të hënën e 3 marsit dhe përfundojnë të enjten, më 6 mars.

Shqipëria do të prezantojë trashëgiminë e saj të pasur natyrore e kulturore në tre ditët e këtij panairi global të turizmit.

Nën sloganin “Albania All Senses”, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë do të prezantojë buqetën e ofertave turistike të vendit nga data 4 deri më 6 mars 2025.

Përmes një agjende të pasur, Shqipëria do të përpiqet të përfshijë të gjithë pjesëmarrësit e këtij panairi t’i bashkohen një udhëtimi gjithëpërfshirës përmes larmisë së ofertave, një programi të zgjeruar eventesh, performancash dhe aktivitetesh.

Prokuroria Speciale: Albin Kurti s’u paraqit, do të veprojmë duke respektuar legjislacionin në fuqi

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se kryeministri Albin Kurti nuk është paraqitur në organin e specializuar për hetimin dhe ndjekjen penale për ta dhënë dëshminë e tij në rastin e dyshimeve për keqpërdorimet me rezervat shtetërore.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas interesimit të shumë gazetarëve, informon se dëshmitari A.K. nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij edhe përkundër faktit se i njëjti ka qenë i obliguar me Urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”.

Prokuroria Speciale thotë se “edhe në këtë rast penal, sikurse në të gjitha rastet tjera do të veproj duke respektuar legjislacionin në fuqi”.

Kurti kishte urdhër nga Gjykata Themelore e Prishtinës që sot në 10:00 të paraqitej para prokurorëve, por sikurse ftesat e Prokurorisë Speciale, ai ka vendosur ta shpërfill edhe këtë urdhër gjyqësor.

Në vend të kësaj ai ka shkuar në Gjilan së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci për vendosjen e gurthemelit të një çerdheje të re në lagjen “Livadhet e Arapit”.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se është i gatshëm të dëshmojë, por i ka ftuar hetuesit e Prokurorisë Speciale që t’i shkojnë në zyrën e tij. Nga Gjilani ku mori pjesë në vënien e gurthemelit të një çerdheje, Kurti tha se Prokuroria po e sulmon Qeverinë.

Sipas Kurtit, ka pasur raste më parë kur “hetuesit kanë ardhur në zyrën e kryeministrit, edhe madje jo vetëm si dëshmitarë, por edhe të pandehur”.

“Asnjëherë s’kam thënë se s’do të jap dëshmi dhe e refuzoj…Kam thënë se jam i gatshëm dhe i interesuar. Kam shkruar letër ku kam treguar edhe oraret kur mund të bëhen. Mirëpres Prokurorinë e Shtetit në zyrën e kryeministrit…S’ka ndonjë arsye që të mos vazhdojë. Pra, qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim dhe të jepet dëshmia nga ana ime”, ka thënë Kurti./Albinfo.ch.

Trump pezulloi ndihmën ushtarake për Ukrainën pas përplasjes me Zelenskyn

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pezulloi gjithë ndihmën ushtarake për Ukrainën, pas përplasjes së tij me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, javën e kaluar në Zyrën Ovale, përcjell albinfo.ch.

“Ne po e ndalojmë dhe shqyrtojmë ndihmën tonë, për t’u siguruar se ajo i kontribuon zgjidhjes”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke folur në kushte anonimiteti.

“Presidenti ka qenë i qartë se është i përqendruar në paqe. Ne kemi nevojë që partnerët tanë të përkushtohen ndaj këtij qëllimi”, tha zyrtari.

Bloomberg dhe Fox News raportojnë se pauza do të zgjasë derisa Trump të përcaktojë se udhëheqësit e vendit janë të përkushtuar – me besim të mirë – ndaj paqes.

“Kjo nuk është ndalesë e përhershme e ndihmës – është pauzë”, citoi Fox News një zyrtar të administratës Trump.

Sasia e saktë e ndihmës ushtarake që preket nga ky vendim, nuk është e qartë, por transferimi i armëve me vlerë 3.85 miliardë dollarë – i autorizuar nga Kongresi amerikan nën ish-presidentin Joe Biden – nuk është proceduar ende nga Shtëpia e Bardhë.

Ndonjë ndihmë e re ushtarake nuk është miratuar pasi Trump ka marrë detyrën në janar.

Kongresi amerikan ka miratuar vlerën e më shumë se 180 miliardë dollarëve ndihma për Ukrainën, prej se Rusia ka nisur pushtimin e saj në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022.

“Pezullimi i ndihmës së SHBA-së, para së gjithash, mund t’i prekë raketat e mbrojtjes ajrore, municionet HIMARS dhe artilerinë”, shkroi ligjvënësi ukrainas, Oleksiy Honcharenko, në Telegram.

Demokratët e dënuan menjëherë vendimin për pezullimin e ndihmave, duke e cilësuar si të rrezikshëm dhe të paligjshëm.

“Kolegët e mi republikanë, të cilët e kanë quajtur presidentin rus, Vladimir Putin kriminel lufte dhe kanë premtuar mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Ukrainën, duhet të bashkohen me mua dhe të kërkojnë që presidenti Trump të heqë dorë nga kjo ngrirje katastrofike dhe e paligjshme”, tha përfaqësuesi demokrat, Gregory Meeks.

Shtetet e Bashkuara, më herët, bënë trysni mbi Zelenskyn për t’u pajtuar me thirrjen e Uashingtonit për një marrëveshje që do t’u jepte fund luftimeve në Ukrainë, ndërkohë që udhëheqësit evropianë kërkuan një rol më të fortë në këtë qëllim.

Trump tha se durimi i tij është drejt fundit dhe kritikoi rezistencën e Zelenskyt ndaj perspektivës së një armëpushimi të shpejtë, pa garanci konkrete të sigurisë, që Kievi i kërkon nga Shtetet e Bashkuara.

Më 3 mars, Zelensky u citua të ketë thënë se fundi i luftës është “shumë, shumë larg”.

Trump shkroi në rrjetet sociale se “kjo është deklarata më e keqe që mund të ishte bërë nga Zelensky” dhe se “Amerika nuk do ta durojë për shumë kohë të gjatë”.

Ai shtoi se Zelensky “nuk do që të ketë paqe për aq kohë sa ka mbështetjen e Amerikës”.

Ky postim në platformën Truth Social lë të kuptohet se riparimi i lidhjeve me Shtëpinë e Bardhë – që udhëheqësit evropianë ia kërkuan Zelenskyt ta bënte – do të jetë një detyrë e vështirë pas përplasjes në Zyrën Ovale, më 28 shkurt.

Në atë takim, Trump dhe zëvendësi i tij, JD Vance, e qortuan ashpër Zelenskyn para gazetarëve.

Zelensky u largua nga Shtëpia e Bardhë pa nënshkruar marrëveshjen që do t’i jepte SHBA-së qasje në mineralet e rralla dhe burimet natyrore të Ukrainës, siç ishte e planifikuar.

Që nga ajo ditë, zyrtarët amerikanë i bënë thirrje Zelenskyt të kërkojë falje.

“Ajo që ne duhet të dëgjojmë nga presidenti Zelensky, është se ai ndihet i penduar për atë që ndodhi, se është i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen për mineralet dhe se është gati të angazhohet në bisedimet për paqe”, tha këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz, për Fox News më 3 mars.

Zelensky “duhet të jetë më mirënjohës, sepse ky vend i ka qëndruar pranë”, u tha më vonë Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

I pyetur nëse marrëveshja e mineraleve ka vdekur, Trump tha: “Jo, nuk mendoj kështu”.

Vance tha në një intervistë të transmetuar më 3 mars se, pavarësisht takimit të diskutueshëm në Zyrën Ovale, dera për ukrainasit mbetet e hapur.

“Kur ata të jenë të gatshëm të flasin për paqe, mendoj se presidenti Trump do të jetë personi i parë që do ta marrë telefonin”, tha Vance për Fox News.

Pas sulmit në Mannheim: Reagon Konsullata e Kosovës në Shtutgart

Dje pas sulmit në Mannheim të Gjermanisë, ku dy persona humbën jetën, Konsullata e Republikës së Kosovës në Shtutgart, doli me një njoftim drejtuar shtetasve të Kosovës në Mannheim, përcjell albinfo.ch.

“Pas sulmit që ndodhi sot në qytetin e Mannheim-it, Konsullata e Republikës së Kosovës në Shtutgart është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe me pjesëtarët e mërgatës sonë në këtë qytet.

Lusim të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, që kanë nevojë për ndihmë, të na kontaktojnë në numrin emergjent të Konsullatës:

+49 152 37337814.

Ju lutemi të qëndroni të sigurt dhe të ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale“, thuhet në njoftimin e Konsullatës së Kosovës në Shtutgart.

Shqipëria turistike i flet botës si vend nderi në panairin e Berlinit

Në Berlin u hap panairi më i madh ndërkombëtar i turizmit ITB, ku për herë të parë Shqipëria ka rolin e vendit të nderit.

Në hapjen zyrtare të panairit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se turizmi është një një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

Shqipëria turistike i flet botës nga Berlini, me krenarinë e vendit të nderit në panairin më të madh global të turizmit IBT.

Përfaqësuesit i ITB Berlin, organizues i panairit, Mario Tobias u shpreh në hapje të panairit (3 mars) se ndjehet krenar për këtë partneritet me Shqipërinë.

Ai u shprehu mirënjohjen për mikpritjen vitin e shkuar kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

“Bota e udhëtimit jeton këtu, askund tjetër! Dua të veçoj Shqipërinë, vendin pritës të 2025-ës. Jam shumë entuziast që është vendi mikpritës këtë vit. Përgjatë kësaj mbrëmjeje, do t’ju marr me vete në një udhëtim mahnitës drejt këtij destinacioni tërheqës. Shqipëria ka pasur një prani të fortë në ITB për shumë e shumë vite. Jemi krenarë që kemi një partneritet afatgjatë. Programi i sotëm premton të mos jetë më pak se spektakolar dhe mezi pres që të shihni edhe më shumë,” tha ai.

Pas fjalimeve në ceremoninë e hapjes në CityCube Berlinu prezantua një vitrinë magjepsëse të pasurive kulturore të Shqipërisë nën sloganin “All Senses” (të gjitha ndjesitë).

Numërimi drejt fundit, këto janë rezultatet nga mbi 90% të votave me postë të procesuara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar rezultatet nga numërimi i 90.37 përqind e votave të mërgatës nga votimi përmes postës.

Rezultatet e proceduara janë nga 169 kuti prej 187 sa janë gjithsej.

Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje prin me 51.70 përqind e votave apo 28 mijë e 593 vota.

Pas VV-së, renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 30.15 përqind e votave apo 16 mijë e 673 vota, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 9.52 përqind apo 5 mijë e 266 vota

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës renditet e katërta me 3.09 përqind e votave apo 1 mijë e 707 vota.

Screenshot-2025-03-04-074656.png